Amerika e zemëruar
Pëlqej
The Economist
The Economist - Të duhet mund këto ditë për të rikujtuar ekstazën që përmbyti botën kur Barack Obama u zgjodh si president i Amerikës. Nuk kishte të bënte vetëm me atë se ai ishte Presidenti i parë amerikan me ngjyrë. Apo se ai ishte zezaku i parë që kapi zyrën më të rëndësishme të rruzullit. Ai dukej sikur ishte mbinatyrshëm i thellë, fisnik dhe i sjellshëm; një njeri që do shëronte plagët e Amerikës dhe do riparonte reputacionin e saj në botë. Megjithëse shumë ishin përhumbur në një dëshirim kolektiv për të parë shpresën të triumfojë mbi përvojën, asgjë nuk dukej krejtësisht e paarsyeshme asokohe.

Dy vjet më vonë shkalla e zhgënjimit është gjithkund flagrante. Për shumë njerëz të së majtës ai është një lëshues frikacak, planet e pamenduara të të cilit për të futur në punë Amerikën kanë bërë pak për të ndihmuar ata që votuan për të dhe reformat financiare dhe shëndetësore të të cilit u dorëzuan para vullnetit të grupeve të interesit. Për shumë njerëz të së djathtës ai ngjan me një doktrinar dorëshpuar që ka shpenzuar triliona dollarë në burokraci të panevojshme; që ka marrë kredi për të ardhmen, ndërsa ka dështuar të përballet me të tashmen. Për njerëzit e qendrës që e mbështetën, përfshirë edhe The Economist, ai ka qenë një zhgënjim dhe aftësitë e tij si President as nuk i janë afruar gjenisë së tij si kandidat fushate.

Duket sikur një Amerikë e zemëruar është gati të marrë hak, duke u dhënë demokratëve të zotit Obama një goditje të dhimbshme në zgjedhjet e mesmandatit më 2 nëntor. Rezultati më i mundur është rimarrja nga ana e republikanëve e kontrollit të Dhomës së Përfaqësuesve dhe fitore solide në Senat, ku, megjithëse nuk do të marrin shumicën, ata pa ndonjë mundim do të jenë në gjendje për të bllokuar çdo ligj që do të dëshirojnë. Por në pikëpamjen tonë, zemërimi ndaj zotit Obama është i tepruar.

Merr arsyen kryesore se pse amerikanët janë të zemëruar: ekonominë. Ritmi i ngadaltë i rikrijimit të vendeve të punës është kryesisht rezultat i konsumatorëve dhe kompanive në përpjekje për të rindërtuar financat e tyre. Kur kriza ekonomike prek bilancet e fundvitit rimëkëmbja është e vështirë. Zoti Obama është fajtor, sepse premtoi se dhimbja do të merrte fund më shpejt se sa kishte gjasa të ndodhte kjo. Por ai nuk e shkaktoi krizën dhe meriton më shumë kredit se sa po merr për faktin se e drejtoi Amerikën larg një fati edhe më të keq, veçanërisht po të marrësh parasysh kufizimet e një sistemi politik të ideuar për t’i vështirësuar ndryshimet e mëdha. Ai kishte të drejtë që zgjodhi një plan të madh, të fortë dhe të menjëhershëm për stimulimin ekonomik. Ai ka patur të drejtë kur u rezistoi me përjashtime të vogla thirrjeve për një valë proteksionizmi. Ai është fajtor, sepse nuk pati një plan afatmesëm për reduktimin e deficitit. Por as republikanët nuk kanë një plan të tillë dhe ishin ata, në fund të fundit, që mbikëqyrën shkurtimin e taksave, hyrjen në dy luftëra dhe kolapsin financiar, që janë burimi i shumicës së deficitit të stërmadh të Amerikës.

Në aspekte të tjera të politikave (policy) zoti Obama ka zgjidhur drejt disa çështje të mëdha. Ai ishte korrekt kur u përpoq të merrej me një sistem të tmerrshëm që lë dhjetëra miliona amerikanë pa akses në sistemin shëndetësor, e megjithatë, ai ndoshta duhet ta shtynte reformën në fjalë derikur ekonomia të rimëkëmbej. Në politikën e jashtme, ai përgjithësisht ka marrë vendime racionale rreth Irakut dhe Afganistanit. Shumë nga njerëzit që ai ka mbajtur apo vendosur në poste, ia kanë dalë mbanë, përfshirë edhe ish-rivalen e tij Hillary Clinton.

Atëherë çfarë nuk shkoi si duhet? Përgjigjja është: një mori gjërash të vogla-retorika, detajet, ekzekutimi, madje edhe ajo mungesa e ftohtë e përpikërisë-që të bashkuara kanë minuar presidencën e tij. Ai ka bërë armiq biznesmenë të cilët duhen, në mënyrë që rimëkëmbja e Amerikës të shkojë përpara, duke i etiketuar ata si spekulatorë dhe të privilegjuar. Ai, madje, i ka dhënë duart benevolencës së asetit më dinamik dhe kapitalist të Amerikës. Silicon Valley që dikur e shihte Obama-n si një fillestar premtues, tani e sheh si investim të keq.

Vendimi i tij që me detajet të merren të tjerët, i ka kushtuar shumë. Lënia e paketës së stimulit financiar dhe reformës shëndetësore në duar të të tretëve, lidershipit të demokratëve, prodhoi ligje të këqija të cilat mund të kundërshtoheshin me lehtësi nga republikanët dhe shumë demokratë mundohen të distancohen prej tyre. Një president më i talentuar do ta kishte kontrolluar më mirë këtë proces dhe do kishte gjetur rrugë për t’u bërë republikanëve oferta që ata nuk mund t’i refuzonin. Përpikëria makroekonomike e Obama-s u minua nga tendenca e demokratëve për të futur hundët në mikroekonomi, gjë që çoi te një ligj mbi shëndetësinë që parashtron kushte të rënda për bizneset dhe një ligj mbi stimulimin e ekonomisë mbytur me lëshime për sindikatat.

Amerika tani është një vend pazakonshëm i pasigurt. Në planin e jashtëm duket e vështirë identifikimi i miqve dhe armiqve. Në planin e brendshëm, të panjohurat janë të shumta: se si do zbatohet në praktikë ligji mbi shëndetësinë; se çfarë do të ndodhë me çmimet e energjisë, nëse çmimi i karbonit rimerret nëpërmjet një vendimi ekzekutiv; dhe, mbi të gjitha, se çfarë do të bëjë z. Obama rreth deficitit të thellë. Njerëzit nuk e pëlqejnë pasigurinë, kështu që, nëse amerikanët janë të zemëruar, nuk është për t’u çuditur.

Zoti Obama duket habitshëm i pamundur për të kuptuar, lëre më për të reaguar ndaj pakënaqësive të Midwest-it dhe ka një zakon të rrezikshëm të injorimit të mbështetësve të Tea Party dhe të tjerëve që nuk janë dakord me të, duke i konsideruar hileqarë, djallëzorë apo thjesht si idhnakë. Gjuha e argjendtë që turbulloi Amerikën gjatë fushatës është zëvendësuar nga një vesh i kallajtë. Disa ia mveshin këtë shkëputjes emocionale të sjellë prej fëmijërisë së tij të vështirë, të tjerë faktit se ai ka jetuar gjithë jetën mes demokratëve tribalë. Ciladoqoftë arsyeja, ai duket sikur nuk e ndien dhembjen e Amerikës dhe duket i pamundur për t’i kapitalizuar arritjet e administratës së tij apo për të projektuar një vizion optimist të së ardhmes.

Gjë që nuk duhet të jetë kaq e vështirë. Pavarësisht problemeve, Amerika i ka punët shumë më në vijë se sa sugjeron atmosfera e tanishme. Vazhdon të jetë ekonomia më inovative në botë, vendi ku universitet më të mira në botë takohen me xhepat më të ngrohtë në botë. Demografia është e favorshme, me numra të lartë lindjesh dhe hapësirë të pakufizuar në të cilën mund të shtrihet. Ka një fuqi punëtore elastike dhe të palodhur. Përqindjet shumë të ulëta të bondeve të saj janë shenjë se investitorët botërorë ende e mendojnë si një bast afatgjatë. Individët më inovatorë në botë ende “vdesin” për të ardhur në Amerikë. Dhe ende ka një President të talentuar, i cili, me siguri, mund të punojë më mirë se sa deri më tash.
Shtuar më 02/11/2010, ora 17:08
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori