Çfarë shqipe duhet të flasin filmat kosovarë?
Albeu.com
Çfarë gjuhe shqipe do duhej përdorur në një shfaqje ose film kosovar, që teksti i aktorëve të mos u duket shikuesve artificial, ose që ai të mos shkaktojë të qe shura vend e pavend?S'mund të ketë të njëjtin nivel të njohurisë së shqipes sandarde, ta zëmë një akademik me një bandit, ashtu siç ndodh shpesh në filmat tanë. Përdorimi i gjuhës shqipe në shfaqjet apo filmat tanë shkakton shpesh hutim, reagime e pse jo edhe momente qesharake, nganjëherë edhe irrituese.

Në disa shfaqje teatrore dhe filma përdoret gjuha e standardizuar shqipe, e ky përdorim i gjuhës, përveçse në disa raste mund të shkaktojë të qeshura, shkakton edhe ndryshim të vetë mesazhit të shfaqjes ose filmit. Bisedat ndërmjet dy gangsterëve, dialogu mes të rinjve, mes të moshuarve ose lypsarëve, nëse ilustrohet në gjuhën standarde, do të shkaktonte një konfuzion tek shikuesi, për shkak se "këtë gjuhë nuk e flasin as intelektualët e as albanologët tek ne, po duket se e flaskan gangësterët", - ishte shprehur një shikues në një shfaqje të Teatrit të kryeqytetit.

Por, nga ana tjetër, edhe përdorimi kryekëput i gjuhës së rrugës do të shkaktonte po të njëjtat reagime. "Në kinematografi, ky problem është tejkaluar, këtë problem e kemi pasur para viteve 90-ta. Ky fenomen është tejkaluar me filmat e vonshëm, qofshin ata të shkurtër, apo ata pak filma që janë realizuar prej kineastëve kosovarë", - shprehet Jeton Neziraj, dramaturg dhe regjisor filmi. "Në dramat e mia ka shumë variacione, ka dialekte dhe forma të ndryshme që i përdor, megjithëse kryesisht përdor gjuhën letrare. Por, standarden nuk e përdor kur tema është për fshat, në ndonjë temë sociale, etj. Pra, varet prej kontekstit të dramës", - sqaron Neziraj. "Realisht, personazhet do duhej ta përdornin gjuhën që e flasin edhe në jetën e përditshme dhe unë mendoj se kjo do të duhej të jetë edhe gjuha në kinematografi, njësoj edhe në teatër", - mendon Neziraj. "Megjithëse në teatër duhet pasur kujdes, pasi shfaqjet realizohen për një publik pak më të gjerë.

Shfaqja duhet të udhëtojë edhe në Sarandë apo diku tjetër, edhe pse do të duhej të gjendej një lloj niveli gjuhësor që do të shfaqej dhe do të komunikonte me atë shtresë publiku të cilit i dedikohet shfaqja. Të komunikojë dhe të jetë e pranueshme dhe e kuptueshme jo vetëm për publikun kosovar. Shkurt, të gjendet pra një mes i artë, në mënyrë që dialektet e shumta të kuptohen edhe jashtë vendit ku flitet ai dialekt. Mirëpo, kjo është zgjedhje e dramaturgut dhe e aftësisë profesionale të këtij të fundit. Por është edhe çështje personale e dramaturgut apo regjisorit", - përfundon Neziraj.

Ndoshta gjuha më e mirë për artin shqiptar do të ishte gjuha, të cilën e kuptojnë banorët e po atij vendi ku edhe krijohet shfaqja ose filmi. "Nuk kam paragjykime për çfarëdo gjuhe që përdoret. Ajo që përcakton kriteret se çfarë gjuhe duhet përdorur, është gjuha e personazhit. Gjëja kryesore që duhet ta përcaktojë gjuhën që duhet përdorur është personazhi dhe natyra e tij", - shprehet regjisori Agim Selimi, drejtor i Teatrit "Dodona". "Për më tepër, mendoj se tani në njëfarë mënyre, qoftë në gjuhën standarde, apo në dialektin e gegërishtes mund të komunikohet lehtë dhe kudo në hapësirat shqiptare", - thekson më tutje Selimi. "Mirëpo, pavarësisht kësaj, teatri duhet të flasë me gjuhën e ambientit të tij. Për ta ilustruar këtë shembull, duhet cekur teatri "Migjeni" i Shkodrës, i cili i ka qëndruar besnik dialektit të vetë të gegërishtes dhe ka qenë i suksesshëm. Megjithëse sot, ky teatër nuk e ka atë shikueshmëri, sepse në njëfarë mënyre nuk po e respekton gjuhën e ambientit prej nga i vijnë aktorët", - përfundon Selimi.

Ndërkaq, nisur nga aspekti i një gjuhëtari çështja e përdorimit të dialekteve, qoftë edhe në art, shikohet paksa më ndryshe. "Përdorimi i dialekteve varet nga akti i dramës dhe i shfaqjes teatrore. Pra, gjithçka varet nga qëllimi që ka një dramë. Për shembull, një vepër klasike duhet të përdorë gjuhën standarde, por komedia mund të përdorë edhe fjalë të përditshme, dialekte, ose edhe fjalë të huaja. Gjithçka mund të përdoret për shkaqe të stilit, megjithëse në tërë botën gjuha e teatrit është gjuhë standarde", - mendon gjuhëtari Isa Bajqinca. "Gjithmonë me qëllim të caktuar do të duhej të lejohej edhe përdorimi i gjuhës së rrugës, ndryshe gjuha e rrugës është për rrugë", - përfundon ai. Ndërsa aktori Fatmir Spahiu, shprehet se "kur punojmë në gjuhë të standardizuar, krahas përpjekjeve të aktorëve për të luajtur mirë, zakonisht kemi dhe shqetësimin se si të flasim sa më mirë dhe më saktë në gjuhën e standardizuar. Duhet thënë se ky problem është shumë kompleks dhe shtjellohet shumë më herët. Megjithatë, mendoj se duhet të ekzistojë një gjuhë e standardizuar". Balkanweb
Shtuar më 27/08/2007, ora 09:55
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori