As vrasja e “Alfave” nuk e merzite Jankullovsken
Pëlqej
Albeu.com
nga Fejzi HajdariAksionet aventuro-donkishoteske dhe dilentanteske, të shoqëruara dhe stimuluara nga një dozë e madhe e triumfalizmit politik, të Njësitit “Alfa”, me status “as në ajër, as në tokë” dhe ...... të kryesuara nga kryepolicja Jakullovska, po marrin përmasa dramatike. Konsekuencat nga brutaliteti dhe dhuna e stërtepruar e Njësitit në fjalë, në emër të luftës kundër kriminalitetit të organizuar, ndaj qytetarëve të pafajshëm, për të cilët disa herë kishin alarmuar Komiteti i Helsinkit, Avokati i Popullit, ankesat dhe parashtresat e pareshtura të qytetarëve, tanimë si duket po kthehen në efekt bumerangu ndaj vetë njësitit specialo-policor, gjegjësisht ndaj kreut të Ministrisë së policisë. “Luftëtarja e denjë” e kabinetit qeverisës, kryepolicja Jankullovska, e prirë nga etja e madhe për poenë politikë kundrejt padronit të ekzekutivit, me incidentin e fundit ku jetën humbi një pjesëtarë i “Alfas” dhe dy të tjerë rëndë u lënduan, ende seriozisht nuk po ndihet e shqetësuar, pavarësisht epilogut tragjik. Deklaratat, herë-herë shumë të pa sens për momentin aktual, nuk po shfaqin ndonjë ndjenjë përgjegjësie. Shpalosja e sensit të përgjegjësisë dhe të nivelit të udhëheqjes së mirëfilltë të këtij dikasteri ministror, në këto momente delikate për stabilitetin dhe gjendjen e sigurisë në Maqedoni, do të dëshmohej gjithsesi, me përfilljen dhe shqyrtimin e ankesave të shpalosur nga Komiteti i Helsinkit dhe Avokati i Popullit, si mekanizma më kompetente për shkeljen e të drejtave të qytetarëve.

Injorimi i vërejtjeve të këtilla, si duket po ndëshkon drejtimin megaloman dhe triumfalizmin e pabazë të kryepolices, me viktima në radhë të njësitit special. Edhe më tragjike-po pësojnë pjesëtarët e Njësitit “Alfa” të trimëruar nga verbalizmi i çoroditur politik i veprimeve diletanteske. Pothuajse të gjithë qytetarët mirëpritën zotimet paraelektoralet të mbështjella me celofan politik, për luftën kundër kriminalitetit të organizuar, por të luftës selektive dhe deklarative. Shqetësimet dhe ankesat e qytetarëve të pafajshëm, nuk ngacmuan sa duhet veshin e Jankullovskës. Ajo vazhdoi me avazin tanimë të njohur, të kapen mikrostruktura e kontrabandës dhe kriminaliteti, por jo edhe makrostrukturat.

Në shtetet me traditë demokratike, pjesë e të cilëve pretendon te jetë edhe Maqedonia, gabimet e këtilla, kanë koston e vetë. Kostoja minimale në rastet te këtilla, shikuar nga prizmi moral, është dorëheqja. Mirëpo, nëse në Gjermani edhe për një lopë të ngordhur, ministri dorëhiqet, në Maqedoni morali politik nuk ka kriter kaq të lartë, sepse inatet nuk njehin kritere.
Kryeministri kriter vlerësimi për punën e ministrave, ka afërsinë me ta, pastaj dëgjueshmërinë, përshtatshmërinë, dhe, kuptohet, në radhë të parë dhe të fundit, ngjyrën partiake.

Dhe kur gjërat vlerësohet me këto kute, në qeveri, kurrkush-kurrkujt nuk i jep përgjegjësi. Në situate kur mungon kategoria e përgjegjësisë, është absurde të flitet për një gjë të tillë. Tek lavirja mos kërko ndershmëri, thotë një fjalë e urtë. Me fjalë tjera, mund të bësh çka të duash nëse je ministër, nuk të kap asnjë paragraf ligjor, sidomos kur ke lidhje të forta me shefin e Qeverisë. Prandaj, tek ne ndodh që edhe pas shumë aksioneve policore të cilat morën jetëra njerëzish, por edhe policësh, askush-askujt nuk i kërkon përgjegjësi dhe nuk i jep llogari. He, pra, edhe kësaj i thonë shtet ligjor, pardon, policor!. Pyetje e cila detyrimisht imponohet është se a mos vallë reformim përkatës dhe përcaktim i saktë statusit të këtij Njësiti konform standardeve të shteteve evropiane, është i domosdoshëm? (Lajm)
Shtuar më 27/11/2008, ora 23:18
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori