Mundësitë e ekonomisë Hallall
nga Adri Nurellari
Ndër vendet ku më dendur kam nisur që të bëj pazar në Londër janë dyqanet Hallall që gjenden me shumicë anembanë qytetit më kozmopolitan të botës. Këtë e bëj jo vetëm prej çmimeve që i kanë më të lira, ndërkohë që përmasat e produkteve në shitje janë më të mëdha sesa ekuivalentet që shiten në dyqanet apo supermarketet e tjera, por sepse në to gjenden ushqime cilësore mesdhetare që përputhen me shijet me të cilat ne shqiptarët jemi rritur. Këto elemente kanë bërë që këto dyqane të kenë një pjesë të mirë të klientelës angleze tipike që s’futet në këto dyqane për qëllime fetare. Një ndër gjërat që më së shumti më kanë lënë përshtypje në këto dyqane është se aty gjen havjar, pinxhur dhe salsiçe të prodhuara nga shqiptarët e Maqedonisë perëndimore, si dhe suxhuk e mish të tjerrur kosovar.

Tregu ushqimor Hallall ka kapërcyer vlerën 650 miliardë dollarë duke qenë se pothuaj një e pesta e popullsisë së rruzullit tokësor i përket kësaj feje. S’ka ekonomi bujqësore që nuk ka kthyer sytë për t’u futur në këtë treg, duke pasur parasysh që zgjerohet në mënyrë galopante falë rritjes natyrore të kësaj popullsie, si dhe si pasojë e pasurimit të ndjeshëm e rritjes së fuqisë blerëse të kësaj pjese të botës. Ushqimi në vetvete është shndërruar në një mall që vetëm po i rritet çmimi e jo më kot pak vite më parë FAO u mobilizua për të nxitur prodhimin bujqësor nëpër botë, në mënyrë që çmimet të mos rriteshin me ritmin e tanishëm.

Në vitet e tranzicionit fatkeqësisht shqiptarët e Shqipërisë e kanë pasur kompleks të theksuar përkatësinë fetare myslimane. Në kuadër të shumë komplekseve të inferioritetit që ishin si epidemi pas rënies së komunizmit, u vu re një prirje për "t’u arratisur nga lindja", që u manifestua me ndryshime emrash, përqafimi i gjithfarë sekti të çuditshëm që vinte nga perëndimorët apo mohimi i origjinës myslimane, duke thënë që më para kemi qenë kristianë, por na ndruan me zor ose duke deklaruar se shqiptarët formalisht kanë qenë quajtur myslimanë, sepse asnjëherë s’kanë qenë besimtarë të zellshëm. Gjithë kësaj islamofobie i hodhën akoma më shumë benzinë disa intelektualë të pareformuar të privilegjuar gjatë komunizmit, të cilët duke qenë se nuk ishin ndërgjegjësuar për humbëtirën komuniste dhe nuk ishin penduar për lidhjet apo përgjegjësitë e tyre personale, krijuan modën e sharjes së të kaluarës së largët otomane për të amnistuar të kaluarën e afërt të komunizmit. Tanimë që gjullurdia e tranzicionit po fashitet e po ashtu edhe gjendja e shqiptarëve është përmirësuar relativisht ndjeshëm, janë rritur brezat e rinj që nuk e kanë përjetuar poshtërimin e komunizmit dhe fillim-tranzicionit, kompleksi i inferioritetit është duke rënë e shqiptarët po ndihen më mirë me veten dhe të kaluarën e tyre.

Në këtë rast, trashëgimia shqiptaro-islame nuk duhet parë më si barrë, por si aset duke imituar atë që është duke bërë Turqia, e cila duke theksuar trashëgiminë e së kaluarës po fiton më shumë autoritet ndërkombëtar dhe tregje të reja. Në aspektin bujqësor kuptohet që potenciali ynë nuk është i krahasueshëm me shumë vende të tjera të mëdha mirëpo ne fare mirë mund të specializohemi në dy lloj prodhimesh bujqësore të mirë-targetuara. Nga njëra anë në ushqime bio meqë janë bërë gjithnjë e më shumë në modë në Perëndim dhe, nga ana tjetër, ne mund të krijojmë një brand apo reputacion tonin në nivel ndërkombëtar në ushqime Hallall.

Qasja e re ndaj islamit dhe botës islamike në mënyrë më pragmatike dhe vizionare duhet të ketë në vëmendje jo vetëm dimensionin ekonomik, por edhe atë gjeopolitik. Prandaj është e nevojshme që vendi ynë të luajë një rol më aktiv në konferencën islamike, sepse kështu marrim peshë ndërkombëtare, mbrojmë më mirë interesat tona kombëtare, bëhemi urë komunikuese mes Lindjes dhe Perëndimit dhe shndërrohemi në aleatë më të dobishëm për NATO-n dhe vetë SHBA-në, duke mbrojtur interesat dhe vlerat e aleancës në forumet e ndryshme me vendet me shumicë islame.

Këto lidhje mund të përdoren për të forcuar marrëdhëniet ekonomike me këto vende që po gëzojnë një rritje të madhe ekonomike në dekadat e fundit. Përpos kësaj, revolucioni jasemin po ndryshon sistemin qeverisës të shumë prej këtyre vendeve, duke e bërë më dinjitoze dhe të pranueshme marrëdhënien me ta. Këto përmbysje shpejt do të rezultojnë në begatinë dhe çlirimin e potencialit ekonomik dhe demokratik të këtyre vendeve dhe rritjen e peshës së tyre ekonomike në tregjet botërore. Po ashtu, fakti që po demokratizohen me valën e fundit e bën më dinjitoze dhe të pranueshme marrëdhënien me këto shtete.

Por këtu nuk bëhet fjalë vetëm për forcimin e pozitës sonë ndërkombëtare dhe futjen në një treg shumë fitimprurës të ushqimit. Potenciali qëndron edhe në thithjen e turistëve nga vendet në fjalë, duke aplikuar atë që sot quhet turizmi Hallall e që konsiston në ofrimin e kushteve specifike për ushqim, intimitet dhe praktikimin e fesë. Ky treg gjithashtu po rritet rrufeshëm me dhjetëra miliarda në vit. Shqipëria, përveç natyrës së pasur ka shumë ç’të ofrojë edhe në aspektin kulturor e sidomos kur bëhet fjalë për trashëgiminë islame, duke pasur parasysh gjysmë mijëvjeçari islam dhe praninë e shumë sekteve. Arkitektura islamike është e spikatur në Shqipëri me dy qytete të stilit otoman, që janë në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s e me dhjetëra monumente. Për t’u theksuar është fakti që Shqipëria ka qenë atdheu i disa prej arkitektëve kryesorë të Perandorisë Otomane e mbarë botës islame, si Sinani e Kasëmi.

Përveç thithjes së turizmit Hallall mund të shfrytëzohet e kaluara jonë edhe për të thithur investitorë myslimanë. Komoditeti i të qenët në një vend ku ka traditë, praktikohet e vlerësohet islami, mund të thithte biznese e tregtarë të botës islame, sikurse ka ndodhur me Dubain e Stambollin. Kështu vepron edhe Londra, e cila bën çmos për ta portretizuar veten si oaz për biznesmenë të racave, feve e kombeve, duke ruajtur pozicionin e saj si qendër globale e tregtisë dhe financës. Afërsia jonë me tregun më të madh në botë dhe eventualisht integrimi ynë aty, do të bëjë që të shndërrohemi në shumë atraktivë për afaristët që vijnë prej botës islame.

Përveç sipërmarrësve tanë që duhet ta nuhasin potencialin e madh që fshihet pas tregut ushqimor edhe turistik Hallall, në eksplorimin e këtij potenciali ka hapësirë të madhe veprimi edhe për shtetin. Ky i fundit mund të përpiqet të forcojë lidhjet me këtë pjesë të botës duke hapur qendra universitare për studimin dhe mësimin e gjuhës të kombeve që kanë popullsi të madhe myslimane, duke u përpjekur që ambasadat tona në këto vende të shtohen, zgjerohen, të rrisin veprimtarinë e tyre; duke përdorur politika favorizuese vizash; duke organizuar sa më shumë vizita delegacionesh shqiptare; duke marrë nisma që të restaurohen e nxirren në pah monumentet me ndikim oriental; duke bërë çmos të çohen sa më shumë shqiptarë me studime në këto vende dhe të sigurohen bursa për studentët e këtyre vendeve që të studiojnë në Shqipëri apo duke siguruar parë të buxhetit që të organizohen fushata promovimi të turizmit tonë në këto shtete.
(Gazeta Shqip)
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga ky opinionist
 
Një avion i linjave egjiptiane ka kryer ulje të detyruar në aeroportin e Larnakes në Qipro, në orën 8:46. 

Ai ka liruar te gjithe pasagjeret, por jo ekuipazhin e avionit

Një avion i linjave egjiptiane ka kryer ulje të detyruar në aeroportin e Larnakes në Qipro, në orën 8:46. Ai ka liruar te gjithe pasagjeret, por jo ekuipazhin e avionit