Aman, aman, Gjermoni
Pëlqej
Albeu.com
Granata prej një ndërtese ende në meremetim e sipër ka rënë pingul e në oborrin e ICO në ora 17e 25, të datës 14 nëntor. Ajo ka eksploduar pas tetë minutash. Hetuesia posedon xhirimet.Granata prej një ndërtese ende në meremetim e sipër ka rënë pingul e në oborrin e ICO në ora 17e 25, të datës 14 nëntor. Ajo ka eksploduar pas tetë minutash.

Gazeta Express ka pasur akces në dokumentet konfidenciale të hetuesisë, në të cilat thuhet se prej xhirimit të kamerave të sigurimit shihet qartë fluturimi i granatës prej katit të katërt të ndërtesës së papërfunduar, përballë ndërtesës ku gjendet Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar..

Në dokumente thuhet se policia shumë shpejt pas shpërthimit ka dalur në vendin e ngjarjes, dhe pak më vonë policisë i është bashkuar prokurori i Prokurorisë së Qarkut të Prishtinës, Feti Tunuzliu.

“Në shikim e sipër të vendit të ngjarjes, edhe pse terr, Tunuzliu ka arritur ta vërej një si ‘hije’ në katin e katërt, rreth 45 metra larg distancës së bombës. Ai ishte duke lëvizur nëpër ndërtesë. Në atë moment ai ka thënë se ‘mu duk një njeri lartë në ndërtesë’, dhe mandej edhe njëri prej policëve e ka konfirmuar atë çfarë ka thënë prokurori”, tregoi një burim i besueshëm i Expressit, duke e shpjeguar zhvillimin e ngjarjeve në natën e 14 nëntorit, e cila natë po ngreh pak tensione në mes Kosovës dhe Gjermanisë, autoritetet e të cilit vend janë duke kërkuar që t’u lirohen meshkujt e kapur në vendin e krimit.

Pas kësaj, bëhet e ditur se forcat e policisë shumë shpejt e kishin bllokuar objektin dhe janë sulur në drejtim të vendit ku dyshonin për vendndodhjen e atij personi që ende ishte i panjohur.

Edhe pse kishte tentuar tu ikte, Andreas Jackel, kishte rënë shumë shpejt në duart e policisë.

Megjithatë, ky person, kishte arritur që para se të arrestohet të shkatërrojë një pjesë të mirë të fakteve për të mos rënë në duart e policisë. Me këtë rast, ai ka thyer kartelën telefonike të Valës 900 dhe kishte shkatërruar disa shënime të tjera që i ka pasur me veti.

Mirëpo, policia e kishte arritur të kapë skicën e vendit të ngjarjes, që Jackel e kishte bërë dhe ku shihet qartë plani për sulm të ndërtesës.

Skica, sipas të dhënave që janë kapur, ishte bërë të njëjtën ditë, rreth orës 12 të ditës. “Kjo datë dhe orë figuron në atë skicë, ku është data 14 nëntor 2008, ora 12, gjë që shpien në dyshimin e bazuar se skicimi i objektit është bërë për ta sulmuar më vonë”, thotë ky zyrtar i lartë i hetuesisë.

Kjo e dhënë e gjetur dhe disa fakte tjera u japin besim të plotë hetuesve vendor, se Jackel është i dyshimti kryesor, dhe me këso faktesh ka arsye të mjaftueshme që “dyshimi të jetë i bazuar”.

“Kur ka këso faktesh, ka arsye të mjaftueshme për t’u shqiptuar paraburgimi prej 30 ditësh. Nëse veprohet ndryshe, do të ishte shkelje e procedurave penale”, thotë burimi, që është ekspert i kësaj lëmie.

Në katin e katërt të ndërtesës prej ku është hedhur bomba Jackelit i është gjetur edhe një çantë e madhe, ku dyshohet se ka qenë i vendosur masa e TNT-së.

Edhe pse ishin parë në po të njejtën natë duke pritur me veturë të tipit Mitsubushi dhe me tabela të Gjermanisë, Robert Zoller dhe Andras Drunken, policia i kishte arrestuar pas disa ditësh në banesën e tyre, në Breg të Diellit .

Thuhet se pas arrestimit të këtyre dy personave, policia kishte bërë bastisjen e banesës ku po banonin gjermanët, me ç’rast aty kishin gjetur shumë shkrime të koduara si dhe shënime, ku figurojnë emrat e disa prej liderëve të Kosovës, por edhe të disa pjesëtarëve të TMK-së.

“Policisë nuk i është hapur dera për 10 minuta. Kjo kohë ka mjaftuar që ata të shkatërronin disa dokumente”, tregon burimi i kyçur në hetime, sipas të cilit në banesë është gjetur makina për shkatërrim të dokumenteve dhe është ndier era tym, që vije si pasojë e djegies së letrave.

“Shumica e shënimeve të gjetura janë të kriptuara dhe vështirë të deshifrueshme. Megjithatë aty janë gjetur shumë shënime, ku figurojnë emrat e disa prej liderëve të Kosovës, por edhe të disa pjesëtarëve të TMK-së”, thotë ky zyrtar i hetuesisë ndërkombëtare.

Një ditë më parë, burime brenda hetuesve, kanë pohuar për Express se autoritetet gjermane, të shtunën mbrëma, kanë kërkuar nga zyrtarë të lartë të Aeroportit të Prishtinës, që të lejojnë aterrimin e një avioni privat, i cili do të vinte nga Gjermania.

Sipas të gjitha gjasave, besohet se ky aeroplan ishte i porositur special për tre gjermanët e dyshuar për sulm në ICO, Andreas Brunken, Andreas Jackel dhe Robert Zoller.

Sipas këtij burimi, pas konsultimit me organet përgjegjëse, një kërkesë e tillë është refuzuar nga zyrtarët e Aeroportit të Prishtinës. Ndërkaq një ditë pas caktimit të paraburgimit prej 30 ditësh ndaj këtyre tre gjermanëve të dyshuar për shpërthimin e disa ditëve më parë pranë zyrave të Misionit Civil Ndërkombëtar (ICO) në Prishtinë, avokatët mbrojtës të të akuzuarve kanë vendosur të paraqesin ankesë.

Ndërkaq, qeveria e Gjermanisë e cila nuk kishte dhënë asnjë informacion që prej arrestimit të tyre, të hënën ka thyer akullin duke u prononcuar për arrestimin e tre shtetasve të tyre.

Zv/zëdhënësi i Qeverisë së Gjermanisë, Thomas Steg, i ka quajtur absurde pohimet se këta pjesëtarë kanë hedhur mjete shpërthyer para ndërtesës së Zyrës Civile Ndërkombëtare (ICO) në Prishtinë.

“Gjermanët nuk janë përgjegjës për akte terroriste jashtë vendit”, ka shtuar ai.

Megjithatë, ai nuk i ka mohuar as pohuar deklarimet se tre gjermanët mund të jenë pjesëtarë të BND-së. “Nuk mund dhe nuk duam të bëjmë komente zyrtare për këtë çështje”.

Aktivitetet e tre shtetasve gjermanë në Kosovë edhe më tutje mbesin në terr, të paktën zyrtarisht. Steg nuk deshi të komentojë as raportimet e disa mediave gjermane, se tre shtetasit gjermanë mund të jenë ushtarë të Bundesverit. “Ne nuk komentojmë statusin e tre shtetasve”, është shprehur ai.

Ndërkaq, zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme Jens Plötner, nuk frikësohet se kjo çështje mund të ndikojë në marrëdhëniet e Gjermanisë me Kosovën. Plötner ka shfaqur besimin se bashkëpunimi i mirë ndërmjet Qeverisë gjermane dhe asaj Kosovare do të sjellë deri një vendim të favorshëm për të dyja palët.

Sipas informacioneve të televizionit publik gjerman “ARD”, Bundestagu do të mblidhet të enjten, për tu informuar lidhur me veprimtarinë e tre shtetasve gjermanë të arrestuar dhe akuzuar për terrorizëm.

Nëntë anëtarët e Komisionit Parlamentar për Kontroll të Shërbimeve Inteligjente, do të informohen, sipas gjitha gjasave, nga shefi i BND-së, Ernst Uhrlau, ose nga zëvendësi i tij.

Ndërkaq, duke cituar burimet e saj, e përditshmja gjermane “Bildt”, ka pohuar se mjetin shpërthyes mund të kenë hedhur ekstremistët shqiptarë, të cilat janë kundër organizatave ndërkombëtare në Kosovë.

Shtetasit gjermanë që besohet se janë pjesëtarë aktivë të Shërbimit Sekret gjerman-BND, dyshohet se kanë kryer vepër penale të terrorizmit.

Konkretisht, ata janë të dyshuar për shpërthimin e disa ditëve më parë, pranë zyrave të Misionit Civil Ndërkombëtar (ICO) në Prishtinë. Motivi i këtij sulmi, sipas Prokurorisë, dyshohet të jetë shqetësimi dhe pengimi i angazhimit të ICO-së dhe shefit të saj, Piter Feith, që së bashku me institucionet e Kosovës, në kohën e shpërthimit, kanë qenë maksimalisht të angazhuar në procesin e shtrirjes së misionit të EULEX-it, zbatimit të Kushtetutës së Kosovës dhe Planit të Ahtisarit.

Mbrojtësit e tre të akuzuarve, duke respektuar procedurat ligjore, kanë paraqitur ankesë në Kolegjin e Gjykatës së Qarkut në Prishtinë, në afatin e caktuar prej 24 orësh.

“Gjithsesi se do të paraqes ankesë në emër të të mbrojturit tim. Kjo është e drejtë ligjore, prandaj do ta shfrytëzojmë atë”, ka thënë njëditë më parë avokati mbrojtës i të akuzuarit, Robert Zoller, Adem Ademi.

Ndërkaq avokatja Fehmije Gashi-Bytyqi ka pohuar se ajo tashmë ka paraqitur ankesën në emër të të mbrojturit të saj, Andreas Jackel.

“Është e drejtë ligjore që të bëjmë ankesë dhe për këtë edhe e kemi bërë”, ka pohuar avokatja Gashi-Bytyqi.

Ndërkohë ende nuk është konfirmuar nëse mbrojtës i Andreas Brunken-it, Ramë Gashi, ka paraqitur ankesës, pasi që ai tha se e ka të ndaluar nga klienti i tij të flasë për mediat.

Mbrojtësit ligjorë të gjermanëve, shprehin besimin në pafajësinë e klientëve të tyre, pasi që ata besojnë se nuk ka prova dhe fakte të mjaftueshme. “Nuk besoj që ka prova dhe fakte të mjaftueshme për t’i akuzuar për një vepër të tillë. Asnjëri nga tre të akuzuarit nuk e ka pranuar veprën për të cilën akuzohen. Ata në tërësi e kundërshtojnë veprën penale”, thotë avokati Ademi.

Besohet se shtetasit gjermanë në Kosovë kanë vepruar në Kosovë si pronarë të një biznesi të regjistruar me emrin “Logistic Coordination Assessments Services”. Kjo agjenci ishte e regjistruar në Kosovë si një agjenci këshillash për biznesmenët e mundshëm gjermanë, të interesuar për të investuar në Kosovë. Kjo agjenci kishte zyrat e saj në lagjen e Matit në Prishtinë, ku edhe kanë banuar tre gjermanët.

Gjatë vitit 2008, është regjistruar se Andras Jackel dhe Andreas Drunken kanë hyrë dy herë në Kosovë ndërkaq Robert Zoller kishte hyrë tre herë.

Sipas medieve gjermane, partitë opozitare në Gjermani kanë kërkuar që sa më shpejt të mblidhet Komisioni parlamentar për kontrollin e shërbimeve inteligjente, për të shqyrtuar pjesëmarrjen e tre agjentëve të BND-së në shpërthimin para ndërtesës së ICO-së në Prishtinë.
nga Dafina Myrta & Artan Behrami. G. Express
Shtuar më 25/11/2008, ora 20:46
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori