Milani pothuajse jashtë Champions, por kualifikimi nuk është i pamundur

Ndeshja në Porto e Milanit ishte tepër zhgënjyese.

Edhe pse goli i shënuar nga Porto ka shumë dyshime, paraqitja e kuqezinjve nuk ishte në lartësinë e duhur ku mungoi sikur edhe një gjuajtje në kuadrat teksa zhgënjimi për të gjithë është i madh.

Përkundër mungesave të rëndësishme, pritej diçka më shumë nga Pioli dhe lojtarët por duhet pranuar se çështja e kualifikimit nuk është mbyllur ende edhe pse duket shumë i vështirë.

Fillimisht, Milani duhet të bëjë detyrën e saj e të fitojë jo vetëm me Porton në “San Siro” në ndeshjen e ardhshme por të shpresojë edhe te Liverpool që këta të fundit të fitojnë dy ndeshjet e radhës.

Pra Milani të fitojë me Porton dhe të marrë 3 pikët e para dhe Liverpool të mposhtë Atleticon edhe në “Anfield Road” e më pas kuqezinjtë do të kenë si një finale përballjen në Wanda ku duhet të mposhtin “Los Colchoneros”.

Edhe me dy fitore, Pioli duhet të shpresojë sërish te Liverpooli që këta të mundin edhe Porton në “Anfield Road” dhe kështu është e vetmja mënyrë që i hap rrugën kualifikimit. Me dy fitore për Milanin të shoqëruara edhe me dy suksese nga Liverpool, Milani më pas do të kishte mundësinë e kualifikimit duke mundur pikërisht Liverpoolin në “San Siro” në ndeshjen e fundit.


Shtuar 20.10.2021 16:58