Një hero në kohën tonë
nga Besnik Mustafaj
Panorama
Me Ali Ahmetin nuk më ka qëlluar të rri shumë shpesh. Njëra nga këto herë është diku tre vjet më parë. Ishim për drekë bashkë, një drekë e gjatë, e ngeshme në restorantin e një shqiptari në dalje të Kërçovës. Kjo përkonte si periudhë me një fushatë të pashembullt kundër tij, e shpërthyer në fillim në Maqedoni, ku edhe e kishte furinë më të madhe, por që kishte mbërritur edhe në Shqipëri e, sigurisht, në Kosovë. Mua më dukej e tmerrshme ajo që po i ndodhte. Ftesën e tij për drekë e pranova me një ndjenjë thellësisht të përzier.Nga një anë e mendoja veten shumë në siklet përballë tij. Aq më tepër që do të ishim vetëm ne të dy. Isha i sigurt se ai do të ishte shumë i vrarë shpirtërisht dhe priste nga unë ta ngushëlloja. Në rrethanat e tij, një pritje e tillë do të ishte gjëja më njerëzore. Pa folur sa për të larë gojën, isha përgatitur t’i thosha se jeta e tij e përmbante mjaftueshëm përgënjeshtrimin. Kjo ishte bindja ime e brendshme. Gjithë ajo zallamahi me dosje të UDB-së e mandej të policisë së fshehtë serbe, ku Ali Ahmeti dhe dy nga bashkëluftëtarët e tij qëndrestarë, Musa Xhaferri dhe Fazli Veliu, paraqiteshin si hafije të regjura, ishin vetëm një sajesë e shëmtuar, një përpjekje e dëshpëruar për hakmarrje nga ana e atyre që Ali Ahmeti me UÇK-në i kishte mundur dhe poshtëruar. Nuk kisha nevojë për fakte. Përvoja në punët e shtetit më mjaftonte për të dalë te ky përfundim. Siç ndodh rëndom në botën tonë shqiptare, në këtë fushatë shpifjesh ishin përfshirë me zell të madh edhe kundërshtarët e tij politikë në Tetovë, me shpresën se u erdhi rasti ta hiqnin qafe “atë që u kishte marrë pushtetin”.

Nga ana tjetër, nuk do të ishte çudi që Aliu të më kërkonte një ndërhyrje, të cilën unë nuk do e merrja përsipër. Në fakt, kjo nuk ishte një drekë e parapërgatitur. Unë kisha shkuar në Tetovë për punët e mia një ditë më parë dhe vetëm në largim e lajmërova, me mendimin se nuk më lejohej të kthehesha pa i bërë një shenjë. Shumë–shumë do të pija një kafe me të. Ai doemos që do ta merrte vesh ardhjen time në Tetovë. Sidomos në rrethanat e tij të asaj periudhe, heshtjen time ai natyrshëm që do ta merrte si shmangie të lidhur pikërisht me “zbulimin” e tij si agjent i UDB-së qysh në rini, pastaj i Millosheviçit e në fund i policisë së fshehtë maqedonase.Me Aliun jemi miq dhe nuk doja kurrsesi që ai të krijonte një përshtypje të paqenë. Unë isha larguar nga politika prej afro dy vjetësh. Por Aliu e dinte fare mirë se miqtë e mi ishin në majat e pushtetit në Tiranë. Bamir Topi, President i Republikës. Kryeministër ishte Sali Berisha, me të cilin nuk merresha më vesh. Ama, po t’ia çoja një fjalë lidhur me këtë rast, ai me siguri që nuk do ta shpërfillte. Ali Ahmeti e merrte me mend kaq gjë pa qenë nevoja t’ia pohoja unë. Gjithë kjo përbaltje kundër tij mund të ndërpritej, së paku të zbehej me një ndërhyrje të lartë nga Tirana. Ali Ahmeti nuk kishte njeri më të përshtatshëm se mua, besoj, për t’ia kërkuar një ndihmë të tillë, e cila, për vetë specifikën e vet delikate, nuk mund të përcillej nëpërmjet kanaleve zyrtare, qofshin ato edhe diplomatike. Aliu është ushtar i vjetër, i mësuar të marrë vendime të shpejta. Ai me siguri që i kishte shkuar nëpër mend të gjitha këto gjëra, paragjykoja unë – dhe kishte kapur rastin të më mbante për drekë. Unë isha i vendosur të mos e merrja përsipër. Shkurt fjala, vetë miqësia jonë mund të varej në fije të perit, gjë që mua më dhembte thellë.

Gjëja e parë që i thashë vetes, kur u ndamë në fund të pasdites, ishte: Ky është hero. Më doli nga fundi i shpirtit. Ishte hera e dytë në jetën time që mua më pushtonte ndjesia ngazëlluese e takimit me një hero. Së pari kishte ndodhur në dhjetor 1990 me Azem Hajdarin. Më erdhi turp për hamendjet që ma kishin torollepsur trurin teksa shkoja të takohesha me të. Gjatë gjithë drekës ai ishte thellësisht i qetë, i gëzuar, krejt i pranishëm në bisedë, aq sa mua m’u desh një copë herë të mësohesha me pamjen e tij, e cila nuk ngjante asnjë fije me atë që kisha pritur gjithë ankth të më shfaqej. Koka e tij vazhdon të ketë një mospërputhje fiziologjike të dukshme midis fytyrës me sytë dhe me një lëkurë të njomë, djaloshare dhe flokëve të thinjur pothuaj deri në rrëzë si flokë plaku. Kjo kokë nuk do ta fshihte dot tronditjen, në qoftë se do ta kishte një të tillë. Më dukej e pamundur qetësia e tij. Për një burrë si Ali Ahmeti nuk mund të kishte goditje më të rëndë se kjo. Nuk ka damkë më të rëndë për një shqiptar të ish-Jugosllavisë se ajo e “spiunit të serbit”. Gjithë kuptimi që i kishte dhënë ai jetës së vet përmes një lufte të paepur dhe pa marrë parasysh çmimin, hidhej në pleh. Për t’i shkuar deri në fund së keqes, emri i tij si “spiun” lidhej me vrasjet e disa prej heronjve të luftës çlirimtare të Kosovës.

Ali Ahmeti, që kisha përballë ndërsa pinim një shishe verë të mirë maqedonase, më fliste për ëndrrën e tij më të re, tek e cila besonte me të njëjtën zjarrmi që kishte pasur me siguri tridhjetë vjet më parë, kur, student në Universitetin e Prishtinës, mori pseudonimin Abaz Xhuka për të vazhduar në klandestinitet luftën në emër të ëndrrës për çlirimin e Kosovës. Kishte ndryshuar Historia. Abaz Xhuka e kishte arritur qëllimin madhor të jetës së tij dhe i përkiste legjendës tashmë. Së sotmes i përkiste Ali Ahmeti, shpirti i të cilit nuk kishte ndryshuar aspak përsa i përket përkushtimit ndaj ëndrrave të mëdha. Kësaj here ai më tregonte për shqiptarët e besimit ortodoks në Maqedoni, të sllavizuar gjatë shekullit të fundit, kujtesa e të cilëve, e topitur përkohësisht, nuk kishte vdekur. Ai kishte besim të plotë se kjo kujtesë zgjohej, shqiptarizma ishte e ruajtur brenda shpirtit të tyre siç ruhet prushi nën hi. Ai më tregonte për personalitete të kulturës dhe të diasporës maqedonase, por me rrënjë shqiptare, me të cilët kishte hyrë në lidhje për këtë qëllim dhe po i jepnin shenja të mira përmendjeje. Nisur nga përvoja e vet si ushtar i thinjur në llogore, ai më tha se mundimi më i madh është për t’i vënë gjërat në udhë. Për t’i shtyrë përpara është, gjithsesi, më e lehtë. Ai ishte i bindur dhe vazhdon të jetë i bindur se zgjimi i vetëdijes stërgjyshore te shqiptarët ortodoksë të Maqedonisë, të sllavizuar jo për faj të tyre, është një vepër me dobi të shumëfishtë: është në të mirën e këtyre njerëzve të kthehen në identitetin e tyre. Është në të mirën e bashkësisë shqiptare të Maqedonisë të jetë, siç ka qenë, multikonfesionale. Është në të mirën e bashkësisë sllavo-maqedonase të ketë përballë edhe shqiptarë ortodoksë e jo vetëm myslimanë, për të biseduar së bashku lidhur me të ardhmen e përbashkët në Republikën e Maqedonisë. Ai më kishte zënë krejt në befasi. Gjatë gjithë drekës ai ishte një ëndërrimtar, në ecje drejt horizontit të tij me një hap të paarritshëm nga balta e pistë e dashakëqijve. Përjashtuar Ibrahim Rugovën, nuk kam parë burrë tjetër t’i përmbahet me aq besim parimit se “rëndësi ka çfarë di unë për veten time dhe jo çfarë mendojnë të tjerët për mua”. Ky parim do të duhej të ishte shumë i rrezikshëm për një udhëheqës politik, i cili fushë të vetme beteje me kundërshtarët ka kutinë e votës popullore ku, dashje pa dashje, shkarkohet ndjesia e të tjerëve ndaj tij. Në rastin e Ali Ahmetit edhe ky parim universal i demokracisë duket se vepron në përputhje me veçanësitë e heroit. Domethënë krejt ndryshe nga ç’vepron mbi vdekatarët e zakonshëm. Ali Ahmeti fiton edhe në kutinë e votës popullore.


Qysh nga ajo drekë unë nuk e kam parë më dot ndryshe Ali Ahmetin veç si hero. Kam hedhur mbi të një sy të fshehtë, a thua se po mblidhja arsye për t’ua shpalosur atyre që do të më nënqeshnin duke më kujtuar se një ngazëllim i tillë ishte arkaik, folklorik, naiv e kështu me radhë. Apo që më së paku do të më thoshin se nuk kisha dalë ende nga fëmijëria. Për më tepër, do të më thoshin, nuk pritej ky ngazëllim nga unë, një burrë që i ka kapërcyer të pesëdhjetat dhe ka lexuar një duzinë me libra të mendimtarëve të mëdhenj mbi fundin e Historisë, fundin e ideologjive dhe fundin e shumë gjërave të tjera, rreth të cilave ishte strukturuar jeta e njeriut modern gjatë dy shekujve të fundit dhe se e sotmja është pastërtisht koha e pragmatizmit, pa vend për heronj. A është e jetueshme në të vërtetë një kohë pa heronj? Me po atë sy të fshehtë lexoja gjithçka më zinte dora rreth Ali Ahmetit. Pyetja nëse është e jetueshme një kohë pa heronj çon te pyetja tjetër nëse është e mundur të ndërtohet fytyra e një kohe pa bashkëkohës të frymëzuar. Sado i dalë mode të ngjajë gjykimi im, po e shpreh: idetë në vetvete, jashtë shembullit njerëzor, rrezatojnë një energji të pamjaftueshme për të ndezur frymëzimin e bashkëkohësve. Syri im i fshehtë gjurmonte në shembullin e Ali Ahmetit posaçërisht ato vendime të cilat unë, i gjendur në rrethanat e tij, nuk do të kisha pasur kthjelltësinë dhe as kurajën t’i merrja. Kjo është marrëdhënia ime me heroin. Ja një shembull: çelja e luftës në Maqedoni, të cilën nuk e priste askush. Do të thotë se nuk e mbështeste paraprakisht askush. Kosova kishte fituar mrekullisht luftën e saj shekullore dhe kishte tashmë de facto kufirin shtetëror me Serbinë. Luftëtarët e UÇK-së kishin hequr uniformat ushtarake për të veshur kostumet vezulluese të politikanëve. Prej afro dy vjetësh ata shijonin lavdinë e fitimtarëve. Por kishin zbuluar ndërkohë edhe shijen molisëse të pushtetit. Ata nuk ishin më të gatshëm për çeljen e një fronti të dytë, duke shkelur kështu betimin e tyre themeltar për ta ndalur luftën vetëm kur të përmbushen të drejtat e të gjithë shqiptarëve të ish-Jugosllavisë. Madje shumë prej tyre, ata që udhëhiqnin tashmë parti politike në Prishtinë, do të bënin edhe përpjekje për ta penguar çeljen e kësaj lufte në Maqedoni, nën arsyetimin se dëmtohej rrjedha në të cilën kishte hyrë Kosova drejt pavarësisë de jure. Pa dashur të bëhem gojëkeq, po e them, megjithatë, edhe hamendjen time: te kjo luftë e re ata shihnin një kanosje për rehatinë e tyre. Shqipëria, nga ana e vet, shteti amë, përveç njëqind e një arsyeve të zakonshme për të, kishte edhe një të posaçme për t’i qëndruar mënjanë kësaj lufte: Tirana ishte në ethet e fushatës për zgjedhjet e qershorit 2001. Ndërkombëtarët me në krye SHBA, krenarë për fitoren e lehtë në Kosovë, nuk donin të dëgjonin më për përplasje ndëretnike në Ballkan. Për të qenë të qartë deri në fund, Ali Ahmetin dhe UÇK-në që po krijonte ai në malet e Sharrit, amerikanët e përfshinë në listën e terroristëve.

Çfarë zemre duhej të kishte Ali Ahmeti për të mos u shkurajuar në rrethana të tilla? Asnjë përgjigje për këtë pyetje nuk më çon te një njeri i arsyeshëm, i matur, i përgjegjshëm, në kuptimin që kanë këto përcaktime për njeriun e zakonshëm. Janë rrethana, që mund t’i shpërfillë vetëm një burrë me zemër të çmendur. Nuk di si ta përcaktoj ndryshe atë që vendosi, megjithatë, në atë fillim pranvere 2001 t’i çelte një luftë për jetë a vdekje shtetit maqedonas, i cili kishte me vete jo vetëm makinën ushtarake dhe policore, por edhe një mbështetje unanime ndërkombëtare. Asgjë e ngjashme me rastin e Millosheviçit. Logjikisht disfata ishte e paracaktuar.Portreti i Ali Ahmetit që kam njohur unë pas luftës nuk përmbante asnjë nga ato shenjat e përfytyruara për një komandant legjendar. Dukja e tij nuk ngjante asgjëkund, bie fjala, me Adem Jasharin. Ama, portreti i tij i përshtatej më së miri përfytyrimit që mund të kisha unë për strategun, i cili nuk lejoi bartjen e luftës në Shkup, ndërkohë që ushtria e tij ishte në ofensivë të plotë dhe të pandalshme. Retrospektivisht të gjithë pajtohemi se bartja e zjarrit në Shkup do të kishte qenë gabim me pasoja të paparashikueshme për vetë qëllimin për të cilin ata burra kishin rrëmbyer armët. Shumë veta në ato kushte do ta kishin bërë këtë gabim me siguri. Por nuk e bëri Ali Ahmeti. Sepse ai ka një cilësi që e dallon dukshëm nga të tjerët. Ashtu siç nuk thyhet nga dëshpërimi, ai as rrëmbehet nga euforia. Fati ma ka sjellë t’i njoh pak a shumë nga afër të gjithë protagonistët e Historisë shqiptare të njëzet vjetëve të fundit. Asnjëri nuk më duket kaq i paprekshëm nga euforia sa Ali Ahmeti. Në këtë vazhdë do parë edhe mbyllja e asaj lufte dhe arritja e një paqeje të pashembullt në Ballkan. Ali Ahmeti me të vetët ishte në pikun e ofensivës kur i zgjati dorën për paqe shtetit maqedonas. UÇK kishte arritur një radhë fitoresh, çka do të thoshte se morali i luftëtarëve ishte në majën e vet. Kishin një mbështetje të zjarrtë popullore mbarëshqiptare. Kishte dëshmorët e vet, të cilët, si dëshmorë doemos që thërrisnin për hakmarrje. Kishte përballë një ushtri qeveritare me moral të shpartalluar. Megjithatë, Ali Ahmeti mendoi në këto rrethana atë që do të duhej të ishte më e vështira për t’u menduar, sidomos nga komandanti i UÇK-së. Ali Ahmeti mendoi se ardhmëria e tyre si bashkësi shqiptare ishte e dënuar për të qenë në një republikë me bashkësinë maqedonase. Ata do të duhej pra ta ndërtonin së bashku paqen dhe ta gëzonin këtë paqe së bashku po ashtu. Rrjedhimisht, nuk duhej të kishte të mundur. E sidomos nuk duhej të kishte të poshtëruar, siç UÇK ishte plotësisht e aftë ta bënte. Nëse do të ndodhte kjo, në shpirtin e maqedonasve do të mbetej një llum i helmatisur, që nuk do të tretej për breza të tërë. Ai nuk donte që shqiptarët, të cilët do të zinin në të ardhmen pashmangshmërisht vend në të gjitha institucionet e shtetin maqedonas, të ndeshnin në sy kolegësh të mbushur me urrejtje, siç mund të jetë urrejtja e njerëzve të mundur deri në poshtërim. Ai e shmangu poshtërimin e maqedonasve, duke u dhënë atyre mundësinë të shndërroheshin nga armiq në kundërshtarë. Sepse me kundërshtarin, edhe atëherë kur horizonti duket sterrë i zi, është gjithmonë diku rruga e pajtimit. Ali Ahmeti me UÇK-në bënë të paktën aq sa ata kishin në dorë për t’i shërbyer të ardhmes së përbashkët shqiptaro-maqedonase.

Me ftesën për të çelur dialogun për paqen, ai zuri në befasi mbarë botën. Ky nuk ishte arsyetimi i një komandanti, qoftë ky edhe komandant legjendar. Ishte mirëfilli arsyetimi i një politikani dhe diplomati vizionar. Kjo befasi do të shkonte dhe më tej kur ai hoqi dorë nga kryesimi, madje edhe nga pjesëmarrja në delegacionin që do të kryente negociatat. Mungesa e tij në tryezën e bisedimeve natyrshëm që do të ishte lehtësim i madh psikologjik për palën maqedonase, gjë që në kokën e Ali Ahmetit përkthehej si fitim në kohë për arritjen e marrëveshjes. Marrëveshja përbënte qëllimin për të cilin ai kishte hyrë në luftë. Kjo sjellje e tij në rrethana të tilla të jashtëzakonshme nxjerr në pah një cilësi tjetër të tij: mungesën e joshjeve protagoniste. Cilësi kaq e rrallë kjo te njerëzit që bëjnë Historinë dhe krejt e panjohur te njerëzit që kanë bërë Historinë tonë kombëtare. Madje ai na dha rast të shihnim edhe sa shpërfillës ishte ndaj vetë lavdisë publike. Ali Ahmeti nuk shkoi as në ceremoninë e nënshkrimit të asaj që njihet si Marrëveshja e Ohrit, ku, veç të tjerash, do t’i detyronte ta përgëzonin zyrtarisht edhe ata që pak muaj më parë e kishin futur në listën e terroristëve të kërkuar ndërkombëtarisht. Jo. Aliut i duhej marrëveshja për t’ia sjellë popullit të tij, dhe jo fotografia në faqen e parë të gazetave. Marrëveshjen ai e donte për të filluar një erë të re në statusin qytetar të Maqedonisë.

Nuk e kam kuptuar pse Ali Ahmeti nuk ka marrë asnjëherë gjatë këtyre viteve ndonjë post në qeverisje. Dhe as e kam pyetur. Ndoshta instinktivisht kam dashur t’ia jap vetes një liri të pakufizuar për të bërë hamendje, liri kjo ngacmuese për imagjinatën e shkrimtarit, sado që jo rruga më e drejtë për të mbërritur tek e vërteta faktike. Por kjo mbetet një e vërtetë pa ndonjë rëndësi të madhe, për sa kohë të gjithë shqiptarët, dhe jo vetëm shqiptarët, e dinë se ku është truri strategjik dhe vendimor i aksionit politik të shqiptarëve të Maqedonisë. Po të mos ishte një skemë e ushtruar më parë nga Arbër Xhaferri kur udhëhiqte PDSH-në, do të kisha thënë se Aliu dëshmonte kështu një marri të mbetur nga veprimtaria e gjatë në klandestinitet.

Përtej kësaj anomalie në dukje, Ali Ahmeti do gjykuar si njeri i pushtetshëm. Historia që nisi, udhëhoqi dhe përmbylli ai me nder gjatë pranverës 2001, ka të gjitha tiparet e një revolucioni. Ajo çka udhëheq ai tashmë si politikan i “legalizuar” prej shumë vitesh dhe përmblidhet në “procesin e implementimit të Marrëveshjes së Ohrit”, është mirëfilli një evolucion. Këtu heroi im nxjerr në pah një tjetër mister të personalitetit të tij. Sepse, në historinë e njerëzimit janë shumë të rrallë revolucionarët e mëdhenj të shndërruar në evolucionistë koherentë. Kjo pasi revolucioni dhe evolucioni ndjekin rrugë krejtësisht të ndryshme për arritjen e qëllimit. I pari ndjek rrugën e shkurtër, pa menduar për çmimin, dhe përdor mjete radikale pa pyetur për fatin e kundërshtarit. Revolucioni e ka detyrimisht një fund. I dyti ndjek rrugën e gjatë, duke marrë parasysh edhe vështirësitë e kundërshtarit për t’iu përshtatur situatave të reja. Ai ndërton në vazhdimësi të sotme për bashkëkohësit dhe të ardhme për brezat e nesërm. Në rastin e Ali Ahmetit do pranuar se kjo gjë ka ndodhur. Ai ka kryer një heroizëm më vete duke arritur të shndërrohet nga revolucionar në evolucionist. Nëse do të përmendja një cilësi të qenësishme që Ali Ahmetit ka trashëguar nga revolucionari Abaz Xhuka, kjo është shpërfillja e çmimit që do t’i duhej ta paguante atij vetë personalisht gjatë udhëheqjes së evolucionit, i cili gjithsesi, po përparon në Maqedoni pavarësisht konvulsioneve herë të përligjura e më së shpeshti jo. Duke përmendur çmimin, nuk e kam fjalën për shpifjet e llojit “spiun i serbëve”, për të cilat Adam Michnik thotë se dalin nga gjirizet e shoqërisë. Fjalën e kam për gjëra pa lidhje me gjirizet.Pas një shtypjeje shekullore politike, kulturore dhe shoqërore, shqiptarët e Maqedonisë, e posaçërisht djalëria, fituan me një luftë të përgjakshme të drejtën për të qenë të barabartë me qytetarët e përkatësive sllave në atdheun e tyre të përbashkët. Aq e vërtetë është kjo fitore, sa legjitimimi i saj nuk u la në dorë të një grushti politikanësh të kancelarive, të cilët edhe nënshkruan Marrëveshjen e Ohrit, por iu nënshtrua një referendumi popullor, në mënyrë që edhe qytetarët e “tjerë” të shpreheshin lirisht. Askush nuk ka të drejtë të përfytyrojë si do të zhvillohej Historia e këtij vendi sikur referendumi të hidhte poshtë Marrëveshjen e Ohrit. Referenduesit, në shumicën e tyre, e miratuan. Ky është një fakt fatlum, por që nuk e zbut aspak padurimin e bashkëkombësve të Ali Ahmetit, të cilët e duan menjëherë, të përmbushur taze ëndrrën e tyre, ta shohin me sy, ta prekin me dorë e t’i gëzohen. Për një mijë arsye, njerëzisht të kuptueshme, ata nuk kanë veshë për të dëgjuar këshillat për durim e se gjërat e rëndësishme vihen në jetë hap pas hapi. Sidomos e papërfytyrueshme për ta është që një këshillë të tillë t’ua japë pikërisht ai që i udhëhoqi në luftë. Sepse arritjet duken gjithmonë më pak se ato që mungojnë. Në këto rrethana, Ali Ahmeti i takon më pak se kujtdo tjetër të përmendë arritjet, mendojnë ata që janë mësuar për tri dekada ta dëgjojnë t’u japë zemër për të mos u pajtuar me mungesat. Pati ndër ta edhe që e quajtën tradhtar.

Besoj se kurrë Ali Ahmeti nuk ka ndier një dhimbje më të madhe në shpirt se ditën kur dëgjoi ca zëra ta quanin tradhtar. Ai nuk tha si Jezusi: “Fali, o Zot, se nuk dinë ç’bëjnë!”. Si u soll Ali Ahmeti në këto rrethana të skajshme për karakterin dhe nderin e tij, dihet. Ai e ka përcaktuar qysh në rini kauzën e vet e nuk e ka ndryshuar më kurrë. Ajo që më shtyn mua në këto kohë heroike ta përfytyroj veten përballë tij si përballë një heroi, është pyetja, të cilën instinktivisht më vjen t’ia drejtoj vetes: Si do të sillesha unë po të gjendesha në rrethanat e tij? Pa dyshim që do të kisha përplasur derën duke mërmëritur me vete: mosmirënjohës! Gjejeni magjistarin që do t’ua sjellë me një goditje të shkopit parajsën! Dhe nuk do të më kishin parë më. Por e imja do të ishte sjellja e një sedërliu të zakonshëm shqiptar. Ndërsa Aliu, pa ndonjë delir madhështie, e di rrezikun që mbart një ikje e tillë nga ana e tij. Do të mbetej një zbrazëti, të cilën, me shumë gjasa, do ta mbushte një demagog. Më së keqi do ta pësonin ata që sot janë ndershmërisht të pakënaqur.
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga ky opinionist