Ylli i Shqipërisë në faqen e parë të prestigjozes greke, kërkohet nga Olympiacos (FOTO LAJM)

Myrto Uzuni përfundon në faqen e parë të gazetës greke “Sport Time” e cila raporton lajmin e bujshëm se Olympiacos interesohet për të marrë shërbimet e futbollistit të kombëtares shqiptare i cili ka shkëlqyer në këtë sezon në kampionatin hungarez me Ferencvaros.

Me 13 gola të realizuar dhe 6 asiste në të gjitha kompeticionet me kampionët e Hungarisë, Uzuni ka përfunduar në radarët e drejtuesve të Olympiacos të cilët e vlerësojnë për cilësitë që beratasi zotëron ndërkohë që e kanë ndjekur me vëmendje edhe në ndeshjen e Championsit ndaj Juventusit në Allianz Stadium, ku futbollisti kuqezi realizoi edhe 1 gol.

Ferencvaros e bleu kartonin e Uzunit për 1,8 milionë euro nga Lokomotiva e Zagrebit një vit më parë dhe për ta lënë të lirë synon të arkëtojë minimalisht 4 milionë euro, shifër e pranueshme kjo për arkat e Olympiacos.


Shtuar 17.04.2021 16:14