Analogjia mes Jugosllavise dhe Gjeorgjise
Albeu.com
Melik Kaylan, ForbesNë kokat e rusëve, analogjia më e përafërt me Gjeorgjinë mund të jetë shpërbërja e ish-Jugosllavisë dhe krijimi i shteteve nga bashkësia ndërkombëtare prej copave të saj, si Bosnja dhe Kosova. Por, edhe në këtë ....... rast duhet të thuhet se as serbët nuk kanë qenë model të tolerancës njerëzore. Gjeorgjia ua ka ofruar të gjitha të drejtat e mundshme abkhazëve dhe osetëve, duke filluar që nga autonomia rajonale, e deri tek ajo gjuhësore.

* * *

Tri apo katër ditë pas invadimit rus në Gjeorgji, para një viti, unë arrita të shkoj deri në Tbilisi, hodha valixhet dhe me shpejtësi u nisa me automjet drejt frontit, me dy miq gjeorgjianë. Tanket ruse tashmë kishin dalë nga Osetia e Jugut, kishin hyrë në territorin gjeorgjian dhe kishin okupuar Gorin, qytetin e lindjes së Stalinit, në veri të Tbilisit. Administrata e Bushit, e zhytur në dy luftëra dhe e varur në fushën strategjike nga vullneti i mirë i Vladimir Putinit, vetëm ngriti krahët dhe u ngri. Tanket ruse vazhduan depërtimin.

Unë e këshillova kryetarin e Gjeorgjisë, Mikhail Saakashvili, që ta shkruajë një editorial në gazetën Wall Street Journal, me qëllim që t’i dërgojë një apel botës, në këtë moment tejet të rëndësishëm për ardhmërinë e vendit të tij dhe për besueshmërinë e Perëndimit. Kalova disa orë në telefon duke tentuar që ta ndërmjetësoj editorialin mes New Yorkut dhe Tbilisit.

Në momentin kur administrata e Bushit po luhatej, editoriali u botua, ndërsa bordi editorial i WSJ’së mbajti një takim. A kishin mundësi të bënin ndonjë gjë tjetër? Bushi duket se nuk kishte asgjë tjetër në arsenalin e tij, pos zhurmës së pakënaqësisë. WSJ’ja shkroi një editorial, në të cilin u sugjerua që Sekretarja e Shtetit, Condoleezza Rice, të dërgohej në Tbilisi.

Washingtoni u ankua zëshëm dhe publikisht për shkak të këtij editoriali, duke theksuar se Rice do të shkojë në Tbilisi. Porsa Condi shkoi atje, situata u stabilizua. Po të kishte sulmuar Rusia, SHBA’ja dhe Rusia do të hynin në luftë. Putini u zmbraps dhe Tbilisi u shpëtua.
Rusët qëndruan në vijat e tyre të kontrollit, disa kilometra larg Gorit. Ishte kjo në pjesën e tyre të frontit verior, në afërsi të Osetisë së Jugut. Ushtarakët rusë po e ndiqnin planin e betejës, të cilin e kanë testuar me sukses gjatë viteve ‘90 në Kaukaz, në luftën mes Armenisë dhe Azerbajxhanit, në Çeçeni dhe përreth Gjeorgjisë. Ata siguronin me tanke perimetrin e qyteteve dhe fshatrave, duke lejuar më pas njësitë paramilitare që t’i kryejnë punët e ndyra.
Arritëm në Gori. Për shkak se kishim hyrë në mënyrë ilegale, forcat ruse nuk ishin në gjendje t’i përcillnin lëvizjet tona. Pra, qëndruam me banorët lokalë dhe vëzhguam se si njësitë paramilitare osete digjnin shtëpitë dhe rrëmbenin civilët. Ngjashëm, paramilitarët plaçkitën edhe objektet kulturore gjeorgjiane dhe për një incident të tillë unë shkrova një artikull në WSJ.

Rusët me qëllim poshtëruan krenarinë e gjeorgjianëve. Qëllimi i secilit aksion të tyre ishte destabilizimi i qeverisë së Sakaashvilit - thënë shkurt, “ndërrimi i regjimit”.

Pozita e Gjeorgjisë nuk duket aspak e mirë. SHBA’ja ka nevojë për Rusinë: për t’i ndalur ambiciet bërthamore të Iranit, për të qëndruar jashtë Sirisë dhe Venezuelës, e kështu me radhë.

Askush nuk duhet të mashtrohet nga tentimet e Rusisë për t’i barazuar përpjekjet e Moskës për ndërrimin e regjimit në Gjeorgji me aksionet e SHBA’së në Irak. Gjeorgjia është një demokraci me një ekonomi që po lulëzon. Iraku ka qenë një diktaturë e përgjakshme deri në momentin e intervenimit amerikan. SHBA’ja po tenton ta mbajë Irakun të bashkuar, Rusia po tenton të ndajë Gjeorgjinë. Në kokat e rusëve, analogjia më e përafërt me Gjeorgjinë mund të jetë shpërbërja e ish-Jugosllavisë dhe krijimi i shteteve nga bashkësia ndërkombëtare prej copave të saj, si Bosnja dhe Kosova. Por, edhe në këtë rast duhet të thuhet se as serbët nuk kanë qenë model të tolerancës njerëzore. Gjeorgjia ua ka ofruar të gjitha të drejtat e mundshme abkhazëve dhe osetëve, duke filluar që nga autonomia rajonale, e deri tek ajo gjuhësore. (express)
Shtuar më 12/08/2009, ora 20:24
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori