Arbër Xhaferi: Dorëheqja ime dhe zhvillimet në Shqipëri
Albeu.com
Arbër Xhaferi tregon për arsyet e largimit të tij nga politika, së cilës i dha rreth 15 vjet, një largim që e kishte paralajmëruar, por nga qarqe të rëndësishme ndërkombëtare i është kërkuar ta rishikojë vendimin e tij.Nuk ka shumë që ka zyrtarizuar dorëheqjen nga kreu i partisë së tij, por edhe nga politika. Megjithatë, Arbën Xhaferri nuk e quan dramë, përkundrazi, sipas tij, drama qëndron pikërisht te "sfilata e sedrave të prekura", siç i emërton ai politikanët e "gardës së vjetër" në të gjithë hapësirën shqiptare. Në një intervistë për "Shqip", intelektuali dhe politikani i njohur, thekson se politika shqiptare ka nevojë për një rinovim thelbësor, ku të vjetrit duhet t‘ua lënë vendin gjeneratës së re dhe të mos bëhen peng i zhvillimeve, duke shkaktuar "një dramë që ndodh brenda partive politike dhe individëve, të cilat janë bartës të këtij dramatizimi të kotë. Shoqëria shqiptare është e lodhur nga ky paroksizëm i politikës, nga ky dramatizim që nuk prodhon asgjë të re... Në intervistën për "Shqip", Arbën Xhaferri tregon për arsyet e largimit të tij nga politika, së cilës i dha rreth 15 vjet, një largim që e kishte paralajmëruar, por nga qarqe të rëndësishme ndërkombëtare i është kërkuar ta rishikojë vendimin e tij. Por, siç thotë ai vetë, "duhet të ndjekim standardet evropiane të ndërrimit të kuadrove". Në rrëfimin për "Shqip", Arbën Xhaferri flet pak nga të gjitha, për veten e tij, skenën politike shqiptare në Maqedoni, zhvillimet në hapësirën shqiptare, por mbi të gjitha flet për riaktivizimin e faktorit shqiptar, i cili ka shpërthyer prej vitesh pas çlirimit të Kosovës, por që duhet të "disiplinohet", gjegjësisht të profesionalizohet kah orientimi programatik dhe aktiv i shërbimit ndaj shqiptarëve, kudo që ndodhen ata...

Zoti Arbën, para disa ditësh ju morët një vendim për largimin nga drejtimi i Partisë Demokratike Shqiptare, një vendim i cili realisht ka "tronditur" opinionin publik në Shqipëri, por edhe kudo ku jetojnë shqiptarët. Mendoni se është koha e duhur për të lënë këtë vakum në skenën politike shqiptare?

Nuk besoj se mund të ketë qenë lajm tronditës, ngaqë e kam paralajmëruar kohë më parë një vendim të tillë. Mbase lajmi duket i tillë për arsye se në hapësirat shqiptare, për shkaqe të ndryshme, postet politike janë tejet atraktive dhe të gjithë turren për të hyrë dhe për të marrë poste politike, sidomos rolin e drejtuesit. E gjithë kjo mua më duket normale, por po ashtu më duket edhe më normal institucioni i dorëheqjes, vendimi për tërheqje nga një funksion politik. Tërheqja nga funksioni nuk do të thotë dimensionim. Mendoj se pikërisht tani është koha e përshtatshme, ngaqë kauza shqiptare në një çast dhe rast historik u ndërtua shumë mirë dhe tashmë ka hyrë në axhendat ndërkombëtare, ku ekzistojnë gjasat reale që problemet kryesore të zgjidhen në favor të shqiptarëve. Them kështu ngase shqiptarët luajtën një rol të rëndësishëm në përplasjet globale gjeostrategjike dhe gjeopolitike. Në vitin 1981, një vit pas vdekjes së Presidentit jugosllav, Titos, në Kosovë u organizuan demonstrata që kontestuan premisën, mbase kryesore të doktrinës komuniste që mburrej me pretendimin se çështjet etnike në këto sisteme janë zgjidhur njëherë e përgjithmonë. Këto demonstrata nxitën një proces të pandalshëm të testimit të vlerës së kësaj doktrine dhe sa më shumë që zhvillohej debati, aq më shumë satanizoheshin shqiptarët, sa më shumë që rritej represioni mbi shqiptarët që vazhdonin të kontestonin sistemin që në vazhdimësi i diskriminonte ata, aq më tepër shfaqeshin dhe thelloheshin antagonizmat. Historiografia shqiptare ende nuk është e vetëdijshme për rolin historik të këtyre demonstratave në inicimin e ortekut të madh që e pllakosi Jugosllavinë. Vetëm shqiptarët i kishin këto energji iniciuese, këtë gatishmëri për shpërfillje të kanosjes dhe rrezikut që përhapte regjimi. Qëllimet politike të drejtuesve të rinj të sistemit jugosllav në krye me Millosheviçin nuk përputheshin me mendësinë dhe rregullat e lojës që deri në atë kohë kanë funksionuar në Jugosllavi pa pengesa serioze. Regjimi i ri nuk dinte si të sillet derisa më në fund u orientua drejt metodave jodemokratike, ku shfaqej hapur represioni që shumë shpejt mori përmasat e një gjenocidi të paimagjinueshëm. Për ta arritur këtë dhe për t‘i fshehur gjurmët duhej që institucionet e sistemit të ndërronin funksionet e tyre legale dhe kushtetuese, kështu që ushtria si edhe policia u shndërruan në njësite paramilitare dhe parapolicore të drejtuar nga kriminelët e regjur që bënin kërdinë në të gjitha zonat e konfliktit. Qëllimet politike të regjimit të Millosheviçit nuk mund të imponohej përmes institucioneve legale, prandaj regjimi vet hapi krahun për krijimin e institucionit parapolitik (mitingjet) dhe paraushtarak, parapolicor. Ky degjenerim i sistemit, kjo kanosje në fakt mafioze, ky paralajmërim që filloi brutalisht të zbatohej nuk i zmbrapsi shqiptarët dhe pati për pasojë ardhjen e natyrshme të trupave të NATO-s jo vetëm në Kosovë, por edhe më gjerë. Një proces që duhej të zgjaste me dekada përfundoi brenda një periudhe shumë të shkurtër. Ishte tepër e vështirë të gjendej një popull që mund të duronte këtë brutalitetit të paskajshëm dhe humbjet si në planin individual, po ashtu edhe në atë shoqëror. Nga kjo që u tha më sipër përpiqem të shpjegoj se cilat janë arsyet që çështja shqiptare, ndonëse me vonesë ka hyrë në axhendat e institucioneve ndërkombëtare. Vlerësoj se një proces shumë kompleks dhe i vështirë përfundon në favor të shqiptarëve, kështu që nuk ka nevojë për dramatizime veçmas në planin e ndërrimeve të funksioneve politike.

Në deklaratën e dorëheqjes ju thatë se "konsideroj se duhet t‘i ndjekim standardet dhe idetë perëndimore, ku ekziston ndërrimi normal i kuadrove dhe ideve". Mos do të thotë që Partia Demokratike Shqiptare po shkon kah një ndërrimi edhe të kursit ideor?

Mendoj se shqetësimi juaj është një kompliment për PDSH-në, ashtu si do të ishte për të gjitha partitë politike. Me avancimin e procesit të hyrjes në Unionin Evropian vetvetiu do të përhapet çështja e modelit të partive politike. Tashmë ka filluar procesi i ripërkufizimit që duhet të përsosë profilin ideologjik dhe programor të PDSH-së. Nevojitet të qartësohet përcaktimi për modelin e djathtë të PDSH-së dhe synimet e saja në të ardhmen. E njëjta kërkesë do të shtrohet edhe para partive të spektrit të majtë. PDSH, tashmë ka filluar ta riprofilizojë programin e saj sipas standardeve të partive popullore evropiane. Enkas për këtë qëllim është formuar një komision në krye me ministrin e Arsimit, Sulejman Rushiti, që ka marrë përsipër të harmonizojë orientimet programore të PDSH-së me ato të partive të djathta evropiane.

Keni më se 15 vjet në krye të politikës së shqiptarëve në Maqedoni, sipas jush, cila është arritja më e madhe e faktorit shqiptar?

Unë kam bindjen e thellë se shqiptarët, në këto kushte të tranzicionit marramendës, ku u shkërmoqën shumë standarde, megjithatë treguan se kanë sens për politikë. Kuintesenca e kësaj politike ishte ndërhyrja e NATO-s kundër caqeve militare serbe. Ndërtimi i këtij preteksti (i shkakut të luftës) ishte një punë shumë e madhe që përfundoi me angazhimin e forcave ushtarake të shteteve më demokratike të botës. Kjo ka ndodhur për herë të parë dhe sipas të gjitha gjasave nuk do të ndodhë më, ose si thonë politikanët e mëdhenj të botës, z. Xhorxh Bush, Toni Bler, Nikola Sarkozi: "Kosova do të jetë precedenti unik, i papërsëritshëm". Meqë të gjithë këta e përdorin këtë konstatim të saktë edhe unë vlerësoj se ndërhyrja e NATO-s, aleanca jonë me shtetet perëndimore, si dhe konsistenca në rrafshin e politikës shqiptare është suksesi më i madh i gjithë popullit shqiptar.

Duke bërë një analizë, kështu të shpejtë të asaj që është arritur, a ju ka ngelur peng diçka që nuk është arritur siç duhet?

Gjithsesi, çdo punë mund të quhet e realizuar kur realizohet në përsosmëri. Ne ende nuk mundemi të mburremi me rezultate perfekte. Duke marrë parasysh situatat shumë të rënda, ku çdo vendimmarrje në vete përmbante një rrezik me pasoja të pariparueshme, gjatë luftimeve të vitit 2001 isha në një pozitë shumë të rëndë, ngaqë arsyeja më shtynte të konstatoj se ky konflikt është i dëmshëm, ndërkaq, emocionet, sidomos çiltërsia e luftëtarëve më shtynte që të bëj avokaturën e kryengritjes. Në ato momente, ku antagonizmat e brendshëm bëheshin gjithnjë edhe më të padurueshëm, pata deklaruar se në këto kohëra njeriu mund të ngryset si atdhetar dhe të gdhijë si tradhtar. Ndihem i qetë që kjo e dyta nuk më ndodhi. Është e qartë se nuk ka mundësi për punë perfekte, por ka mundësi që të mos bëhen gabime perfekte. Largohem nga funksioni politik me bindjen se nuk kam bërë gabime që mund të kishin shkaktuar pasoja në fatet e njerëzve.

Ju po largoheni nga partia në një moment kyç, ku pritet që Kryeministri Gruevski të bëjë një rokadë në koalicionin me partitë shqiptare, duke afruar BDI-në në qeveri. Cili do të jetë pozicioni i PDSH-së në të ardhmen?

Së pari, mendoj se Gruevski nuk do ta bëjë këtë rokadë, jo për shkak se e do PDSH-në, por për arsye se anëtarët e partisë që ai e drejton nuk do të pajtohen me aventurat e këtij lloji. Tashmë, të gjithë e dinë se BDI-ja vepron sipas urdhrave të LSDM-së. Hyrja e BDI-së në qeveri në esencë paraqet rrezik imediat për VMRO-në, ngaqë kjo parti shqiptare sikur të hynte në qeveri do të ishte instrumenti më besnik i LSDM-së. Tashmë, edhe Gruevski di se BDI-ja është mburojë e gjallë e socialdemokratëve, ose më e pakta aktivizohet sa herë që i leverdis LSDM-së që ka hyrë në një proces të humbjes së kredibilitetit. Nëse do të ndodhë ajo që thoni ju, atëherë PDSH-ja si edhe më parë, pa përgjërime dhe gjëmë do të luajë rolin e opozitës. Viktima e këtij ndryshimi do të ishte VMRO-ja, prandaj unë nuk besoj në rokada të tilla aventureske.

Po mbushet një vit nga koalicioni juaj me VRMO-DPMNE-në, si do ta analizonit këtë bashkëqeverisje dhe a kanë funksionuar siç duhet implementimi i kërkesave të shqiptarëve për integrim dhe prosperitet në Maqedoni?

