Analizë historike e kthimit të centralizimit rus në Kaukazin Verior
Albeu.com
nga Robert Bruce Ware*Pak pas fillimit të mandatit të tij të parë në pranverë të vitit 2000, Presidenti i Rusisë Vladimir Putin filloi progamin e ricentralizmit të qeverisë.Ky program është paraqitur si një mënyrë zgjidhjeje për problemet kushtetuese, administrative dhe të sigurimit që lindën në periudhën e një farë decentralizimi kaotik që filloi në vitet e fundit të Bashkimit Sovjetik dhe vazhdoi gjatë gjithë administratës së Boris Jeltsinit. Më 13 shtator 2004, Presidenti Putin shkoi më tej me planin e tij duke shpallur reformat e thella elektorale që arritën kulmin me emërimin nga qendra të guvernatorëve rajonalë.

Këto propozime u paraqitën nga Presidenti Putin si përgjigje ndaj masakrimit të pengjeve në Beslan, si një mjet për pakësimin e korrupsionit dhe shtimin e masave të sigurisë në gjithë Federatën e Rusisë. Në fakt, u duk sikur këto propozime ishin përgatitur prej kohësh, por paraqitja e tyre menjëherë pas një krize pengjesh në Kaukazin Verior i vuri së tepërmi në diskutim efikasitetin dhe përshtatshmërinë e tyre lidhur me problemet rajonale të ekstremizmit dhe terrorizmit.

Në pamje të parë u duk sikur decentralizimi i Rusisë shkoi shumë larg në vitet 90-të. Regjimet e korruptuara, që u shërbenin interesave vetiake të individëve në Kaukazin Verior, kanë bërë shumë pak për të trajtuar problemet e ngecjes ekonomike, rënies së infrastrukturës, degradimit të mjedisit dhe krimit të organizuar që të gjitha së bashku kontribuan në acarimin, radikalizimin dhe terrorizmin në rajon. Duket sikur Presidenti Putin ka të drejtë kur thotë se një farë ndryshimi po bëhej në rajon. Por kufizimi i kompetencave dhe përgjegjësive të autoriteteve rajonale që ka të ngjarë të rezultojnë nga propozimet e Putinit mund të çojë në ngritjen e nivelit të korrupsionit, tensionit social, radikalizmit dhe terrorizmit në këtë rajon të turbullt.

Pak njerëz do ta ngarkonin me faj Kremlinin për përpjekjen e tij për të pajtuar kushtetutën federale me ato rajonale, ose të mohojnë se sundimtarët nuk kanë kontribuar në problemet administrative dhe të sigurimit të Rusisë. Por a ka të ngjarë që propozimet e Putinit të arrijnë qëllimet e tyre? Për t’iu përgjegjur kësaj pyetjeje do të ishte e dobishme të shqyrtohej programi i tanishëm i ricentralizimit të Rusisë në një kuadër më të gjerë historik. Ky është zhvillimi më i fundit në një seri betejash politike që kanë karakterizuar historinë e Kaukazit Verior gjatë të paktën dy mijëvjeçarëve dhe ka mjaft ngjashmëri me çfarë ka ndodhur në të kaluarën.

Historikisht, konfliktet në Kaukazin Verior kanë ardhur nga dy prirje rivalizuese në organizimin shoqëror. Nga njera anë, relievi malor i rajonit ka krijuar kushte për një formë të veçantë të organzimit shoqëror të bazuar në vlerat tradicionale të Kaukazit Verior si lokalizmi, marrëdhëniet fisnore, barazia dhe vetvendosja. Nga ana tjetër, një seri prirjesh universale janë importuar nga qytetërimet që janë përpjekur ta përfshijnë këtë rajon në sistemet “organizative të ekspansionit socio-ekonomik”, që përshkruhen negativisht si perandori. Për shkak të shtrirjes së tyre gjeografike, organizimet soci-ekonomike kanë krijuar sisteme hierarkike administrative që bien ndesh me vlerat tradicionale të Kaukazit Verior.

Me fjalëtë tjera, struktura hierarkike e këtyre organizimeve ka patur si qëllim ekspansionin e sukseshëm gjeografik, por kur ky ekspansion i çoi ato në rrëzë të maleve Kaukaz, u pa qartë se ato nuk përputheshin aspak me vlerat e shoqërive të atij rajoni. Në një nivel elementar, seria e konflikteve të mëdha që historikisht kanë përfshirë rajonin mund të shikohet si përleshje mes sistemeve të administratave sociale të vende të ulta me një strukturë hierarkike që t’u shërbejë sistemeve lokale dhe egalitare, që ishin produkt i terreneve alpine. Në dymijëvjeçarët e fundit, rajoni është shkelur nga perandoritë arabe, mongole, persiane, otomane dhe ruse. Të gjitha ato kanë ndeshur në probleme të ngjashme dhe që të gjitha krijuan klishe për t’i përshkruar popujt e rajonit në të njejtën mënyrë.

Aktualisht dy janë organizimet socio-ekonomike që rivalizojnë për kontrollin e Kaukazit Verior, ai rus dhe ai islamik. Meqënëse secili prej tyre ka ndeshur në kundërshtimin e strukturave tradicionale lokale, është e dobishme të shqyrtohen tri forma të ndryshme të organizimit social që konkurojnë për dominim në Kaukazin Verior. Së pari, sistemet lokale të barazisë fetare dhe vetvendosjes që janë tradicionale në shoqëritë e Kaukazit Verior. Së dyti, sistemi hierarkik i dominimit dhe nënshtrimit që është tradicional në shoqërinë ruse. Së treti, sistemet e absolutizmit ekspansionist që mbështetet nga ekstremistët islamikë. Variacione të ndryshme të këtyre sistemeve kanë rivalizuar herë pas here me njeri tjetrin në Kaukazin Verior për të paktën 200 vjetët e fundit.

Gjatë kësaj periudhe, ka patur momente kur secili nga këto sisteme ka qënë në ngritje ashtu siç ka patur momente që ato kanë qënë në rënie. Po ashtu ka patur periudha gjatë të cilave çdo sistem ka qendruar në kundërshtim të prerë ndaj të tjerëve si dhe periudha të kompromiseve relative. Ndoshta më mbresëlënësi nga këto kompromise ka ndodhur kur malësorët e Dagestanit i detyruarn pushtuesit e tyre mongolë që t’u bënin nderime. Por rasti më i spikatur është ai në gjysmën e dytë të shekullit të 19-të kur administrata perandorake ruse në Dagestan pranoi ligjin tradicional të fshatrave dhe organizimin e tyre politik krahas funksionarëve islamikë dhe shfrytëzoi organizimin e tyre fetar kundër përpjekjeve të disa udhëheqësve islamikë për të organizuar një tjetër valë të gjerë të rezistencës popullore. Në ndryshim me këtë, Bashkimi Sovjetik i ofroi Kaukazit Verior një tjetër formë kompromisi. Nga njera anë, BRSS-ja vendosi një sistem strik hierarkie dhe dominimi për të vepruar në përputhje me traditat e Rusisë. Por në të njejtën kohë, politikat etnike të Stalinit u kushtuan vemendje traditave lokale të fisnisë dhe organizimit fetar duke e kthyer rajonin në një seri republikash ku rrjedhimisht dallimet gjuhësore dhe kulturore u stërholluan. Për më e rëndësishme është se Bashkimi Sovjetik i ofroi Kaukzit Verior përfitime të ndjeshme për sigurimin dhe zhvillimin ekonomik.

Si rregull, periudha të tilla kompromisesh relative forcuan stabilitetin politik në Kaukazin Verior, ndërsa periudhat e kundërshtive të ashpëra mes këtyre tre sistemeve sociale e destabilizuan rajonin. Përpjekjet e tanishme të Putinit për të ricentralizuar kontrollin politik nëpërmjet forcimit të një sistemi të organizuar në baza hierarkike ka të ngjarë ta destabilizojë edhe më tej Kaukazin Verior, sepse ai qendron në kontrast të fortë me strukturat demokratike provinciale të rajonit, që në të njejtën kohë nuk është në gjedje të krijojë përfitime të ndjeshme në fushën e sigurimit lokal dhe zhvillimit ekonomik.

Përballë presionit të shekullit të 21-të për globalizim, shumica e banorëve të rajonit e kanë të qartë se lokalizmi i Kaukazit Verior nuk është më një zgjidhje e mirëfilltë. Çështja mbetet se cili nga dy organizimet socio-ekonomike, ai rus apo ai islamik, më në fund do ta konsolidojë rajonin dhe çfarë lloj bashkërendimi do të bëhet mes tij dhe kërkesave kulturore tradicionale dhe ekonomike të rajonit.

Deri tani sistemi rus ka patur disa avantazhe duke përfshirë: 1) inercinë politike që rezulton nga kotrolli rus për një kohë të gjatë; 2) trashëgiminë e sigurimit sovjetik dhe përfitimet ekonomike; 3) karakteristikat jo tërheqëse të shteteve të paformuar në Kaukazin Jugor; 4) dhe gatishmërinë e administratës së Jeltsinit për të bërë kompromise me strukturat lokale socio-politike. Për shembull, nga viti 1994 deri në vitin 2003, Federata Ruse pranoi sistemin e veçantë politik demokratik të Dagestanit, pavarësisht nga fakti se ky i fundit krijoi një sistem elektoral më vete mbi baza etnike dhe të vetmin ekzekutiv në federatë që nuk ishte as kolegjial dhe as i zgjedhur indirekt. Në të njejtën mënyrë, si administrata e Jeltsinit ashtu edhe ajo e Putinit kanë qënë të gatshme të bëjnë kompromis dhe të bashkëpunojnë me udhëheqësit tradicionalë islamë Sufi të rajonit, të cilët e kishin kundërshtuar islamizmin ekspansionist ekstremist të njohur në zonë si “uahabizëm”. Gatishmëria për kompromis shprehet në certifikimin e Partisë Islamike të Rusisë dhe në kërkesën e Putinit për anëtarësinë e Rusisë në Organizatën e Conferencës Islamike. Bashkëpunimi është evidentuar në emërimin e Presidentit Putin të çeçenit Mufti Akhmad Kadyrov si kryeadministrator të Chechenisë në vitin 2000 dhe nga pranimi formal i autorizimeve politike të Drejtorisë Shpirtërore të Myslimanëve të Dagestanit.

Këto janë pikërisht ato kompromise që uahabistët e rajonit i kanë penguar me ideologjinë e tyre të ngurtë. Uahabizmi është një organizim socio-ekonomik, nëpërmjet të cilit përkrahësit e tij përpiqen të vendosin një shtet islamik në Kaukazin Verior. Ai mund të arrijë objektivat e veta vetëm në qoftë se i dominon si organizimin socio-ekonomik rus ashtu edhe shoqëritë tradicionalisht lokaliste të rajonit. Për më tepër, meqë uahabistët janë përpjekur të vendosin një shtet ekspansionist islamik në Kaukazin Verior, ata mund të duan që rajoni të braktisë strukturën ekzistuese të kombit shtet në mënyrë që të mos jetë në gjendje të krijojë përfitimet ekonomike dhe të sigurisë për banorët e tij. Dhe së fundi, normat e ngurta të uahabizmit nuk kanë asgjë të përbashkët me praktikat e moderuara të islamizmit tradicional Sufi të rajonit dhe janë hedhur poshtë kategorikisht nga shumica dërmuese e popullatës. Për të gjitha këto arsye, uahabizmi konsiderohet si një alternativë e papërshtatëshme nga më shumë se 90 përqind e popullatës së Kaukazit Verior. Rrjedhimisht, sistemi rus nuk do ta kishte të vështirë të konsolidonte kontrollin në rajon nëpërmjet kompromiseve të moderuara me kërkesat tradicionale të kulturës vendase.

Prandaj duket e çuditshme që Putini po ndjek një strategji politike me shumë më pak kompromise se sa paraardhësi i tij. Që nga pranvera e vitit 2000, programi i ricentralizmint asministrativ e ka ndryshuar gradualisht balancën politike në rajon në një mënyrë që duket se nuk është aq e dobishme për manaxhimin rus. Kjo ndodh për shkak se ajo ka minuar kompromiset e mëparëshme politike pa ofruar asnjë përfitim ekonomik me shtrirje të gjerë ose përmirësime të ndjeshme në aspektin e sigurimit. Përkundrazi, sensi i përgjithshëm në rajon është se siguria është dëmtuar ndjeshëm. Në fakt, strategjia e tanishme e udhëheqësve uahabistë, si Shamil Basajevi dhe Rappani Khalilovi, duket se janë të vendosur që ta bëjnë plotësisht të qartë këtë periodikisht nëpërmjet veprimeve mizore terroriste.

Ndërkohë, pasuria po përqendrohet gjithnjë e më tepër në disa duar dhe mundësitë reale për avancimin e ligjshëm ekonomik janë paksuar ndjeshëm. Është e vërtetë se Moska po i subvencionon sëtepërmi republikat e rajonit. Dagestani, për shembull, merr rregullisht më shumë se 80 përqind të buxhetit të tij nga qeveria federale, ndërsa Ingushetia merr më shumë se 85 përqind. Për më tepër mandatet federale parashikojnë që një pjesë e këtyre fondeve të përdoren për blerjen e furnizimeve nga Moska dhe pjesa tjetër shkon në xhepat e një numri të vogël të elitave politike në jug. Mbi të gjitha, korrupsioni dhe dallimi ekonomik në Kaukazin Verior janë shtuar, ndërsa pjesëmarrja politike dhe përgjegjësia lokale po ngushtohen. Gradualisht, rajoni po shikon krijimin e një pushteti hierarkik që i përngjan dominimit kolonial rus në fillim të shekullit të 19-të.

Ndryshe nga praktika e tij në gjysmën e dytë të shekullit të 19-të, kolonializmi më i hershëm rus e injoroi egalitarianizmin tradicional të rajonit për t’u dhënë më shumë pushtetet sovranëve vendas për t’i patur si vasalë administrativë. Kjo solli disnivelet ekonomike, korrupsionin dhe shtypjen politike. Këto kushte nxitën lëvizjen murid në Dagestan, që më pas u shtri edhe në Çeçeni. Kjo lëvizje u bazua në strukturën islamike të elitës lokale me grupin e saj të studentëve (murid) dhe mësuesit e tyre (sheiks) islamikë. Muridizmi ishte një ideologji politike kundër hierarkisë koloniale ruse, e rrënjosur në mësimet islamike si për shembull “një mysliman i vërtetë as nënshtron njeri dhe as nuk i nënshtrohet dikujt tjetër”.

Me fjalë të tjera, kur karakteristikat hierarkike dhe ekspansioniste të kolonializmit rus nuk përputheshin me traditat vendase, dagestanasit iu kthyen interpretimit politik të islamit. Kjo rezultoi në në një luftë 28 vjeçare nga viti 1831 në vitin 1859. Me qëllim që të vazhdonin luftën kundër perandorisë ruse, udhëheqësit muridë si Imam Shamili duhet të ndërmerrnin një luftë të njëkohëshme kundër parokializmit të fshatrave dhe sistemit të tyre tradicional të ligjit, të njohur si adat. Shamili u përpoq të bashkonte të gjitha fshatrat e pjesës verilindore të Kaukazit në një Immat ekspansiv nën sheriatin islamik.

Kështu në fillim të shekullit të 19-të, sistemi tradicional rus i hierarkisë dhe dominimit i shtyu Dagestanin dhe Checheninë drejt islamizmit. Megjithatë, edhe ideologjia muride ishte ekspansioniste, prandaj edhe në kontradiktë me lokalizmin tradicional të rajonit. Kjo kontriboi në rënien e kësaj ideologjie në vitin 1859, pas të cilës caristët, sovjetikët dhe administratat demokratike gjetën mjete të ndryshme për të kompensuar ose për të bërë kompromis me nevojat lokale socio-politike.

Periudha që filloi me masakrimin e pengjeve në Dubrovka në tetor të vitit 2002 dhe që mbërriti kulmin me masakrën e Beslanit në shtator të vititi 2004 mund të shikohet tani si një pikë kthese në Kaukazin Verior. Në periudhën mes këtyre dy ngjarjeve pati një seri sprapsjesh në procesin e demokracisë në rajon, përfshirë edhe vrasjen e presidentit të Çeçenisë, Ahmed Kadirov, si dhe manipulimin e e zgjedhjeve të dyta presidenciale të Çeçenisë në vitin 2004. Ndërkaq Ingushetia gradualisht është destabilizuar pasi Kremlini nxiti dorëheqjen e presidentit të saj popullor, Ruslan Aushev, dhe organzioi zëvendësimin e tij me Murat Ziazikovin, një ish zyrtar i Shërbimit Federal të Sigurimit, i cili është përpjekur që të kompensojë dobësinë e tij politike me mjete të shtypjes brutale. A ndikon destabilizimi i Ingushetisë në zhvillimet e republikave fqinje pas emërimit nga qendra të guvernatorëve? Historia e rajonit sugjeron se ajo mund të ndikojë. Ironikisht, programi i tanishëm i ricentralizimit të Rusisë mund të ndikojë pikërisht në shfaqjen e atyre problemeve që duhej të parandalonte në Kaukazin Verior.

Moska do të kishte më shumë sukses në këtë rajon, në qoftë se do të mbështeste zhvillimin ekonomik dhe procedurat e brendëshme. Në qoftë se Putini do të stimulonte ekonomitë lokale, ndërkohë që do të luante rolin e arbitrit neutral në rivalitetet e pareshtura politike të rajonit, ai do të fitonte mbështetjen e popullatës së atyre zonave. Në qoftë se në vend të arbitrit të paanshëm ai do të luante rolin e sundimtarit ai do të ndillte pakënaqësinë e vendasve. Si rezultat, gjatë pesë vjetëve të ardhshëm pakënaqësia politike ka të ngjarë të nxisë terrorizmin dhe të shaktojë një rënie të ndjeshme në stabilitetin e Kaukazit Verior.

*Robert Bruce Ware profesor në Universitetin e Illinoit Jugor në Eduardsvill, ka bërë kërkime në Kaukazin Verior dhe ka botuar një numër artikujsh për etnografinë, politikën dhe fenë në rajon. Aktualisht ai po punon për një koleksion të historisë gojore.
Botuar ne revisten New Europe Review
Shtuar më 18/09/2005, ora 01:31
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori