Edhe prokurori përballë gjakmarrjes
nga Besnik Mustafaj
Panorama
Para disa javësh, Prokurori i Republikës ka ndërmarrë një veprim që meriton të përshëndetet në mënyrë të posaçme. Ai ka ngarkuar vartësit e tij në të gjithë vendin, e veçanërisht në rrethet e veriut, të përfshihen energjikisht në parandalimin e gjakmarrjes. Prokuroria do të shkojë kësaj here përtej punës, të cilën, keq a mirë, e ka kryer deri tani për kapjen, hetimin dhe dërgimin në gjykatë të vrasësve me motiv gjakmarrjen. Sipas urdhrit të ri të prokurorit Adriatik Llalla, institucioni që ai drejton në vazhdim do të marrë në shqyrtim familjet e ngujuara për shkak të gjakmarrjes, për të identifikuar kanosësit dhe përdorur mbi ta ndëshkimin ligjor. Në Kodin Penal në fuqi, kanosja, qoftë edhe gjatë një incidenti të rastësishëm, ku nuk ka paramendim, përbën vepër penale. Po kur kjo kanosje bëhet me vetëdije të plotë, pra me paramendim të pjekur, zgjat me vite e dekada e më së shpeshti përfundon me vrasje tjetër? Bëhet fjalë pra për një krim, madje një zinxhir të pashkëputshëm krimesh me pasoja tragjike, të paralajmëruara publikisht, të cilat, për çudi, nuk kishin tërhequr deri tani vëmendjen e agjencive të caktuara për të parandaluar si dhe për të ndëshkuar kriminalitetin. Por, më mirë vonë se kurrë!Unë nuk jam zakonisht ithtar i represionit. Përkundrazi. Kam qenë dhe mbetem një mbështetës i heqjes së dënimit me vdekje. Nga ana tjetër, duke qenë nga Tropoja, në kulturën time zanafillore ka vendin e vet tradita krahinore, pjesë substanciale e së cilës është edhe Kanuni bashkë me ato pak nene që ka për gjakmarrjen krahasuar me kapitujt e gjerë për të rregulluar paqësisht marrëdhëniet midis njerëzve brenda familjes, brenda fisit, brenda fshatit, brenda krahinës e brenda kombit.

Gjatë karrierës sime të gjatë në fushën e diplomacisë dhe të marrëdhënieve ndërkombëtare, më është dashur me qindra herë t’u shpjegoj të huajve – zonja dhe zotërinj me peshë të madhe në vendet e tyre; se ç’është gjakmarrja. E them me zemër në dorë se kjo mbetet një bisedë që e mbaj mend për të keq për sikletin dhe shëmtinë që përmbante. Ishte sidomos e vështirë të shpjegoja pse ky fenomen barbar vazhdonte edhe në fund të shekullit të njëzetë, edhe në fillim të shekullit të njëzetë e njëjtë. Ose duhej të pranoja se ne jemi ende një popull primitiv, ose të pranoja se te ne nuk sundon ligji, e rrjedhimisht, njerëzit bënin vetëgjyqësi. Por, nisur nga faktet, varianti i vetëgjyqësisë së detyruar nga mungesa e ligjit edhe nuk qëndron vërtet. Rrallë, shumë rrallë ka ndodhur që të lahen hesapet me vrasësin, siç ka ndodhur shumë rrallë që vrasësit për gjakmarrje të arrijnë t’i fshihen burgut. Rëndom pasojat e rënda kanë rënë mbi vëllezërit e vrasësit, mbi gruan e fëmijët e tij, mbi nipërit dhe kushërinjtë. Ç’emër mund t’i vësh rastit të fundit që ndodhi në Dibër, kur u vra babai i tre fëmijëve të mitur në oborrin e shtëpisë së tij, në hallin e tij për të mundur varfërinë, vetëm pse e motra, e martuar tashmë prej vitesh, kishte vrarë të vjehrrën dhe tashmë gjendej në burg? Çfarë nderi vuri në vend i biri i viktimës me këtë vrasje? Ai i vuri vetes faqen e zezë, përveç se shkatërroi edhe jetën e vet, që do të kalbet burgjeve e për të cilën nuk ndiej aspak keqardhje. Gjithë keqardhja ime njerëzore shkon për babain fatkeq të atyre tre fëmijëve të mitur, i cili nuk kishte zgjedhur me dëshirën e vet të kishte një motër kriminele. Kësaj i thonë se secili prej nesh të jetë eventualisht i rrezikuar nga një damlla e tillë. Të gjithë kemi vëllezër, motra, nipër, kunetër, kushërinj. Ku e dimë ne me garanci se njëri prej tyre nuk çmendet një ditë prej ditësh?Më ka qëlluar shumë herë kur isha në punë të shtetit të lexoj raporte të zgjeruara mbi kriminalitetin e organizuar në Europë apo në Amerikë. Kur në rrjetet kriminale ishin të përfshirë shqiptarë, këto raporte kishin zakonisht një paragraf të përbashkët, pavarësisht se ishin hartuar në kohë të ndryshme dhe nga institucione me profil kombëtar apo ndërkombëtar, por funksionalisht të pavarura njëri nga tjetri. Në paragrafin që më digjte mua, kriminelët me origjinë shqiptare përshkruheshin si veçanërisht të dhunshëm, njerëz që e shkrepin me një lehtësi të madhe këmbëzën, gjë që, sipas hartuesve të raporteve në fjalë, tregon se për shqiptarët; dhe këtu kalohej në përgjithësim, jeta njerëzore ka një çmim fare të ulët ose nuk vlen fare. Shpjegimi për këtë shpirt mizor të kriminelëve shqiptarë gjendej e vazhdon të gjendet në kulturën tonë kombëtare, nisur nga shembujt e njëzet vjetëve të fundit të përshkallëzimit të gjakmarrjes. Ky stereotip poshtërues për shqiptarët ka zënë vend, dashje pa dashje, në kokat e politikanëve, të policëve, të gjyqtarëve e prokurorëve, por edhe në opinionin publik të vendeve të qytetëruara, pasi raportet kanë jehonën e tyre të shumëfishuar në media, gjë e zakonshme kjo në vendet e lira. Dhe për t’i vënë kapakun: janë disa filma artistikë me metrazh të gjatë, prodhime europiane, amerikane, kanadeze, braziliane, me subjekt të gjakmarrjes sonë. Ndër ta ka dhe filma që kanë arritur të marrin çmime të ndritshme në festivale të tilla të mëdha, siç është ai i Berlinit. Me aq sa jam unë në dijeni, gjakmarrja është e vetmja “temë shqiptare” që ka arritur deri më sot të bëhet tërheqëse për artin e shtatë botëror. Përmbledhtazi do thënë se pa mëdyshje gjakmarrja, me gjithë egërsinë që përmban, është kryesisht cilësia jonë kombëtare që njihet më shumë në planet. Disa qindra veta i kanë vënë një kombi të tërë maskën e tyre të përçudnueshme. A duhet të ndihemi ne krenarë brenda kësaj ekzotike makabre?

Fakt është se në burgjet tona janë disa qindra të dënuar për gjakmarrje. Para disa ditësh u njoftua në media se janë rreth 120 fëmijë të ngujuar, të cilët nuk arrijnë të ndjekin shkollën. Kjo është një plagë e rëndë më së pari për ata që e kanë mbi jetën e tyre. Por është një plagë e rëndë dhe po aq e shëmtuar edhe për mbarë shoqërinë shqiptare. Më tej, kur kjo plagë me anën e vet të shëmtuar bëhet shenja dalluese për afro 12 milionë shqiptarë që jetojnë në trojet e tyre apo kudo tjetër në botë, atëherë ne e vuajmë dhimbjen dhe sidomos turpin e saj si një padrejtësi që na bëhet të gjithëve së bashku e po aq secilit veç e veç. Por zgjidhja nuk është të ankohemi për hartuesit e raporteve në zyrat europiane apo amerikane dhe as për gazetarët apo kineastët. Ata janë në lirinë e tyre për të bërë punën e vet siç dinë dhe siç u pëlqen. Ne duhet të shohim këtu, secili sipas mundësisë së vet, ç’mund të bëjmë për të shëruar këtë plagë, për shkak të së cilës na ka dalë edhe nami se dhunën e skajshme dhe mungesën e dashurisë për jetën e kemi tipar të kulturës shpirtërore kombëtare. Do të thosha se këtë gjë e ka kuptuar Adriatik Llalla në këtë rast, me urdhrin që i ka dhënë të gjithë sistemit të prokurorisë për të hetuar e për të kërkuar ndëshkim për të gjithë ata që gjakmarrjen e quajnë burrni e nder. Mbetet për t’u parë sa seriozisht ka folur. Unë jam i bindur se këta ithtarë të gjakmarrjes nuk janë “trima të çmendur”.


Duke paragjykuar pozitivisht Prokurorin e Republikës, pra, duke besuar se është i vendosur t’i shkojë deri në fund asaj që ka shpallur, do të thosha se vetëm vullneti i tij nuk mjafton. Në njoftimin për mediat u tha se veprimin e prokurorisë do ta mbështesin edhe drejtuesit e komuniteteve fetare. Shërbëtorët e Zotit në Shqipëri kanë qenë gjithmonë kundër gjakmarrjes dhe meritojnë mirënjohjen e mbarë shoqërisë. Por ata që vrasin për gjakmarrje tashmë kanë dalë nga rruga e Zotit qysh kur e çojnë në mendje këtë gjë. Prandaj unë do të thosha se këtë veprim të prokurorit Llalla nevojitet ta mbështesë më së pari dhe me seriozitetin më të madh trupa e gjyqtarëve. Ka jo pak raste kur gjyqtarët tanë kanë dhënë dënime shumë të ulëta e madje edhe shumë të dyshimta për vrasësit në emër të gjakmarrjes. Kur vranë pastorin Dritan Prroni në mes të Shkodrës, kam bërë një shkrim ku jam përpjekur ta zbraz gjithë hidhërimin tim si dhe revoltën time njerëzore dhe qytetare. Mora vesh më vonë se vrasësi ishte dënuar me 16 vjet burg. Gjykatësi kishte zbatuar në këtë rast praktikën e gjykimit të shkurtuar, duke i ulur një të tretën pse vrasësi kishte pranuar fajin. Jam i sigurt se pastori i paharruar, po të kishte mundësi t’u drejtohej gjyqtarëve, do t’u fliste me zërin e Jezusit: “Fale o Zot se nuk ka ditë ç’po bënte!”. Por jo unë. Dhe qindra e mijëra të tjerë si unë. Ai vrasës e ka ditur mirë ç’po bënte, ndaj dhe meritonte të paktën gjithë ndëshkimin e ligjit. Për ndëshkimin e Zotit e ka në dorë Zoti.

Nuk më duket e tepërt që edhe legjislatorët të përfshihen në këtë betejë, e cila në thelb është betejë për të mbrojtur jo vetëm disa jetë njerëzish, gjë shumë e çmuar pa dyshim; por është betejë për të mbrojtur qytetërimin tonë si një qytetërim që sublimon dashurinë dhe dhembshurinë për jetën, e jo të kundërtën. Do t’i ftoja legjislatorët të ndryshonin Kodin Penal, për të parashikuar aty ndëshkime fikse sigurisht maksimale; për këto raste. Dënime fikse dhe shumë të larta mund të parashikohen edhe për kanosësit, të cilët, duke ua nxirë jetën familjarëve të hasmit, në të vërtetë mua ma fshijnë keqardhjen që do të duhej të kisha për dhimbjen e tyre shpirtërore. Nuk mund të kem keqardhje për një njeri të cilin dhimbja e shpirtit, sado e madhe të jetë kjo dhimbje, e shtyn të bëhet kriminel për veten e vet, madje edhe të ndihet krenar për rrugën e përgjakshme ku po hyn. Përcaktimi i dënimeve fikse, qoftë për vrasjen për gjakmarrje e qoftë për kanosjen që pason, si dy vepra të rënda penale, do të ishte ndoshta një mënyrë për të shmangur korrupsionin e Gjyqësorit. Sepse duam s’duam, ne po paraqitemi sot si një shoqëri që ka kapitulluar përpara këtij korrupsioni.
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga ky opinionist