A ka Shqipëria Ministri të Jashtme?
Albeu.com
Zhvillimet në Kosovë po marrin një rrjedhë të paparashikuar, gati të frikshme. Që prej dy vjetësh, vendimi për statusin përfundimtar po shtyhet në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.Të gjitha shenjat tregojnë se as raundi 120-ditor i negociatave që po nisin nën drejtimin e Treshes së ngritur nga Grupi i Kontaktit, nuk japin asnjë rezultat.
Prishtina dhe Beogradi janë në qëndrime të palëkundura. Shqiptarët këmbëngulin se nuk kanë se çfarë të lëshojnë më përtej koncesioneve që bënë duke pranuar paketën Ahtisaari. Ndërkohë serbët, të inkurajuar nga marrëdhëniet e tendosura ruso-amerikane, besojnë se vetoja e Moskës kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës nga OKB-ja mund të jetë si një kamerdare shpëtimi që u hidhet në çast të fundit.
Shumë vetë besonin se pak muaj më parë, njohja e pavarësisë së Kosovës në Këshillin e Sigurimit do ishte një formalitet. Por, moskalimi i disa rezolutave rresht, të cilat kishin si bazë planin Ahtissari, dhe kthimi sërish i çështjes tek Grupi i Kontaktit, e ka kthyer procesin sërish në pikën e vdekur. Tashmë, askush nuk e ka të qartë se çfarë do propozojë treshja e drejtuar nga gjermani Ishinger në 10 dhjetor, para Këshillit të Sigurimit.
Tre muajt e fundit kanë qenë përcaktues. Gjatë gjithë kësaj periudhe, Beogradi ndërmori një ofensivë të vërtetë diplomatike. Presidenti, kryeministri dhe ministri i Jashtëm zhvilluan një tur në të gjitha kancelaritë e vendeve më të fuqishme të botës. Zhvilluan dhjetëra takime që nga Zvicra deri në Departamentin e Shtetit. Për të mos përmendur më pas intensitetin e jashtëzakonshëm të deklaratave për opinionin publik. Gjatë gjithë këtij harku kohor, reagimi i Tiranës ka qenë totalisht asimetrik. Asnjë prej zyrtarëve që përfaqëson vendin në marrëdhëniet ndërkombëtare nuk ka zhvilluar një vizitë zyrtare, me përjashtim të një udhëtimi pa asnjë impakt të ministrit të Jashtëm në Spanjë. Dy mund të jenë arsyet e këtij pasiviteti ulëritës të Tiranës. Gjatë këtij harku kohor, politika shqiptare duhet të zgjidhte presidentin e republikës, ndërsa shkaku i dytë mund të jetë kompleksi "për të qenë faktor stabiliteti në Ballkan". Të dyja këto shkaqe kanë në themel paaftësinë totale. Është e paimagjinueshme heshtja totale e ministrit të Jashtëm, për lajmet më të fundit që vijnë nga Kosova. Një heshtje që po zgjat javë e javë me radhë. Basha dhe zëvendësit e tij heshtën, kur Rusia refuzoi disa herë rresht projektrezolutën në Këshillin e Sigurimit. Heshtën Kushner dhe më pas Ishinger, aluduan opsionin e ndarjes së Kosovës. Heshtën kur politikanë nga më të njohurit në Kosovë paralajmëruan se pas 10 dhjetorit mund të shpallin pavarësinë e Kosovës në mënyrë të njëanshme. Një heshtje absurde. A thua se bëhet fjalë për Timorin Lindor dhe jo për Kosovën. Gjatë gjithë kësaj periudhe, e vetmja e re që ka dalë nga godina e Ministrisë së Jashtme është një gossip se princi Leka mund të fillojë punë në këtë ministri, sepse mbreti Leka ia ka lënë me vasijet kryeministrit Berisha, që i biri të nisë punë në administratën shqiptare.
Që nga krijimi i shtetit 95 vjet më parë, diplomacia shqiptare ka pasur kolonë kryesore Kosovën. Në të gjitha regjimet. Kosova ka qenë përcaktuese në politikën e jashtme shqiptare dhe në kohën kur Jugosllavia ishte në apogjenën e influencës ndërkombëtare. Kosova ishte elementi më i rëndësishëm për kancelarinë shqiptare dhe në kohën kur shpërbërja e Jugosllavisë ishte e paimagjinueshme. Shkurt, Kosova mbetej e rëndësishme për çdo diplomat shqiptar, dhe kur nga Prishtina nuk vinte asnjë lajm.
Tre muajt e fundit dhe muajt që do vijnë, janë vendimtarë për fatin e Kosovës. Bashkësia ndërkombëtare duhet të japë përgjigje për një seri pyetjesh. A qëndrojnë ende në fuqi tre JO-të e Grupit të Kontakti?. Pra, Kosova mos kthehet në gjendjen e para vitit 1999, mos bashkohet me ndonjë vend fqinj dhe të mos ndahet. Teza e ndarjes po artikulohet në mënyrë diskrete nga shumë faktorë. I pari ishte ministri i Jashtëm francez, i cili në kohën kur ishte kryeadministratori i parë i Kosovës, lejoi ndarjen e Mitrovicës. Por pyetja më e rëndësishme mbetet: çfarë ndodh në rajon nëse ndahet Kosova? Bashkimi me Shqipërinë të gjithë hapësirës shqiptare në Ballkan, ishte përgjigja që dha një nga politikanët më të rëndësishëm të Kosovës, sekretari i përgjithshëm i PDK-së, Jakup Krasniqi.
Situata po bëhet eksploduese. Janë momente historike që ndodhin vetëm një herë në historinë e një kombi, sepse në fakt përcaktojnë vetë fatin e tij. Janë momentet kur një vendi, më shumë se kurrë i duhet të ketë dhe Ministri të Jashtme.
Shtuar më 19/08/2007, ora 16:25
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori