A është e vërtetë përplasja e qytetërimeve?
Pëlqej
Albeu.com
nga Dr. Arqile BotiPas botimit në një gazetë daneze, në janar 2006, të karikaturave për profetin Muhamed dhe demonstrative të protestës në shumë vende islame, duket vërtet që përplasja e qytetërimeve të krishterë, veçanërisht atij perëndimor, me qytetërimin islam sapo ka filluar.Kohët e fundit ka qarkulluar në Shqipëri libri i Samuel Huntingtonit, "Përplasja e qytetërimeve dhe ribërja e rendit botëror".

Por po të thellohemi në një analizë të shkurtër fetaro-filozofike dhe historike, del që konkluzionet e Huntingtonit më tepër janë utopike se sa reale, sepse nuk kanë bazë fetare.

Është e vërtetë që në botimin e karikaturave për profetin Muhamed janë përfshirë gazetarë që kanë emrin të krishterë. Por të kesh emrin i krishterë dhe të jesh me të vërtetë besimtar i krishterë, janë dy nocione shumë të ndryshme, po ashtu siç janë nocione të ndryshme të jesh islam vetëm me emër dhe të jesh me të vërtetë besimtar islam. Kështu që kundërvënia e qytetërimit islam me atë të krishterë gjer në konfrontimin e tyre të drejtpërdrejtë nuk është i justifikuar, si nga ana fetare, ashtu dhe nga ana historike.

Për të argumentuar më qartë atë që thamë, po e filloj nga disa citime të Kuranit për figurën e Jezu Krishtit, ose siç i thonë në dialektin arab të Isait.

Kështu në Suren Merjeme (Marie në Dhjatën e Re) thuhet qartë:

-Verseti 16: E përmendi në këtë libër tregimin për Merjemen kur ajo u largua prej familjes së saj në një vend në Lindje.

-Verseti 17: Ajo vuri një përde ndaj tyre, e ne ia dërguam asaj Xhibrilin (kryeengjëllin Gabriel në Dhjatën e Re) e ai iu paraqit asaj njeri në tërësi.

-Verseti 18: Ajo tha: "Unë i mbështetem të Gjithmëshirshmit prej teje, nëse je që i frikësohesh atij (ZOTIT)".

-Verseti 19: Ai (Xhibrili) tha: "Unë jam vetëm i dërguar (melek ose engjëll) i ZOTIT tënd për të të dhuruar ty një djalë të pastër".

-Verseti 20: Ajo tha: "Si do të kem unë djalë kur mua nuk më është afruar njeri (domethënë nuk jam e martuar) e as nuk kam qenë e pamoralshme".

-Verseti 21: Ai (Xhibrili) tha: "Ja kështu ka thënë ZOTI yt; ajo për mua është lehtë e për ta bërë atë (djalin e krijuar pa baba domethënë Jezusin ose Isain) argument për njerëzit edhe mëshirë nga ana e jonë. Kjo është çështje e krye".

-Verseti 22: Ajo e barti atë (Isain ose Jezusin) andej u izolua në një vend të largët.

Dhe pas lindjes të Jezusit.

Verseti 27: Dhe duke e bartur shkoi me të te të afërmit e vet. Ata i thanë: "Oj Merjeme (Marie) ke bërë një punë shumë të keqe!".

-Verseti 28: Oj motra e Harunit (Aaronit në Bibël) babai yt (Zeqirjai ose Zaharia në Dhjatën e Re) nuk ishte njeri i prishur, as nëna jote nuk ka qenë e pamoralshme.

-Verseti 29: Atëherë ajo u dha shenjë kah ai (Isai) "Si t'i flasim atij që është foshnjë në djep?".

-Verseti 30: Ai (Isai ose Jezusi) tha: "Unë jam robi i Allahut, mua më ka dhënë librin dhe më ka bërë pejgamber (profet)".

-Verseti 31: Më ka bërë dobiprurës kudo që të jem dhe më ka porositur me namaz (falje) e zeqat (dhënie lëmoshe) për sa të jem gjallë.

-Verseti 32: Më ka bërë të mirësjellshëm ndaj nënës time e nuk më ka bërë kryelartë e të padëgjueshëm.

-Verseti 33: Selami (shpëtim nga ZOTI) është me mua ditën kur u Linda, ditën kur të vdes dhe ditën kur të dal i gjallë.

-Verseti 34: KJO ËSHTË E VËRTETA RRETH ISAIT, birit të Merjemes në të cilin ata shkaktojnë dyshime.

E cituam pak hollësisht për të bërë më të qarta argumentet tona. Siç shihet, lindja e Jezusit në vija të përgjithshme është pothuaj e njëllojtë ndërmjet Dhjatës së Re dhe Kuranit.

Tani le të citojmë disa pasazhe nga romani i botuar kohët e fundit i shkrimtarit, faktikisht ateist anglo-sakson, Dan Brown, me titullin "Kodi i Da Vinçit" dhe që u lexua me shumë interes, kryesisht nga të paditurit, që nuk kanë kulturë të duhur fetare.

Në kapitullin 55 të librit, ai thotë ndërmjet të tjerave (duke shprehur nëpërmjet personazheve të librit mendimet e veta) edhe këto:

-Bibla është prodhim i njeriut, zonjushë e dashur jo i Zotit. Bibla nuk ka rënë me magji nga qielli. (Sipas ateistit Brown, edhe të tjerët si ai edhe Kurani është vepër e njeriut, pra e profetit Muhamed.) E ka krijuar njeriu si për kujtesë historike të kohëve të turbullta dhe ka pësuar përkthime, shtesa dhe rishikime të panumërta. Nuk ka pasur kurrë në histori një variant përfundimtar të Biblës.

-Dakord.

-Jezu Krishti është një figurë historike me një ndikim të pamatë, mbase lideri më enigmatik dhe më me shumë ithtarë që ka parë bota. Ashtu si Maria e profecisë, Jezusi ka shembur mbretër, ka frymëzuar masat dhe ka themeluar filozofi të reja. Si pasardhës i mbretërve David dhe Solomon kishte të drejtë të rivendoste fronin e Judejve. Siç mund të kuptohet jeta e tij është e shkruar nga mijëra pasues në të gjitha vendet e botës.

Tëbingu e ndërpreu fjalën për të pirë një hurbë çaji, pastaj e mbështeti filxhanin mbi anëcak. Për Beslidhjen e Re janë marrë parasysh më shumë se tetëdhjetë ungjij, midis të cilëve ata të Mateut, të Markut, të Lukës dhe të Gjoni…

Dhe më tej në po këtë kapitull… Kemi të bëjmë me shndërrim u hodh e tha Langtom. Mbeturinat e besimit pagan në simbologjinë e krishterë janë të pamohueshme. Disqet diellore egjiptase u bënë brezoret e shenjtorëve të krishterë. Shëmbëlltyra e Isidës, që mëkon në gji të birin Horus të konceptuar në mënyrë hyjnore, u bënë modeli për shëmbëlltyrën e Virgjëreshës Mari që mend Jezusin fëmijë. Dhe ka shumë mundësi (po e nënvizoj mundësi sipas fantazisë të Brown-it e të tjerë si ai) që të gjitha elementët e ritit katolik mitra, altari, himnet dhe kungimi, apo akti "i ngrënies të Zotit" janë huajtur drejtpërsëdrejt nga besimet e mëparshme pagane…

Pra, sipas këtyre supozimeve të Brown-it, lindja mbinatyrore e Jezusit nëpërmjet frymës së shenjtë të ZOTIT që përshkruhet në Dhjatën e Re dhe në Kuran është vetëm një legjendë pagane.

Dhe fantazia e ateistit pseudokristian Dan Brown duket qartë në kapitullin 58 të librit të tij, ku pasi na prrallos një sërë supozimesh për Maria Magdalenën si grua e Jezusit në darkën e fundit sipas shikimit të mprehtë të tij në pikturën e Leonardo Da Vinçit (thuajse Da Vinçi qe i pagabuar absolut) thotë edhe këto:

-Sofia po përpiqej të ndiqte fjalët e tij.

-Por është Shën Pjetri. Shkëmbi mbi të cilin Jezusi ngriti kishën e tij.

-Pikërisht ai, por me një ndryshim. Simbas këtyre ungjijve të pandryshuar, Krishti nuk ngarkoi Pjetrin të themelonte kishën e tij, por Maria Magdalenën.

Sofia e pa sikur donte ta pyeste për diçka.

-Doni të thoni se kisha e krishterë duhej të udhëhiqej nga një grua?

-Ky është predikimi i Jezusit që ka qenë Feministi i parë (nënvizim i imi) donte që e ardhmja e kishës së tij të ishte në dorë të Maria Magdalenës.

-Dhe Pjetri s'e kishte të lehtë ta pranonte, tha Langtoni, duke bërë me dorë nga tabloja "Darka e fundit". Ky është Pjetri. A e sheh që Leonardoja e dinte ç'mendonte për punën e Marie Magdalenës?

Përsëri Sofia mbeti pa fjalë. Në afresk Pjetri kishte përthyer kërcënueshëm trupin drejt gruas dhe dora e tij, që i ngjante një tehu thike, dukej sikur ishte duke e therur në qafë. Po ai gjest kërcënimi që mund të shihej në Zonjën e shkëmbinjve.

Këtu del një konkluzion.

Nëse në këto tablo të Da Vinçit nuk ka asgjë të vërtetë nga ato që shkruan Brown, ky i fundit del një njeri joserioz dhe do të ishte i mirë për aktor estrade; por nëse janë pikturuar me të vërtetë nga Da Vinçi ato që thotë Brown, atëhere del se Da Vinçi nuk është kompetent në vërtetësinë e pikturave të veta dhe nuk mund të jetë i besueshëm, sepse nuk ka jetuar në kohën e Jezusit dhe nuk ka qenë pjesëmarrës te darka e fundit. Atëherë pse ne duhet të dyshojmë në vërtetësinë e ungjijve dhe të mos dyshojmë në vërtetësinë historike të pikturave të Leonardos, zotni Brown e të tjerë që mendojnë si ju.

Dhe në kapitullin 60 të librit të tij, Brown bën një zbulim tjetër. Atje thuhet shprehimisht:

-Që Jezusi ka lënë trashëgimtar,- tha Sofia,-që s'ishte ende e bindur.

-Po, -vijoi Tibingu,- dhe se maria Magdalena ishte mitra që ka pjellë pasardhësin e tij mbretëror. Parësia e Sionit edhe sot e kësaj dite e nderon Maria Magdalenën si hyjneshën, si Graalin e Shenjtë, si trëndafilin dhe si mëmën hyjnore. Sofisë iu kujtua riti që kishte parë në dhomën e nëndheshme. Sipas parësisë, vijoi Tibingu, Maria Magdalena ishte shtatzëne në kohën kur u kryqëzua Krishti. Për të mbrojtuar fëmijën që do të lindte, nuk pati rrugë tjetër veçse të largohej nga Toka e Shenjtë. E ndihmuar nga Jozefi i Arimatheas, ungj dhe besnik i Jezusit, Maria Magdalena mbërriti fshehurazi në Francë, që atëherë quhej Gali, ku gjeti strehë të sigurtë në bashkësinë hebraike. Dhe pikërisht në Francë lindi një vajzë që u quajt Sarah.

Sofia ngriti kokën.

-U ditka edhe emri i vajzës!

-Dihet shumë më tepër. Jeta e Magdalenës dhe e Sarës është përshkruar me imtësi nga hebrejtë që i mbronin…

Dihet si në ungjijtë dhe si në Kuran nuk thuhet në asnjë vend që Jezusi ka qenë i martuar me fëmijë. Nëse ungjilli është deformuar sipas mendjes së Brown-it, Kurani që nuk është i deformuar, pse nuk përmban një lajm të tillë.

E rëndësishme është të shënojmë këtu se kush e vlerëson dhe e ngre Jezu Krishtin si figurë e lartë fetare tek ZOTI, Kurani i shpallur nga profeti Muhamed apo përrallat dhe fantazitë e një ateisti të krishterë me emrin Dan Brown e të tjerë si ai.

Përgjigjen ua lemë ta japin vetë lexuesit.

Konkluzioni është që deformimet monstruoze që i japin jetës së Jezusit disa intelektualë ateistë të krishterë të tipit Dan Brown, Kazanzakis etj., nuk na çudisin, sepse duke i konsideruar jetët e profetëve si përralla dhe legjenda, ashtu nuk duhet të na çudisin që edhe ata që kanë botuar dhe pikturuar karikaturat për profetin Muhamed janë po aq ateistë sa edhe të parët. Janë pikërisht ithtarët e tyre, bile dhe në disa rangje politike që u servirin ligje si ai i homoseksualizmit, pornografisë, fajdeve, lirisë së pakufizuar të shtypit, nën maskën falce të mbrojtjes së të drejtave të njeriut. Por harrojnë se këta kanë të bëjnë direkt dhe qartë me ndëshkimin e ZOTIT të lavdishëm.

Dhe tani kalojmë në një arsyetim të domosdoshëm. Duhet të jetë e qartë që si besimtarët e krishterë dhe ata islamë nuk duhet të bien në kurth të provokimeve të ateistëve dhe materialistëve të të gjithë llojeve si të krishterë dhe ato islamë, se është mëse e vërtetë që nga të dy palët ka fetarë me emër dhe ateistë dhe idhujtarë me vepra, bile me shumicë.

Duke trajtuar dhe ripërmendur rastin e fundit të karikaturave të profetit Muhamed, duhet të jenë të qartë gjithashtu se ata që i kanë botuar në çdo pozicion shoqëror dhe politik që të jenë janë ateistë dhe materialistë.

Atëherë nuk duhen konfonduar besimtarët e krishterë që të ballafaqohen me besimtarët islamë, sepse si esencë dogmatike, Islamizmi qëndron afër Krishterimit, veçanërisht në lindjen e Jezusit, siç e theksuam më lart.

Kështu që konkluzionet e zotni Huntingtonit për një përplasje ndërmjet qytetërimeve të krishterë perëndimorë me kulturën islamike, nuk ka bazë dogmatike fetare dhe të gjithë besimtarët si të krishterë kudo qofshin po të jenë besimtarë të vërtetë, duke respektuar religjionin islam duhet të bashkëpunojnë me besimtarët islamë kundër ateistëve, materialistëve të të gjitha ngjyrave, idhujtarëve kudo që të jenë, që po të shprehemi aproksimativisht zënë një përqindje mesatare rreth 40%. Në nivelin kulturor të sotshëm lufta dhe ballafaqimi duhet të bëhen në rrafshin ideologjik, filozofik dhe historik.

Është e qartë gjithashtu që ateistët nuk bëjnë dallim ndërmjet profetëve dhe mund t'u bëjnë karikatura të gjithëve, edhe Jezusit, sepse ata jetën e tyre i quajnë legjenda siç e pamë më lart në Kodin e Da Vinçit, veprat e Kazanzakisit. Pastaj si është e mundur që për pesëqind vjet rresht nuk doli njeri që të konstatojë këtë novacion në pikturat e Leonardos, që Inkuizicioni i shikonte me lupë dhe tash na del mendjemprehti, symprehti Dan Brown që i ka parë këto piktura me mikroskop elektronik, duke parë gjëra që dhe vetë sytë e piktorit Da Vinçi nuk i shikonin.

Antikristianizmi ekstremist islamik si dhe antiislamizmi ekstremist kristian që të dy janë të gabuar se nuk përkojnë me predikimet dogmatike të shpalljeve profetike. Këtë po e konkretizoj me këto citime. Kështu në Suren El Bekare në versetin 285 thuhet:

"I dërguari i besoi asaj që iu shpall prej ZOTIT të tij e ashtu edhe besimtarët. Secili i besoi Allahut, engjëjve të tij, shpalljeve të tij (librave të tij) të dërguarve të tij. NE NUK BËJMË DALLIM NË ASNJËRIN NGA TË DËRGUARIT E TIJ dhe thanë: Iu përgjigjëm thirrjes dhe respektuam urdhërin. Kërkojmë faljen tënde o ZOTI ynë! Vetëm tek ty është ardhmëria jonë".

Çdo gjë këtu është e qartë. Nëse një besimtar islam nuk respekton Jezusin dhe nëpërmjet Jezusit gjithë besimtarët e vërtetë të krishterë, atëherë ai ka shkelur shpalljen kuranore që i është shpallur profetit Muhamed. Është e qartë gjithashtu se një besimtar i krishterë kushdo qoftë ai nuk mund të botojë e të shkruajë karikatura që të denigrojnë personalitetin e një profeti tjetër, duke përfshirë dhe profetin Muhamed, por këto i bëjnë të krishterët që mbajnë formalisht një emër të tillë po që në të vërtetë janë ateistë. Ata do të japin llogari para ZOTIT në ditën e madhe të gjykimit.

Dhe në Suren EL HAXHXH verseti 40 thuhet: Ata të cilët vetëm pse thanë "ALLAHU është ZOTI ynë" u dëbuan prej shtëpive të tyre pa kurrfarë të drejte. E sikur ALLAHU të mos i zbrapste disa me disa të tjerë, do të rrënoheshin manastiret, kishat, sinagogat dhe xhamitë që në to përmendet shumë emri i ALLAHUT. E ALLAHU patjetër do ta ndihmojë atë që ndihmon rrugën e tij, se ALLAHU është shumë i fuqishëm dhe gjithnjë triumfues.

Dhe këtu çdo gjë është e qartë. Del që thirrjet për të shkatërruar nga disa të quajtur besimtarë islamë janë shkelje flagrante të parimeve kuranore.

Nga ana tjetër, në Ungjill dhe veçanërisht në bisedën në mal, sipas Mateut, Krishti në mënyrë të qartë ka përjashtuar çdo lloj dhune. Kështu në bisedën në mal, në Ungjillin sipas Mateut, kapitulli 7, pika një dhe dy, Jezusi thotë:

1-Mos gjykoni të mos gjykoheni.

2-Sepse ju do të gjykoheni sipas gjykimit me të cilin ju gjykoni dhe me masën me të cilën ju masni do t'ju masin të tjerët.

Është e qartë që ngjarja aktuale e botimit të karikaturave të profetit Muhamed nuk është kryer nga besimtarët e krishterë, por nga ateistët me emrin e krishterë që nuk janë të pakët në ve krishtera perëndimore, por dhe në ato lindore.

Dhe konkluzioni i Huntingtonit për përplasje ndërmjet qytetërimit kristian perëndimor me qytetërimin islam lindor mund të ndodhë vetëm atëherë, kur në krye të qeverive të këtyre vendeve të dalin grupe ateiste nga të dy palët. Dhe siç dihet ateizmi me dhunën janë të lidhur ngushtësisht me njëra-tjetrën, siç e ka vërtetuar historia.

Thirrjet revolucionare të ateistëve që mbjellin dhunë nuk kanë asgjë të përbashkët me shpalljet profetike dhe të librave përkatëse, duke veçuar Biblën dhe Kuranin. Kështu që kryqëzatat kristiane kundër vendeve islame s'kanë asgjë të përbashkët me predikimet e Jezusit, ashtu siç nuk kanë asgjë të përbashkët dhe vendosja e bombave nga të ashtuquajturit grupe revolucionare, shpesh kamikaze, që mbajnë erë ateizmi, meqenëse vrasin njerëz të pafajshëm dhe janë shkelje flagrante të shpalljes kuranore të profetit Muhamed. Asnjë justifikim nuk mund të ketë këtu.

Duke e mbyllur këtë kapitull dhe duke iu drejtuar Samuel Huntingtonit, jam i detyruar të theksoj se përplasja ndërmjet kombeve në Luftën e Tretë Botërore, ose në një luftë tjetër të ardhshme, nuk do të ndodhë ndërmjet qytetërimeve të krishterë dhe islamike, por do të jetë racore në bazë të librave fetare.

Por nuk është ky subjekt qëllimi i këtij kapitulli, por i një libri tjetër në të ardhmen.

*Autori e ka shkëputur këtë pjesë nga libri "Sistemet politike dhe 666", që do të botohet së shpejti
Shkrimi eshte botuiar ne te perditshmen shqiptare Metropol
Shtuar më 26/02/2006, ora 15:14
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori