Reforma perverse për zgjedhjen e presindetit në Kosovë
nga Adri Nurellari
Të gjithë faktorët me ndikim në Kosovë, të brendshëm dhe të huaj, pajtohen se sfida kryesore e shtetit më të ri dhe më të varfër të Evropës është konsolidimi i institucioneve shtetërore, ndërkohë që po duket se një pjesë e mirë e po këtyre faktorëve janë duke u pajtuar në mënyrë të heshtur e të nënkuptuar për një ndryshim drastik institucional, që padyshim do të jetë një tërmet i vërtetë në strukturën institucionale të këtij shteti.

Kosova është duke iu futur një reforme radikale kushtetuese me një lehtësi dhe shkujdesje të jashtëzakonshme, që të tronditë për sa i përket papërgjegjshmërisë që po e karakterizon. Të gjithë faktorët me ndikim në Kosovë, të brendshëm dhe të huaj, pajtohen se sfida kryesore e shtetit më të ri dhe më të varfër të Evropës është konsolidimi i institucioneve shtetërore, ndërkohë që po duket se një pjesë e mirë e po këtyre faktorëve janë duke u pajtuar në mënyrë të heshtur e të nënkuptuar për një ndryshim drastik institucional, që padyshim do të jetë një tërmet i vërtetë në strukturën institucionale të këtij shteti.

Pra, një mungesë e theksuar inkoherence, që në fakt po përvijohet në dy forma, jo vetëm me ndryshimin rrënjësor të sistemit zgjedhor, por edhe me futjen e një sistemi pothuaj presidencial ose gjysmë presidencial, duke kërkuar që presidenti të zgjidhet nga populli dhe duke kërkuar ndryshimin e kompetencave të presidentit. Aq e dukshme është që këto dy ndryshime drastike institucionale po bëhen për interesat e ngushta e personale të disa liderëve të Kosovës, sa asnjë palë nuk ka marrë mundimin të shpjegojë qartazi e bindshëm se përse po ndërmerren këto reforma, por thjesht janë ndërtuar komisionet.

Mungon vetëm që këto komisione si pjesë të rekomandimeve të tyre të vendosin edhe inicialet, numrin e këpucës dhe shenjën zodiakale të individëve që do të kandidohen, sepse “reforma po qepet tamam si një kostum pas masës” së lojtarëve më në zë të lojës politike kosovare dhe jo si një përpjekje për të përmirësuar realitetin politik të vendit. Duket hapur që elita politike aktuale kosovare gradualisht po e humbet legjitimitetin në sytë e popullsisë kosovare dhe duke qenë se e ka të pamundur të mbajnë pushtetin me rregullat e lojës që i kanë sjellë në pushtet, atëherë janë duke i ndryshuar rregullat e lojës si t'u leverdisë më mirë për mbijetesën e tyre politike, duke minimizuar në kulm hapësirën për garë politike dhe rifreskim të elitave politike me prurje të reja.

Nëse presidenti zgjidhet nga populli kuptohet që atij do i shtohen kompetencat, duke ndryshuar si me efekt domino të gjitha institucionet e tjera të Kosovës nga pak dhe duke rikonfiguruar jetën politike të Kosovës. Me pak fjalë nënkuptohet hedhja në kosh të plehrave të të gjithë përvojës dhjetëvjeçare të demokracisë së brishtë kosovare dhe nisja nga e para me koniunkturë të re institucionale, duke i trajtuar institucionet kushtetuese si të ishin filtra vaji të një makine që duhen ndërruar pas një numri të caktuar kilometrash. Studime të shumta tregojnë që sistemet qeverisëse presidenciale në përgjithësi rastisin të jenë më autoritare sesa republikat parlamentare (mjafton të shihet Amerika Latine dhe republikat ish-sovjetike) dhe më shumë autoritarizëm është e fundit gjë që i leverdis Kosovës.

Mundësia për të hequr apo vënë para përgjegjësisë një president është shumë më e kufizuar sesa me Kryeministrin, të cilin mund ta rrëzojë nga pushteti një ndryshim i lehtë i balancave të Parlamentit e brenda një legjislature mund të ketë disa kryeministra.

Presidenti, nëse zgjidhet nga populli e merr mandatin disavjeçar të plotë e të pakontrollueshëm nga Parlamenti, që do të thotë se nëse më shumë pushtet kalohet në dorën e presidentit, atëherë mundësia për ta mbajtur nën kontroll apo për të ndëshkuar abuzimet e bëra me këtë njësi pushteti të transferuar nga ekzekutivi te presidenti, minimizohet në maksimum. Një president e ndërpret mandatin e tij vetëm me procedura të impeachment, që lidhen me shkelje të rënda të Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi, si dhe me pamundësitë shëndetësore për të vijuar mandatin, ndërkohë që një kryeministër mund të hiqet qafe më lehtë nëse abuzon skajshëm me pushtetin.

Duke pasur parasysh klimën konfliktuale politike në vend, nevojën për institucione efikase e të pavarura dhe sfidat e mëdha që ka përballë Kosova, mund të thuhet me gojën plot që Kosovës i nevojitet një president sa më konsensual e sa më pak partiak. Vetëm një president i tillë do të mund që të përfaqësojë sa më denjësisht shtetin kosovar, të shërbejë si urë lidhëse apo arbitër sipër palëve, të merret me interesin e madh të vendit në kushtet kur shumica e aktorëve mendojnë vetëm për interesat partiake ose personale, do të mund të shërbejë si garant për institucionet e pavarura të drejtësisë e sigurisë. Përpos kësaj është e nevojshme që në Kosovë të lihen të hapura shtigje e hapësira karriere e rolesh publike për ata individë, kuadro e personalitete që duan të qëndrojnë të pavarur. Duke pasur një post presidenti sa më të pavarur e konsensual jepet një mesazh për shumë qytetarë që pavarësia mund të shpërblehet jo vetëm me poste në akademi apo drejtësi, por edhe me postin më simbolik e domethënës të shtetit, atë të presidentit. Deri më sot, i vetmi sinjal që është dhënë në Kosovë është që vetëm kur je pjesë e një partie ke mundësi të bësh karrierë.

Është naive të mendohet që presidenti që do të zgjidhet nga populli do të jetë më jopartiak e përfaqësues i interesave të gjera. Zgjedhjet presidenciale padyshim që do të kërkojnë fushatë elektorale që janë atribut kryesor i partive politike dhe kandidati, sipas të gjitha gjasave, ka për të qenë partiak, pra një figurë aktive politike me përvojë, që të mund të mobilizojë votuesit, të përcjellë mesazhe politike dhe të administrojë një kampanjë të mirëfilltë. Në rastet kur presidenti është figurë dytësore, pra diçka gjysmë presidenciale si Maqedonia, zakonisht pjesëmarrja në votim është 10-15% më e ulët se ajo në zgjedhjet parlamentare.

Përpos kësaj duhet pasur parasysh që edhe pse pretendohet që të marrë legjitimitetin nga populli, presidenti i zgjedhur do të jetë një figurë e kontestuar nga vetë gara dhe do të zgjidhet me një përqindje shumë të vogël të votuesve, sikurse ndodh me vendet fqinje të Kosovës, Serbi e Maqedoni, ku presidenti merr më pak se 30% të votave. Kuptohet që me këtë përqindje ka për të shkuar në raundin e dytë, mirëpo pjesëmarrja në votim në raundin e dytë do të jetë edhe më e ulët, sikurse ndodh rëndom, pasi votuesit që kishin votuar për kandidatin e skualifikuar nuk dalin më në votim dhe ngelet që presidenti zakonisht zgjidhet me rreth çerekun e votuesve. Me pak fjalë presidenti që projektohet të ketë Kosova do të jetë shumë partiak dhe do të marrë postin me një përqindje të vogël të qytetarëve.

Ka zëra që thonë se zgjedhja nga populli e një presidenti më të fuqishëm se aktuali mund të shërbejë si baraspeshë e ekzekutivit, sepse mund të ndodhë që ta zëmë në zgjedhjet presidenciale dy vjet pas atyre parlamentare, presidenti të vijë nga një parti opozitare dhe kjo situatë quhet cohabitation ose bashkëjetesë. Në fakt ky është një eventualitet goxha i rrallë për vende gjysmë-presidenciale si Franca, ku ka ndodhur tri herë (Miteran-Shirak, Miteran-Baladyr dhe Miteran-Zhospen). Zakonisht ndodh e kundërta, e njëjta parti që fiton zgjedhjet parlamentare me shumë gjasa merr edhe presidentin, duke e blinduar kështu akoma më tepër centralizimin e pushtetit politik në pak duar. Kjo gjë është veçanërisht e mundshme në vendet me demokraci të pa-konsoliduar si Kosova, ku të pasurit e pushtetit shfrytëzohen për të siguruar vota nëpërmjet investimeve elektorale, presioneve politike dhe ekonomike nëpërmjet gjobave, angazhimit të burimeve materiale shtetërore dhe administratës së politizuar, punësimeve të politizuara e formave të shumta të panumërta, me anën e të cilave pushtetarët përpiqen të ndikojnë rezultatin zgjedhor duke abuzuar me pushtetin.

Kur flitet për një president të zgjedhur nga populli, duhet pasur parasysh sa problematik është edhe vetë fakti që po propozohet që Kosova të ketë një palë zgjedhje të treta, ato presidenciale, përtej ekzistuese që janë vendore e parlamentare. Dihet mirë që gjatë fushatës zgjedhore administrata në Kosovë shkrehet fare, vihet të punojë në fushatë duke përkeqësuar ndjeshëm shërbimin publik, debati politik dominohet nga ligjërimi elektoral dhe përballja e kandidatëve duke eklipsuar problemet e tjera të rëndësishme të vendit. Pra, me tre palë zgjedhje që, siç e do udha, do të mbahen në periudha të ndryshme, Kosova do të jetë gjithnjë e agjituar prej fushatave dhe i bie që vështirë se do të kihet mjaftueshëm periudhë stabile politike, gjatë së cilës të hartohen politika të mirëfillta, të hartohen e të vihen në jetë reforma dhe të administrohet siç duhet shteti.

Kosova në fakt ka nevojë për të kundërtën, ka vuajtur nga pasja e presidentëve të politizuar, të cilët duke qenë se kanë qenë kryekëput partiakë e kanë bërë jofunksional rolin e kryetarit të shtetit dhe kanë ndjekur një agjendë partiake e jo shtetërore në kryerjen e detyrës. Zgjedhja e presidentit është shndërruar në një banalitet pazaresh me interesa të ngushta e meskine duke e diskredituar dhe zhvleftësuar rëndësinë që ka ky post në konstelacionin institucional të Kosovës.

Po ashtu ka vuajtur nga vështirësia me të cilën mund të hiqen presidentët abuzivë dhe nëse do të duhej të bëhej diçka do të ishte më mirë të thjeshtëzohej procedura e impeachment e jo sajimi i një presidenti të zgjedhur nga populli, që më pas do të kishte mandat të zgjeruar dhe çimentuar.

Që presidenti i Kosovës të mund të luajë rolin që i takon në përfaqësimin simbolik të interesave dhe unitetit të shtetit, në garantimin e respektimit dhe zbatimit të Kushtetutës, në kryesimin e forcave të armatosura dhe garantimin e pavarësisë të sistemit të drejtësisë ai duhet të jetë sa më konsensual dhe të gëzojë një mbështetje sa më të gjerë. Prandaj më e mira e mundshme sot për Kosovën nuk është që ndryshimin e Kushtetutës ta bëjë jo që presidenti të zgjidhet drejtpërdrejt, por ta bëjë atë të zgjedhur vetëm nga një shumicë e cilësuar e Parlamentit, duke e detyruar shumicën që të heqë dorë nga arroganca e pushtetit për të zgjedhur një president në bashkëpunim me opozitën, përndryshe vendi çohet në zgjedhje të parakohshme.

Kjo ka qenë edhe logjika që ka mbizotëruar deri në 2008-n në Shqipëri, që palët të hiqnin dorë nga konfliktualiteti i skajshëm që të detyroheshin të uleshin në tryezë bashkëpunimi për të gjetur një president të përbashkët dhe në fakt presidenti më dinjitoz dhe efikas i historisë së demokracisë së Shqipërisë ngelet Alfred Moisiu, i zgjedhur pikërisht me këtë mënyrë. /express/
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga ky opinionist
 
Tifozët Kuqezi në ndeshjen Shqipëri-Spanjë. Foto: Nderim Kaçeli/Albeu.com

Tifozët Kuqezi në ndeshjen Shqipëri-Spanjë. Foto: Nderim Kaçeli/Albeu.com