Ali Ahmeti: Maqedonia është edhe e shqiptarëve
Albeu.com
nga Urim Bajrami"Besoj se një ditë shqiptarët do të bashkohen. Dhe jo vetëm Kosova me Shqipërinë, por dhe ne, shqiptarët e Maqedonisë, do të bashkohemi me vëllezërit tanë, të një gjuhe dhe të një gjaku".Ali Ahmeti, lideri i partisë më të madhe të shqiptarëve në Maqedoni, kërkon hedhjen tej të hasmërive të vjetra dhe konflikteve të përgjakshme në rajon dhe në vend të tyre fton për paqe e miqësi. Në pjesën e dytë të intervistës ekskluzive për gazetën "Shqip", kryetari i Partisë Bashkimi Demokratik
për Integrim tregon vlerësimin e tij për planin e paraqitur nga Presidenti Ahtisari, avancimin e qëndrimit të Shkupit zyrtar për çështjen e statusit të Kosovës, vijën e kufirit midis Maqedonisë e Kosovës, që "duhet trajtuar thjesht si problem teknik". Po ashtu, Ahmeti komenton edhe deklaratat më të fundit të ish-kryeministrit maqedonas, Lupço Gjergjevski, si dhe të akademikut të njohur kosovar, Rexhep Qosja, se "një ditë, bashkimi i Kosovës me Shqipërinë do të ndodhë". Teksa flet për zhvillimet aktuale
apo shkallën e demokracisë në Shqipëri, krahasuar edhe me Maqedoninë, Ahmeti flet dhe për vizitën e tij të fundit në Tiranë dhe shpreh vlerësimin e tij edhe për Presidentin Topi e Kryeministrin Berisha.
Statusi i Kosovës është një çështje shumë
e rëndësishme për rajonin, por më së shumti
për vetë shqiptarët. Cili është qëndrimi i
liderëve të shqiptarëve të Maqedonisë për
këtë çështje? A ka një qëndrim të përbashkët
e të vendosur? Po vlerësimi juaj për planin e
propozuar nga Presidenti Ahtisari? Mendoni
se viti 2008 do ta gjejë Kosovën të pavarur?
Kosova, për mendimin tim, ka hyrë në fazën finale
të definimit të statusit të saj. Natyrisht e kam fjalën për
dimensionin ndërkombëtar të kësaj çështjeje, sepse
për ne shqiptarët dhe për popullin e Kosovës ajo është
e pavarur që nga ai moment kur ushtari i fundit serb u
shpor nga toka e Kosovës. Sigurisht që problemet madhore,
siç është krijimi i shteteve të reja në kontinentin
plak të Evropës, kanë edhe përmasën e vetë të përbotshme.
Gjykoj se ndaj mendimin e shumicës dërrmuese,
jo vetëm të shqiptarëve, po edhe të aktorëve të skenës
ndërkombëtare, se rruga e Kosovës drejt pavarësisë
është e pakthyeshme dhe se plani i presidentit Ahtisari
është zgjidhja më e qëndrueshme, është pako që
ofron zgjidhje reale dhe të qëndrueshme.
Do të kisha dashur që ky proces të kalojë nëpërmjet
Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të
Bashkuara dhe Rusia për qëllimet e veta strategjike të
mos viktimizojë popujt liridashës, siç është populli
shqiptar në Kosovë, po të bëhet pjesë e procesit dhe e
zgjidhjes. Në të kundërtën, nëse kjo nuk ndodh, kam
bindjen e thellë se SHBA-të, BE-ja dhe NATO-ja thellësisht
janë të përcaktuar për të respektuar vullnetin
plebishitar të popullit shqiptar në Kosovë dhe do të
formalizojnë shpalljen e Kosovës shtet sovran dhe të
pavarur. Kam bindjen se pas skadimit të afatit të fundit
të bisedime shtesë që po zhvillohen mes Prishtinës
dhe Beogradit nën patronazhin e Treshes ndërkombëtare,
pra më 11 dhjetor 2008 në kryeqytetin e shtetit
më të ri në Evropë, do të zbarkojë z. Piter Fejt me
mandat për të mbikëqyr praktikumin e shtetit dhe
pushtetit në Kosovën e pavarur.
Nëse jo, e gjykoni si të rëndësishme thirrjen
e një tryeze politike, me pjesëmarrjen e
të gjitha partive të shqiptarëve të Maqedonisë
për të unifikuar qëndrimin për çështjen
e statusit final të Kosovës?
Janë ca momente në histori kur krejt një komb reagon
si një trup i vetëm. Kjo mund të tingëllojë pak si
stereotip, por e vërteta është se gjithë shqiptarët kudo
që janë, jo njëherë kanë dëshmuar se janë për pavarësinë
e Kosovës. Këtë e kanë bërë edhe institucionet
shtetërore në Shqipëri, edhe subjektet politike në
mbarë hapësirën shqiptare.
Për hir të së vërtetës dua të theksoj se këtu te ne në
Maqedoni ka pasur luhatje të herëpashershme, si
paraqitjet e para një viti të z. Xhaferri, ish-kryetar i
PDSH-së, i cili doli me tezën se Kosova nuk ka kapacitete
të mbijetojë si shtet e margaritarë të ngjashëm,
që Beogradi me të shpejtë e trumbetoi si reflektim të
elitës politike shqiptare. Por, fatmirësisht, të ballafaquar
me refuzimin e fuqishëm nga çdo intelektual
dhe subjekte politike, edhe krerët e PDSH-së iu kthyen
përcaktimit të të gjithë shqiptarëve këtu dhe sot ne
kemi një unanimitet për sa i përket statusit të Kosovës.
Për këtë arsye gjykoj se nuk kemi nevojë të demonstrojmë
dhe manifestojmë gjoja unitet për diçka që
vetëkuptohet, është e njohur dhe askush nuk e konteston.
Qëndrimi i udhëheqjes më të lartë maqedonase
për çështjen e zgjidhjes së statusit
final të Kosovës ka kohë që është pozitiv dhe
ai është bërë i ditur tashmë në raste të ndryshme.
Shkupi zyrtar po përpiqet për raporte
të mira me Kosovën, por edhe Beogradin. Cili
është komenti juaj për këtë qëndrim?
Pas luftës së vitit 2001 në Maqedoni u thyen shumë
tabu dhe u prishën shumë paragjykime. Unë kam realizuar
një mori takimesh me të ndjerin President Trajkovski
dhe me Kryeministrin e atëhershëm, Branko
Cërvenkoski, dhe me të dy veç e veç arrita të ndërtoj
një qëndrim të avancuar për atë kohë se Maqedonia
do të mbështesë çdo lloj zgjidhjeje që do të arrihet mes
Prishtinës dhe Beogradit, pa e përjashtuar as pavarësinë.
Të mos harrojmë se deri në atë kohë Kosova për
Maqedoninë vazhdonte të ishte "Juzhna srbska
pokraina". Bashkëbiseduesve të mi ua bëra të qartë se
unë dhe shokët e mi kemi luftuar për çlirimin e Kosovës
dhe ndërtimin e shtetësisë së saj. Shpreh mirënjohjen
time për këtë avancim në qëndrimin zyrtar të
shtetit dhe po ashtu kam mirëkuptim për përpjekjet e
Shkupit zyrtar për raporte të mira, si me Kosovën, ashtu
edhe me Beogradin, sepse kjo është qasje e drejtë
dhe racionale.Politika e fqinjësisë së mirë është hapi i parë në integrimet fillimisht rajonale e pastaj edhe në ato evropiane.
Zaten edhe Kosova e
nesërme, shtet sovran dhe i pavarur
për interesa gjeostrategjike, do
të duhet të kultivojë raporte të fqinjësisë
së mirë me Serbinë. Ndryshe
në NATO dhe në BE zor se na lënë jo
të anëtarësohemi, por as të afrohemi...
Maqedonia vlerëson sidomos
planin e Marti Ahtisarit,
sepse ai hap rrugën për
zgjidhjen e çështjes së
shënimit të vijës së kufirit me
Kosovën, duke e konsideruar
atë tani thjesht një proces
teknik dhe të realizueshëm.
Dihet që Maqedonia është
mbylljen e kësaj çështjeje sa
më shpejt që të jetë e mundur...
A keni dhe ju të njëjtin
qëndrim dhe pse?
Jo vetëm për këtë arsye, por në
përgjithësi është mirë që Shkupi
zyrtar ka qëndrim pozitiv për sa i
përket planit të Presidentit Ahtisari.
Këtë e ka konfirmuar edhe Presidenti
i shtetit, Branko Cërvenkovski,
po edhe Kryeministri
Gruevski. Shënimi i vijës së kufirit
mes Kosovës dhe Maqedonisë
është një çështje që ky dokument
e trajton dhe e precizon dhe unë
nuk shoh asgjë të keqe. Po ashtu
mendoj se kjo është një ndërmarrje
teknike që duhet bërë mes autoriteteve
të Prishtinës dhe Beogradit,
por dua të shpjegoj një të
vërtetë që shumë kohë i është veshur
Bashkimit Demokratik për
Integrim, se gjoja ne gjatë kohës sa ishim në pushtet
kemi kryer këtë veprim.
E vërteta është se marrëveshja për demarkacionin
e vijës kufitare mes Kosovës dhe Maqedonisë është
bërë mes autoriteteve të Shkupit dhe Beogradit në
mandatin e qeverisë "Georgievski", d.m.th. në qeverinë
e koalicionit me Lubço Georgievski dhe Arbën Xhaferrit.
Aq më tepër, kjo marrëveshje është ratifikuar në
Parlamentin e Maqedonisë të përbërjes 1998-2002
dhe për kuriozitet, z. Hysni Shaqiri, deputet i PDSH-së
së asokohshme, nuk e ka mbështetur këtë dhe ka qenë
i përmbajtur në aktin e ratifikimit. Dua të theksoj se
çështja e kufirit mes dy shteteve, Kosovës dhe Maqedonisë,
është dhe duhet të jetë problem teknik dhe si
i tillë duhet të trajtohet.
Po ashtu, zyrtarët më të lartë të Maqedonisë
janë shprehur se nuk kanë asgjë kundër
pavarësisë së Kosovës, nëse vendos Këshilli
i Sigurimit të OKB-së. A e rrezikon Maqedoninë
një Kosovë e pavarur?
Edhe po të duan (fatmirësisht, po duket se nuk
duan) nuk mund të kenë kurrgjë kundër pavarësisë së
Kosovës, sepse shteti i ri në Ballkan jo vetëm që nuk do
të rrezikojë askënd, përfshirë këtu edhe Maqedoninë,
por përkundrazi do të jetë faktor stabiliteti, paqeje dhe
perspektive për gjithë rajonin. Autoritetet e Shkupit
nuk mund të jenë kundër pavarësisë së Kosovës edhe
për faktin se mbi 30% të numrit të gjithmbarshëm të
popullsisë së vendit janë shqiptarë dhe të gjithë janë
për Kosovën shtet sovran dhe të pavarur. Nuk mund
ta imagjinoj asnjë konjukturë politike që të mbajë qëndrim
të kundërt me vullnetin e një pjesë kaq të madhe
të qytetarëve. Në fakt, edhe mund të ketë, por ajo
atëherë nuk do të ishte demokratike dhe nuk do të
kishte asnjë shans të aspironte të anëtarësohet në
NATO dhe në BE. Fatmirësisht në Maqedoni dilema të
tilla nuk ka më.
Megjithatë, Maqedonia nuk është shprehur
publikisht se ç‘qëndrim do të mbajë nëse
puna arrin deri te shpallja e njëanshme e
pavarësisë nga ana e Kosovës, por lë të kuptojë
se do të pasojë qëndrimin e SHBA-së e
të BE-së. Sipas jush, do t‘u qëndrojë korrekte
Maqedonia këtyre deklaratave, apo edhe
mund të ndryshojë kursin ndaj kësaj çështjeje?
Nuk ma do mendja dhe nuk dëshiroj të mendoj se
mund të ndodhë diçka e tillë. Është edhe interes
strategjik i Maqedonisë të ketë një fqinj stabël, një shtet
demokratik, sepse përveç benefiteve të tjera në rrafshin
e sigurisë, do të ketë edhe favore të tjera në aspektin
e investimeve dhe klimës më atraktive dhe
joshëse për kapitalin e huaj. Tash për tash Maqedonia
këto nuk i ka dhe i duhen si drita e diellit.
Pak javë më parë ish-kryeministri maqedonas,
Lupço Gjergjevski, deklaroi që Dibra
e Madhe dhe Gostivari t‘i jepen Shqipërisë,
pasi janë qytete të pastra shqiptare, ndërsa
Shkupi dhe Struga t‘i mbeten Maqedonisë,
pasi atje vetëm gjysma e popullsisë, sipas tij,
është shqiptare. Si e komentoni këtë deklaratë?
Në fakt, ishte më dorëlirë, na e dha edhe Tetovën!
Teza bajate dhe demode. Nuk është hera e parë që janë
bërë kështu oferta. Këtë e kam refuzuar kur Lubço
Georgievski ishte Kryeministër, kur këtë ide e mbështeti
edhe Akademia e Shkencave të Maqedonisë (kryetari
i saj u prononcua publikisht) dhe unë isha komandant
i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare.
E refuzova kur prapa vetes kisha batalione e brigada
luftëtarësh që të merrnin gjak në vetull. Jo një herë e
kam përsëritur se iku koha e ndarjeve dhe e këmbimit
të territoreve. Perëndoi koha e zhvendosjes së popullsisë
këndej e andej asaj vije. Në selinë e Shtabit të
Përgjithshëm të UÇK-së më erdhën shqiptarë nga fshatrat
e Velesit, nga Manastiri e Prespa me lot ndër sy
e më kërkonin të mos i lija jashtë "territorit" shqiptar.
Idetë e ndarjeve më trishtojnë. Ashtu si e refuzoj me
indinjatë mundësinë e ndarjes së Kosovës apo të Mitrovicës,
po ashtu nuk jam pjesë e ideve të çoroditura si
ajo e Lubço Georgivskit.
Si e shikoni ju në të ardhmen e shtetit të
Kosovës në marrëdhëniet me Shqipërinë,
Maqedoninë (ku gati 30% është e banuar me
shqiptarë), Serbinë (ku ndodhet Lugina e
Preshevës e banuar me shqiptarë) dhe Malin
e Zi, ku gjithashtu jeton një numër i konsiderueshëm
shqiptarësh?
Në shtetet e dala nga ish-Jugosllavia pati lufta të
përgjakshme dhe viktima të panumërta. Afër 300 mijë
të vrarë nga të gjitha palët, përfshirë këtu edhe ne shqiptarët.
A nuk është koha të nxjerrim mësim dhe
hasmëritë e vjetra t‘i kthejmë në kultivimin e miqësisë
së mirë. Uroj të ndjekim shembullin e popujve të mëdhenj
të Evropës, të cilët në të kaluarën kanë pasur mes
tyre lufta të përgjakshme, po sot i kanë hequr kufijtë.
Të kujtojmë luftën franko-gjermane për Alzas-Lorenin,
ku janë shuar me mijëra e dhjetëra mijëra jetë nga
të dyja palët. Jo më larg se para një gjysmë shekulli
patëm një luftë të përbotshme. Gjermanët luftuan me
të gjithë dhe kundër të gjithëve. Të gjithë bashkë
paguan çmim të lartë, por sot jetojnë në një familje të
madhe të quajtur Bashkimi Evropian. Konkurrenca dhe
harmonia janë tiparet që karakterizojnë këtë realitet
të ri evropian, po edhe botëror. Pse edhe ne popujt e
vegjël të Ballkanit të mos e ndjekim këtë shembull të
ndritur? Zaten kjo është edhe perspektiva e vetme
jona.
Mendoni se faktori shqiptar në rajon duhet
të ketë një platformë veprimi në të
ardhme për integrimin e faktorit shqiptar në
rajon?
Mendoj se ndaj opinionin e shumicës së shqiptarëve
që ne si komb tashmë në shumë fusha dhe
në shumë rrafshe jemi integruar. Komunikimi i lirë i
informacioneve, njerëzve dhe ideve tashmë funksionon.
Integrimi shpirtëror nuk njeh urdhra dhe diktate,
ai është proces i natyrshëm, mjafton të mos ketë pengesa.
Uroj që këtë trend të ndjekim edhe në integrimet
tona rajonale dhe evropiane. Dhashë Zoti një ditë e
më parë të gjitha vendet tona të jenë pjesë e Evropës
së bashkuar!
Akademiku kosovar, Rexhep Qosja, në një
intervistë për gazetën "Shqip" është shprehur
se "një ditë bashkimi (i Kosovës me Shqipërinë)
do të ndodhë". Si e komentoni ju
këtë deklaratë?
Po. Jam shumë dakord me profesor Qosjan. Një ditë
shqiptarët do të bashkohen. Jo vetëm Kosova me Shqipërinë,
por edhe ne shqiptarët e Maqedonisë do të
bashkohemi me vëllezërit tanë të një gjuhe e të një
gjaku. Për këtë unë kam ëndërruar dhe kam punuar
gjatë gjithë jetës sime. Kam dhënë shumë prova dhe
shumë shembuj në shërbim të kësaj kauze. Fatmirësisht,
edhe zhvillimi i ngjarjeve dhe trendit botëror janë
në frymën e integrimeve dhe bashkimeve. Zaten unë
jam kryetar i një partie që për filozofi veprimi ka integrimin
dhe të gjithë ne, në një ditë jo shumë të largët,
pra të tri vendet tona: Shqipëria, Maqedonia dhe Kosova,
do të jemi pjesë e NATO-s dhe pjesë e Evropës së
bashkuar. Gjykoj se kjo do të jetë edhe përmbushja e
amanetit të të gjithë atyre që i kanë shërbyer idesë së
bashkimit, madje shumë edhe kanë rënë theror. Uroj
që sa më shpejt kjo dëshirë e kamotshme dhe ky gjakim
i amshueshëm të bëhet realitet.
Z. Ahmeti, si dhe sa i ndiqni zhvillimet në
Shqipëri? Ç‘vlerësim keni për to?
Jo që i ndjekim tash, po i kemi përcjellë të gjitha
zhvillimet në vazhdimësi. I gëzoheshim çdo të arriture
dhe na dhembte ndonjë dështim eventual. Ne shqiptarët
e matanë kufirit, Republikën e Shqipërisë e
kemi trajtuar si nënë dhe nëna duhet edhe kur është
mirë, po edhe nëse është keq. Edhe kur ka telashe,
njëlloj e duam. Vlerësoj se si djem të mirë që jemi ne
nuk i kemi nxjerrë asnjëherë telashe dhe nuk i kemi
bërë keq kurrë. Çdo veprim tonin e kemi vlerësuar
edhe nën prizmin e interesave të gjithmbarshme kombëtare.
Mendoj se këtë e kemi dëshmuar në gjithë
veprimtarinë tonë, qoftë ilegale, kryengritëse apo shtetërore
që kemi bërë.
Nëse do të bënim një krahasim për shkallën
e demokracisë midis Shqipërisë dhe
Maqedonisë, cila është në vend të parë?
Pa modesti, duhet ta pranoj se Shqipëria është
përpara në implementimin e standardeve demokratike.
Me vlerësim më të lartë kemi përcjellë, ta zëmë,
punën e mediumeve si atyre të shkruara, ashtu edhe
atyre elektronike gjatë aktiviteteve zgjedhore. Është
bërë një kërcim i madh cilësor përpara që shoqërinë
shqiptare e vë në një rrafsh me demokracitë më të
zhvilluara dhe më të përparuara. Edhe nëse ka pasur
shkelje apo anomale, ajo është bërë publike menjëherë.
Dhe kjo është një vlerë që duhet ruajtur, duhet
kultivuar dhe duhet avancuar. Unë ju përgëzoj
për këtë.
Në vizitën tuaj më të fundit në Tiranë u
takuat me drejtuesit e lartë të shtetit, Presidentin
Topi, Kryeministrin Berisha dhe
Kryeparlamentaren Topalli. Patët ndonjë
temë "të fshehtë" diskutimi me ta?
Jo vetëm në këtë vizitë, por në të gjitha takimet që
unë kam zhvilluar me zyrtarë të shtetit shqiptar, të cilitdo
nivel të kenë qenë ato, unë kam qenë i hapur, i
drejtpërdrejtë dhe krejt transparent. Në takimet me
Presidentin Topi, Kryeparlamentaren Topalli dhe me
Kryeministrin Berisha kemi folur për rrugën e Shqipërisë
dhe shqiptarëve drejt NATO-s dhe BE-së,
kemi pasur qëndrime të njëjta për sa i përket definimit
të statusit final të Kosovës dhe kemi afirmuar përcaktimin
tonë në favor të njohjes sa më të shpejtë të pavarësisë
së Kosovës, i kam informuar për fatin e implementimit
të Marrëveshjes së Ohrit dhe me kënaqësi
deklaroj se nuk kemi pasur dallime për këtë çështje me
rëndësi.
Shqipëria ka tashmë një President të ri. Si
e vlerësoni procesin e zgjedhjes së tij? Po figurën
e z. Bamir Topi?
Unë, Bashkimi Demokratik për Integrim dhe shqiptarët
e Maqedonisë e kemi përshëndetur zgjedhjen
e z. Topi si President i Shqipërisë. Kam thënë dhe po e
përsëris se fitoi Shqipëria, sepse përndryshe do të
kishim zgjedhje të parakohshme. Ndoshta përsëri do
të fitonte garën për President z. Bamir Topi, por do të
humbte Shqipëria. Kështu fituan të gjithë. Presidenti
Topi ka qenë figurë jo konfliktuoze, gjithmonë ka
kërkuar konsensus në mes palëve dhe gjithmonë ka
reflektuar pozitivisht. Shpresoj se këto tipare të tij do
të vijnë në shprehje edhe tani si President i vendit.
Po punën e qeverisë "Berisha" si e vlerësoni?
Ju lutem, gjithmonë ka mundësi që gjërat të ecin
më mirë. Po ashtu, gjithmonë ka vend për pakënaqësi,
por Shqipëria po ecën përpara. Dyert e NATO-s për
Shqipërinë janë më afër se kurrë dhe unë uroj që shteti
shqiptar të jetë ashtu siç e duam të gjithë ne, por në
mënyrë të veçantë ne shqiptarët e matanë kufirit; të
lulëzojë, "të bëhet zonjë"... siç i thonin qëmoti.
Ç‘marrëdhënie keni me partitë politike në
Shqipëri dhe me cilën keni marrëdhënie më
të ngushta, jo thjesht për shkak të orientimit
të njëjtë politik apo programit partiak?
Jam munduar të ndjek shembullin e shqiptarit
patriot. Të gjitha institucionet e shtetit shqiptar, përfshi
këtu edhe partitë politike, për ne janë të rëndësishme
dhe me të gjitha duhet të kultivojmë raporte të
bashkëpunimit të ndërsjellë. Me të gjithë, pa përjashtim,
kemi raporte korrekte. I çmoj dhe i respektoj. Dua
të theksoj se është në përgjegjësinë e dy partive më të
mëdha politike në Shqipëri, PD dhe PS, që të kenë tolerancë
dhe mirëkuptim për partitë tjera politike shqiptare,
si në Republikën e Shqipërisë, ashtu edhe jashtë
saj, qofshin ato në pushtet apo në opozitë. Dua të
theksoj se me sinqeritetin më të madh më është
përcjellë, ta zëmë, nga Fatos Nano kur ishte në pushtet,
po ashtu edhe nga z. Sali Berisha tani, se ne shqiptarët,
si të Maqedonisë, ashtu edhe të Kosovës,
bëjmë mirë që mbajmë kësi qëndrimi.
Që të mos jem demagog, më duhet të pranoj se si
pjesë e pushtuar e kombit që kemi qenë na ka rastisur
që shumicën e kontakteve ta kemi pasur me partitë në
pushtet dhe institucionet e shtetit, por sa herë që na
është dhënë mundësi i kemi takuar dhe konsultuar
edhe ato në opozitë, sepse ne vërtet u çliruam nga
djemtë tanë, por moralin na e dha Shqipëria. Këtë ne
nuk e harrojmë kurrë. Ne me këtë mburremi dhe jemi
mirënjohës përgjithmonë. G. Shqip
Shtuar më 08/10/2007, ora 18:19
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori