"Au Crocodile"
Albeu.com
nga Ilir BeguNë gojën e “Krokodilit” kush do të fitojë? Berisha që ka një eksperiencë të gjatë me krizat, me ndërmjetësimet e ndërkombëtarëve, në fund të fundit ka më tepër dinakëri (të na ndjejnë ata të cilët mendojnë se i kemi hyrë në hak liderit të opozitës).Apo Rama që shkon për herë të parë në darka të ofruara (ndoshta dhe paguara?) nga ndërkombëtarët?

Në Shqipëri sy e veshë janë përqëndruar nga “Darka”. Vetëm BBF-ja nuk fliste për të dje! Një televizion duke i dhënë nota dramatike e quante si “Darka e Fundit” pa përcaktuar kush ishte Judë, ndërsa tjetri me nota më romantike vlerësonte se gjithçka mund të ndodhë: S’jemi në Tiranë, por në Strasburg!

“Dimë se diskutimet janë lënë për pas pjatës së dytë, pjata kryesore. Ja një shenjë nga tavolina, kamarieri niset me hap të rëndë drejt tyre”, deklaronte reporterja direkt nga “Crocodile” dje. Televizioni e ndjek me vëmendje. Kamarieri afrohet dhe përkulet, nga tavolina i pëshpërisin dicka. A thua të ketë ardhur çasti i largimit të pjatave dhe fillimit të diskutimeve që do të zgjidhin fatin e Shqipërisë???? Ne të gjithë varemi në duart e atij kamarieri, po sikur t’i bjerë pjata nga dora në preherin e njërit prej atyre burrave shteti të ulur rreth tryezës?! Zot na Ruaj!

Kamarieri tund koken, kamerat fokusohen. Kamarieri fut doren në xhep, zoom-et e fotografëve në gatishmëri. Me c'duket çasti historik nuk ka ardhur ende. Miliona shqiptarë qëndrojnë para televizorit, teksa shohin që kamerieri është kthyer me një tjetër shishe verë. Buhhh! C'zhgënjim!

Sipas lajmeve të fundit lideri i Opozitës ka shtuar si pikë të shtatë të marrëveshjes edhe gjoksin e patës. Fule ka rrudhur buzët. I shtrenjtohet llogaria. Berisha nuk reagon. Nga ana e tij, një tjetër kamerier lëvdonte shumë kantinën e verërave franceze. Do të pijnë verë Bordeux me siguri… (dhe darka vazhdon)...

Por, përveç garniturave Shqiptarët nuk kanë për të mësuar nga “Crocodile” një të vertetë dhe këtu po e mbyllim. Transparenca nuk mund të bëhet. Ja dy skenarët:

1- Ligji shqiptar nuk e mundëson transparencën.

2- Ligji e mundëson transparencën dhe palët e dinë shumë mirë që votat janë vjedhur.

Cilado qoftë e vërteta qeveria nuk do të jetë asnjëherë dakord për hapjen e kutive. Edhe opozita e ka të qartë se edhe nëqoftëse qeveria i ka vjedhur votat nuk mund ta provojë fajësinë e saj nëpërmjet hapjes së kutive.

Ndaç në Strasburg e ndaç në Tiranë nuk mund të zvarrisim më problemin e kutive. Votat përherë janë vjedhur, herë më pak e herë më shumë, por duhet të jemi të sinqertë me popullin shqiptar. A jemi për transparencë apo thjesht për të fituar pikë në secilën llogore të politikës?

Kjo është pyetja një milion dollarëshe? (albeu.com)
Shtuar më 21/05/2010, ora 14:38
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori