Artan Fuga
e Mërkurë 5 Dhjetor 2012, Ora 20:32
Ja edhe gjysma tjetër e tortës :
T - T - T
Një komb kompaktësohet në shpirt në radhë të parë. Me anë të fjalëve, ndjenjës, përjetimeve kolektive. Jo më kot Rilindasit i jepnin rëndësi alfabetit shqip në përhapjen e idesë kombëtare dhe në krijimin e një lëvizjeje kombëtare shtetformuese. Pa komunikimin gjuhësor nuk ka kompaktësim kombëtar.
Por, çfarë lidhje ka kjo me historinë e tortës që shqiptarët përcollën me gaz, turp, llafe..., nga data 29 nëntor deri në 1 dhjetor 2012, pra brenda një periudhe blic, tepër të shkurtër, pra brenda 48 orësh ?
+++
Për ta kuptuar këtë po sjellim dy shembuj që vërtetojnë sesi një komb mund të kompaktësohet psikologjikisht, ose të provojë se është kompaktësuar me cfarëdo elementi shpirtror ose material, me gjuhën, ka disa, me fenë, ka disa, me kujtesën historike, ka disa, sikurse edhe me ndjenja kolektive si : frika, turpi, poshtërimi, krenaria etj.
Ka pasur filozof të madh në Italinë e shekullit të 19 të që duke parë vendin dhe italianët disi të çoroditur, të ndarë, pa ndjenjën e një përkatësie kolektive, i cili thoshte se na duhet një luftë që të kompaktësohemi edhe një herë psikologjikisht si komb. Nuk ka rëndësi nëse do ta fitojmë këtë luftë shkruante G. Gentile, bile më mirë le ta humbasim, sepse me ndjenjën e poshtërimit nga të tjerët, nga të huajt, me ndjenjën e turpit të përbashkët, do të forcojmë lidhjet tona dhe do të ndjehemi pjesë e një kombi të përbashkët.
Nga ana tjetër, antropologu Mauss, tregon një shembull sesi një fis « primitiv » peshkun e kapur e qarkullonte dorë më dorë, si formë dhurate nga njeri person, peshkaktari në fillim, te të tjerët me rradhë. Nëse peshku mbërrinte në darkë përsëri në duart e peshkatarit, qoftë edhe i prishur disi, kjo tregonte se uniteti i fisit ishte në formën dhe në lartësinë e duhur, nëse kjo nuk ndodhëte, nënkuptonte se diku uniteti ishte thyer.
+++
Pas ngjarjes qesharake, tragjiko-komike me tortën dhe fatin e saj të merituar në hollin e jashtëm të Pallatit të Kulturës në Tiranë, pra brenda 48 orësh, shqiptarët nga Presheva në Prishtinë, nga Shkupi në Durrës, nga Berati në Korçë, nga Korça në Athinë, nga Athina në Boston, nga Vlora në Milano, kudo ku ndodhen, nisën të debatojnë, diskutojnë, flasin, për këtë ngjarje. Mijra e qindra mijra postime në Internet, miliona komente, video, twiter-a, fjali, analiza e përmbytën hapësirën, cyber-space shqiptare.
Në një farë mënyre u krijua një « pëlhurë » e përbashkët rreth kësaj ngjarje që nuk ishte parashikuar në asnjë nga skenaret e festimeve të 100 vjetorit të Pavarësisë. Jeta kështu është. E paparashikuara është shpesh më e rëndësishme sesa ajo që parashikohet, ngjarja jashtë protokollit është më e rëndësishme se cdo ceremoni protokollare. E çfarë është parakalimi ushtarak para historisë së tortës që u bë përshesh në shesh ? Asgjë. Askush nuk do të kujtohet për të.
Fjala kryesore, kryefjala, e kësaj bisede që kaloi kufijtë e Shqipërisë, drejt hapësirave të Shqipërisë etnike, kaloi pastaj edhe këto hapësira për të rrokur të gjitha hapësirat ku jetojnë shqiptarë në Europë dhe në botë, ishte fjala TURP.
Turp ! Turp ! Turp !
Pavarësisht sesi u opozicionuan, bashkëbiseduesit në këtë hapësirë gjigande komunikimi në Internet, në mediat klasike, televizion, radio, gazeta, në gojë analistash, gazetarësh, komentuesish popullorë, internautësh, pjestarë familjesh, nëpër kafene, rrethe miqsh, shkolla, lagje, etj., gjithçka u rrotullua rreth fjalës : « TURP ».
TURP.
Kjo fjalë e bekuar na kompaktësoi si komb, ose provoi se jemi kompaktësuar si komb jo vetëm brenda trekëndëshit ismailqemalbejas : Vlorë Elbasan Berat, jo vetëm brenda Shqipërisë së sotme zyrtare, por edhe si komb Në territoret ku ka jetuar e jeton etnikisht.
Fjala turp na bashkoi, na ribashkoi, provoi sesa jemi ribashkuar si shqiptarë brenda dhe jashtë kufijve të Republikës të Shqipërisë.
Disa u turpëruan për veprimin që bënë disa të gjorë që donin ta provonin me çdo kusht tortën e Pavarësisë dhe e kullufitën atë me duar, me gishta, sikurse hanin dikur mbretërit europianë nëpër bankete. Disa biles edhe e mblodhën me legena, me qese plastike, në xhepa, dhe disa luanin me copa torte si me topa bore.
Këta ishin më të lezetshmit ! Duke u turpëruar për ata të paditurit, të paedukuarit, të babëziturit, i quajtën tërthorazi ata si njerëzit e tyre, bashkëkombas, pjesë e një « familje » të madhe. Sigurisht, sepse njeriu turpërohet për atë që bën një i afërt i tij, një pjestar i të njejtit kolektiv, bashkësi, sepse kur vepron jo mirë një i huaj, as i bëhet vonë fare.
Të kesh turp për veprimin e dikujt, indirekt, është ta kesh pranuar se është njeriu yt. Të gjithë ata që u turpëruan, pra, nga Milano në Boston, nga Franfurti në Stamboll, nga Gjeneva në Paris, nga Durrësi në Tiranê, nga Lezha në Korçë, nga Berati në Athinë, dëshmuan me turpin dhe turpërimin e tyre se ndiheshin miq, shokë, bashkëkombas, njësh së pari me tortëshqyesit, së dyti, mes vetes së tyre.
Turpi na ribashkoi.
Si ta ndryshojmë pak atë vargun e famshën dhe të themi :
« Rreth tortës së përbashkuar për një dëshirë e një qëllim» !
Pastaj vijnë ata që u ndjenë të turpëruar para të huajve. Me mijra e dhjetra mijra edhe këta. Të inatosur sepse nuk ishin turpëruar për faj të tyre, por për faj të atyre që veç të tjerash ishin nginjur edhe me tortë në sheshin kryesor të kombit. Atje ku turmat ishin shtyrë, ngjeshur e shtypur për të pritur Hrushovin, Cu En Lain, Bejkerin, kishin thërritur për liri dhe demokraci, dhe më së fundi e kishin vulosur kujtesën historike me një orgji të furishme ngrënie torte.
Fati i këtyre që e quajtën veten të turpëruar përpara të huajve është edhe më i çuditshëm. Edhe ata me turpin e tyre u tretën në një masë homogjene me të gjithë shqiptarët e tjerë. Pse ? Sepse duke e quajtur të huajin : « Tjetri », dëshmuan nga Bostoni në Prishtinë, nga Stambolli në Durrës, nga Tropoja në Athinë, se dinë ta dallojnë veten nga të huajt.
Turpi para të huajit u bë edhe ai një mekanizëm konsolidimi i përkatësisë sonë kombëtare.
Kategoria e tretë është ajo e atyre që thanë se : « Nuk u vjen aspak turp », meqë sipas tyre nuk ishte ndonjë ngjarje kushedi se çfarë. Por, edhe kjo kategori, duke mos e quajtur « turp » ngjarjen, në fakt, integroi brenda vetes të gjithë të tjerët sikurse prindi ose vëllai i del në mbrojtje fëmijës dhe vëllait duke shpjeguar se veprimi i tyre nuk kishte ndonjë gjë për të pasur turp.
« Mos turpi » dhe « turpi » u shkrinë midis tyre në një ndjenjë të vetme kolektive dhe u shndërruan në një mekanizëm të vetëm ndërgjegjësimi për kompaktësimin e « shqiptarëve etnikë » kudo ata ndodhen, si komb, pakica kombëtare, pakica kulturore, diaspora emigrimi, etj.
+++
Kur Ismail Beu mbante fjalimin në ballkonin e Pavarësisë në Vlorë, me aq zë sa kishte e dëgjonin fjalimin e tij të famshëm disa dhjetra persona apo edhe jo aq. Sado fort të fliste. Kurse, sot, në Internet, ose në TIC (Teknologjitë e Informimit dhe Komunikimit), çdo bir shqiptari që shkruan apo thotë dy fjalë, të mënçura, ose idiote, të drejta, apo delirante, në Boston, apo Stamboll, Durrës apo Korçë, i merr vesh në çast i gjithë planeti, të gjithë shqiptarët në botë.
Këto tre simbole që nënkuptojnë tre fjalë që u bënë njësh brenda 48 orëve, nga data 29 nëndor deri më 1 dhjetor 2012, në një debat të madh mbarëkombëtar, rikonfirmuan se shqiptarët ndjehen tashmë një komb i tërë i përbashkët brenda ose jashtë territorit të Republikës të Shqipërisë.
Ngjizja kombëtare është afirmuar në planin psikologjik dhe të përkatësisë emocionale rreth një ngjarjeje me interes kolektiv (ngrënia e tortës me duar), e përcjellë nga një ligjërim planetar në Internet, i bërë i mundur nga Teknologjitë e Komunikimit dhe të Informimit.
T Turp !
T Tortë !
T Teknologji komunikimi !
Tre «T » që brenda 48 orësh, na konfirmuan si një test gjigand on line ngjizjen emocionale si komb pavarësisht fragmentit territorial ku ndodhet çdo pjesë shqipfolësish.
Një shekull, nga ngritja e flamurit që shpallte se shqiptarët jo vetëm kishin identitetin e tyre kombëtar, por edhe kishin ardhur te energjia shtetformuese, deri te « Torta në shesh » që me turpin ose mosturpin që shkaktoi ndërshqiptarët, riafirmoi se pas një shekull ndarjesh, shqiptarët etnikë kudo në botë ishin rinjohur mes tyre si pjesë e një bashkësie kombëtare, që përjeton njëlloj emocionalisht.
Ja përse shekulli nis me ngritjen e flamurit në Vlorë,
në shesh,
dhe përfundon me historinë e tortës në Tiranë,
të bërë përshesh.
Dy ngjarje që nga rëndësia disa edhe mund ti masin me njera tjetrën. Nuk besoj se ai shesh ka pasur shumë ngjarje me po këto përmasa gjigande si kjo e fundit.
Ngjarja nuk do të kishte pasur asnjë vlerë nëse ajo nëpërmjet « video programming » nuk do të ishte shfaqur on line dhe nëpër kanalet televizive satelitore anë e mbanë botës. Nuk do të kishte pasur vlerë nëse nuk do të ishte përcjellë në hapësirën shqipfolëse të Internetit, kjo cohë gjigande pëlhure, ku qendiset ndjesia e përkatësisë emocionale kombëtare.
Ja përse Teknologjia e Informimit dhe Komunikimit (TIK) shënohet me një nga tre « T » e famshme.
Shqiptarët e kanë krijuar kombin e tyre me trimëri. Trimëria këtë rradhë u zëvendësua me një ndjenjë tjetër që shënohet me një fjalë që nis po me « T », por « Turp ».
Nuk i morrën këtë rradhë muret e kështjellës së lirisë me shpata, pushkë me gjalmë, me guna të hedhura mbi tela, si dikur, por duke ngjitur shkallët e Pallatit të Kulturës me legena, qese plastike, garuzhde në duar.
Kështjella jonë e solidaritetit kombëtar është ndërtuar me trimëri dhe gjak martirësh, por qysh pardje edhe me krem torte dhe ndjenjën e turpit të legjitimuar apo krejt të kotë.
Tortë, Turp, Teknologji.
Sekreti që na bëri të hyjmë në shekullin e ri politik me një ndjenjë të konsoliduar përkatësie emocionale, çka formëson si ndjenjë e përbashkët unitet kombëtar.
A nuk kërkonte një luftë qoftë edhe të humbur G. Gentile, për të formësuar nëpërmjet ndjenjës së disfatës kombin italian si njësi e kompakësuar ?
Ne e bëmë duke folur e ndjerë për një tortë gjigande të bërë përshesh në mënyrë komiko-dramatike.
Gjithësesi me gaz.
T-T-T