24 gafat e projektligjit të arsimit të lartë
nga Artan Fuga
Si po merr fund edhe e fundit hapësirë publike e papolitizuar në këtë vend.

E para, centralizon vendimmarrjen krejtësisht në duart e ministrit të arsimit.

E dyta, krijon pabarazi normative të padrejta midis operatorëve private dhe publikë.

E treta, nuk u jep përgjigje përkundrazi kontribuon në përkeqësimin e gjendjes së sotme të arsimit të lartë në Shqipëri.

E katërta, nuk afirmon disa parime demokratike të arsimimit universitar në një shoqëri në demokratizim, si edhe pjesëmarrjen e hapësirës sonë në hapësirën europiane të arsimit dhe kërkimit shkencor.

E pesta, e trajton arsimin e lartë në mënyrë të izoluar dhe të veçuar nga shoqëria dhe operatorët ekonomikë duke i ngjarë më shumë një rregulloreje të brendshme të universiteteve që i quan publike, por që në fakt kthehen në shtetrore.

Më konkretisht:

1. Ekzistenca e disa agjencive shtetërore që do të kenë në dorë të gjithë vendimmarrjet përfundimtare të jetës dhe veprimtarisë universitare, të varura ose kompozura direkt nga ministri, dhe pa përcaktime në ligj, bie ndesh me kushtetutën që rolin rregullator normativo-administrativ ja ka dhënë një institucioni kushtetues pra ministrisë edhe askujt tjetër. Aq më shumë këto agjenci kanë aq shumë kompetenca dhe kanë aq shumë hierarki vertikale saqë realizojnë një mbivendosje të burokracisë shtetrore mbi universitetet. Ato e thërmojnë administrimin e jetës universitare në mënyrë vertikale në agjenci të ndryshme, por që në fund të fundit nuk janë veçse delegime të vullnetit të ministrit, dhe për këtë përbëjnë shkelje të lirisë dhe autonomisë universitare, që ligji gjoja pohon si parim. Me këtë projektligj marrin fund universitetet publike dhe rikthehen në modelin e universiteteve shtetrore sipas modelit para viteve ’90.

2. Njohja nga ligji e disa tipologjive të institucioneve të arsimit publik si universitetet, akademitë, kolegjet universitare dhe kolegjet profesionale, krejt të paspecifikuar për legjitimitetin dhe dobinë e tyre, sjell një thërmim dramatik të institucioneve arsimore universitare. Institucionet universitare zbërthehen, thërmohen, në dhjetra e dhjetra universitete lagjesh e katundesh duke shkatërruar të gjithë pejsazhin universitar shqiptar. Po aty ekzistenca e filialeve si aktivitete jashtë “selive” është krejt konfuze dhe legjitimon kaosin e sotëm dhe proliferimin “kanceroz” të agjencive universitare në territorin e vogël shqiptar, si edhe sjell përkeqësimin e plagës të mbivendosjes të aktiviteteve universitare të si edhe zgjatime pa cilësi të universiteteve jashtë kritereve territoriale.

3. Organizimi i brendshëm i universiteteve është i një tipi konservator dhe tepër klasik, i tejkaluar nga koha ku neglizhohen dhe përçmohen strukturat ndërdisplinore, të cilat në të gjitha rastet konsiderohen sit ë tilla që nuk llogariten në parametrat e akreditimit të institucioneve. Fakultetet dhe departamentet ndërtohen sipas modelit të kazermës, të mbyllura dhe pa kryqëzime disiplinash.

4. Krijon pabarazi diskriminuese midis universiteteve private dhe atyre publike sepse nuk ka asgjë pothuajse normative që mund të krijojë influencën e shoqërisë për funksionimin e brendshëm dhe rolin e funksionet e universiteteve private. Edhe mediat private kanë detyrime shoqërore, të ashtuquajtura “ngarkesa”, kurse universitetet private nuk kanë të tilla. Ndihet lobimi i fuqishëm i privatit në hartimin e këtij projektligji duke mos e detyruar atë të vendoset financiarisht në kushtet e transparencës financiare përpara studentëve dhe familjeve të tyre, si edhe pa parime të imponuara demokratike që sigurojnë të drejtat e pedagogëve të tyre. Universiteteve private u lejohen të gjitha format ekonomike dhe financiare të investimit kurse këto i privohen krejtësisht universiteteve publike që u ngjanë më shumë punishteve mesjetare me modelimin që u bëhet.

5. Krijon një dyzim fatal dhe rrënues të funksioneve administruese të universiteteve publike duke goditur parimin e drejtimit unitar të institucioneve, krijon dualizim mes drejtimin akademik dhe atij administrative dhe duke rrezikuar bllokime dhe humbje të përgjegjshmërisë në drejtim. Asnjë vendim i rektorit ose i dekanit për çështje akademike nuk mund të hyjë në fuqi sipas projektligjit pa miratimin e bordeve të administrimit të kontrolluara nga ministria dhe burokracia shtetrore.

6. Fut në fakt ndërhyrjen vendosëse të ministrit të arsimit për rregulloren e brendshme të institucioneve, në kompozimin e bordeve dhe në të gjitha vlerësimet dhe shpërndarjen e granteve dhe financimeve publike. Vendimarrja në thelb i kalon ministrit të arsimit.

7. Ndërpret ndihmat dhe mbështetjen për studentët në vështirësi vetëm në ciklin e parë të studimeve duke krijuar pabarazi shoqërore në arsimim. Nuk u krijon ligjërisht kushte studentëve ta ndërtojnë lirisht kurrikulën e formimit të tyre universitar sipas shembujve të përparuar bashkëkohorë dhe demokratikë.
Po ashtu nuk tregohet se kush vendos per numrin e studentëve të pranuar, mbi kuotat e vendeve të punës të hapura për pedagogë, mbi çfarë kriteresh bëhen pranimet pas përfundimit të studimeve në shkollën e mesme, kush përcakton cmimet e rregjistrimit, dhe a i përdor dot apo jo universiteti fondet nga pagesat për rregjistrim, etj. Na thuhet se këto do të përcaktohen me vendime të këshillit të ministrave, pra projektligji “ndriçon” me boshllëqet ligjore që krijon duke i hapur rrugë plotësimit të tij me vendime arbitrare që kalojnë jashtë kontrollit parlamentar.

8. Kufizon arbitrarisht mekanizmat ekonomike per zhvillimin e universiteteve publike që shfaqen gati si agjenci ekonomike feudale, nuk parashikon aksionariatin, investimet e huaja, investimet nga operatorë ekonomikë, si edhe kufizon të ardhurat dytësore të pedagogëve nga projektet në shifra arbitrare.
Ka të drejtë të japë lokalet e vet dhe trojet e veta me qira universiteti publik?
Asgjë nuk thuhet. Pra nuk akordohet!
Ka të drejtë universiteti publik të hapë bursën e aksioneve për pasuritë e tij deri në masën së paku 50 %?
Asgjë nuk thuhet. Pra nuk lejohet!
Ka të drejtë universiteti publik të hapet në kapitale deri në 50 % ndaj kapitaleve të huaja?
Asgjë nuk thuhet. Pra as nuk imagjinohet!
Ka të drejtë universiteti publik që të ndërtojë një piramidë të vetën pagash?
Asgjë nuk thuhet. Larg qoftë!
Në fakt edhe tani pedagogët e universiteteve janë në një masë të konsiderueshme të kohës të tyre të punës në gjendje skllavërie. Domethënë ata nuk paguhen për punën e bërë. Korrigjime provimesh? Pa lekë. Drejtime diplomash masteri ose bachelori? Pa lekë. Kumtesa dhe referate në konferenca shkencore? Pa lekë. Kohë pune për të shkruar tekste? Pa lekë. Subvencionime për vajtje në konferenca shkencore? E pamundur.
Ka të drejtë universiteti publik të japë shpërblime për pedagogë të dalluar në punën e tyre cilësore?
Asgjë nuk thuhet. E palejueshme!
Ka të drejtë universiteti publik të paguajë konferenca shkencore jashtë vendit dhe kërkime shkencore?
Asgjë nuk thuhet. Aktualisht as lekë për një kumtesë nuk jep.
Vetëm tendera për ndonjë drekë si festë funebre!
Ka të drejtë universiteti publik të marrë hua në banka brenda dhe jashtë vendit? Asgjë nuk thuhet.
Ka të drejtë universiteti publik të hapë aktivitete ekonomike jashtë arsimore, për të nxjerrë fonde për rritjen e cilësisë të tij?
Asgjë nuk thuhet. Ndeshkohet sepse nuk lejohet;
Ka të drejtë universiteti publik t’ia adaptojë brenda semestrit programe t veta mësimore me qëllim që të adaptohet në tregun e punës?
Jo.
Duhet të presi kur t’i teket agjencive burokratike.
Ja pse e kanë kthyer universitetin publik si një punishte mesjetare jashtë logjikës të tregut, si kolkhoz sovjetik, si agjenci feudale, ndërkohë që universiteteve private u lejohet gjithcka. Kemi një goditje të qëllimshme të publikes kundër privates.

9. Pengon rinovimin e programeve mësimore dhe ndërhyn edhe në përmbajtjen e lëndëve përderisa edhe rinovimin e programeve mësimore mbi 20 % kërkon autorizimin e ministrit të arsimit pasi kalon një sërë hallkash të kota.
10. Ndërton një mekanizëm të padobishëm dhe arbitrar për titujt “profesor” dhe “professor i asociuar” duke ja lënë kompetencën e vlerësimit një komisioni të përhershëm të senatit, të zgjedhur, pa specifikime shkencore dhe pa profilizime, duke ja lënë këto tituj vetëm vlerësimi të brendshëm të cdo universiteti që e liberalizon dhe e nxjerr jashtë loje seleksionimin e vlerave si edhe mobilitetin profesoral mbarëkombëtar.

11. Ngatërrohet vendi i punës “Profesor” me titullin shkencor “Profesor” duke i quajtur me të njejtin emër. Ju heq kompetencat kolektive profesorëve, që nëpërmjet këshillit të tyre të drejtojnë jetën shkencore të Fakulteteve.

12. Nuk specifikohet se cila është instanca që shpërndan grantin për fusha të ndryshme të shkencës, mësimdhënies, kërkim-zhvillimit, etj.

13. Nuk njeh dhe parashikon mësimin në distancë dhe në Internet.

14. Nuk specifikon se cili është sistemi i vlerësimit (notave) në arsimin universitar duke ditur se sistemi aktual është buyrim parazitizmi dhe korrupsioni.

15. Të drejtat demokratike të pedagogëve dhe studentëve anashkalohen tërësisht edhe nuk artikulohen as të drejtat bazë që njeh përvoja demokratike.
- Nuk përmendet autonomia territoriale pra mosfutja e policisë pa lejen e autoriteteve.
- Nuk sigurohet pavarësia e pedagogut për lirinë e mësimdhënies dhe të rezultateve të kërkimit shkencor. Nuk përmendet fare.
- Nuk jepen kriteret bazë të laicitetit, antidiskriminimit, antiracizimit në përmbajtje dhe formë të veprimtarisë universitare.
- Pedagogët nuk kanë të drejtën të organizohen në sindikata ose shoqata që mbrojnë interesat e tyre. Nuk parashikohet roli i sindikatave në venndimarrjen universitare.
- Nuk ka pozicionim kundër politizimit të procesit mësimor të drejtuesve të universiteteve dhe fakulteteve.
- Nuk zhvillohen sa duhet liritë studentore : e drejta e studentit për t’u informuar, për këshillimin profesional, për t’u njohur me financat e institucionit, për të qenë bashkëpjesmarrës në ndërtimin e kurrikulave që ndjek, (zgjedhjet opcionale), për t’u zhvendosur në kuadrin e projekteve europiane, për t’u rregjistruar në disa programe mësimore, për t’u rregjistruar te profesori i lëndës pavarësisht fakultetit, etj. Nuk detyron universitetet të ndjekin studentët pas mbarimit të studimeve për të ndihmuar integrimin profesional të tyre.

16. Nuk parashikon formim teorik të përbashkët në shkollën doktorale duke e individividualizuar atë, çka bie ndesh me atë që kërkimi shkencor bëhet në grup e në grupe komunitare kërkuesish. Mbështet një koncept individualist dhe monologist të kërkimit shkencor çka është tërësisht i tejkaluar nga koha.

17. Fut arbitrarisht konceptin e « masterit ekzekutiv » që është krejtësisht i palegjitimuar që të jetë i ciklit të tretë, nuk specifikohet nga masterat e tjerë dhe nuk tregon dobia dhe qëllimi i tij.

18. Krijon privilegje antidemokratike sikurse është pozita e « themeluesit » në institucionet publike të pavarura, ku “themeluesit” i rezervohen të drejta të palegjitimuara që e bëjnë të kontrollojë pa meritë, por me status të privilegjuar, institucionin që kthehet në publik. Për herë të parë në juridiksionin shqiptar të tranzicionit njihen privilegje personale në hapësirën e institucioneve publike. Kur dihet se sistemi i privilegjeve ka rënë qysh natën e 4 gushtit 1789 në Francë. Nuk krijon asnjë kontroll të publikut dhe studentëve mbi universitetet private.

19. Fut brenda ligjit e kërkon të normativizojë edhe një organizatë joqeveritare sikurse është “konferenca e rektorëve” pa i dhënë normativisht asnjë kompetencë.

20. Marrja e kredive studentore për të cilën flitet në ligj është e rrezikshme shoqërisht, është krejt formale sepse nuk detyron asnjë institucion bankar të jape kredi. I detyron studentët të futen në borxhe qysh në fillim të jetës pa pasur asnjë mundësi t'i lajnë ato në kushtet e një pamunësia të lartë intelektuale.

21. Nuk tregon dhe kërkon se cilat janë tipologjitë e statuseve profesionale që duhet të mundësojnë diplomat universitare duke i hapur rrugë një dijeje universitare ideologjike, përshkruese, thjesht abstrakte dhe pa lidhje me tregun e punës. Aktualisht papunësia e të diplomuarve qendron në faktin se nuk ka asnjë korrespondencë parimore dhe qoftë në planin strategjik vetëm midis profesioneve dhe vendeve të punës në profesionet e caktuara, sidomos në sektorin publik, dhe profileve të diplomimit në nivelin e studimeve universitare. Diplomat dhe profilet e diplomit akreditohen jashtë dimensionit profesional ku ata priten të çojnë dhe jashtë cdo transparence dhe parashikimi për nevojat e tregut të punës në fushat përkatëse.

22. Nuk krijon mekanizma që mundësojnë rregullarizimin e dijes brenda shoqërisë, nuk afirmon parimet të meritokracisë në punësim, nuk detyron që vendet e punës të administratës publike të jenë të hapura ndaj meritokracisë në shkollë, etj.

23. Nuk thotë asgjë për llojet e kritereve që masin cilësinë e arsimit të lartë dhe performancën e institucioneve arsimore duke lënë të nënkuptohen që kriteret e tanishme, krejtësisht korruptivë dhe imbecilë, do të vazhdojnë të drejtojnë arsimin universitar shqiptar.

24. Nuk parashikon si struktura të universiteteve konvikte, biblioteka, menca, qendra dokumentare, qendra shëndetësore, shërbim psikologjik, vende pushimi, atelieje stazhesh, pra qendra shërbimesh sociale.
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga ky opinionist