Atdheu ballkanik i homoseksualeve
Albeu.com
nga Aleksandër ÇipaShqipëria, pas projektligjit të miratuar nga mbledhja më e fundit e qeverisë së Kryeministrit Berisha, për martesat mes homoseksualëve, paralajmëron një prognostik të mbarë për komunitetin e tyre.Ky është një komunitet i pashfaqur dhe natyrisht i panumërueshëm në këtë vend. Ky është projektligji i fituar më lehtësisht nga sa mund të mendohej, nga një komunitet qytetarësh të panjohur dhe natyrisht të papërfaqësuar në këtë të drejtë, e cila, sipas Kryeministrit, është edhe një prej kushteve të BE-së për vendin tonë që pret statusin e kandidatit.

Por ky vendim është marrë në një rrethanë qesharake. Do të mbetet në mendje të publikut gjatë qeshja e përmbajtur e Kryeministrit Berisha, njërit prej politikanëve që sjelljen dhe komunikimin etik në jetën publike e ka pasur përgjithësisht një tabu. Një qeshje tradhtuese në të vërtetë, e cila iu injektua krejt kabinetit ministror, i cili e miratoi në një ditë vape këtë projektligj.

Shumëkush që njeh rrethanat dhe ndjek këtë skenë politike, e ka të lehtë të arsyetojë se një projektligj i tillë u përdor për një kontekst dhe natyrisht jo për një standard. Madje, shprehja "në këtë kontekst", është shndërruar një ndër më parazitarët prej Kryeministrit, i cili vijon turin e shiritprerjeve në periudhën postelektorale. Në një farë kuptimi, projektligji për legalizimin e martesave brenda gjinie mund të konsiderohet edhe një tjetër shirit standard për vendin tonë ballkanik, i cili gjatë gjithë këtij muaji për këtë shkak ka qenë i shumëpërmendur në mediat dhe mjediset jo vetëm mediatike të rajonit dhe kontinentit.

Qeveria "Berisha" e shndërron përmes këtij projektligji Shqipërinë në një vend favorizues për këtë komunitet njerëzor, të cilin shumica e botës e diskriminon për shkak të mentalitetit të trashëguar dhe së ashtuquajturës pastërti genetiko-morale. Cinikisht, një pjesë interpretuesish të nënzëshëm e vlerësojnë këtë fakt edhe si një mundësi të rritjes së ofertës dhe frekuentimit turistik të vendit, prej këtij komuniteti të përbotshëm. Zërat e këtij konteksti grotesk vijnë duke u rritur dhe hamendësimet gjithashtu.

Për shkak të kujdesit për mosrënie në pozita diskriminueseje apo edhe për të shmangur ndonjë paragjykim tjetër, opozita nuk u shpreh fare për këtë projektligj. Ndërkohë që të vetmit zëra që reaguan ishin përfaqësues të klerit miks shqiptar.

Në një vend tjetër të Ballkanit, guximi i qeverisë për futjen në axhendë të një projektligji të tillë do të përballej me reagime të stuhishme. Kohë më parë në një ishull të Greqisë, guximi i një bashkiaku lokal për të kurorëzuar një çift të tillë, e përballi me këmbënguljen e një prokurori, i cili në emër të ligjit e përcolli procesin deri në fund. Ballkani nuk e ka në asnjë prej shteteve të veta një projektligj të tillë. Ndoshta dikur mund ta ketë, por pse pikërisht Shqipëria të bëhet e para në këtë aspekt?!

Ky projektligj tradhton seriozitetin qeveritar. Qeshja e Kryeministrit Berisha, burrit me origjinë nga Bjeshkët e Nemuna, do të jetë e shpeshkujtuar, nëse ky projektligj do të fitojë votat e mjaftueshme në Parlamentin e ri të vendit. Eufemizmi politik që do të vijojë pas kësaj ka për të qenë pjesa më kreative e gjuhës opozitare. Natyrisht ky është problem i padëmshëm, por fakti që Shqipëria pa droje mund të emërtohet pas miratimit të këtij ligji një atdhe ballkanik për homoseksualët, ka për të na nxjerrë prej gjendjes së të qeshurit. Ligje të tillë të ardhur si për gallatë në një kohë vape nga një qeveri me pretendime serioze, të bëjnë të dyshosh në shumë aspekte të tjera.

Një pjesë e interpretuesve, nevojën e kalimit të këtij projektligji në ditët e fundit të mandatit të një qeverie, e cila ka fituar mundësinë për të qenë e gjysmëndryshuar në mandatin e dytë, e lidhin me një farë cinizëm të treguar ndaj kundërshtarëve politikë të humbur në zgjedhje. Nëse diçka e tillë është e faktueshme, atëherë duhet të themi pa frikë se kjo është një sjellje prepotente e paskrupullt qeveritare, që në një farë mënyre dhunon vullnetin dhe skrupujt etikë e moralë të shumicës së qytetarëve të këtij vendi. Në librin e tij të njohur, "Shqipëria një dhe një mijë", i papërsëritshmi Indro Montanelli, duke karakterizuar sjelljen dhe tabutë në trashëgimitë e familjes shqiptare, përmend edhe detaje e fakte që përbëjnë… "një pleonazëm të rëndomtë, imponuar prej skrupujsh legalitarë".

Qeveria e këtij vendi ka shumë e shumë argumente të tjera për t‘u sjellë me Shqipërinë e sotme si me vendin e "një kombi më shumë Adriatik se ballkanik". Cinizmi ndaj rendit të nevojave për përmirësime ligjore dhe për rregullime në Kushtetutën e këtij vendi, nuk mund të bëhet qëllim në vetvete vetëm për shkaqe dhe kontekste të politikës ditore me kundërshtarët. Qeshja e Kryeministrit dhe e kabinetit të tij në ditën e kalimit të këtij projektligji mund të pasohet prej kapitujsh të padëshirueshëm në të ardhmen e afërt. Kjo do të bëhet prezent atëherë kur komuniteti i kontestuar ndër breza njerëzorë i homoseksualëve që kemi ndër ne dhe të atyre që do të na vijnë nga vise të botës, pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, do të na fusin në andrallat e qibrit të pretenduar kombëtar.

Në padëshirë të shumicës më të madhe të shqiptarëve, pas këtij ligji të qeverisë "Berisha", ky vend mund të quhet edhe si atdheu i homoseksualëve. Pas kësaj, krenarisë sonë për bashkëjetesë dhe mirëkuptueshmëri mes pakicash dhe religjionesh të ndryshme, ka për t‘u brumosur edhe krenaria për bashkëjetesën e monogjinorëve vendas e të huaj. Kjo zdragulinë e fundit politike i duhet vendit për të qeshur qeveria dhe pranohet se, tek e fundit, është edhe një kërkesë e BE-së!

Dikur në Gjirokastër, një poet nga Lazarati, pati shkruar: "Fundi i botës sonë do t‘i vijë nga b…"
Shtuar më 05/08/2009, ora 23:41
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori