Beogradi po lodhet
Albeu.com
Ministri i Pushtetit Lokal, Sadri Ferati e shikon me optimizëm pranueshmërinë e decentralizimit nga ana e serbëve të Kosovës. Një studim i Institutit Kosovar për Qeverisje Lokale thotë se Beogradi po e largon vëmendjen nga serbët e Kosovës, për shkak të krizës financiare. Për t’i bindur se decentralizimi është i mirë, serbët e veriut të Mitrovicës janë dërguar edhe në Ohër.Institucionet e vendit kanë shprehur vendosmërinë për t’i shkuar deri në fund ofertës së tyre për serbët në kuadër të pakos për decentralizimin, ndërsa shohin shenja dobësimi te Beogradi në luftën e tyre për t’i mbajtur serbët larg ofertës kosovare.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Sadri Ferati pret që shumë shpejt të përfundojë ajo që ai e quan “lojë të Qeverisë në Beograd me serbët e Kosovës”. Të shtunë, Ferati, gjatë konferencës për decentralizimin që u mbajt në Prishtinë, është shprehur se procesi i decentralizimit nuk është në fazën e disenjimit të projektit, por fazën e realizimit të obligimeve që ka marrë.

“Serbët janë nën ndikim të Beogradit, por në momentin kur qytetarët serbë marrin këto të drejta të fuqishme, që garanton Kushtetuta moderne, ata do të integrohen në shoqërinë kosovare dhe Beogradit do t’i digjet letra se në Kosovë nuk ka funksionim të shtetit, se Kosova nuk prodhon stabilitet dhe perspektivë”, thotë Ferati.

Ai pret që implementimi i procesit të bëhet brenda tri viteve, ashtu siç parashihet, në mënyrë që atëherë t’i bëhet procesit një rishikim për të parë se çfarë është arritur.

Serbët e Kosovës, kohëve të fundit kanë dhënë shenja se janë luhatur ndaj ofertës së Prishtinës, siç shihet për shkak të pamundësisë së Beogradit për t’i përmbushur kërkesat e tyre financiare.

Dy muaj më parë, një sallë gjigante restoranti në Graçanicë ishte e vogël për t’i zënë të gjithë serbët e interesuar për ta dëgjuar ofertën për decentralizim nga Ministri Sadri Ferati dhe nga vetë Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar, Pieter Feith.

Ministri i Pushtetit Lokal thotë se takime të tilla janë mbajtur në shumë lokalitete të Kosovës ku banojnë serbët.

Por takimi që duket se e ka mbushur më së shumti me optimizëm Ministrin kosovar është ai i Ohrit. Ferati thotë se dhjetëra biznesmenë, përfaqësues të komunitetit dhe përfaqësues të OJQ’ve të serbëve nga veriu i Kosovës janë dërguar për disa ditë në këtë qytet turistik të Maqedonisë për t’u informuar rreth asaj se çka në fakt është decentralizimi sipas modelit të Ahtisaarit.

“Nuk kanë qenë njerëz të përzgjedhur nga ana jonë me lista. Kanë qenë pjesëmarrës që kanë ardhur vullnetarisht. Kemi zhvilluar diskutime të mira me ta dhe u kemi shpjeguar se çka ofrojmë ne”, thotë Ferati.

Raportohet se mbi 300 serbë kanë aplikuar në konkursin e hapur për ekipet përgatitore për themelimin e komunave të reja në Kosovë. “Ky është konkurs i Republikës së Kosovës dhe ata kanë pranuar që të aplikojnë në këtë konkurs”, thotë Ferati, duke arsyetuar optimizmin e tij për pranueshmërinë në rritje të serbëve ndaj decentralizimit.

Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale ka përgatitur një studim rreth implementimit të procesit të decentralizimit në vitin e parë të funksionimit të Kosovës me Kushtetutën e vet.

Studimi e sheh Serbinë “të prekur shumë” nga kriza globale financiare që e cila thuhet se ka rezultuar me zvogëlimin e buxhetit për administratën dhe punëtorët tjerë të cilët Beogradi i paguan në Kosovë.

“Në qasjen e serbëve të Kosovës kanë ndodhur disa ndryshime: serbët, veçanërisht ata nga pjesa jugore e lumit Ibër duket të kenë marrë një qasje më pragmatike karshi procesit të decentralizimit meqenëse kanë filluar të mendojnë për ekzistencën e vet në kuptim më të gjatë kohor”, thuhet në këtë studim, i cili është prezantuar të shtunën në Prishtinë, në kuadër të konferencës. “Procesi i decentralizimit në Kosovë një vit pas Kushtetutës - të arriturat dhe ngecjet”.

Por jo vetëm serbët ndjehen të pakënaqur me decentralizimin. Kryetari i Komunës së Novo Bërdës, Bajrush Ymeri thotë se nuk i kupton institucionet e Prishtinës pse kanë vendosur që t’ia zgjerojnë kufijtë kësaj komune.

Pakoja e Ahtisaarit ia jep Novo Bërdes disa fshatra të banuara me serbë që i takojnë Komunës së Gjilanit me qëllim të vetëm që në Novo Bërdë të krijohet një epërsi solide numerike e serbëve ndaj shqiptarëve. Por duke vendosur kështu, Novo Bërdes i janë dhënë fshatra të cilat shumë më të lehtë e kanë pasur qasjen në Gjilan sesa në komunën e re.

Ymeri thotë se kjo e komplikon jetën e qytetarëve të Komunës së tij. “Nuk kemi dyshime te krijimi i komunave të reja por na duket i dyshimtë zgjerimi i komunës së Novo Bërdës. Ne e kemi thënë se qytetarët nuk janë pyetur fort kur ka filluar ky process”, thotë Ymeri.

Sipas tij, problemet shtohen kur bëhet fjalë për implementimin e projektit me fshatrat që duhet të gravitojnë në Komunën e Novo Bërdes.

“Për momentin kontaktet që i kemi janë pikërisht me qytetarët serbë të komunës sonë. Nuk kemi asnjë kontakt me serbët e fshatrave që duhet të jenë me Novo Bërden kur të zgjerohen kufijtë e komunës”, thotë Bajrush Ymeri. (nga Përparim Isufi, express)
Shtuar më 14/06/2009, ora 19:28
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori