Çfarë duhet të ndryshojë opozita?
nga Blendi Fevziu
Panorama
Sfida kryesore e një opozite është të fitojë besimin e publikut! Ky është pak e a shumë përcaktimi që Samuel Hantington i bën rolit të opozitës në librin e tij “Vala e tretë”. Pa dyshim që përkufizimi i Hantigtonit është i rëndësishëm. Fitimi i besimit është arritja e parë thelbësore e një formacioni opozitar. Është elementi bazë që krijon frymën pro saj. Që nga këtu e deri tek ardhja në pushtet ekziston edhe një proces i dytë, jo kaq inspirues, por i domosdoshëm. Një proces, ku hyjnë elemente organizative, përzgjedhës, përfaqësues mediatikë e, në vitet e fundit, edhe financiarë. Eksperienca ka dëshmuar se me gjithë këto elemente, por pa frymëzimin që krijon raporti i besimit, ardhja në pushtet është e pamundur!Për fatin e keq, krijimi i besimit dhe ndërtimi i një raporti më të hapur me publikun po figuron ende i vështirë për opozitën shqiptare. E larguar nga pushteti me një rezultat ndër më të thellët e 23 viteve të pluralizmit, e djathta ka ngërç në ndërtimin e një raporti të hapur me publikun në Shqipëri. Zhvillimet e fundit e kanë dëshmuar edhe më shumë këtë gjë. Po tentoj të bëj një argumentim në këtë drejtim, duke shprehur thjesht një mendim dhe analizë personale.Pyetja e parë dhe kryesore në këtë analizë është: me cilën pjesë të publikut opozita ka nevojë të rindërtojë raport besimi reciprok dhe frymëzues?Përgjigjja i bie të jetë e thjeshtë: me elektoratin gri; me ata votues që ditën e zgjedhjeve prej zhgënjimit të palëve qëndrojnë në shtëpi dhe shpërfillin kutinë e votimit; për ata votues dikur të saj, që një ditë mendojnë se kundërshtari ka një platformë më të mirë dhe e votojnë atë; për ata njerëz që nuk motivohen me sherrnajë; për ata që më shumë dëgjojnë idetë dhe logjikën sesa duelin në Parlament. Dy grupimet e tjera janë më specifike. Militantët e kundërshtarit e kanë shumë të vështirë, për të mos thënë të pamundur ndërtimin e një raporti me forcën konkurrente. Ata janë si tifozët e futbollit, që edhe në disfatë gjithnjë mendojnë se fajin ua ka arbitri dhe asnjëherë s’besojnë se fitorja ka ardhur nga loja e ekipit tjetër. Militantët e opozitës s’kanë nevojë për raport besimi, sepse ata besojnë apriori gjithçka që liderët e tyre deklarojnë. Ata kanë një besim të ngulitur ideologjik dhe s’kanë nevojë për argumente që të ndërtojnë një besim të ri. Po a ka funksionuar raporti i besimit me elektoratin gri? A është shkëputur PD nga strategjia e përplasjes që motivon militantët e saj të trullosur nga humbja, në një strategji tjetër që të çon te qytetarët përtej rrethit të militantëve. Këtë është vështirë ta thuash.E para, PD asnjëherë nuk bëri një analizë serioze të votës kundër saj më 23 qershor dhe tentoi ta zhvendosë të gjithë debatin tek ideja e një elektorati të mashtruar nga premtimet e kundërshtarit. Kjo gjë, pjesërisht e vërtetë, nuk ka qenë decizive në largimin e PD nga pushteti. Mungesa e kësaj analize ndikon në ngërçin e një raporti të ri me votuesit.E dyta dhe kryesorja, strategjia e PD për të tejkaluar “të drejtën” e saj dhe për të marrë një përfitim më të madh dhe të ngutur në disa çështje, mund të kthehet shpejt në mosbesim të vazhdueshëm. Shembujt janë të thjeshtë:2 javë më parë, opozita shqiptare pati një nga arritjet kulmore dhe shumë të rëndësishme. Denoncimet e bëra prej saj në Parlament, për trafikun e drogës me avion, që u trajtuan me shaka dhe madje tallje nga maxhoranca, rezultuan të vërteta. Një kombinim rrethanash nguli në rërën e Divjakës (pikërisht aty ku kishte këmbëngulur opozita) një avion dhe një makinë që do ta ngarkonte atë me drogë. Denoncimi i së djathtës, që për shumë qytetarë ngjante i pabesueshëm (edhe për rrethanat specifike), u vërtetua ditën për diell. Asnjë fitore më të madhe nuk ka pasur opozita në këta 11 muaj që nga zgjedhjet e 23 qershorit. Ishte rasti i artë për një raport të ri besimi me publikun, një raport që mund të kishte qenë më solid nëse nuk do të shpërdorohej përmes tezave që minimalisht janë të pavërtetuara dhe maksimalisht janë të pavërteta. Dhe që ndikojnë për të prishur edhe atë që realisht qëndron dhe e panë të gjithë.Avioni ishte aty, ka ngelur ende. Kjo ishte e mjaftueshme që Kryeministri Rama të ngarkohej me përgjegjësi të plotë për shpërfillje të informacioneve; për arrogancë ndaj opozitës dhe dështim në qeverisjen e vendit. Të tria këto janë shumë të rënda për një qeveri. Por kur nga përgjegjësia si Kryeministër opozita e akuzon si kokën e trafikut të drogës në Europë; si organizatorin kryesor të saj kalon në një rrafsh tjetër. Ose duhet t’i vërtetojë akuzat e saj, ose duhet të pranojë që shpërdoron një fakt të rëndësishëm, siç është trafiku i drogës me avion.Për dorëheqjen e një Kryeministri mjafton edhe paaftësia e tij; për implikim në trafik droge, duhet të ndërhyjë drejtësia dhe ai të dënohet penalisht. Ndaj opozita, nëse s’ka në dorë një fakt, nuk mund të bëjë analiza politike. Nuk mund të shpërdorojë atë që është e qenësishme (siç ishte avioni me drogë) me detaje të tjera, që s’i vërteton dot dhe që sjellin mosbesim në publik.Kur flet për një ngjarje reale dhe pastaj shton se edhe deputeti Klosi paska marrë dikur disa kile drogë; që edhe një ministër qenka përdorues i saj, nuk bën asgjë më shumë sesa zhvleftëson dhe e bën qesharake një ngjarje, që është shumë e rëndësishme. Humb besimin e publikut, që në këtë rast e ke fituar me shumë vështirësi. Kur denoncon drejtues të rinj, të dënuar dikur për drogë dhe detyron maxhorancën t’i shkarkojë, ti ke fituar një betejë të madhe publike. Por vetëm kaq. Kur tenton t’i lidhësh këta me emra konkretë, pa fakte dhe në erë, s’bën asgjë tjetër, po vijon teorinë 20-vjeçare të denoncimeve në tym. Denoncime, që nuk ngjallin më besim dhe krijojnë ngërç në raportin që ti vendos me publikun.Për denoncimin e liderëve të maxhorancës që shkuan në përvjetorin e Kongresit të Përmetit, mjafton të sqarosh që ai kongres hodhi bazat e diktaturës komuniste dhe prishjen e raporteve me Perëndimin; që anuloi gjithë koncesionet amerikane dhe britanike. Mjafton të kujtosh që stema e RPSSH kishte nën kallëzat e grurit datën 24 maj 1944 si ditë të themelimit të njërës prej diktaturave më monstruoze në botë, që të bësh me përgjegjësi gjithë ata politikanë injorantë që morën pjesë aty. Por, kur thua që qeverinë e sotme e drejton Nexhmije Hoxha, shpërdoron të drejtën tënde dhe sërish kthen në qesharak një problem serioz, raportin me të shkuarën diktatoriale të vendit. Ndaj, kur kërkon një raport besimi, kur fton në protestë edhe qytetarë përtej militantëve të tu, duhet të jesh i sinqertë me ta. Mungesa e sinqeritetit të qeverisë provokoi manifestimin kundër armëve kimike. Manifestimi tipik që mbështetej mbi raportin e besimit dhe mosbesimit me qytetarët.Nëse opozita, siç thotë Hantingtoni, do të ketë si sfidë kryesore krijimin e besimit, këtë ka pak shanse ta bëjë në këtë mënyrë. Sepse, siç thoshte një gazetar i famshëm, kur thua 4 të vërteta dhe një gënjeshtër, në fakt ke thënë 5 të pavërteta. Dhe askush s’ka luksin ta shpërdorojë të vërtetën kështu.
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga ky opinionist