Problemi me opozitën u shfaq menjëherë, që në ditët e para kur bëheshin kombinimet se si të formohet shumica dhe të krijohej një qeveri me një parti prijëse e majtë, apo e djathtë. Nga kjo betejë rraskapitëse dolën fituese VMRO-ja dhe PDSH-ja. Që në fillim të bisedimeve, mandatarit iu bë me dije se nuk do të ketë hidhërime po qe se VMRO-ja vendos të qeverisë bashkë me BDI-në. Z.Gruevski e pa të udhës që në mënyrë të prerë të mohojë një mundësi të këtillë. Ky qëndrim i tij ishte i mjaftueshëm për vazhdimin e bisedimeve për shumë çështje. Edhe pse nuk patën kaluar as 30 ditët e para të qeverisjes, BDI-ja, duke shkelur parimin fisnik që qeveria të mos kritikohet 100 ditët e para, filloi të krijojë krizën politike për çështje që mund të zgjidheshin në institucionet e sistemit. Pra, edhe përkundër obstruksioneve të natyrave të ndryshme, realizimet e PDSH-së ishin të bujshme, duke filluar që nga rregullimi i raporteve ndërnjerëzore në shoqëri, trefishimi i buxhetit për implementim të Marrëveshjes së Ohrit, ngritja e përqindjes së të punësuarve shqiptarë në administratën shtetërore, rihapja e katedrave të mbyllura gjatë mandatit të LSDM-BDI dhe deri te zgjidhja e problemit që u shfaq papritur në kryesinë dhe në organet e tjera të bashkësisë islame të Maqedonisë. Tani më duket e tepërt të flas për risi të tjera, siç është themelimi i Institutit të Trashëgimisë Kulturore të shqiptarëve, themelimi i Teatrit të Tetovës etj.

Zoti Arbën, partia juaj pritet të vihet nën drejtimin e Zotit Menduh Thaçi, i cili ka qenë prej shumë kohësh edhe bashkëpunëtori juaj më i ngushtë. Si do ta përshkruanin Thaçin në postin e kreut të PDSH-së?

Mendoj se ai do t‘i befasojë të gjithë ata që presin që të shndërrohet në një figurë despotike, që vazhdimisht do të ketë mbikëqyrje absolute në çdo proces. Duke qenë i bindur se është tej mase inteligjent, duke qenë i bindur se ka përvojë të madhe politike, duke njohur edhe anët e tjera të personalitetit që të tjerët nuk kanë njohuri, mendoj se ai do të jetë një personalitet me sens të ri politik, me përgjegjësi më të madhe ndaj çdo gjëje që është në interes të partisë dhe të shqiptarëve. Gjithashtu, mendoj se posti i kryetarit do të nxisë tek ai gatishmërinë për të përsosur imazhin prej lidershipi. Nuk kam aspak dyshim në aftësitë dhe kapacitetin që ai posedon për të drejtuar me një fryme dhe vizion të ri PDSH-në.

Kohët e fundit, PDSH-ja ka pasur edhe debate e polemika të brendshme në lidhje me politikën apo bashkëjetesën me VMRNO-në, që ka sjellë në kaq pak kohë shumë ndërrime ministrash. A mendoni që me largimin tuaj, PDSH-ja mund të eksplodojë duke nisur sherret e brendshme të forcohen?

Në Maqedoni, ashtu edhe në Shqipëri, apo në Kosovë, përhapen lajme që nuk kanë të bëjnë fare me realitetin në këto mjedise. Konstatimi juaj buron nga këto keqinformime, natyrisht jo me fajin tuaj. Për hir të së vërtetës, ritheksoj edhe kësaj radhe se në PDSH nuk kanë vluar sherret, as që do të vlojnë dhe aq me pak të eksplodojnë. Situata brenda në parti është një çikë monotone për shkak se nuk ka konfrontime retorike që për bazë e ka protagonizmin, egocentrizmin e njerëzve që synojnë të shfrytëzojnë ngjarjet e tilla për të dalë në skenë, për të qenë në qendër të vëmendjes mediatike. As kjo nuk do të ndodhë. Situata të tilla konfliktuale paraqiten nëse dikush nga krerët e partisë krijon grupe të vogla që kontestojnë oponentët e tjerë. Këto ngjarje sado që janë të natyrshme, megjithatë nuk do të ndodhin. Nëse do të zhvillohet procesi në këtë drejtim që unë mendoj, do të jem shumë i kënaqur që po tërhiqem në momentin kur partia është konsoliduar dhe i kryen me sukses obligimet e marra.

Zoti Arbën, a mund të na e thoni se me se do merreni tani?

Pak me vetveten, pak me familjen, pak me shkrime, pak me lexime dhe pak si shumë me përsiatje politike...

Si do ta konsideroni vonesën e pavarësimit të Kosovës. Në një shkrim të tij, Kryeministri Bler i bënte thirrje popullit dhe lidershipit kosovar për ruajtje të qetësisë. Cila do të ishte këshilla juaj?

Çdo politikë serioze duhet të marrë parasysh kapacitetet e shoqërisë, qofshin ato njerëzore, ekonomike, financiare, teknologjike, ushtarake etj. Të drejtat e popujve nuk burojnë nga retorika mbi të drejtat e barabarta të popujve, por nga të qenit faktor, ose aleat me faktor vendimmarrës në planin global. Populli shqiptar është në këtë situatë për shkak të ngecjeve në të gjitha planet e zhvillimit shoqëror. Po të kishte qenë situata ndryshe, atëherë këto probleme nuk do të ekzistonin. Ne vetë nuk mund t‘i zgjidhim problemet e mëdha që na e ngufasin frymëmarrjen në një periudhë të gjatë kohore. Na duhet asistenca e jashtme. Në këtë moment vendimtar historik kemi pasur fat që arritëm të krijojmë aleancë me shtete që përcaktojnë zhvillimet e ardhshme historike. Kjo nuk është pak, por shumë. Duhet të bëjmë çmos që të ruajmë këtë bashkëveprim, këtë aleancë në të gjitha pikat e bashkëveprimit. Obstruksionet që bëhen nga ana e Rusisë nuk mund t‘i eliminojmë ne, por në bashkëveprim racional me SHBA-në dhe BE-në për të nxjerrë në pah faktin se aleanca serbo-ruse është e motivuar nga interesat parciale, me ngjyrime raciste dhe kurrsesi jo nga parimet universale humaniste. Tashmë të gjithë faktorët relevantë perëndimorë, por jo vetëm ata dinë fare mirë se e drejta e Serbisë mbi Kosovën u humb në tentativat e tyre të vazhdueshme për sundim në Kosovë përmes represionit që përfundonte gjithnjë me gjenocid, të gjithë e dinë se kthimi i regjimit serb në Kosovë do të instalojë një krizë afatgjatë që do ta destabilizojë Evropën, të gjithë e dinë se plani i Ahtisarit nuk ka alternativë tjetër. Nëse do të tregojmë maturi, atëherë vetvetiu do të dalë në sipërfaqe pozicioni joparimor i diplomacisë ruso-serbe. Së këndejmi, mendoj se duhet të vazhdoj politikën e bashkëveprimit me faktorët vendimmarrës siç janë SHBA-të, UE dhe NATO. Variantet e tjera janë aventura të papërgjegjshme.

A mund të bëhet realitet në Maqedoni që shqiptarët të kenë një koalicion të përbashkët, i cili më pas do të hynte në aleancë me çdo qeveri maqedonase. Kjo përçarje kaq e madhe, mos e dëmton çështjen shqiptare?

Mendoj se duhet të kemi parasysh argumentin e faktorëve të ndryshëm që i cilësojnë shqiptarët si rrezik, jo vetëm për Maqedoninë, por për gjithë rajonin. Çdo homogjenizim i shqiptarëve në Maqedoni sidomos tani kur vendoset fati i Kosovës do të vlerësohej me dyshim. Hëpërhë, prioriteti i gjithë politikës shqiptare duhet të jetë zgjidhja e statusit të Kosovës.

Sipas jush, cila duhet të ishte rruga më e suksesshme e funksionimit politik të shqiptarëve të Maqedonisë?

Mënyra më e thjeshtë gjithmonë është më e mirë: legjitimimi demokratik dhe funksionimi pozitë-opozitë. Shqiptarët e Maqedonisë duhet të krijojnë dy parti të fuqishme politike që do të funksionojnë si opozitë ose pozitë. Shtetet më demokratike të botës, siç janë SHBA-të dhe Britania e Madhe funksionojnë sipas parimit monist, nuk kanë nevojë për koalicionim. Në SHBA ekzistojnë dy parti politike, kur fiton njëra e ushtron pushtetin pa pasur nevojë që të ndajë pushtetin me parti tjera. Sistemi është pluralist, por regjimi është monist. Po kështu është edhe në Britaninë e Madhe. Në këtë shtet demokratik, partia që ka fituar më shumë vota, pa marrë parasysh përqindjen, mbi apo më pak se 50% e formon qeverinë pa hyrë koalicione me parti të tjera. Paradoksalisht shtetet më demokratike të botës funksionojnë në mënyrë më efikase përmes një modeli të monizmit demokratik.

Në fund, zoti Arbën më lejoni t‘ju pyes në emër të lexuesve që a do ta kemi prezent analizën apo esenë e mendimtarit Xhaferri në opinionin publik shqiptar kudo që ndodhet?

Gjithsesi, po.

Në deklaratën e dorëheqjes ju thoni që kuadrot duhet të ndërrohen normalisht. A do ta këshillonit një gjë të tillë edhe në Shqipëri e Kosovë?

Skena politike shqiptare në përgjithësi është e përshkuar me dramatizime të panevojshme. Mendoj se drama ndodh brenda partive politike dhe individëve që janë bartës të këtij dramatizimi të kotë. Shoqëria shqiptare është e lodhur nga ky paroksizëm i politikës, nga ky dramatizim që nuk prodhon asgjë të re duke shndërruar skenën politike shqiptare në një sfilatë të sedrave të prekura të klasës politike. Mendoj se vetvetiu skena politike shqiptare do të stabilizohet dhe se dramat do të shfaqen aty ku e kanë vendin dhe jo në Parlament. E kam këtë optimizëm për shkak të bindjes se shoqëria shqiptare e ka ruajtur shëndetin dhe se përqindja e rinisë në përbërje të kësaj shoqërie do të jetë faktori përcaktues në rivitalizimin e formave të veprimit normal. Ju falënderoj dhe ju uroj shëndet dhe shpresoj që tani që u mënjanuat nga politika do t‘ju shohim më shpesh me analizat tuaja

Ju faleminderit juve që më krijuat mundësinë e komunikimit me lexuesit tuaj.

Kongresi

Rokada Xhaferri-Thaçi, sot në Strugë


Partia Demokratike Shqiptare (PDSH), mban sot në Strugë kongresin e saj të katërt, ku pritet të zgjidhet dhe kryetari i ri i partisë. Kryetari i deritanishëm i PDSH-së, Arbën Xhaferri, ka bërë të ditur para disa ditësh se nuk do të rikandidohet më për këtë post dhe ka propozuar si pasardhës të tij zv.kryetarin e partisë, Menduh Thaçin. Xhaferri, i cili drejton prej 14 vitesh PDSH-në, tha se vendimi për t‘u larguar nga pozicioni i kryetarit të partisë, është përfundimtar dhe se tërhiqet në pajtim me traditat evropiane për ndërrimin normal të kuadrove më të vjetër partiakë, me ato më të rinj. "Vendosa që në postin e kryetarit të ardhshëm të propozoj z. Menduh Thaçi për tre shkaqe: se ai ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për forcimin e kësaj partie politike dhe për krijimin e strukturave reale, se ka përvojë shumë të madhe dhe se ai ka ndjenjë të jashtëzakonshme politike. Mendoj se Thaçi, me inteligjencën dhe vendosmërinë e tij, do t‘i realizojë detyrat e ardhshme të PDSH-së", është shprehur Arbën Xhaferri. Deri tani, Menduh Thaçi, është kandidati i vetëm për postin e kryetarit të PDSH-së. Gazeta Shqip
Shtuar më 30/06/2007, ora 10:30
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori