A ka frikë mazhoranca nga Byroja Kombëtare e Hetimit?
nga Blendi Fevziu
Opinion
Byroja Kombëtare e Hetimit është rikthyer sërish si një problem i mosmarrveshjeve midis opozitës dhe mazhorancës. Një javë më parë, PD akuzoi PS se po mbante peng çështjen e Byrosë së Hetimit dhe se nuk po e kalonte atë për votim në Parlament. Në fakt, Byroja e Hetimit, një projekt më shumë amerikan se sa shqiptar, ishte diskutuar edhe më parë dhe kishte gjetur një pengesë që kryesisht identifikohej me LSI. LSI, që nuk dukej shumë entuziaste për strukturën e re, kishte deklaruar disa herë, madje edhe përmes Ministrit të Drejtësisë Manjani, që Byroja e Hetimit do të kalonte bashkë me Reformën në Drejtësi. Ambasadori Lu, në disa dalje publike, deklaroi në fakt të kundërtën. Ai sqaroi se Byroja Kombëtare e Hetimit nuk kishte lidhje direkte me reformën në drejtësi dhe se ajo mund të aprovohej pavarësisht.

Drafti i Byrosë së Hetimit u kthye mbrapsht nga Gjykata Kushtetuese, e cila kontestoi faktin që Kryetari i saj mund të zgjidhej nga Ministria e Brendshme dhe hidhte poshtë idenë që hetimi mund të bëhej jashtë prokurorisë. Por më shumë se sa nga Gjykata Kushtetuese, Byroja e Hetimit qe bllokuar nga mosmarrëveshjet mes PS dhe LSI. LSI e shihte Byronë e Hetimit si një instrument që Rama mund ta përdorte kundër liderit të saj, në mungesë të ndikimit të Prokurori i Përgjithshëm. Drafti kishte mbetur në sirtar, deri një javë më parë, kur PD kërkoi zyrtarisht nxjerrjen e tij dhe votimin në Parlament. PD akuzoi PS për bllokimin dhe në fakt, Rama deklaroi se ky draft do aprovohej bashkë me reformën në drejtësi. Nuk dihet se cili qe roli i Ambasadës së SHBA në këtë histori, por sot, PS kaloi draftin në qeveri dhe e nisi atë në Parlament për aprovim. LSI e kontestoi fillimisht përmes Ministrit Manjani, por më pas e përshëndeti atë me anë të Petrit Vasilit.

Ishte PD ajo që sot deklaroi se nuk do ta kalojë këtë draft. Sipas PD, Rama ka kaluar një tjetër draft dhe jo atë për të cilin PD ka rënë dakort me Ambasadoren Vlahutin dhe Lu. Sipas PD, ky draft duhet të reflektojë korrigjimet e Venecias, gjë që s’e ka bërë.

PS deklaron të kundërtën, faktin që korrigjimet janë bërë dhe që drafti pritet të kalojë tani në procedurë normale në Parlament. PS madje shton se ka pasur përmes ndërkombëtarëve edhe konsensusin e PD. Konsensus që për këtë draft, Basha, por më parë edhe Berisha e kanë hedhur sot poshtë.

Si të gjitha gjërat në Shqipëri, edhe problemi i Byrosë së Hetimit, pra i draftit të saj mbetet i paqartë në deklaratat e palëve. Por me gjasë, pas deklaratave të fundit, PS dhe LSI i kanë votat për ta kaluar atë. Ndaj ky është testi nëse e duan realisht apo thjeshtë kanë bërë një lojë. Nuk është çudi që mund të kenë rënë dakort ta kalojnë draftin vetëm sa të mbarojë vizita e Sekretarit Kerri dhe më pas ta vendosin sërish në sirtar. Siç ka ndodhur jo rrallë me politikën shqiptare…
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga ky opinionist