Ballkani duhet te shqetesohet nga militarizimi i Serbise
Albeu.com
nga Petrit HALITIDisa shtetarë dhe diplomatë të lartë në Europë dhe në rajonin tonë kanë përshëndetur edhe Suplement publikisht qëndrimin e deklaruar të presidentit serb dhe të ministrit të Jashtëm serb, se Serbia do të .......përdorë vetëm mjete diplomatike në politikën e saj në Kosovë dhe në Ballkan. Në disa qarqe diplomatike europiane deklarata të tilla të udhëheqësve aktualë të Serbisë, (të cilat janë vërtet të këndshme për t’u dëgjuar, por shumë të bukura për t’u besuar), po reklamohen si shenja të një portreti europian të pushtetarëve në Beograd. Mirëpo, përtej imazhit virtual të një politike të jashtme dhe diplomacie paqësore, brenda në Serbi ka një rrymë zhvillimi, e cila prodhon disa sinjale që duhet të alarmojnë shtetet në rajon, dhe në radhë të parë Kosovën dhe Shqipërinë. Duhet të alarmojnë edhe BE-në, ku disa kryeqytete mezi presin t’u thotë Beogradi “mirëmëngjes” që t’i akordojnë statusin e shtetit kandidat të BE-së. Duhet të alarmojnë edhe NATO-n, e cila me shumë zemërgjerësi e ftoi Serbinë dy vjet më parë t’i bashkohej programit “Partneritet për Paqe”.
Njëkohësisht me fillimin e punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, presidenti i Serbisë dhe komandant i përgjithshëm i forcave të armatosura serbe, Boris Tadiç, njoftoi se ushtria serbe do të shtohet me dy mijë forca ushtarake të reja. Zyrtarisht numri i ushtrisë serbe, nga 28 mijë do të shkojë në 30 mijë, ndonëse ekspertët ushtarakë serbë pohojnë se numri real i ushtrisë është e do të jetë më i madh nga shifra zyrtare. Pas njoftimit të presidentit, shefi i shtabit i ushtrisë serbe, Zdravko Ponos, bëri të ditur se numri i kësaj ushtrie do të vazhdojë të rritet dhe se një gjë e tillë do të varet nga kërkesat. Ministria e Mbrojtjes informoi se në bazë të prioritetit të saj të modernizimit të ushtrisë dhe blerjes së armëve të reja moderne, vitin e fundit ajo shpenzoi për këtë qëllim sa kishte shpenzuar në tre vjet e gjysmë, ose 3.5 herë më shumë.
Rritja e efektivave të ushtrisë serbe bëhet në një kohë që vetë plani strategjik i Serbisë për mbrojtjen, i hartuar dy vjet më parë, kur Boris Tadiçi ishte gjithashtu edhe president, edhe komandant i përgjithshëm i forcave të armatosura serbe, planifikonte uljen e efektivave të ushtrisë serbe deri në 21 mijë vetë. Ahere pse u vendos tani të shkohet në kah të kundërt, përse po armatoset dhe militarizohet Serbia, pse po shton efektivat e forcave ushtarake, kur ka planifikuar pakësimin e tyre, cilat janë faktorët dhe objektivat e këtij militarizimi? E parë nga jashtë Ballkanit, me sytë e shteteve të mëdha europiane apo jashteuropiane, rritja me dy mijë ushtarë e forcave serbe mund të duket ndoshta jo një zhvillim për tu shqetësuar, gjë që prapë është jo e drejtë. Por e parë nga brenda rajonit tonë dhe sidomos, duke pasur parasysh historinë ushtarake dhe politikën e Serbisë në këto 15 vitet e fundit në ish-Jugosllavi dhe në Ballkan, mendojmë se shqetësimi duhet të shkojë në nivelet më të larta diplomatike e shtetërore.
Shqetësimin e diktojnë faktorët dhe objektivat e këtij militarizimi të ri të Serbisë. Së pari, Kosova. Ministri i mbrojtjes i Serbisë, duke argumentuar rritjen e efektivave të ushtrisë serbe, dekaron se “numuri i tyre po rritet, sepse duhet të kemi një ushtri të fuqishme, që të garantojë një zgjidhje paqësore të problemit të Kosovës”. Pra ai pranon se po e rrisin ushtrinë për Kosovën. Kjo do të thotë se Serbia planifikon të krijojë në Kosovë dhe rreth Kosovës situata, kur asaj do t’i duhet një numër më i madh forcash ushtarake për të vepruar. Po të kemi parasysh turbullirat e njëpasnjëshme, që po krijohen në Mitrovicën veriore nga njësitë e zbulimit ushtarak serb, duket se ushtria serbe planifikon tensione në një shkallë më intensive dhe më të gjerë në Kosove.
Duket si rastësi, por nuk është ashtu, që shtimi i efektivave ushtarake serbe u ndërmor pas ndërhyrjes ushtarake ruse në Gjeorgji. Modeli rus i forcës po rimerr terren në udhëheqjen serbe. Natyrisht askush nuk e mendon marrëzinë, që ushtria serbe do të sulmojë ushtarakisht Kosovën sa kohë janë aty forcat e NATO-s. Por ushtria serbe, mund të përdorë dy forma, nëse do t’i lejohen mundësitë: njëra është një ndërhyrje e drejtpërdrejtë, nëse në Mitrovicën Veriore nuk do të ketë forca të NATO-s, dhe tjetra, e përdorur edhe tani, është dërgimi i njësive ushtarake me rroba civile, të cilët shkaktojnë protesta të dhunshme, ngrenë barrikada dhe përdorin armë e taktika të luftës guerile në pjesën veriore të Kosovës.
Së dyti, shqetësimi për militarizimin e tanishëm të Serbisë vjen nga efektet në marrëdhëniet me shtetet e Ballkanit dhe sigurinë në rajon. Shefi i shtabit të ushtrisë serbe, deklaron se “situata në rajon është e tillë, që e bën pakuptim pakësimin e numrit të ushtrisë”. Se cila është kjo situatë e rrezikshme në rajon, ku të gjitha shtetet janë ose anëtarë të NATO-s e të BE-së ose pjesë e programit të NATO-s “Partneritet për Paqe” ose të Procesit të Stabilizim-Asociimit me BE-në, këtë vështirë se mund ta hamendësojë një analizë serioze. Por çështja është më e thellë dhe duket se Serbia po kërkon të ngrejë tensionet edhe me shtetet ballkanike. Ajo synon të krijojë situata të tensionuara dhe madje konflikte në rajon.
Analisti ushtarak serb, profesor në Fakultetin shtetëror të Sigurisë, Milan Mijalkovski, e shpjegon më konkretisht qëndrimin qeveritar: “Rritja e numrit të forcave të armatosura është e domosdoshme, duke marrë parasysh faktin se shtetet fqinjë, përmes njohjes së pavarësisë së Kosovës, kanë zënë pozita armiqësore ndaj vendit tonë”. Në këtë optikë, Beogradi ka krijuar një situatë të karakterit strategjik, ku i shikon dhe trajton shtetet e Ballkanit si shtete me pozita armiqësore. Dhe ai i rrit forcat e armatosura si përgatitje për situata të shpërthimit të armiqësive rajonale, ku ai e sheh veten si njëra palë, përballë shteteve të tjera ballkanike, që janë pala armiqësore. Nuk duhet harruar se Serbia ka ushtrinë më të madhe, madje e ka dy herë më të madhe nga të gjitha shtetet që dolën nga ish-Jugosllavia. Rritja e vazhdueshme e efektivave do të thotë se Serbia mund të provokojë situata konflikti, jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon. Kërcënimet jo diplomatike, pothuaj të përditshme të presidentit të Serbisë dhe të ministrit të tij të jashtëm në adresë Malit të Zi dhe të Maqedonisë që të mos njohin Kosovën, se do të kenë pasoja, dëshmojnë për strategjitë e tensionit rajonal, që ka Serbia, dhe për të cilat po fuqizohet ushtarakisht.
Faktori i tretë i shqetësimit është dora dhe implikimi i Rusisë në këtë militarizim të vazhdueshëm të Serbisë. Ministri i mbrojtjes i Serbisë përpiqet ta mbulojë disi këtë implikim ruse, duke deklaruar se “shumica e armëve dhe e pajisjeve ushtarake serbe janë me origjinë ruse dhe është e natyrshme të zgjedhim Rusinë si mbështetja e jashtme e modernizimit të armëve dhe e blerjes së armëve të reja”. Rusia qëndron prapa këtij militarizimi, sepse Moskës i intereson krijimi i një tensioni të vazhdueshëm politik, dhe sidomos ushtarak, në Ballkan, me qëllim që t’i krijojë probleme NATO-s dhe BE-së në oborrin e tyre. Serbia i ka lidhjet e saj ushtarake më të forta me Rusinë dhe ajo nuk ka shumë dëshirë apo interes për anëtarësim në NATO, veç në rastin që do të shërbejë si Kalë Troje i Moskës në Aleancën Atlantike.
Është një zhvillim dhe një situatë, e cila duhet të ngrejë jo vetëm shqetësime, por edhe masa paraprake në Kosovë dhe në shtetet e tjera të Ballkanit. Këto janë zhvillime, të cilat, më e pakta e të paktave, kërkojnë t’u shtrohet ballas zyrtarëve të lartë serbe në mbledhjet ballkanike të ministrave të mbrojtjes apo në mbledhjet ballkanike të shefave të shtabit të ushtrive pyetja: “Përse po militarizohet Serbia?”. (GazetaShqiptare)
Shtuar më 05/10/2008, ora 21:16
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori