Trashëgimia e së keqes
nga Besnik Mustafaj
Panorama
Para disa ditësh, zëdhënësja e Partisë Demokratike denoncoi emërimin e Erjon Bojaxhiut si kontrollor në Aeroportin e Rinasit. Mua më vjen keq që detyrohem ta përmend me emër këtë qytetar të lirë të Republikës së Shqipërisë, për të cilin nuk di asgjë më shumë nga ç’u tha në njoftimin e rastit nga ana e Partisë Demokratike, si dhe në sqarimin përkatës nga ana e Albkontroll. Dhe nuk bëhem në këtë rast dorëzanë për vërtetësinë e informacionit të njërës e as të tjetrës palë.

Sipas njoftimit të Partisë Demokratike, “në vitin 2009, Erjon Bojaxhi u ndalua nga policia në Rinas, pasi po tentonte të nxirrte nga Shqipëria 200 mijë euro, 101 mijë korona norvegjeze dhe 20 mijë dollarë. Një sasi e madhe parash me burim kriminal, e cila nuk mund të transferohej në llogari të sigurta jashtë përmes bankave”. Në reagimin e vet të shpejtë ndaj akuzës, Albkontroll, me cilësinë e punëdhënësit të të lartpërmendurit, sqaron opinionin publik se Erjon Bojaxhi, punonjës në pozicionin e kontrollorit të Rinas, rezulton i padënuar dhe është emëruar në këtë institucion në 2012, kur në pushtet ishte PD. Në këtë shkëmbim informacionesh ndërhyri dhe deputetja socialiste Vasilika Hysi, e cila tërthorazi e pranoi vërtetësinë e faktit të denoncuar nga PD. Ajo madje e rëndoi gjuhën ndaj zotit Bojaxhi. Zonja Hysi tha: “Turpi mbetet mbi PD. Siç e tregoi edhe zëdhënësja e Partisë Demokratike, për qeverisjen e shkuar demokrate nuk kishte rëndësi profesionalizmi në punë, pasi vendet ziheshin nga zanatçinjtë e krimit”. Përkthyer pa stërhollime stilistikore, sipas deputetes socialiste, Erjon Bojaxhi bën pjesë te “zanatçinjtë e krimit”.Kjo nuk është hera e parë dhe as e vetme gjatë këtij viti qeverisje socialiste, kur Partia Demokratike denoncon me forcë funksionarë me peshë në administratën publike e deri edhe të zgjedhur apo të emëruar në nivelet e larta politike, me të shkuar të damkosur kriminale, të cilët rezultojnë më pas të kenë qenë fillimisht të besuarit e Partisë Demokratike kryesisht gjatë mandatit të saj të dytë qeverisës. Rasti më i rëndë deri tani e që me gjasa nuk do të jetë i fundit në këto nivele, është ai i deputetit socialist Arben Ndoka. Historia e tij e shëmtuar e dhunës së përsëritur në Parlament njihet tashmë nga mbarë opinioni ynë publik dhe do të mbahet mend. Ama del se Arben Ndoka ka mbajtur një post të rëndësishëm drejtori gjatë periudhës së fundit të qeverisjes demokrate, ku vështirë të ketë arritur përmes ndonjë konkursi në kuptimin e vërtetë të kësaj fjale.

A ka të drejtë deputetja Vasilika Hysi kur thotë se në këto rrethana turpi i mbetet Partisë Demokratike? Po, ka të drejtë. Por kjo nuk ia heq aspak detyrimin politik Partisë Demokratike dhe opozitës në përgjithësi për t’i denoncuar, e madje me zë të lartë këto raste si simptomat e dukshme të një fenomeni, i cili po e gërryen së brendshmi si kancer procesin e ndërtimit të shtetit ligjor në Shqipëri. Dallimi është se Partia Demokratike duhet të arrijë te këto denoncime përmes një analize me ndershmëri të vetvetes në radhë të parë, për të qenë e besueshme pastaj kur drejton gishtin mbi kundërshtarin e vet politikë. Për të bërë opozitë politike nuk mjafton që faktet të jenë të verifikuara. Rëndësi të dorës së parë ka integriteti moral i ekipit politik, që i drejtohet shoqërisë përmes fakteve. Kjo do të ishte pjesë e analizës së gjerë të shkaqeve të humbjes së thellë, analizë që Partia Demokratike nuk e ka bërë dhe që nuk po jep ende shpresë se do ta bëjë, duke zgjatur kështu rrezikshëm agoninë e opozitës. Një opozitë moralisht e pabesueshme për shkak të së shkuarës së saj të afërme në qeverisje godet në zemër frymën e opozitarizmit brenda mbarë shoqërisë, që do të thotë se vë në rrezik vetë thelbin e demokracisë. Partia Demokratike do të duhej të nxirrte përfundime të sinqerta dhe serioze rreth arsyeve pse u katandis ajo për të kërkuar shërbimin e njerëzve të inkriminuar, ndërkohë që ishte kthyer në pushtet në vitin 2005 me premtimin e lavdërueshëm të duarve të pastra. Është një degradim shumë i rëndë, i cili do të vazhdojë ta gërryejë moralin e Partisë Demokratike për sa kohë ajo nuk e nxjerr jashtë vetes të keqen dhe t’u kërkojë falje publikisht të gjithë shqiptarëve për zhgënjimin që u shkaktoi. Kjo e keqe nuk nxirret jashtë me një fjalë që tha deputeti demokrat Genc Pollo, i cili edhe me aq mbetet deri tani i vetmi, se “kemi bërë gabim që i kemi dhënë poste Arben Ndokës”. Nxjerrja jashtë vetes e së keqes kërkon një tjetër vetëdije dhe kurajë politike. Përndryshe nuk ka ringritje të shpejtë të kësaj partie dhe të opozitarizmit në përgjithësi.
Po a ka thënë Vasilika Hysi gjithë ç’do t’i takonte të thoshte ajo si parlamentare, duke përmendur vetëm turpin që i mbetet Partisë Demokratike në këtë rast? Sigurisht që jo. Madje, në gjykimin tim, ajo ka bërë vetëm pjesën më të lehtë dhe më pa rëndësi të detyrës së vet – hedhjen e përgjegjësisë tek qeverisja e djeshme – duke qëndruar shumë larg asaj që do t’i takonte të bënte. Qeverisja e djeshme është e ndëshkuar nga elektorati dhe hedhja gurë mbi të nga fitimtarët nuk përbën ndonjë heroizëm. Një parlamentare me përvojë tashmë dhe për më tepër profesoreshë në jurisprudencë, siç është Vasilika Hysi, dhe zonjë që nuk përflitet edhe pas kaq vitesh të jetë sadopak peng i interesave jopolitikë, siç janë mjaft nga kolegët e saj, pritet që “turpin” ta shpërndajë me drejtësi dhe rreptësi parimore në të dy anët, duke shpjeguar edhe pse pikërisht këta njerëz me të shkuar kriminale u bënë menjëherë trashëgimia e parapëlqyer e fitimtarëve të rinj të pushtetit, pjesë e të cilëve ajo është. Vështirë të besohet se zonja Hysi dhe të ngjashmit e saj në shumicën parlamentare nuk kanë sy për ta parë të vërtetën në plotërinë e vet shqetësuese.

Po çfarë ua lidh gjuhën atëherë? Përgjigja e një pyetjeje të tillë nuk duhet të ketë lidhje me ndonjë droje apo frikë nga ana e atyre se po ta zhvillojnë të plotë kritikën për fenomenin në fjalë, “do të çojnë ujë në mullirin e opozitës”. Do të ishte një gjykim fort zhvlerësues për këto zonja e këta zotërinj, të cilët janë betuar mbi Kushtetutë të mishërojnë interesat më të lartë të kombit dhe jo interesat e ngushtë për pushtet të një partie. Nuk ma merr mendja se Ditmir Bushati apo Mimi Kodheli, Erion Veliaj apo Lindita Nikolla, Damian Gjiknuri apo Klajda Gjosha ndihen mirë si “kolegë” të Arben Ndokave? Heshtja e personaliteteve me integritet brenda shumicës parlamentare, njësoj si dhe tendencioziteti i tyre partiak vend e pa vend e jo parimor ndihmojnë në rrënjosjen dhe fuqizimin nëpërmjet degëzimit të “modelit politik Kokëdhima” në qeverisjen e vendit, duke i dhënë kështu dashje pa dashje pak të drejtë Fatos Lubonjës, i cili klasën politike shqiptare e stigmatizon si një bandë, dy gjysmat e së cilës vetëm ndryshojnë herë pas here vendet në krye të pushtetit me ndihmën e gjasme zgjedhjeve të përgjithshme. Pikërisht kjo gatishmëri, do të thosha fiziologjike nga ana e Ramës për ta përvetësuar menjëherë dhe pa dyshime apo brerje në ndërgjegje trashëgiminë më të keqe të administratës së Berishës, po këput me shpejtësi shpresat e atyre një milion shqiptarëve, të cilët votuan me zell të madh për ndryshimin. Rrufetë e Kryeministrit Rama kundër “kartelit të drejtësisë” e humbin gjithë fuqinë goditëse edhe kur janë me vend dhe bëhen pëlcitje tullumbacesh në kushtet kur ai vetë, në vathën e tij e ku është tërësisht përgjegjës, mbledh nga këto hukubete. Një milion shqiptarë nuk votuan për t’u dhënë një shans të dytë, tashmë të ngjyrosur mavi, njerëzve të inkriminuar që të kontrollojnë shtetin, siç po ndodh.
Halli i shoqërisë sonë në këto rrethana do të ishte shumë më i vogël sikur shpresa e opinionit publik për ndryshimin të gjente arsye të mjaftueshme për t’u zhvendosur drejt opozitës. Periudha e një mandati parlamentar kalon shumë më shpejt nga ç’duket në fillim të tij. Por këto arsye mungojnë ende, sepse opozita sillet me tepri sikur ka lindur dje dhe nuk ka asnjë të shkuar. Qëndrimi kritik ndaj të shkuarës së vet do të ishte provë thelbësore e pjekurisë së saj dhe dëshmi e energjive të mjaftueshme për ta lënë prapa të shkuarën në emër të marrjes së përgjegjësive ndaj të ardhmes. Në fund të vitit të parë qeverisës, Partia Socialiste po shfaqet zhgënjyese për sa i përket këputjes së lidhjeve të politikës me krimin e madh. Ndërkohë që opozita nuk po shfaqet dot shpresëdhënëse. Gjithnjë e më të shumtë janë miqtë e mi në rrjetet sociale, të njohur e të panjohur, të cilët më pyesin me një ankth të sinqertë se për kë duhet votuar vitin e ardhshëm.
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga ky opinionist