Alfat, "Al-kaida" e Nikolla GRUEVSKIT!!!
Pëlqej
Albeu.com
nga Hamdi NUHIJUNë kohët tona, zhvillimi i teknikës dhe teknologjisë, modernizimi i ushtrisë dhe forma të reja të imperializmit ndikuan mjaft në përhapjen e fobisë midis njerëzve nga fantazma të ndryshme por të realizuara me gjuhën e dhunës dhe tragjedisë. Shumë perandori në rruzullin tokësor, kishin krijuar mite dhe mitologji prej të cilave duheshte të mbrohej se rrezikohej qenia e tyre jetësore. Gjatë shekujve të fundit bota u nda në dysh! Fuqitë e mëdha të sotme që dikur ishin minoritare karshi perandorisë së "moralit", gjatë shekujve u ushqyen me mllef dhe urrejtje ndaj kësaj perandorie. Shfrytëzuan të gjitha mjetet e mundshme për zhdukjen e kësaj perandorie nga faqja e dheut. Përveç mjeteve ushtarake, ato shfrytëzuan në masë të madhe edhe mjetet e degradimit moral në shoqëri. Zaten përmes rrugës së mjeteve ushtarake ishte e pamundur që të rrëzohej ai gjigand i moralit në rruzullin tokësor. Pas rrëzimit të atij sistemi, rruzulli tokësor filloi që të kaloj në faza të ndryshme shoqërore. Filluan që të zhvillohen eksperimentet e para në zhdukjen e njerëzve dhe mbytjen e tyre në formën më mizore. Prej një sistemi e në tjetrin, bota përjetoi dy luftëra të mëdha botërore, dhe shumë të tjera në nivelin lokal. Por, fobia e kthimit të kësaj perandorie që dikur stabilizonte të katër anët e globit është ende prezente dhe mjaft kultivohet në Perëndim. Me 11 shtator të vitit 2001, diktuam kulmin e kësaj fobie e kultivuar ndër shekuj. Doli në skenë termi terrorizëm i cili ekziston qysh me prostitucionin zanatin më të vjetër. Askush nuk justifikon terrorin i cili u realizua ndaj atyre njerëzve të pafajshëm në SHBA. Por, pasojat e asaj tragjedie që është alibi për bërjen terror ndaj njerëzve ende sot e kësaj dite po i vuajnë shumë njerëz në Irak, Afganistan, Ceceni, Liban. Kam kuptuar se terrori nuk zhduket përmes terrorit. E di fortë mirë se nuk është reale që hartuesit e justifikimit të ndërhyrjeve të terrorit në Irak, Afganistan, Ceceni, Liban, Somali, nuk duhet të planifikonin një lojë e cila do të shëndërronte globin në një xhungël me kafshë që rrezikojnë jetën e njëri-tjetrit. Domosdo kjo frymë e cila u rritë dhe u shqye në rruzullin tokësor, dallgët e saj kapën edhe këtë vend të vogël me miliona probleme të quajtur Maqedoni. Nëse në botë ekziston ndarja ose përplasja midis civilizimeve të ndryshme, si i parasheh hartuesi i këtyre përplasjeve Hantington, në Maqedoni manipulohet në emër të këtyre përplasjeve për t`i larë hesapet me popullin i cili tradicionalisht ishte mbështetës i politikave turke në Ballkan ( shqiptarët).

Maqedonia kishte një konflikt të armatosur në vitin 2001, i cili konflikt erdhi si rezultat i politikave shoviniste të anës maqedone ndaj shqiptarëve të këtushëm. Të gjithë e dimë se për gjakun e derdhur të shqiptarit në 2001, sot po kalkulohet, manipulohet dhe nuk po arrihet ajo për të cilën është derdhur ai gjakë. Shqiptarët tradicionalisht në beteja ushtarake gjithmonë kanë qenë superior ndaj armikut. Por, humbja e tyre ka qenë me pasoja katastrofale në rrafshin diplomatik dhe politik. Kjo gjë u dëshmua edhe pas vitit 2001 në Maqedoni. Mund të pyesim lirisht se a ekziston terror institucional në emër të integrimeve evropiane në Maqedoni? Përgjigjen shumë thjeshtë mund ta gjeni tek plagët e qindra shqiptarëve të fituara në emër të lirisë dhe demokracisë prej qeverisë së Nikolla Gruevskit. Është e vërtet se të gjithë shqiptarët janë pro- integrimeve evropiane të Maqedonisë dhe se të ardhmen e këtij shteti e shohin vetëm aty. As një njeri i cili ka pak mend nuk mund që të çohet kundër politikave ekologjike të Nikolla Gruevskit për një Maqedoni të pastërt. Këto janë hapa mjaft pozitiv në krijimin e klimës evropiane në këtë shtet të vogël të Ballkanit. Por, hap pas hapi, ndryshim pas ndryshimi, duart e padukshme të politikës së maskuar shoviniste të Nikolla Gruevskit po arrijnë edhe deri tek gjokset dhe fytyrat e lënduara prej të rrahurave të shqiptarëve të pafajshëm nga ana e Alfave. Në Kumanovë është shëndërruar jeta në ferrë dhe në gjendje kritike prej hapave të ministreshës Gordana Jankullovska e cila në emër të gjetjes së kriminelëve që rrezikonin këtë shtet, pastroi shumë hesape edhe me shumë shqiptar të pafajshëm. Nuk jam kundër që Maqedonia të jetë një shtet institucional dhe ligjor ku rrespektohet në maksimum ligji. Por, jam kundër që në emër të kësaj shqiptarët e Kumanovës të pafajshëm të maltretohen dhe të rrahen nga ana e Alfave veçse në xhep nuk kanë me veti letërnjoftimet. Aplikimi i ligjit nuk do të thotë terrorizimi i shqiptarëve nga ana e Alfave! Më këto politika të Nikolla Gruevskit janë mësuar më shqiptarët e këtushëm, dhe maskimi i tyre shumë herët ka dalur në skenë. Ende sot e kësaj dite ke shqiptar të pafajshëm të fshatit Brodec që gjenden nën pranga veç pse Nikolla Gruevski duheshte që të gjejë një fobi për ekzistimin e këtij shteti. Ai, ndoshta e ndjenë veten një imperator i nivelit botëror që në emër të luftimit të terrorizmit të përdore terror institucional ndaj njerëzve të pafajshëm. E për hir të kësaj ai shfrytëzon këtë njësi speciale në terrorizimin e mbi 800000 shqiptarëve "terrorist" të Maqedonisë.
Shtuar më 16/11/2008, ora 23:23
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori