Kujtesë postzgjedhore për Gruevskin
nga Besnik Mustafaj
Panorama
Të dielën, më 27 prill, në Maqedoni u zhvilluan dy palë zgjedhje: ato për Presidentin e Republikës si dhe zgjedhjet e përgjithshme, nëpërmjet të cilave përcaktohet Parlamenti i ardhshëm, pra edhe shumica qeverisëse. Sipas njoftimit paraprak të rezultatit, VMRO-DPMNE, partia e Kryeministrit Gruevski, duket se ia arriti qëllimit për të marrë 61 deputetë, domethënë një më shumë se gjysma parlamentare, duke fituar një liri teorike në kompozimin e shumicës së ardhshme qeverisëse. Por triumfi i tij njolloset gjithsesi nga kundërshtimi radikal i socialdemokratëve të opozitës, të cilët deklaruan ende pa u çelur numërimi i votave se procesi ishte thellësisht i manipuluar e se nuk e njohin rezultatin. Ata kërkuan përsëritjen e zgjedhjeve, të cilat, sipas tyre, duhet të organizohen nga një qeveri teknike. Ky qëndrim nga ana e opozitës tregon krizën e thellë të besimit që ekziston midis dy partive kryesore maqedonase. Përsa u përket shqiptarëve, BDI shënoi një fitore të thelluar, siç edhe ishte paralajmëruar nga sondazhet, duke marrë 19 deputetë, katër më shumë se herën e kaluar. PDSH e Menduh Thaçit mori 7 deputetë. RDK e Rufi Osmanit një deputet. PDSH duhet të jetë rrudhur me një deputet, ndërsa RDK, nga dy deputetë që kishte, zbriti në një. Por e rëndësishme për t’u vënë në dukje me kënaqësi është se shqiptarët së bashku do të përfaqësohen në Parlamentin e ardhshëm me dy deputetë më shumë se herën e kaluar.Për Maqedoninë këto zgjedhje parlamentare ishin të parakohshme. Ato i provokoi BDI, pas refuzimit nga Gruevski për të dalë në zgjedhjet presidenciale me një kandidat konsensual. Udhëheqësia e DBI nuk doli në raundin e parë e as të dytin për zgjedhjen e Presidentit, me argumentin se “ne nuk kemi kandidat”. Në fjalë të fundit, mungesa e shqiptarëve te kutia e votimit shënon një cenim të rëndë të legjitimitetit të kryetarit të shtetit gjatë mandatit të ardhshëm, i cili në asnjë version nuk do të përfaqësojë më gjatë këtij mandati unitetin e Republikës së Maqedonisë. Por ky qëndrim politik i BDI-së ka ngjallur qysh në fillim mërinë e thellë të vetë Kryeministrit Gruevski, i cili nuk u lodh gjatë fushatës së kërkuari nga elektorati maqedonas “një shumicë të pastër, për t’u çliruar nga Ali Ahmeti”. Një ligjërim i tillë nga ana e Kryeministrit të një republike multietnike mban doemos erë të keqe, siç mund të jetë e keqe era që zgjon urrejtje ndëretnike. Gruevski ka paralajmëruar, pra, nëpërmjet këtij ligjërimi elektoral se nuk dëshiron të vazhdojë bashkëpunimin qeverisës me BDI. Kjo nuk do të thotë se formalisht shqiptarët nuk do të jenë në qeveri. Kjo gjë nuk mund të ndodhë. Gjatë së njëjtës fushatë, kryetari i PDSH, Menduh Thaçi, ka thënë e përsëritur publikisht se pavarësisht rezultatit që do të kishte partia e tij në kutinë e votimit, ai do të ishte në qeverinë e ardhshme, duke dëshmuar kështu se kishte një marrëveshje paraprake me Gruevskin. Pyetja që shtrohet në këto rrethana është se a do të tregohet tashmë Gruevski aq arrogant sa ta përcaktojë vetë se kush do t’i përfaqësojë shqiptarët në qeverisje?Kjo është një pyetje delikate, që i shqetëson posaçërisht vëzhguesit politikë të zhvillimeve në rajonin tonë si dhe diplomatët perëndimorë. Kompozimi i një shumice qeverisëse në Maqedoni ka disa specifika, nëpërmjet të cilave sigurohen ekuilibrat në funksionimin e shtetit si dhe stabiliteti politik i vendit, pa të cilin nuk ka zhvillim. Këto specifika përcaktohen me themel qysh në ekzistencën e partive me bazë etnike, që do të thotë se edhe votimi i qytetarëve bëhet thelbësisht me bazë etnike. Rrjedhimisht, janë vetë zgjedhësit e të dyja etnive më të mëdha që përcaktojnë se kush do t’i qeverisë. Askush nuk mund të kapërcejë këtë vendim të zgjedhësve, qoftë edhe në një rast si ky i fundit, kur Gruevski i ka teorikisht numrat në Parlament për ta bërë qeverinë edhe krejt i vetëm. Shpërfillja e këtij realiteti nga fituesi i zgjedhjeve do t’i cenonte rëndë ekuilibrat ende shumë të brishta mbi të cilat mbështetet e sotmja dhe e ardhmja e Maqedonisë si shtet unitar. Po ashtu, çështja se cila nga partitë shqiptare do të jetë në qeverisjen e vendit nuk mund të jetë as edhe një mollë sherri midis vetë këtyre partive. Këtë çështje e kanë zgjidhur qartazi vetë votuesit shqiptarë, duke u hequr çdo të drejtë vendimore strukturave politike të këtyre partive. Ndryshe pse i kërkohet popullit të shprehet? Çdo përpjekje nga udhëheqësit e këtyre partive për të kënaqur dëshirat e veta për pushtet me anë të partnerit maqedonas, duke i rënë ndesh realitetit të dalë nga kutitë e votimit, do të shënonte një dhunim të vullnetit të zgjedhësve, gjë që në demokraci ka pasoja të rënda.Qeveria shqiptare dhe as institucionet e tjera të shtetit tonë nuk janë parë ende të shprehin ndonjë qëndrim lidhur me këtë çështje. Të paktën jo deri tani që unë po shkruaj e që është e hënë, 28 prill, pasdite. Është një vonesë e pashpjegueshme dhe që unë nuk jam në gjendje të them nëse vjen nga “harresa” dhe mosvëmendja apo nga ndonjë arsyetim tjetër. Sidoqoftë, për qeverinë shqiptare dhe institucionet e tjera të shtetit tonë, një zhvillim i tillë nuk mund të konsiderohet kurrsesi një çështje e brendshme e Maqedonisë, ku atyre nuk u takon të përzihen. Në preambulën e Kushtetutës sonë përcaktohet qartë detyrimi që kanë institucionet e shtetit shqiptar për të mbështetur proceset legjitime, nëpërmjet të cilave përmbushen të drejtat e shqiptarëve në territoret autoktone jashtë kufijve zyrtare të Republikës së Shqipërisë. Duke kryer këtë detyrë kushtetuese për t’ia bërë në kohë të ditur Gruevskit kufizimet që ka ai në zgjedhjen e partnerit të vet shqiptar për qeverisje, institucionet shqiptare e ndihmojnë vetë Gruevskin të legjitimojë qeverinë e tij të ardhshme përballë gjithë qytetarëve të Republikës së vet, por edhe i ndihmojnë forcat politike shqiptare të Tetovës të shmangin sherret e kota midis tyre si dhe qetësojnë opinionin publik shqiptar në përgjithësi dhe rrisin besimin e tij për t’u integruar në institucione. Ka vend të shpresohet se qeveria shqiptare “do të shkundet” nga gjumi. Mbetet të urojmë që kjo shkundje të ndodhë sa më shpejt. Në situatat e tendosura, dhe e tillë është pa dyshim sot situata në Maqedoni, sekondat kanë një vlerë tjetër.
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga ky opinionist