Tirana nuk mund të bëhet një gropë thithëse demografike ku të mbytemi të gjithë
nga Artan Fuga
Deri sa banorë mund të mbajë Tirana?

Në një mbledhje para nja dy vjetësh të Këshillit Bashkiak të qytetit të Tiranës u aprovua, sipas medias, edhe plani rregullues i saj. Ndër të tjera, u tha nga gazetarët që komentonin debatet se deri në vitin 2020 popullsia e qytetit do të rritej edhe me 400 mijë banorë të tjerë, duke e kaluar numrin prej më se një milion.
Nuk e di nëse ekipi i ri administrues i qytetit i qendron më kësaj prognoze apo e ka rrëzuar atë. Por, poqese nuk e sheh në mënyrë kritike, rreziqet për qytetërimin shqiptar do të jenë duke trokitur me sqepar në derë.
Aq më tepër që për të gjykuar kërkohet të kesh edhe të dhëna statistikore reale, krahasime me atë që ndodh në kryeqytete të tjera të botës, një plan strategjik për zhvillim në kuadrin e perspektivave të të gjithë vendit, që përsëri ne si qytetarë, jashtë një informimi të gjithanshëm, ende nuk e kemi.
Sikurse e thashë, do të ndalem vetëm te problemi i shtimit të parashikuar të popullsisë brenda planit rregullues të qytetit.
Kjo shifër prej katërqind mijë banorësh të rinj brenda vitit 2020, pra në dhjetë vitet e ardhshme, më duket disi e madhe, të them të drejtën, e frikshme. Aq më shumë e lidhur me faktin komplementar të shtimit masiv të ndërtesave të banimit dhe të sipërfaqes së ndërtuar brenda një zone e cila edhe deri tani është e tejngarkuar me beton, si edhe me densitet popullsie shumë stresues.
Po të bëjmë disa llogari të shpejta, katërqind mijë banorë të rinj të shtuar do të thotë një rritje demografike prej pesëdhjetë për qind, pra prej pesë për qind në vit ose ndryshe, sipas disa standardeve llogaritëse, prej pesëdhjetë për një mijë banorë. Dihet se rritja demografike varet nga shumë faktorë. Nga numri i lindjeve, nga jetëgjatësia mesatare e njerëzve, pra nga raporti midis lindjeve dhe vdekjeve në një qytet, nga ata që largohen, por në shoqëritë me migrim të brendshëm të fuqishëm, sidomos, nga prurjet mekanike demografike që nisen nga zonat periferike dhe rurale dhe shkojnë drejt metropoleve të mëdha, eventualisht, kryeqytetet.
Shifra kaq e lartë vjetore e parashikuar e rritjes demografike të Tiranës, sigurisht, po të krahasohet me ritmet e rritjes natyrore të popullsisë, del se do të vijë shumë fort edhe nga zhvendosje të tjera të popullsisë, pra nga procese demografike mekanike.
Këtu lindin disa pyetje që është mirë të merren në konsideratë nga administratorët dhe vendimmarrësit për këto hapësira dhe prirje zhvillimi.
Nëse prurjet mekanike të popullsisë në territorin e kryeqytetit në këta njëzet vjet kanë qenë disi të kuptueshme dhe të justifikueshme, a mund të themi se kjo do të vazhdojë të konsiderohet normale si prirje?
Mund të vazhdojë kështu të mendohet Tirana që brenda dhjetë viteve të ardhshme të shtohet edhe një herë tjetër me pesëdhjetë për qind, ku një pjesë e dukshme e rritjes shihet qartë se parashikohet të bëhet nga prurje të reja prej migrimit të brendshëm?
E themi se deri tani kjo mund të quhej e kuptueshme. Ndryshimi i modelit të zhvillimit ekonomik, kalimi nga një shoqëri me ekonomi të centralizuar drejt një shoqërie të hapur tregu, fitimi i të drejtave qytetare sikurse është edhe qarkullimi i lirë i njerëzve, një e drejtë e mohuar rëndë dikur etj., kuptohet që do të ishin faktorë që do ta lindnin migrimin masiv të brendshëm. Popullsia shkon drejt zonave të territorit që janë më të zhvilluara.
Por, a mund të vazhdojë pa fund kështu? Sepse, i bie që të parashikojmë që brenda dhjetë viteve të ardhshme popullsia e Shqipërisë, në gati një të tretën e saj, të përmblidhet për të banuar në një territor shumë të ngushtë, sikurse është ai i zonës së Tiranës, gjithsesi e ngjeshur mes malit dhe detit, një hapësirë relativisht jo e konsiderueshme.
Nuk e kam idenë se si mund të jenë bërë këto përllogaritje, duke shpresuar që vendimmarrësit do të kenë përgjigjen e tyre për këtë gjë. Janë llogaritur kapacitete dhe dinamika ndërtuese brenda territorit të Tiranës dhe prej andej ka rrjedhur edhe numri i pritshëm i banorëve që mund t’i popullojnë apo është parashikuar fluksi i ardhshëm demografik dhe prej andej edhe ritmet e ndërtimit në zonën urbane të Tiranës?
Nëse është bërë kjo e fundit, ka kuptim metodologjik. Por, jam kureshtar të di se si është llogaritur ritmi i zhvendosjes mekanike të popullsisë për dhjetë vitet e ardhshme. Kush mund ta parashikojë dhe me çfarë metodologjie e ka parashikuar dëshirën e shqiptarëve të dhjetë viteve të ardhshme për të braktisur ende në mënyrë kaq masive zonat ku jetojnë ata tani dhe për të ardhur e ngjeshur në kryeqytet dhe rrethinat e tij?
Kurse, po të parashikojmë rritjen e popullsisë nisur nga kapacitetet, vrullet dhe interesat ndërtuese që nuk janë të pakta në Tiranë, atëherë, jo vetëm llogarisim gabim, por edhe marrim indikatorë të përmbysur të zhvillimit meqë e përcaktojmë shtimin demografik të një popullsie jo si faktor të parë, prioritar, por si krejt në varësi të prirjeve fitimprurëse për të krijuar hapësirë të ndërtuar, të betonuar, në lartësi.
Me një fjalë, është uria dhe furia ndërtuese që bëhet bazë e përllogaritjeve të shtimit demografik apo është studimi i prurjeve demografike që duhet të bërë pika e nisjes nga duhen shtuar apo frenuar ndërtimet? Sigurisht që e arsyeshme do të ishte kjo e dyta.
Dhe mbi të gjitha, a duhet ta projektojmë shtimin demografik të kryeqytetit mbi bazën e prurjeve spontane, mekanike apo duhet të mendojmë t’i menaxhojmë, pra t’i kontrollojmë me mjete ekonomike, zhvillimi këto prirje? Mendoj se e dyta do të ishte më normale dhe një metodologji bashkëkohore administrimi. Nuk besoj se ka vend të mendohet që shtimi demografik është një e dhënë që na bie mbi supe si breshëri, pra që nuk ke se çfarë i bën. Si çdo prirje sociale, edhe ajo mund të drejtohet dhe administrohet më së miri, veçse me perspektiva afatgjata zhvillimi.
Deri tani ka ndodhur një ndërvarësi, një relacion jo fort i këndshëm, midis ndërtimeve në Tiranë, një sektor shumë i fitimshëm, dhe prurjeve demografike. Sa më shumë ndërtesa banimi që shtohen në mënyrë frenetike, që ngrihen në lartësi, nguc e ngucur, aq më shumë hapësira të ndërtuara shtohen. Kjo gjë normalisht do të duhej ta kishte ulur apo sidoqoftë mbajtur në nivele disi të ulëta çmimin e hapësirave të ndërtuara. Por, kjo nuk ka ndodhur se meqë në Tiranë nuk ka ende krizë strehimi me shenja të përkeqësuara (fatmirësisht), atëherë fakti i hapësirave të banuara boshe, si një gropë thithëse tërheq rreth vetes pa fund flukse popullsie që zhvendosen drejt kryeqytetit në mënyrë masive dhe të shpejtë. Kjo bën që nga ana tjetër, interesi financiar për shtimin e ritmeve të ndërtimit të marrë një hov të ri, që nga ana e vet, tërheq përsëri flukse të tjera demografike, dhe kështu, «veza pulën dhe pula vezën», «shto ujë dhe shto miell», kemi arritur dhe përfytyrojmë të arrijmë në përmasa demografike gjigande të kryeqytetit.
Por, a duhet vazhduar që ky mekanizëm: çmim i hapësirave të ndërtuara – flukse mekanike demografike drejt tyre, të bëhet boshti qendror i zhvillimeve ekonomike, strategjike, financiare, urbane, të kombit?
Një e treta e kombit në Shqipëri, e thamë, brenda zonës metropolitane të Tiranës!
Të tillë peshë demografike e kryeqytetit nuk jam i sigurt se mund ta quaj normale.
Ndërtimet në zonën urbane dhe shtimi mekanik demografik i lidhur me to, përtej një caku të caktuar rregullues, bëhet një dukuri që pengon zhvillimin, mirëqenien, konsolidimin ekonomik të vendit.
Të mos harrojmë se kriza e sotme botërore nuk është tjetër veçse një krizë, në thelb, urbane. Qyteti i stërmadh i shekullit të nëntëmbëdhjetë, i krijuar për shkak të industrisë, ka mbetur ekonomikisht disi bosh, shumë bosh, në shekullin e njëzetenjëtë, ndërkohë që ekonomia u çindustralizua. Në qytetin e madh nuk ka aq punë sa do të duhej për popullsinë e ardhur aty në kushte dhe modele të tjera zhvillimi. Por, kjo popullsi as nuk është që ta lërë, ta braktisë zonën urbane, për të shkuar të banojë në periferi, sepse edhe e varfër dhe e papunë, duke ndjekur modelin e një jete urbane, e ka të vështirë ta ndryshojë atë.
Pra, nuk kemi përse ndjekim shembullin e dështuar të metropoleve të mëdha urbane që vjen e rrënjoset në disa vende evropiane, duke nisur nga shekulli i tetëmbëdhjetë dhe nëntëmbëdhjetë. Pra, nga koha e Revolucionit të tejkaluar Industrial. Le të ndjekim më mirë atë shembull, ta zëmë, të vendeve nordike, ku investimet dhe energjitë janë shpërndarë në atë mënyrë që edhe zona urbane mbahet me përmasa të moderuara, por edhe zona rurale është e populluar dhe me një nivel urbanizimi shumë të lartë nga pikëpamja cilësore.
Jo përqendrim urban i tejskajshëm, por rritje cilësore të infrastrukturave urbane në të gjithë territorin. Politika që bëhet me infrastrukturën rrugore, duhet të ndiqet sa më shpejt dhe me sa më shumë besim me strategji të tjera.
Shtimi me përmasa marramendëse i densitetit demografik të kryeqytetit duhet të na preokupojë. Nga njëra anë shqiptarët braktisin tokën, pasuritë natyrore, punën, në zonat rurale, pra zonat ku janë energjitë natyrore që mund të vihen në lëvizje. Ata shkëputen nga identitetet e tyre regjionale, duke ardhur e përbërë një masë amorfe e anonime në zonën e metropolit. Është në njëfarë mënyre një ikje nga puna dhe nga mundësitë për t’i përdorur energjitë në rritjen e pasurisë kombëtare. Jo vetëm kaq, por rrallimi i popullsisë rurale përkeqëson edhe jetën e atyre që mbeten atje, mungesa infrastrukturash shërbimi, për shembull, duke krijuar një ortek. Përderisa shumica largohet drejt kryeqytetit, edhe ata që mbeten, kanë prirje të largohen sepse niveli i jetës së tyre përkeqësohet.
Mirëpo kjo i sjell dëme edhe popullsisë së metropolit, përderisa këtu krahu i punës shtohet me shifra marramendëse, ndërsa hapësira ekonomike është tej mase me një natyrë strukture shërbimesh. Nuk ka punë, njerëzit përplasen bërryl më bërryl me njëri-tjetrin, qyteti ngushtohet, humbet hapësirat e gjelbra dhe peizazhin, zhurmat shtohen, tensionet sociale dhe stresi shtohen gjithashtu.
Gjykoj se Tirana jo vetëm nuk ka përse parashikon rritje kaq frenetike të shtimit mekanik të popullsisë, por në të kundërt, ka nevojë t’i zvogëlojë tashmë këto ritme rritjeje. Ka mundësi të pafund për t’i bërë këto politika në plan kombëtar dhe lokal.
Kujtova se këto debate do të ndiqja, kur për herë të parë ndofta një televizioni iu dha e drejta për t’i regjistruar seancat e mbledhjes së Këshillit Bashkiak që së paku në media u shndërruan në një grindje që është larg etikës së administratorëve të qytetit tonë.
Administrimi më i mirë i sipërfaqeve të ndërtimit, duke qenë më dorështrënguar në dhënien e tyre pa hesap, mund të ishte një politikë e përshtatshme. Më dorështrënguar në transformimin e territorit në hapësirë të ndërtuar banimi.
Tirana ka nevojë që me mjete dhe mekanizma demokratike ekonomike të tentojë ta shfryjë popullsinë e saj, jo ta rrisë edhe më me përmasa krejtësisht të shpërpjesëtuara, duke u shndërruar për pasojë në një vorbull që tërheq përmbyturazi flukse të pafund demografike. Orientimi i popullsisë drejt «qyteteve satelite» do të kishte qenë gjithashtu një teknikë që është ndjekur nga vende të tjera.
Ne nuk mund të braktisim të gjitha burimet tona natyrore të punës dhe të pasurisë, për t’u përmbledhur në një qytet të vetëm.
Në vend të një kombi që punon e lulëzon të gjithë territorin e vet, do të kishim masa urbane që do të ndodheshin në gjendje varfërie në shtim e sipër. Do të përgatisnim krizat financiare dhe ekonomike të ardhshme, edhe më të rënda. Nga një komb që i qëndron afër punës dhe energjive të veta, pasurive të veta natyrore, i shton dhe i shumon, do të ishim një shoqëri e përbërë nga individë që në limonti, në përmasa të mëdha, popullon një hapësirë urbane, të konsideruar mitologjikisht dhe simbolikisht si ëndërr, por që rrezikon të mbetet pa punë dhe të shndërrohet në një energji të humbur.
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga ky opinionist
 
Taulant dhe Granit Xhaka janë dy vëllezërit që përballen në skuadra të ndryshme për herë tëparë në një Kampionat Evropian

Taulant dhe Granit Xhaka janë dy vëllezërit që përballen në skuadra të ndryshme për herë tëparë në një Kampionat Evropian