A mund ta humbasë Amerika Turqinë?
Albeu.com
nga Hajro LimajËshtë një periudhë, e cila në ambientet zyrtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe në institucionet studimore të saj është shtruar për përgjigje pyetja: “A po e humbasim Turqinë si një mike dhe aleate historike’’?Në fakt, ky diskutim ka filluar që mbas vendimit të Kuvendit të Madh të Turqisë të datës 03 mars 2003,vendim i cili nuk i dha leje SHBA-së për kalimin e trupave ushtarake nëpërmjet territorit të Turqisë për të sulmuar Irakun. Pastaj vazhduan me mosmarrëveshjet për qëndrimin e Amerikës ndaj problemit të Irakut të Veriut, me afrimin në rritje të Turqisë me Iranin dhe Sirinë, të cilat u kthyen në qëndrime kritike të medias turke ndaj politikës amerikane në Irak dhe në rajonin e Lindjes së Mesme .

Tani,mbas miratimit, me 27 pro dhe 21 kundër, të projekt vendimit nga Komiteti Punëve të Jashtme të Përfaqësuesve të SHBA-së për gjenocidin armen, kjo pyetje, të cilën ja parashtronin vetë vetes amerikanët, ka fituar plotësisht rendin e ditës. Turqia, e cila i ka prerë shpresat nga mbështetja aktive e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, veçanërisht për problemet e Irakut të Veriut, aktualisht është përgatitur seriozisht për një operacion ushtarak përtej kufijve të saj ....

Shtetet e Bashkuara të Amerikës me Turqinë në këtë periudhë ndodhen me të vërtetë përballë njëra-tjetrës në dy fronte:

Njëri është fronti Armenisë për arsye të “lëvizjes” që u bë në Kongres ...Ndërsa tjetri është fronti i Irakut të Veriut për arsye “të mos lëvizjes” të administratës së Bushit ...

Në fakt këto janë dy probleme të ndryshme nga njëra-tjetra. Por përballja në të njëjtën kohë, si përfundim ka krijuar një lidhje të plotë midis tyre. Fronti i parë.

Vendimi që doli nga Komiteti në lidhje me gjenocidin armen, pa dyshim do të shkojë së afërmi në këshillin e përgjithshëm të Kuvendit.

Kryetari i Kuvendit, Nancy Pelosi, është i vendosur ta miratojë në Këshillin e Përgjithshëm vendimin. Administrata e Bushit në vitin 2005, mundi të parandalonte me mbështetjen e kryetarit të Kuvendit Republikan të asaj kohe sjelljen e një vendimi të ngjashëm në Këshillin e Përgjithshëm të Kuvendit të miratuar nga Komiteti.

Administrata e Bushit do të punojë ta pengojë këtë përsëri me fuqinë që ka. Edhe Turqia do të luajë “kartën strategjike” dhe do të punojë të influencojë Kuvendin duke i dhënë disa sinjale reale se çfarë do të bëjë në të ardhmen. Megjithë këtë, në qoftë se Kuvendi i Përfaqësuesve do ta miratoje vendimin, nuk do t’i ngelet rrugë tjetër që të tregojë “forcën strategjike të Turqisë”. Çdo hap që do të hidhet nga barazia e përgjigjeve reciproke, nuk do të ngelet vetëm në goditjet rëndë të bashkëpunimit politik dhe ushtarak, në të njëjtën kohë Turqia do të mund të prishë të gjitha dëshirat e bashkëpunimit dhe të sigurisë që ka me Amerikën.

Në qoftë se kësaj i shtojmë edhe “frontin e dytë”, pra në qoftë se SHBA-ja do të vazhdojë si në të kaluarën qëndrimin në lidhje me Irakun e Veriut dhe për më tepër do të dalë kundër një operacioni ushtarak të Turqisë, jashtë kufijve të saj, në territorin e Irakut të Veriut, atëherë Turqia do ta vlerësojë “të humbur Amerikën si një mike dhe aleate” ...

Fronti i dytë

Administrata e Bushit deri tani, ashtu si në politikën e përgjithshme të Irakut, edhe në politikën e luftës kundër terrorizmit të Partisë Komuniste kurde në Irakun e Veriut është e pasuksesshme. Në fakt, Turqia është e pakënaqur sepse Uashingtoni përveç retorikës nuk ka vepruar për shkatërrimin e terrorizmit në fjalë që vepron kundër Turqisë. Tani Turqia është e vendosur ta marrë këtë detyrë në dorë dhe t’i jap zgjidhje vetë. Projektvendimi për të ndërhyrë ushtarakisht në Irakun e Veriut ku janë strehuar mbi 3000 terroristë aktualisht është në Kuvendin e Madh të Turqisë. Por duhet të nënvizohet se Turqia për të pastruar terrorizmin që ushqehet dhe dislokohet në Irakun e Veriut operacione të tilla jashtë kufirit ka organizuar mbi 24 herë. Është detyruar ta bëjë këtë mbasi prej vitit 1984 e deri tani nga këta terroristë janë vrarë mbi 35 mijë qytetarë Turq, midis të cilëve shume ushtarakë. Në këto rrethana, a është e mundur që administrata e Bushit të kalojë në lëvizje kundër organizatës së Partisë Komuniste në Irakun e Veriut dhe të bashkëpunojë me Turqinë në këtë fushë? Hapat e vërtetë që do të hedhë Amerika në këtë drejtim për këtë periudhë kritike që kanë hyrë marrëdhëniet, do të tregojnë nëse është apo jo pranë Turqisë. Ankaraja për këto zhvillime ka tërhequr nga Amerika “për diskutime” ambasadorin e saj. Opozita ka kërkuar mbylljen e bazës ajrore ushtarake amerikane të Inxhilikut, nga e cila Amerika kryen detyrat e furnizimit të ushtrisë së saj në Irak. Vrasja e shumë ushtarëve dhe qytetarëve turq ditët e fundit nga organizata terroriste që strehohet në Irakun e Veriut e ka kthyer shumicën e popullsisë turke kundër politikës amerikane. Dhe kundër saj është e gjithë mas media turke. Prandaj, në qoftë se Amerika në të dy këto fronte lëviz kundër Turqisë ose e ofendon me moslëvizshmërinë e saj, amerikanët në vend të pyetjes “A e kemi humbur Turqinë” do të detyrohen të hapin diskutimin e pyetjes “përse e humbëm Turqinë”. Për të shmangur në një farë mase këtë, së afërmi pritet që Kryeministri i Turqisë, Erdogan të ftohet për vizitë zyrtare nga Presidenti Bush në Amerikë. Megjithatë, buka është thyer. Në Lindjen e Mesme përplasen politika dhe interesa të kundërta.

* Atashe Ushtarak në Republikën e Turqisë (1994-2000)
Shtuar më 17/10/2007, ora 23:12
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori