Skandal në QSUT! Shkelen haptas rregullat për tenderin, 75 mln lekë për Neuro-Pediatrinë!

Një tenderi të dyshimtë i është dhënë drita “jeshile” nga Qendra Spitalore Univeristare “Nënë Teresa”. Në datën 08.06.2021 është publikuar në Sistemin e Prokurimeve Elektronike (SPE), procedura e prokurimit për pajisje për Neuro-Pediatrinë, e cila ka si fond limit shumën prej 7,581,450 lekësh.

Të interesuar për të marrë pjesë ën garë, Operatorët Ekonomik (OE) “O.E.S Distrimed” SHPK dhe “Biometric Albania” SHPK kanë paraqitur ankesa njëkohësisht pranë Komisionit të Prokurimit Publik (KPP) dhe QSUT duke kërkuar modifikimin e dokumenteve të procedurës së prokurimit në fjalë. Të dy pretendojnë se specifikimet e kërkuara për të 3 pajisjet për prokurim janë bazuar në modelet e prodhuesit Micromed dhe nuk ndikojnë në funksionalitetin dhe kualitetin e pajisjes.

Po ashtu, 10 specifikime pengojnë pjesmarrjen e prodhuesve të tjerë duke qenë se cdo prodhues përdor teknologji dhe karakteristikë unike “patente”.
QSUT ka pranuar pjesërisht 4 nga pretendimet duke shtyrë datën e hapjes së ofertave. Nuk vonoi shumë dhe në datë 16.07.2021, KPP vendosi të pranojë pjesërisht ankesat e paraqitur nga “O.E.S. Distrimed” SHPK dhe “Biometric Albania” SHPK për procedurën e prokurimit të sipërcituar, duke modifikuar edhe 4 specifikime dhe duke mos pranuar 2 pretendime. Në të njëjtin vendim urdhëron që QSUT të kryejë modifikimet përkatëse në përputhje me arsyetimet dhe konstatimet e KPP-së, por institucioni ka vepruar në kundërshtim me ligjin dhe nuk i ka zbatuar rregullat për specifikimet teknike.

“Pasi konfirmon se ankesa është paraqitur në Komisionin e Prokurimit Publik, autoriteti ose enti kontraktor pezullon vazhdimin e procedurës së prokurimit deri në shqyrtimin plotësisht të ankesës, përfshirë edhe nxjerrjen e një vendimi nga Komisioni i Prokurimit Publik,”- pra për sa kohë, KPP ka në shqyrtim ankesën dhe akoma nuk është shprehur me Vendim përfundimtar për zbatimin plotësisht të vendimit të vet, QSUT nuk mund të heqë procedurën nga pezullimi dhe të vijojë me hapat e mëtejshëm duke shtyrë afatin.

Ndërkohë, pa e pasur konfirmimin e KPP që shqyrton nëse realisht janë zbatuar vendimet e saj dhe respektivisht lejon ose jo QSUT për vijimin me hapat e mëtejshëm të procedurës, kjo e fundit e heq procedurën nga pezullimi dhe njofton afatin e ri të hapjes së ofertave në datë 26.08.2021. Por vetëm në datë 23 gusht, KPP nuk lejonte QSUT që të vijonte me procedurën, shkruan Dosja.al.

Edhe pse KPP e pranon faktin që QSUT ka kryer një sërë shkeljesh të ligjit dhe rregullave të prokurimit publik, sërish nuk ka ndërmarrë asnjë masë ndëshkuese ndaj QSUT. Por pse u nxitua kaq shumë për të zhvilluar këtë tender? Kush favorizohet?

 


Shtuar 25.10.2021 17:31