Ç‘do bëjë Bill Klinton në Shtëpinë e Bardhë?
Albeu.com
Do t‘i marrë pushtetin Hilarisë, do të qëndrojë në hije, apo do të zgjedhë serviset e çajit e të zbukurojë pemën e Krishtlindjeve? Gjithçka do të fillonte ditën e betimit presidencial. A do ta mbante Bill Klinton Biblën në dorë për betimin e së shoqes? Është një peizazh paksa i paqartë ai i një momenti të tillë solemn, që nëse do të ndodhte do të ishte interesant në shumë aspekte. A mos vallë do të ishte formula paguaj një e merr dy? Dhe të mendosh që prania, apo roli i Bill Klintonit në Presidencën e së shoqes është një problem që do të dilte në të gjitha situatat zyrtare. Një tjetër pyetje do të ishte: Si do të prezantoheshin të dy Klintonët? Si ish-presidenti dhe Presidenti Klinton? Presidenti Klinton? Presidenti Klinton dhe zoti Klinton?

Provojeni t‘ia kërkoni përgjigjet stafit të punës së Hilarit e do të shihni që ata ende nuk kanë gjetur një zgjidhje për një problem të tillë protokolli. Por pyetja që sfidon të gjitha do të ishte: Çfarë do të bënte Bill Klinton gjithë ditën e ditës, ndërsa e shoqja do të ishte e zhytur në punët e detyrës së lartë presidenciale? Sigurisht që nuk do të merrej me hartimin e listës së dhuratave të Pashkëve të Shtëpisë së Bardhë, apo me zbukurimin e bredhit të Krishtlindjeve që ndodhet në hollin e së njëjtës banesë. I vetmi rol në pozicionin e "Zonjës së Parë" në të cilin e shohin njerëzit për momentin është ai i darkave shtetërore. Jo aq të preokupuar për zgjedhjen e menysë, sesa për atë të të ftuarve. "Së paku në rastin e Klintonit më në fund shtypi nuk do të fliste më për menynë e pjatës, por për atë të njerëzve të ftuar", thotë një ish-funksionar i administratës së Klintonit. Megjithatë një gjë është e sigurtë, që Klinton do të jetë një risi. Të gjithë, kush më shumë e kush më pak presin prej tij një revolucion në rolin e "Zonjës së Parë". Por deri në çfarë mase? Që nga momenti i parë që vunë këmbë në Shtëpinë e Bardhë, në vitin 1993, Klintonët kanë ofruar një shembull invers të roleve në jetën publike. Detyra tradicionale e Zonjës së Parë ishte zbukurimi dhe "ëmbëlsimi" i figurës së Presidentit të Shteteve të Bashkuara në sytë e popullit, por në çiftin në fjalë, Billi të jepte gjithmonë përshtypjen se ishte më i buti dhe më i ëmbli i të dyve. Ishte ai që duke kafshuar paksa buzën e poshtme thoshte pa ironi se ishte shumë i prekur për vuajtjen e njerëzve të varfër të botës. Ndërkohë ishte Hilari ajo që ngulte këmbë që të kishte një zyrë të sajën personale në krahun perëndimor në mënyrë që t‘i jepte zë nismave politike dhe të bënte për vete aleatët me një delikatesë që ajo pretendonte se e kishte, por që në fakt s‘ishte veçse një iluzion.

Një presidencë rekord

Sot Hilari e ka çuar këtë eksperiment të sajin të hershëm në ekstremin e tij, duke pasur si objektiv të qartë shndërrimin në Presidenten e parë femër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. E atëherë, cili do të ishte roli që do të kishte në këtë rast Bill Klintoni? Gjatë një mbrëmjeje si i ftuar në talk shown e Oprah Winfrey, Klinton duke vënë buzën në gaz tha se miqtë e kishin sugjeruar që në rast të fitores së Hilarit, ai të mbante titullin "First laddie" që do të thotë: djali i parë. Nëse Hilari do të zgjidhet, një gjë është e sigurtë, që Bill Klintn do të jetë personi më ekspert për sa i përket Shtëpisë së Bardhë, veçse në këtë rast nuk do të jetë ai që do të vendosë dhe do të marrë vendimet. Pra çfarë do të ndodhte në rastin e një rikthimi të Klintonëve? Disa demokratë shpresojnë me shumë dëshirë në një rikthim të vërtetë të Billit, por duke qenë se këtë herë ai do të ketë një rol sekondar, mund të kishte me të vërtetë surpriza. Ka një rregull në cirk, sipas të cilit nuk i këshillohet askujt që të hyjë në skenë pas shfaqjes së qenit të talentuar, që në këtë rast është Bill Klintoni. Pavarësisht nga emri që mund të marrë, Bill Klinton është ende personi që tërheq më shumë vëmendjen ndër të dy Klintonët. Për bashkëpunëtorët e Hilarit ky në disa raste është një problem jo i vogël. Është pak a shumë ajo që grekët e quajnë Pharmacon, një ilaç që mund të kthehet në helm. Nga ana tjetër, Hilari e ka kuptuar se ka momente që gjërat funksionojnë më mirë për publikun në rastin e daljeve apo paraqitjeve në çift. Gjatë debatit të dytë televiziv për postin e kandidatit demokrat për në zgjedhje, Hilari dha një përgjigje shumë interesante kur e pyetën se çfarë roli parashikonte për të shoqin, nëse do të zgjidhej Presidente e vendit: Mendoj se të gjithë duhet të japin ndihmën e tyre për të ndrequr dëmet e mëdha që i kanë sjellë imazhit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në botë republikanët gjatë qëndrimit të tyre 8-vjeçar në Shtëpinë e Bardhë. Kur të bëhem Presidente, burri im i dashur do të jetë një nga personat që do ta dërgojë nëpër botë me rolin e ambasadorit, për t‘u treguar të gjithëve që i jemi rikthyer politikës së dorës së shtrirë ndaj miqve dhe aleatëve për të bërë për vete pjesën tjetër të botës. Por bashkëpunëtorët e Hilarit nuk arrijnë të marrin dot me mend se cila do të ishte përfshirja e përditshme e Klintonit në një Shtëpi të Bardhë që drejtohet nga Hilari. Pjesërisht kjo paqartësi vjen për shkak se 7 vitet e fundit Klintonët nuk kanë kaluar shumë kohë bashkë. Hilari jeton mes Uashingtonit dhe Nju-Jorkut, ndërsa ai jeton në Nju-Jork, por shpesh ndërmerr udhëtime të gjata e në vende të largëta që e shkëpusin nga shtëpia për javë të tëra. Bill i jep këshillat për fushatën elektorale përmes telefonit, një mjet që sigurisht ia kufizon ndihmesën, por në fund të fundit i tillë është Billi, një njeri shëtitës që e sheh si nëpër stallat e fermave, edhe nëpër sallat e universiteteve prestigjioze, e në shoqërinë e njerëzve të ndryshëm në moshë, profesion e gjini. Ai është një qenie gjigande egocentrike i njohur për oreksin e tij të madh si për politikën, ashtu edhe për defekte të tjera më pak fisnike, ai është një krijesë me një mendje të shpejtë e me zakonin e keq për të futur gishtin në të gjitha tortat. Nëse Hilari do të zgjidhet, Billi do të rrethohet sërish nga një masë e madhe truprojash që do ta survejojnë, të paktën, gjatë një pjese të mirë të ditës. Kjo do të thotë që do ta shohim më shumë vërdallë dhe për sa i përket përvojës ai ka shumë më tepër se Hilari dhe zëvendësit e saj të marrë së bashku.

Aktualisht, ekzistojnë dy teori kundërshtuese për atë që mund të ndodhë në vitin 2009 në rast se Klintonët do të rikthehen të banojnë në Shtëpinë e Bardhë. E para është që Hilari sapo të marrë në dorë rolin e Presidentit, do të përpiqet me të gjitha mënyrat për të kufizuar rolin dhe publicitetin ndaj të shoqit, për të nxjerrë më mirë në pah vlerat e veta personale, duke i treguar kështu botës së në çiftin Klinton është ajo që mban veshur pantallonat. Zgjedhjet politike të administratës së saj ka shumë të ngjarë që të jenë ato të Bill Klintonit, por gjithçka do të serviret me një shpirt shumë më të ftohtë e më pak entuziast. Për të mbrojtur individualitetin e saj, Hilari do të duhet të bëjë mjaft përpjekje, sepse do të jetë e vështirë që t‘u tregojë amerikanëve se Presidenti është ajo, e jo Billi. Është pak a shumë e njëjta situatë me të cilën u përball Bush i riu kur i duhej t‘u tregonte të tjerëve se ishte ai dhe jo i ati Presidenti i Shteteve të Bashkuara. Megjithatë duhet thënë se kur Hilari doli nga hija e Billit, vite më parë, ajo krijoi një figurë shumë origjinale si senatore e politikane dhe sigurisht që identiteti i saj do ta ndihmojë në rolin e ardhshëm nëse do të arrijë që ta fitojë postin e Presidentit. Vit pas viti,ideuesja llafazane me një mungesë të theksuar të sensit të humorit është zhdukur dhe në vend të saj qëndron një grua shumë më ndryshe. Përgjigja e Hilarit ndaj pyetjes se çfarë roli do të luajë i shoqi nuk tregojnë se në fakt ajo po përpiqet që me të ardhur në pushtet ta nxjerrë Billin jashtë skene, përkundrazi. Madje duket se ajo nuk e ka aspak problem që ta përdorë atë edhe gjatë fushatës elektorale. Sa për Billin, ai ka punuar shumë pas skene, duke mbledhur fonde, duke i dhënë këshilla për fjalimet e rëndësishme, duke e drejtuar e duke folur me të shumë herë në ditë dhe Hilari që është një nxënëse e zgjuar e që i kap gjërat shpejt, dhe mbi të gjitha shumë e disiplinuar, i ka thithur dhe bërë të sajat shumë mësime të të shoqit në lidhje me politikën.

Teoria e dytë është ajo e "Bill 2". Pra një Shtëpi e Bardhë me ish Presidentin që ndihmon gruan të luajë një politikë të jashtme shumëplanëshe e të hapur, të vendosë një sistem taksash më progresiv dhe të realizojë një revolucion të kadifenjtë në sektorin e shëndetësisë, duke korrigjuar një gabim të madh politik të Bill 1. Pamja dhe përvoja e tij do të jenë një e mirë e madhe dhe një vlerë e paçmuar në duart e Presidentit. Por nga ana tjetër, ai do të jetë edhe Thembra e Akilit e qeverisë. Ajo çka kjo teori nuk merr parasysh është pavarësia reale e Hilarit nga bashkëshorti. Që nga viti 1993, ajo ka pasur gjithnjë një staf të ndarë dhe veçmas së shoqit, shumë besnik ndaj saj, të rezervuar dhe të formuar thuajse vetëm nga femra dhe kjo e bën të vështirë imazhin e ndërhyrjes lehtësisht të Billit në rrethin e bashkëpunëtoreve të ngushta të të shoqes. Stili dhe karakteri i tyre nuk mund të bëheshin më të ndryshëm. Hilari i vë të gjithë në rresht për një dhe nuk toleron askënd, ndërsa Bill është e kundërta. Ajo di të dëgjojë, por është shumë mosbesuese, nuk beson se racionaliteti funksionon me të gjithë. Duke parë Billin dhe Hilarin në këtë periudhë, mund të mbërrish në një konkluzion: sot më shumë se kurrë martesa e tyre ka marrë një kuptim. Hilari duket adapte për t‘u bërë shefi i ekzekutivit më shumë se sa dukej Klinton në fushatën zgjedhore të vitit 1992. Sigurisht, ai kishte pamjen tërheqëse dhe atë vështrimin magnetik, por Hilari i drejton gjërat në mënyrë më të disiplinuar dhe në sondazhe fiton më shumë pikë nga sa ka pasur ai në të njëjtën periudhë parazgjedhore. Sigurisht që ajo e përdor, ndonjëherë të shoqin si armë joshjeje, por në realitet ai duket të jetë vetëm një këshilltar lufte, një strateg brilant, por gjenerali mbetet ajo. Kështu mund të thuhet se ndërkohë që lodhemi ta përfytyrojmë rolin e Bill Klintonit në të ardhmen në Shtëpinë e Bardhë, duke u nisur nga e tashmja, mund të themi fare mirë se ai po luan rolin e një këshilltari, jo të drejtuesit kryesor të lojës. Edhe fondacioni i tij mbron ato çështje me të cilat zakonisht merren fondacionet e zonjave të para pra, lufta kundër varfërisë, kundër obezitetit, SIDA. Në jetën e tij të dytë Klintoni është bërë paksa i mbyllur dhe i ndrojtur. Po të shohësh fotot e tij të fundit vihet re se tenton që të rrijë në hije, e mban kokën në njërën anë në një pozicion shumë femëror si ajo gruaja që e dëgjon dikë që flet. Kur Bill mbaroi mandatin presidencial në vitin 2001, shumëkush mendonte se për të do të kishte qenë e vështirë që të mësohej me jetën jashtë Shtëpisë së Bardhë, por gjatë 7 viteve të fundit ai i ka befasuar të gjithë duke u shndërruar në dikë krejtësisht të ndryshëm dhe unik: në një superqytetar të botës, në një supervip. Në ekzistencën e tij të re, ish-presidenti arrin të shijojë jetën, atë publike dhe atë private. Merr miliona dollarë për të mbajtur fjalime nëpër universitete apo fondacione, darkon me shkencëtarë, fisnikë dhe supermodele. Ata që e njohin mirë Klintonin mund të shtonin se për të dy, këto 7 vite kanë qenë më të mirët e martesës së tyre. Ndoshta sfida e vërtetë e Bill Klintonit nuk do të jetë gjetja e një pozicionin përkrah së shoqes Presidente në Shtëpinë e Bardhë, por gjetja e vendit të tij jashtë Shtëpisë së Bardhë.

Një diplomat shëtitës

Zgjedhja e Hilarit për rolin e së shoqit është ideal nga ky këndvështrim. Si një diplomat pa portofol, Bill Klinton do të qëndronte në më të shumtën e kohës jashtë Shtëpisë së Bardhë. Do të dërgohej në të gjithë botën për të mrekulluar, nënshkruar marrëveshje, lidhur aleanca e zgjidhur probleme. E bukura e kësaj zgjidhjeje është se përveç faktit që ish-presidenti do të ishte larg nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke ia lënë drejtimin e shtetit Hilarit në dorë, ai do të kishte mundësinë të merrej me lojën tredimensionale të shahut politik. Nëse kjo gjë do të funksiononte atëherë Bill Klinton në një farë mënyre do të ripërcaktonte rolin e gjithë zonjave të para në të ardhmen. Me këtë organizim të ri, ndoshta Klintonët do të mund ta ndryshonin Shtëpinë e Bardhë, ashtu sikurse ata tentuan, por pa sukses gjatë periudhës së Presidencës së Billit. Por mos të përjashtojmë edhe faktin që Billit mund t‘i pëlqejë edhe të merret me zgjedhjen e serviseve të çajit për të pritur miqtë e rëndësishëm.
G. Shqip
Shtuar më 12/11/2007, ora 15:45
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori