A mundet Europa te nxjerre nje Obama?
Pëlqej
Albeu.com
nga Steven ErlangerNë euforinë e përgjithshme të zgjedhjes së Barak Obamës, duket qartë edhe nisja e një vetëreflektimi lidhur me problemet e Europës për sa i përket integrimit racial.
Shumë pyesin veten tashmë nëse do të mund të ketë edhe një Obama francez, gjerman apo italian dhe gjithkush e di pothuajse se përgjigja është jo, të paktën për momentin.Për shumë emigrantë në Europë, fitorja e Obamës është një revolucion i vogël drejt trajtimit më të mirë të minoriteteve. Obama është një figurë e jashtëzakonshme edhe në SHBA, një vend me emigrantë dhe me një histori të gjatë dhe të ndërlikuar të problemeve racore, që të kthen mbrapa deri te luftërat indiane dhe tregtia e skllevërve, që shkaktoi një luftë të përgjakshme civile. Shumë vende europiane kanë qenë monoetnike deri në periudhën postkoloniale. Britania ka qenë e tillë deri në mesin e shekullit të 20-të e madje edhe sot nuk ka një klasë të mesme me ngjyrë të shquar, ndërsa emigrantët francezë vijnë nga të gjitha kolonitë në Afrikën e Veriut si Algjeria, Maroku dhe Tunizia apo Afrika e Zezë si Mali, Senegali dhe Bregu i Fildishtë. Matur nga përfaqësimi politik i minoriteteve, SHBA dhe Europa kanë ende mungesa, edhe pse fitorja e Obamës vuri në dukje se Europa është larg SHBA-së në këtë drejtim. Obama ishte senatori i vetëm me ngjyrë në SHBA dhe nëse ai nuk zëvendësohet me një tjetër afroamerikan, senati amerikan nuk do të ketë një tjetër të tillë. Dhoma e përfaqësuesve ka 39 përfaqësues me ngjyrë. Tani emigrantët në Europa duan që ëndrra e tyre për përfaqësim të bëhet realitet gjithashtu. Ministri francez i Mbrojtjes, Hervé Morin, tha se fitorja e Obamës ishte një mësim për demokracinë franceze që është e vonuar në adoptimin e integrimit.
“Në këto zgjedhje, amerikanët nuk zgjodhën vetëm presidentin por edhe identitetin e tyre”, - thotë Dominique Moïsi, një analist politik francez. “Sa i përket identitetit në Francë, ai është ndër më sfiduesit. Ne e kemi kuptuar se jemi vonë dhe se amerikani ka fituar trofeun e një revolucioni moral. Në Itali, Jean-Léonard Touadi, i vetmi anëtar me ngjyrë i parlamentit e konsideron fitoren e Obamës si një nxitje të madhe dhe konkrete për shoqërinë europiane dhe politikën gjithashtu”. Touadi thotë se Obama jep shpresën se një ditë e njëjta gjë do të ndodhë edhe në Europë. Në Britani ka ende skepticizëm. Trevor Phillips, kryetari me ngjyrë i komisionit për barazinë dhe të drejtat e njeriut, thotë se sistemi politik i ka mbajtur emigrantët mënjanë, larg integrimit. “Nëse Barak Obama do të jetonte këtu, do të çuditesha nëse ai do të arrinte të thyente paragjykimet tradicionale”, - thotë ai. Britania ka disa ministra që vijnë nga radhët e minoriteteve, por vetëm 15 parlamentarë me ngjyrë në Dhomën e Komuneve. Në Britani, madje as nuk mund të mbash një fjalim të shkëlqyer dhe të biesh në sy në mënyrën që ndodhi me Barak Obamën”, - thotë Sadiq Khan, ministër i Punës. Gjermania është një rast i ndryshëm krejt, pasi ajo ka një popullsi të madhe emigratore që ka ardhur nga Turqia në vitet 1960-1970. Emigrantët edhe pse arrijnë në 800.000 gjithsej, nuk kanë shumë përfaqësim në Gjermaninë që ka vetëm 5 përfaqësues të tyre në parlamentin me 613 vende. Edhe Cem Ozdemir, politikani më i njohur turk në këtë vend, ka pasur probleme me regjistrimin në listat e Partisë së Gjelbër, para zgjedhjeve parlamentare, kryesisht për shkak të kundërshtimeve të brendshme ndaj rolit të tij në drejtimin e partisë. Ndërsa Franca, edhe pse ka kaq shumë emigrantë dhe popullatën më të madhe turke në Europë, ka një debat shumë të ndërlikuar lidhur me këtë. Në manifestin e fundit të emigrantëve theksohej se zgjedhja e Obamës vë në dukje kontrastin mes republikës franceze dhe një vendi ku qytetarët dinë të tejkalojnë problemet racore”. Ai fitoi respektin e bashkëshortes së presidentit Nikolas Sarkozi, Karla Bruni, e cila tha se shpresonte që efekti ‘Obama’ të ridimensiononte edhe shoqërinë franceze. Sidoqoftë, analistët theksojnë se suksesi i Obamës ishte i bazuar në rritjen, edukimin dhe suksesin e integrimit në një shoqëri më të madhe që artikulon vlerat e saj. Nga kjo pikëpamje, ai është një model që duhet ndjekur nga emigrantët, edhe pse ata duhet të japin provat e tyre në këtë drejtim.

“International Herald Tribune”
Shtuar më 14/11/2008, ora 20:12
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori