Ëndrra e Frojdit
Albeu.com
nga Jahi JahiuZigmon Frojd në librin e tij “Interpretimi i ëndrrave” në pjesën kur flet për ëndrrat si plotësim i dëshirave shkruante: “Nëse në mbrëmje ha saredele, ullinj apo diçka tjetër të kriposur, unë jam i etur deri sa fle dhe si pasoj e kësaj zgjohem.Zgjimi megjithatë paraprihet nga një ëndërr, e cila gjithmonë ka të njëjtën përmbajtje, domethënë se unë jam duke pirë. Unë jam duke pirë gllënjka të gjata uji, ajo ka një shije të këndshme sa vetëm një pije e ftohtë mund ta ketë atë shije kur fyti është i tharë. Dhe atëherë unë zgjohem dhe kuptoj se unë kam një dëshirë reale për të pirë ujë. Shkaktari i kësaj ëndrre është etja të cilën unë e kuptova atëherë kur u zgjova”.
Shqiptarët e Maqedonisë ka vite me radhë që gjatë fushatave elektorale ushqehen me “ushqime të kriposura” nga partitë politike shqiptare. Dhe si në ëndrrat e Frojdit atyre ju “thahet fyti” nga autonomia, federalizmi, decentralizimi, multnienciteti, tridhjetë ditë, gjashtëdhjetë ditë, maj, mars, UÇK, shqip. Dhe e gjithë kjo zgjatë jo më shumë se tre javë, periudhë kur partitë shqiptare bashkëkombësit e tyre i vendosin në gjumin e natës. Dhe aty fillon ëndrra e Frojdit. Fshatari sheh sikur shëtit natën rrugëve të asfaltuara të fshatit. Në qendër, një shatërvan që nxjerr ujë pandërprerë. Bujku i gëzuar kthehet nga ara dhe shpërlan trupin e djersitur me dushin e vakët që nuk shteron kurrë. Një bashkëkombës troket në zyrën e kryeministrit dhe kryeministri atij i flet shqip. Të burgosurit e Sopotit dalin nga qelit e tyre dhe askush nuk i ndal. Dyert e burgut janë të hapura dhe ata mbushin kraharorin me ajrin e pastër të qiellit të hapur. Një ish-ushtar i UÇK-së takon një polic me emblemën e UÇK-së të vendosur në uniformën e tij, ndërsa një tjetri merr pensionin nga postieri i zonës. Një shqiptar gëzohet shumë kur në qytetin e Shtipit shikon si valëvitej flamuri shqiptarë. Të papunit zgjohen herët në mëngjes dhe me fytyra të buzëqeshura nisen drejt punës së tyre të re. Refugjatët shqiptarë kthehen në vendlindje me pasaportën e tyre dikur të braktisur. Të rinjtë shqiptarë të papunë fluturojnë lirshëm drejt perëndimit.
Dhe të gjithë këto ëndrra lindin nga premtimet e partive politike në fushatën që ata bëjnë gjatë ditës. Ata flasin, ata premtojnë, të tjerët shohin ëndrra si pasoj e këtyre premtimeve. Por premtimet e partive politike nuk janë si etja e ardhur nga sardelet e Frojdit. Ajo nuk shuhet siç shuhet fyti i tharë me një gotë ujë. Shqiptarët e Maqedonisë gjatë çdo zgjimi nga ëndrra e bukur ndeshen me realitetin e hidhur të fatit të tij. I papunë, i varfër dhe me identitet të cunguar. Dhe kjo ndodh sepse ëndrrat e shqiptarëve dhe ëndrrat e partive politike nuk janë të njëjta. Ata do jenë gju me gju me popullin vetëm kur do kenë nevojë për votën e tyre. E pastaj do të ikin sepse duhet të punojnë për ta shuar etjen të ardhur nga ëndrrat e tyre. E pas kësaj shqiptarët të frikësuar nga realiteti dëshirojnë akoma të vazhdojnë me ëndrrat e tyre, të përjetoj natën atë që nuk mund ta arrijnë ditën.
Por, për fat të keq, ëndrra nuk është mjet që plotëson dëshira. Dhe kënaqësia e ëndrrës gjithmonë shoqërohet me hidhërimin e zgjimit. Dhe të gjorit shqiptarë, sa herë janë zgjuar këto tetëmbëdhjetë vitet e fundit nga këto ëndrra dhe përsëri nuk kanë pasur “ujë për ta lagur fytin e tyre të tharë”
“Unë jam në gjumë të thellë”, vazhdon Frojdi dhe nuk jam mësuar të zgjohem nga një nevojë trupore. Nëse unë arrij ta shuaj etjen përmes ëndrrës duke pirë ujë, atëherë unë nuk kam nevojë që të zgjohem. Në këtë mënyrë ajo është një ëndërr komode. Dhe, kjo shërben si një funksion, natyrën e së cilës unë shpejt e marr me mend. Unë jam në gjumë të thellë”. (Lajm)
Shtuar më 30/05/2008, ora 20:56
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori