Arsyet e permiresimit te marredhenieve midis Rusise dhe SHBA-ve
Albeu.com
nga Besim KamberiPavarësisht debateve të zhvilluara lidhur me spiunazhet e fundit të Rusisë në SHBA, autoritetet e Shtëpisë së Bardhë kanë bërë të ditur, se kjo çështje nuk do të ndikojë në marrëdhëniet ..... midis Moskës dhe Uashingtonit. prof. Dr. Jan Bremmer, profesor në Universitetin e Kolumbisë dhe drejtorë i "Euroasia Gruoup", në artikullin e tij "Fytyra më miqësore e Rusisë", arsyet e mos ndikimit të rastit në fjalë në marrëdhëniet midis dy vendeve i justifikon duke treguar kushtet ekonomike të Rusisë si dhe nevojën e SHBA për të gjetur përkrahje të politikave të saj nga Moska. Bremmer, më tej shkruan: Arrestimi i 11 personave në SHBA, me akuzë për spiunim në interes të Rusisë ka patur një reflektim të madh në media dhe në një farë mase kanë rikujtuar periudhën e Luftës së Ftohtë midis SHBA dhe ish Bashkimit Sovjetik. Njëkohësisht, ky skandal përfolet se nuk do të ndikojë aq shumë në marrëdhëniet midis SHBA dhe Rusisë dhe se marrëdhëniet midis dy qeverive edhe në të ardhmen do të mbeten të mira. Mund të përmendim tri arsyet më kryesore të mos acarimit të marrëdhënieve Rusi-SHBA, të cilat më tepër kanë të bëjnë me Kremlinin.


Përpjekjet e Rusisë për të rimëkëmbur ekonominë e saj të dobët

Kriza globale financiare ndoshta ekonominë e Rusisë e ka goditur më së shumti në mesin e ekonomive në zhvillim e sipër. Arsyeja kryesore e dëmtimit të ekonomisë së Rusisë është mbështetja teje mase në burimet e energjisë si dhe rënia drastike e çmimit të naftës në tregun botëror gjatë kësaj periudhe. Kur Barack Obama propozoi restaurimin e marrëdhënieve me Rusinë, autoritetet e Kremlinit ishin në hamendje dhe nuk mundën të arrinin në një konsensus lidhur me këtë çështje. Edhe pse Vladimir Putin, kryeministri i Rusisë, mesazhin e Barack Obamës e shihte me skepticizëm dhe me një dozë dyshimi, por Dimitri Medvedev dhe këshilltarët e tij pro-perëndimor e panë me një mendim pozitiv dhe e mirëpritën propozimin e Obamës. Me kalimin e kohës, gjendja ekonomike e Rusisë u përmirësua për shkak të disa ndërhyrjeve të duhura dhe rritjes së çmimit të naftës në tregun botëror.


Qasja e Rusisë ndaj vendeve fqinje

Duke vështruar qëndrimet e Rusisë ndaj fqinjëve të saj, do të hasim në ndryshim të qasjes së funksionimit të politikës së jashtme të Rusisë. Krahasuar me atë që ndodhi në zgjedhjet presidenciale të Ukrainës në vitin 2004 si dhe lufta 5 ditore e Rusisë me Gjeorgjinë në gusht te vitit 2008, ku sot e kësaj dite ka lënë pasoja në marrëdhëniet midis Rusisë dhe SHBA-ve, si dhe qëndrimi i Rusisë lidhur me krizën e Kirgizistanit, shpalosi dukshëm këto ndryshime në politikën e jashtme të Rusisë. Zhvillimet politike në Kirgizistan i dhanë një mundësi Medvedevit që me influencë më të madhe të futet në negociata me presidentin Obama dhe një i hap i tillë bëri që Rusia të konsiderohet si aktor kryesor në rajon. Gjithashtu, pas rrëzimit të aeroplanit të presidentit të Polonisë në territorin rus ku rezultoi me vdekjen e presidentit dhe një numër të madh të autoriteteve politike dhe ushtarake të këtij vendi, Rusia duke ndarë dhimbjen me popullin polak si dhe shkuarja e Putinit në vendin e rrëzimit të aeroplanit për të treguar respekt ndaj viktimave të aksidentit, ndikoi dukshëm në përmirësimin e marrëdhënieve jo aq të mira midis dy vendeve.


Nevoja e Rusisë për tërheqjen e investimeve


Udhëheqësit rus e kanë kuptuar se ekonomia e vendit të tyre është jashtë mase e mbështetur në burimet e naftës dhe gazit. Ndryshimet klimatike, pasojat e rrjedhjes së naftës në gjirin e Meksikës, mundësia e rritjes se çmimit të naftës gjatë viteve në vijim si rezultat i rritjes permanente të ekonomive në zhvillim e sipër, ka krijuar një situatë të turbullt në tregun e energjisë. Një numër i madh i rezervave të Rusisë akoma janë të paprekura dhe shfrytëzimi i tyre kërkon teknologji moderne dhe investim të madh. Nga ana tjetër, Rusia është eksportuesi më i madh i gazit natyror në botë, prandaj dhe autoritetet e Rusisë po përpiqen për themelimin e një organizate për gazin, të ngjashëm me OPEK-u, me qëllim të menaxhimit të prodhimit dhe çmimit të gazit në botë. Mirëpo ekzistojnë faktorë të ndryshëm që pengojnë formimin e një organizate të tillë e cila kërkon teknologji moderne dhe investim të gjerë në këtë sfere. Vendet si Irani dhe Katari, tregun evropian dhe aziatik të gazit e shohin si tregun kryesor të tyre në një periudhe afatgjate dhe të dy vendet kanë dhe do të kenë në të ardhmen bashkëpunim të ngushtë në projekte gjigante. Kjo do të kufizojë dukshëm mundësit e tregjeve të Rusisë në botë. Prandaj është më se e qartë se Rusia duhet të rifreskojë ekonominë e saj dhe të shpëtojë nga mbështetja e tepruar në eksportimin e naftës. Në këto rrethana, investimet amerikane, posaçërisht në sferën e teknologjisë moderne do të ishin shumë profitabile për Rusinë dhe një gjë të tillë më së miri e kanë kuptuar autoritetet e Kremlinit.
Tani duhet shtruar pyetja se athua mund të presim përfitime të dukshme në përmirësimin e marrëdhënieve midis SHBA dhe Rusisë? Përgjigja e kësaj pyetje është pozitive. Tani më çështja e dislokimit të sistemit anti-raketor në Evropën Lindore disi është tërhequr nga prioritetet e politikës së jashtme amerikane dhe në anën tjetër Rusia është një ndër vendet që përkrah në mënyrën më të mirë qëndrimin e politikave të Shtëpisë së Bardhë në Afganistan. Gjithashtu, negociatat dypalëshe për kontrollimin e armeve kanë përfunduar me sukses. Përmirësimi i marrëdhënieve ka bërë që Rusia kohëve të fundit të marrë qëndrim më të ashpër ndaj çështjes bërthamore të Iranit, një përkrahje të këtillë e shohim në miratimin e sanksioneve të reja të Këshillit të Sigurimit në OKB-së, ku Rusia votoi pro rezolutës 1929, rezolutë kjo që parashikonte sanksione të rrepta ndaj Iranit. Projektet madhore të Medvedevit ka vënë në pah nevojën e Rusisë për asistencën ekonomike të perëndimit e posaçërisht të SHBA. Në këtë drejtim, presidenti rus ka propozuar që në periudhë afatgjate të hiqen tatimet mbi fitimet kapitale të investimeve direkte si dhe të ulen tatimet mbi kompanitë të cilat investojnë në teknologjitë shkencore. Autoritetet ruse janë optimistë se investimet e huaja direkte gjatë katër viteve të ardhshme do të dyfishohen dhe për këtë arsye janë në kërkim të tërheqjes së investimeve kapitale të huaja në sferën e teknologjisë informative, energjisë nukleare dhe telekomunikacionit. Megjithatë, qeveria e Medvedevit akoma është shumë larg suksesit në luftën kundër korrupsionit i cili është përhapur në të gjitha shtresat e shoqërisë. Ai akoma nuk ka arritur plotësisht të largojë shqetësimet dhe dyshimet e investitorëve të huaj për shkak të mungesës së përkrahjes të gjykatave të Rusisë ndaj të drejtave të kompanive të huaja, dhe deri sa nuk ndërmerr reforma konkrete në këtë drejtim, investitorët e huaj do të jenë më të pakët, se sa duhet.
Arsyet e lartpërmendura janë ndër shkaqet kryesore të përpjekjeve të përmirësimit dhe afrimit të marrëdhënieve të Rusisë me SHBA. Barack Obama, me aftësitë e tij diplomatike e ka kuptuar më së miri këtë çështje, duke shfrytëzuar këtë rast ka mirëpritur përmirësimin e marrëdhënieve me Moskën. Në anën tjetër edhe Rusia duke kuptuar një gjest të tillë nuk do të ketë më nevojë për aktivitete spiunimi!
Shtuar më 30/07/2010, ora 20:30
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori