Ballkani duhet të trokasë ndryshe në BE
Albeu.com
Ndoshta asnjëherë më parë se tani liderët e rinj ballkanikë e kanë kuptuar se trokitja për në dyert e Evropës duhet bërë bashkërisht dhe në një kohë të përshtatshme për të gjithë. Dhe me çfarë po shihet, zërat kanë filluar të bashkohen. Tirana, Shkupi, Beogradi.Dubrovniku, Podgorica e vende të tjera të Evropës Juglindore po mundohen të kapin çastin, pra të jenë njëherazi bashkë dhe në momentin e duhur.Si për t’i kujtuar Evropës se ajo nuk mund të jetë e sigurt pa sigurinë e tyre, pa zhvillimin ekonomik dhe vlerat e zhvillimit, sepse që kontinenti plak të jetë i sigurt duhet të ketë të tillë edhe oborrin e pasmë të tij, të zhvilluar dhe më një stabilitet të qëndrueshëm e afatgjatë ekonomik. Shqetësimi për një Ballkan me investime dhe krijimi i një tregu të përbashkët ekonomik ishte në qendër të konferencës rajonale “Investimet dhe financat për Evropën Juglindore”, e cila u mbajt pak ditë më parë në Dubrovnik. Të gjithë në Ballkan e dinë tashmë se kjo pjesë e kontinentit nuk mund të zhvillohet në rrugën e integrimit evropian pa një tërheqje masive të investimeve të huaja dhe aq më pak pa një bashkëpunim intensiv të tregjeve dhe ekonomive të vendeve respektive. Jo rastësisht nga presidenti Moisiu te homologu i tij maqedonas Gjeorgjevski, nga serbi Tadiç apo te kroati Ensir po tentohet të luhet fort me kartën e integrimit ekonomik të një rajoni, i cili po troket ethshëm në dyert e Evropës së njëzetepesëshes. Në konferencën e Dubrovnikut krerët e shteteve, por edhe mendimi financiar e ai ekonomik ranë në një mendje se, për Ballkanin vizioni evropian është e vetmja shpresë për ta nxjerrë nga vrima e zezë e një prapambetjeje ekonomike, e cila e shoqëruar me realitetet e nacionalizmit vazhdon ta mbajë rajonin në periferi të strategjive evropiane për zgjerimin gradual të kontinentit drejt juglindjes së tij. Nga ana e tyre edhe vetë drejtuesit e lartë të disa prej vendeve të Evropës Juglindore e njohin këtë realitet dhe po mundohen që herë veç e herë në kor t’i dërgojnë Evropës sinjale të qarta për përpjekjet e tyre serioze drejt një integrimi gjithëplanësh. Në Dubrovnik u përsërit se arritja e stacionit Evropë, përveçse vullnet politik të gjithsecilit vend, kërkon thithje e përmirësim të investimeve, të cilat janë po kaq jetike për integrimin e realiteteve të vendeve të Evropës Juglindore në strukturat evropiane. Por nga ana tjetër, mendimi politik në Ballkan ngul këmbë se ka ardhur koha që edhe Bashkësia Evropiane duhet t’u dërgojë sinjale të sigurta vendeve të Ballkanit Perëndimor se, premtimi për evropianizim nuk është dhe nuk do të mbetet një iluzion. Analistët vendas shkojnë më tej kur përsërisin se pa një përkushtim serioz nga ana e BE-së në zhvillimin e një strukture të re të instrumenteve të politikës, rajoni do ta shohë veten mjaft të izoluar nga zhvillimet e vrullshme që po shpalosen rreth tij. Në takimin e Dubrovnikut, përtej tryezës zyrtare, pati zëra se me zhvillimin e disa vendeve fqinje si Rumania, Bullgaria, Kroacia, Sllovenia, kapacitet e shteteve të tjera të rajonit për t’u bashkuar me projektet evropiane më kalimin e kohës vetëm do të bien. Kriza e re e zhvendosjes ekonomike e sociale që ka mbërthyer disa nga vendet e Ballkanit Perëndimor nuk mund të menaxhohet vetëm përmes një asistence të vazhdueshme të rindërtimit. Evropa duhet të gjejë rrugë e mundësi të reja për të qenë më pranë këtyre vendeve të varfra. Presidenti shqiptar është i mendimit se ajo që i duhet tani rajonit është një treg i përbashkët funksional që të jetë atraktiv për investimet e huaja. Jo rastësisht dhe jo për herë të parë zoti Moisiu ngriti tonet në Dubrovnik drejt asaj që ai e cilësoi si bashkëpunim të ndërsjellë në shumë fusha mes shteteve të rajonit, duke lënë të nënkuptojë se është koha e bashkimit ballkanik, çka përmbledh krijimin e zonave të tregtisë së lirë, shengenin ballkanik, integrimin e vlerave e të tregjeve etj, etj. Por, pavarësisht dëshirës pozitive të presidentit shqiptar, ekzistenca e disa problemeve strukturore binjake që vihen re në Maqedoni, Serbi, Mal i Zi, Shqipëri e gjetiu, më shumë se sa konsolidim “të progresit të përbashkët” dhe “integrimit gradual” do të shoqërohen me pasoja të dukshme në qeverisjen e rajonit. Pasi të gjithë e dinë se këto vende kanë nevojë jo vetëm për investime në bujqësi, por edhe për strategji të reja zhvillimi, të cilat kondicionohen nga karakteristikat e zonave tërësisht rurale në këtë pellg. Evropianët duhet ta dinë se është në interes të tyre të përdorin sa më shpejt që të jetë e mundur të gjithë arsenalin e tyre të mjeteve financiare dhe politike në funksion të përballimit të sfidave që kanë disa vende të rajonit, pavarësisht përparimit që po bëjnë me hapa e ritme të ndryshme shtete të veçantë në kuadër të procesit të stabilizim-asociimit. Askush nuk ka kohë të humbasë me recetat e tipit “progres dhe bashkëpunim i ndërsjellë” të lëshuara shpesh nga zyrat e Brukselit. Tani është koha e investimeve serioze dhe me gjetjen e burimeve të reja financiare, të cilat do ta kthejnë rajonin në një partner të denjë përballë një Evrope në kriza politike e ekonomike.
Rezear Xhaxhiu , Panorama
Shtuar më 01/11/2005, ora 17:52
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori