Ç’po ndodh në jug të Shqipërisë?
Albeu.com
nga Ramadan Çipuri Teksa po lexoja një lajm në gazetën tonë “Start”, lidhur me ngritjen e varrezave memorial të ushtarëve grekë në Korçë, mendja më shkoi direkt në mosmarrëveshjet Athinë-Shkup për çështjen e emrit kushtetues të Maqedonisë.Nuk e di, mbase është e vendit të përmendim fjalën popullore, “Bëj si them unë, e mos bëj si bëj unë”.

Greqia, sipas meje me të drejtë, pretendon se emri kushtetues i Maqedonisë nuk mund të jetë i tillë, pasi pas shumë shekujsh mund të lindin pretendime të vendasve për kufij të Maqedonisë së vjetër. Është krejt normale nga një vend që të mendoj të ardhmen e tij me politika afatgjata. Situata shfaqet krejt ndryshe në rastin tonë, kur kemi parasysh se çdo ditë hasim me nga një zhvillim të ri të politikave helene.

Bëhet fjalë për varreza ushtarësh grekë që kanë humbur jetën në trojet shqiptare gjatë luftës së dytë botërore. Ky është rasti i tretë i këtij lloji pas varrezave pa eshtra në Grykën e Këlcyrës, pa u futur këtu në historitë e turpshme të priftërinjve që gërmuan varret e grave dhe fëmijëve shqiptarë vetëm një vit më parë në Kosinë të Përmetit, ku klerikët fshiheshin pas avllive të kishës që të mos kapeshin nga kameramanët vendas e të huaj. Për të mos vijuar më tej me rastin Bollano, që tashmë duket se është kthyer në një shqetësim për mediat dhe popullin, e aspak për ata që vendosin. Pse jo, vizita e presidenti grek në Karolos Papulias në Sarandë pa asnjë njoftim ndaj autoriteteve shqiptare, apo shkollat e shumta greke që kanë pushtuar Gjirokastrën, Sarandën, Himarën e shumë qytete të tjera, një pjesë e të cilave edhe pse jo të liçensuara, u muarën nën tutelën e Ministrisë së Arsimit të Shqipërisë duke i pajisur me dokumentacionet e nevojshme. Skandalet po shtohen nga dita më ditë, e gjithçka komentohet e mbetet si normale për politikën tonë.

Ajo që më shqetëson në këtë pikë, ka të bëjë me atë se çdo të ndodh pas 200 apo 300 vjetësh, apo edhe më vonë. Varreza e memoriale ushtarësh grekë në disa pika të rëndësishme dhe mjaft strategjike të territorit shqiptar... bëhet fjalë për krahina në kufi me Greqinë. A nuk është kjo një pjesë e asaj që Greqi kundërshton ndaj çështjes së emrit kushtetues të Maqedonisë? Përse grekët të mos e pretendojnë një gjë të tillë pas disa shekujsh, kur ata e kërkojnë që tani? Çdo të ndodh atëherë, kur mëse gjysma e jugut do të flas greqisht, pasi planet e saj po zbatohen një e nga një me shkollat e hapura në gjuhën e tyre në mbarë krahinat jugore të Shqipërisë, me mediat e shumta që ndiqen në mbarë këtë zonë dhe me politikat tërheqëse për banorët e shqiptarë të kësaj krahine.

Memoraliat bëhte fjalë të ngrihen për ushtarë grekë që mbetën të vrarë në luftën italo-greke të vitit 1940, e cila nisi pas vrasjes së një shqiptari. Daut Hoxha ishte një nga kapedanët çamë më popullor që luftonte kundër Greqisë. Për kokën e tij Athina kish vënë një shumë të madhe të hollash. Hoxha u vra nga disa patriotë të paguar nga grekët, dhe Italia e cila kërkonte një shkak e cilësoi këtë si një dhunim të të drejtave çame. Për Italinë ishte një udhëheqës popullor, ndërsa për Greqinë “kryetar i një bande plaçkitëse”.
Ndërkohë, përveç të tjerash, bëhet fjalë për ushtarë grekë të rënë në trojet shqiptare në një kohë kur Parlamenti helen kishte miratuar ligjin e luftës me Shqipërinë. Ky ligj që daton me vitin e luftës italo-greke, 1940, u miratua për shkak se Shqipëria u përdor nga Italia fashiste për nisjen sulmeve ndaj Greqisë. Më vonë këtij ligji ju shtuan dhe shumë amendamente që kishin të bënin me pronat e çamëve, problem ky që vazhdon edhe në ditët tona.

Nuk e di për ç’memoriale mund të flasin grekët dhe të hesht Tirana zyrtare, kur gjatë kësaj lufte mbeten me qindra të vrarë shqiptarë. Faktet historike flasin se jugu i Shqipërisë u pushtua nga forcat greke, në një kohë kur konflikti midis tyre dhe italianëve kishte përfunduar. Pas tërheqjes së forcave italiane, ushtria greke vazhdoi të përparojë në Jug të Shqipërisë ku vetëm brenda një jave, Korça, Saranda dhe Himara ranë në duart e ushtrisë greke. Që në atë kohë, kur Shqipëria kishte rënë në mes zjarrit italian dhe atij grekë, gjeneralët helen pretendonin se këto zona ishin greke dhe sipas tyre, ndërhyrjet e tyre kishin të bënin me ndëshkim ndaj popullsisë. Madje, nuk kanë munguar edhe rastet kur në një kohë shumë të shkurtër, nga majat e larta të qyteteve u hoqën flamujt shqiptarë dhe u zëvendësuan me ata grekë.

E teksa shikojmë këto të dhëna historike të ndodhura para 6-7 dekadash, është për të ardhur keq autoritetet shqiptare heshtin përballë zbatimit një për një të planit helen në territorin shqiptarë. Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO dhe BE është mjaft i rëndësishëm, por nëse këtij vendi nuk do ti trashëgohet historia e tij, për shkak të mbështetjes që kemi nevojë nga Athina gjatë këtij procesi, shqiptarët do ta vuajnë këtë në një të ardhme jo shumë të largët. E nëse sukseset e qeverisë për anëtarësimin në NATO do të bëhen në kurriz të historisë, atëherë politikës shqiptare, qoftë kjo e djathta në pushtet, qoftë e majta në opozitë, duhet të ulet e të rimendoj vendimet e saj. Një shkelje në dërrasë të kalbur sot, mund të kushtojë shumë më vonë, kur këtyre të sotmive, nuk do t’u dihen edhe varret.
Botuar ne G. Start
Shtuar më 05/10/2008, ora 18:06
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori