Shërbimet e diversitetit kulturor për shqiptarët
nga Artan Fuga
Në këto dy dekadat e fundit bota e zhvilluar demokratike ka bërë kujdes për t’i njohur dhe respektuar mbi bazën e standardeve të larta të drejtat e bashkësive etnike, kulturore, fetare, sociale të ndryshme. Diversiteti kulturor është bërë një nga përmasat për të matur shkallën e emancipimit demokratik të çdo shoqërie.

Nuk është fjala aspak për modelet e shtetit, sepse këto janë një gjë krejt tjetër. Shoqëria mund të respektojë të drejtat e bashkësive etnike, fetare, kulturore të ndryshme, pa pasur nevojë që shteti të bëhet apo të jetë multietnik. Kjo gjë varet nga rrethana shumë të ndryshme historike dhe çdo komb ka përvojën dhe taktikat e veta, që vijnë sa nga tradita aq edhe nga marrëdhëniet midis grupeve të presionit brenda çdo shoqërie, nga konjukturat e ndryshme politike të çdo vendi dhe kohe, si edhe nga shkalla e evoluimit të marrëdhënieve ndërkombëtare.

Pa u zgjatur shumë në këtë trajtim të përgjithshëm, mund të thuhet se edhe për kombin shqiptar kultura, modeli politik, sistemi i të drejtave i përpunuar nga bota moderne perëndimore, kërkesa për respektimin në rajon dhe më gjerë të të drejtave të bashkësive kulturore dhe etnike të ndryshme i ka shërbyer fort çështjes kombëtare shqiptare. Veçanërisht në këto njëzet vitet e fundit, shqiptarët në Ballkan i kanë zgjeruar hapësirat që kontrollojnë dhe administrojnë, i kanë rritur shanset e tyre për të qenë pjesëmarrës në politikë edhe për shkak se Perëndimi ka qenë i ndërgjegjësuar se të drejtat kolektive dhe individuale të individëve të bashkësive etnike dhe fetare janë një element kyç në demokratizimin e të gjithë jetës të një shoqërie.

Ku na ka sjellë shërbime ne si shqiptarë ideja e të drejtave demokratike për bashkësitë e ndryshme etnike dhe fetare?

Kjo ka një përgjigje me fakte, por në fillim le të vëmë në dukje se shqiptarët, për arsye historike dhe të padrejtësive që shpesh herë historia iu ka rezervuar, kanë jetuar jo vetëm brenda kufijve të shtetit shqiptar, por edhe në shtete fqinje. Pikërisht këtu, për shkak të regjimeve totalitare apo autoritare, për shkak të nacionalizmave të ndryshëm, apo edhe për arsye të zotërimit në këto vende të fesë mbi shtetin, të drejtat e shqiptarëve kanë qenë të mohuara.

Rasti i shqiptarëve në Kosovë ka qenë jo vetëm nga më të dhimbshmit, por edhe nga më domethënësit. Të drejtat e shqiptarëve nën regjimin nacionalist të Millosheviçit u shtypën dhe u përçudnuan edhe më tepër se më parë. Gjendja e dhunimit të të drejtave të shqiptarëve autoktonë në ato toka arriti në atë pikë saqë atyre iu mohua gjithçka që kishte të bënte me identitetin e tyre politik dhe kulturor. Nëse bota perëndimore ndërhyri me anë të NATO-s, kjo strategji kishte të bënte pikërisht me faktin se ajo nuk mund të pranonte të dhunoheshin të drejtat e kombësisë shqiptare e të masakrohej ajo thjesht sepse kërkonte të drejtat e veta bazë.

Nuk ka nevojë të themi më tepër për të treguar se pikërisht në sajë të vullnetit politik të Perëndimit për të siguruar të drejtat e shqiptarëve, respektimi i identitetit kombëtar, në kushtet e vendit dhe të kohës, çoi në atë që sot Kosova ka shtetin e vet.

Edhe në një rrafsh të dytë, por njësoj i rëndësishëm si i pari, duhet thënë se presioni për të siguruar të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni dhe në Mal të Zi ka qenë jo i pakët nga ana e vendeve perëndimore. Shqiptarët kanë bërë hapa përpara në këta dy vende, duke nisur nga vitet nëntëdhjetë dhe derimëtani. E drejta për të përdorur gjuhën shqiptare, për të pasur arsimimin në gjuhën amtare, për të respektuar simbolet kombëtare, pjesëmarrja në jetën politike dhe parlamentare, me mund dhe përpjekje, edhe ato kanë njohur arritje.

Të kuptohemi, modeli i sigurimit të të drejtave etnike, kombëtare, fetare etj., me një fjalë respektimi i të drejtave të pakicave apo minoriteteve sigurisht që kërkon përmirësime të mëdha. Por, këtu përgjegjësinë nuk e kanë këto parime, por fakti sesa një politikë e caktuar, e zbatuar në një vend të dhënë, i kanë marrë sa dhe si duhet parasysh ato.

Gjithsesi pesha e shqiptarëve në këto vende është e tillë që as nuk mund të bëhet fjalë që jeta politike atje të zhvillohet pa pasur ndikimin dhe pjesëmarrjen e faktorit politik shqiptar. Punë tjetër pastaj sesa ky faktor është i zoti që edhe të shpalosë parimet më të mira për bashkëjetesë, por edhe për të afirmuar gjithnjë e më mirë interesin shqiptar në ato vende.

Po kështu po rritet një lloj sensibiliteti për shtruarjen më në forma serioze dhe të gjetura të problemit çam. Fundja, kjo bashkësi kërkon të njihet me të drejtat e veta të mohuara padrejtësisht atje ku ka pronat, tokën, traditat, historinë në vendin fqinj të Jugut. Në fakt, kur paraqiten para Perëndimit me kërkesat e tyre krejt legjitime, përfaqësuesit e bashkësisë çame, fundja, i mbështesin kërkesat dhe rivendikimet e tyre për të venë në vend padrejtësitë e bëra, pikërisht te parimet e multikulturalizmit, pra të njohjes dhe respektimit të identitetit të tyre si pakicë kombëtare.

Nuk mund të mos flasim edhe për emigrantët shqiptarë që në këto njëzet vite kanë ikur në përmasa të konsiderueshme në vendet fqinje, sidomos në Greqi dhe në Itali, apo edhe më larg. Edhe ata, si pjesë e kombit shqiptar, ka vend ta ruajnë dhe ta zhvillojnë identitetin e tyre kombëtar, duke kërkuar pikërisht të drejta demokratike, të njohura botërisht, për pakicat, për diasporat, për komunitetet me identitet kulturor dhe etnik të ndryshëm nga ai i kombit më të madh themelues i këtij apo atij shteti.

Në të gjitha këto raste që e kanë zgjeruar shumë hapësirën e gjeopolitikës shqiptare, që i kanë kthyer shqiptarët në një pikë referimi për ekuilibrat e tanishëm dhe të ardhshëm të Ballkanit, mekanizmi bazë ka qenë pikërisht respektimi i shfaqjes, i shprehjes, i respektimit të identiteteve të ndryshme etnike, fetare, kulturore etj.

Demokratizimi i jetës së sotme dashje pa dashje çon atje. Por, ajo që dëshiroja të theksoja sa më sipër është se, në të gjitha këto raste, ai që quhet respektim i diversitetit kulturor e ka ndihmuar shumë çështjen shqiptare në Ballkan dhe më gjerë. Nuk ka qenë pengesë për të. Multikulturalizmi ka qenë gjuha e shqiptarëve për t’u bërë të kuptueshëm dhe bindës përpara Perëndimit, me qëllim që të sigurojnë sa më mirë të drejtat e tyre demokratike në çdo vend dhe në çdo kohë.

Kështu që duhet parë mirë në sy se çfarë përfiton kombi shqiptar prej andej.

Sigurisht, tjetër është pastaj kur qarqe të ndryshme nacionaliste ballkanase kërkojnë që nën maskën e kësaj politike demokratizuese, pa të cilën nuk jemi në gjendje të ecim përpara drejt integrimeve europiane, të ndërtojnë politika konvertimesh artificiale të identitetit kombëtar shqiptar.

Gjithsesi, duhet gjetur një politikë e tillë, e cila pa rënë preh e këtyre të fundit, duke iu kundërqendruar atyre, të mos i largohet parimeve demokratike që kanë përbërë mekanizmin bazë të evoluimit të të drejtave shqiptare në Ballkan dhe më gjerë, pra edhe të çështjes kombëtare shqiptare.
kurkush hiq
e Enjte 29 Maj 2014, Ora 21:32
shum mir e paske shkru
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga ky opinionist
 
Një avion i linjave egjiptiane ka kryer ulje të detyruar në aeroportin e Larnakes në Qipro, në orën 8:46. 

Ai ka liruar te gjithe pasagjeret, por jo ekuipazhin e avionit

Një avion i linjave egjiptiane ka kryer ulje të detyruar në aeroportin e Larnakes në Qipro, në orën 8:46. Ai ka liruar te gjithe pasagjeret, por jo ekuipazhin e avionit