Bashkimi që bën fuqinë
Albeu.com
nga Jahi JahiuNjohja e pavarsisë së Kosovës nga ana e Maqedonisë para disa ditëve, përveç aspektit pozitiv ndërkombëtar që kishte në raport me Kosovën, shënoi edhe një moment tjetër brenda shqiptarëve në Maqedoni dhe që kishte kohë që mungonte.Qëndrimi i përbashkët i të gjithë subjekteve politike shqiptare në drejtim të njohjes së pavarësisë së Kosovës edhe njëherë dëshmoi se suksesi i shqiptarëve në Maqedoni në realizimin e të drejtave të tyre kombëtare, kalon përmes unitetit të këtyre subjekteve.

Është i vërtet fakti se njohja e Kosovës nuk ishte një sukses ekskluziv i partive politike shqiptare në Maqedoni, e as i qeverisë së këtij vendi, por në radhë të parë ky ishte një rezultat i një projekt ndërkombëtar i filluar nga SHBA dhe Bashkimi Evropian. Por pavarësisht nga kjo, që nga momenti i shpalljes së pavarësisë së Kosovës, partitë politike shqiptare në Maqedoni, pozitë apo opozitë, në vazhdimësi kërkonin nga qeveria e Maqedonisë që ta njohë shtetin e Kosovës. Dhje kjo përpjekje e përbashkët, u finalizua me paraqitjen e një rezolute në parlament nga ana e partive shqiptare rreth marrëdhënieve të Maqedonisë me Kosovën e cila më pas hapi rrugën për njohjen e kësaj të fundit nga qeveria e Shkupit.

Kjo rezolutë, përveç që konkretizoi njohjen e Kosovës, e cila padyshim u mirëprit nga të gjithë shqiptarët, në skenën politike shënoi edhe një moment tjetët të dobishëm për shqiptarët dhe demokracinë në Maqedoni. Pas një bojkoti disa mujorësh deputetet e PDSH-së u kthyen në parlament. Kthimi i këtyre deputeteve padyshim që do të kontribuoj edhe më shumë në drejtim të realizimit të projekteve tjera shqiptare, kuptohet, duke luajtur rolin e opozitës konstruktive në këto procese.

Përveç qëndrimit ndaj pavarësisë së Kosovës, partitë politike shqiptare në Maqedoni shfaqen një qëndrim unik edhe rreth procedimit të katër rasteve të kthyera nga Gjykata e Hagës, raste të cilat rezultuan me heqjen e imunitettit të dy deputeteve të BDI të akuzuar nga prokuroria si pjesmarrës në dy raste të Hagës.

Edhe BDI dhe PDSH ishin të qëndrimit se këto katër raste të, cilat lidhën me konfliktin e vitit 2001 në Maqedoni, janë të përfshira në Ligjin për amnesti dhe si të tilla nuk mund të trajtohen nga gjykatat e Maqedonisë duke kërkuar në të njejtën kohë interpretimin e Ligjit nga ekspert të vendit dhe ato ndërkombëtar. Qasja e përbashkët e këtyre subjekteve rezultoi me formimin nga ana e Qeverisë të Komisionit të ekspertëve për interpretimin e Ligjit të amnistisë , detyra e të cilit do të jetë interpretim se nëse katër rastet e kthyera nga Haga duhet të përfshihen në ligjin për amnisti, ose duhet të procedohen para gjykatave të Maqedonisë.

Por edhe përkundër këtyre rasteve ku subjektet politike shqiptare shfaqen unitetin e tyre, akoma është herët të thuhet se nëse ky unitet do të vazhdoj edhe në të ardhmën. Zyrtarizimi i gjuhës shqipe, statusi i ish-ushtarëve të UÇK-së, Ligji për flamurin, akoma vazhdojnë të mbeten si çështje të pazgjidhura. Miratimi së fundi në parlament i Ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe për PDSH-në është një ligj i cunguar dhe larg zyrtarizimit të plot të gjuhës shqipe në Maqedoni. Edhe rreth statutit të ish-ushtarëve të UÇK-së BDI dhe PDSH nuk kanë qëndrime të harmonizuara.

Prandaj duhet të jesh tepër optimist që në këto momente të konstatosh se tek subjektet politike shqiptare në Maqedoni filloi një bashkëpunim i plotë që vazhdimisht kishte munguar. Por ajo që mund të konstatohet në këto momente është fakti se tani më të gjithë e kanë kuptuar, se rezistencës për avancimin e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni, politikisht mund të përballohet vetëm nëse ekziston një bashkëpunim i ngushtë i subjekteve politike shqiptare në këtë vend. Deklaratat si ato se njohja e Kosovës do të bëhet atëherë kur këtë do ta thotë kjo parti ose ajo parti dolën si joreale, sepse njohja e Kosovës erdhi atëherë kur këtë e thanë të gjithë shqiptarët të bashkuar. Dhe padyshim që e njëjta formulë do të vlej edhe për rastet tjera me interes kombëtar për shqiptarët e Maqedonisë. (G. Start)
Shtuar më 14/10/2008, ora 02:36
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori