A banon akoma demokracia në Kosovë?
Albeu.com
nga Fadil Maloku*“Kur të qeverisni këtë shtet të ri, çdo ditë duhet të zgjoheni dhe të mendoni se çka nuk duhet të bëni”Ish Presidenti Bil KlintonPolitika e etnifikuar që ishte instaluar gjatë këtyre tetë viteve në Kosovë përmes improvizimit të pluralizmit, në të vërtetë sikurse çdo “politikë tjetër jo alternative” është apo mund të identifikohet akoma si një diskurs para politik, pra një politikë pa alternativë të re dhe pa vizionin e mundësisë së interpretimit dhe kundërshtimit argumentues që shpien domosdoshmërish kah pengimi i instalimit të demokracisë së njëmendët! Naivëve dhe pushtetarëve aktual, kuptohet nuk do t’u pëlqente një konstatim i kësi sojë për këtë ngrehinë tashmë të kontestuar nga të gjitha dimensionet: politike, juridike, ekonomike e sidomos ato morale edhe për shkak se ata asnjëherë vetën e tyre nuk e projektuan bartës dhe kontribuues të sajë !? Fajin, për gjithë këtë ata ia lënë kuptohet, Administratës së UNMIK-ut dhe kompetencave gjoja akoma të pa pronësuara nga ata!
Megjithatë, shikuar me dioptrinë sociologjike na del se procesin e instalimit të kësaj demokracie (që unë e kam identifikuar si feudale!) në Kosovë e kanë kumbaruar gjithqysh edhe: politika skajshmërisht e etnifikuar qeveritare, indiferenca ndajë “kompetencave” të Administratës së UNMIK-ut, vetëkënaqësia me pamundësinë e imponimit të qeverisjes vetanake shkaku i ikjes së përgjegjësisë, jo profesionalizmi dhe inferioriteti i fuqizuar jo si dobësi por si vlerë politike, feudalizimi partive politike, diletantizmi nepotist, injoranca, bajraktarizmi, grupimi mbi bazat e interesave të ngushta klanore, mos posedimi i një vizioni të qartë (afatshkurtër, afatmesëm dhe afatgjatë) të shëndosh e shpresëdhënës social e ekonomik, etj. për qytetarët e molisur me premtimet dy dekadshe, e udhëhequr pikërisht nga këto elita dhe këta njerëz që të gjithë i njohim e që duhet me i dënuar me votën qytetare!
Por, ka shumë gjasa që ky paradoks i llojit të vetë, (si thotë populli “në çdo fatkeqësi , ka edhe një fatlumi”!) në kontekstin e zhvillimeve të reja post statusore në Kosovë të shërbejë si një ri mobilizim i ri në ndërtimin e kapaciteteve dhe legjitimitetit të njëmendët demokratik. Pra një qasje një ofertë të re ndajë qytetarëve dhe interesit të tyre për mirëqenie dhe prosperitet: individual, familjar, grupor, shtresor e klasor në fazat emancipuese që po hyjmë.
Droja se pamundësia e instalimit të demokracisë ose gjykimit të shumicës qytetare në periudhën post statusore do sjell sërish frustrim dhe improvizime të mëtejme, nëse gjykimi i mësipërm që qe margjinalizuar nuk fuqizohet në formë dhe përmbajtje të një infuzioni para së gjithash social e ekonomik , është më se e mundshme. Sepse, ikonografia e statusit më nuk do mund të mbahet si karrem joshës dhe atraktiv! Thënë edhe më thjesht, demiurgët lokal e dhe eurokratët e rinj më nuk do të mund t’u shesin si thotë populli ”dushk për gogla” qytetarëve Kosovar.
Ngrehinës së improvizimeve, feudeve partiake, grupeve klanore, mafiozëve, matrapazëve politik dhe jokompetentëve, si duket po u vjen fundi! Kosova pas definimit të statusit politik do të duhej të menaxhohej nga njerëzit dhe partitë politike që kanë: Programe dhe ide të mirëqenies së qytetarit të sajë nga përditshmëria rraskapitëse, sepse nëse u adresohemi vetëm thellimit të diferencave sociale, ku shtresa e rrezikuar skajshmërisht (me mbi 23%!?) në fakt përmban korpusin më alarmues të shoqërisë së sotme Kosovare, hetojmë se gjendja jo vetëm që është tejet serioze por edhe tejet kërcënuese!? Së këndejmi, Kosovës post statusore i duhen paradigmat e reja dhe një frymë e re rimobilizuese e cila atë do ta katapultonte në drejtimin e duhur të prosperitetit. Paraprakisht, instalimi i tri cilësive fondamentale empirike të demokracisë neo liberale: organizimi, disiplina dhe përgjegjësia do të mund të ishin hapa fillestar në mënyrë që fuqizimi i ligjit dhe respektimi i konkurrencës lokale i ndërmjetësuar përmes institucionit të shtetit që supozohet se edhe një kohë të gjatë do të jetë mekanizmi më adekuat për rregullimin e raporteve të reja demokratike, të fillojë të marrë frymë shlirë dhe të marrë kahjen e duhur.
Duke u bazuar në këta dhe parametrat tjerë kuptojmë se në Kosovë ende nuk është instaluar ngrehina e demokracisë dhe se po del se tërë kohën është bërë vetëm improvizim i çoroditur i instalimit të legjitimiteti demokratik! Për arsye se as administrata e UNMK-ut, e as institucionet e Kosovës nuk kanë arritur limitin apo standardin e ecajakeve transitore. Nëse i adresohemi diskursit social dhe atij ekonomik, kuptojmë se sfidat më e mëdha post statusore do të jenë ato që do rekrutohen nga ofertat partiake dhe kërkesat e reja qytetare . Së këndejmi këtë oferta dhe kërkesa të reja, do të mund të diktonin fuqizimin e njëmendët të tipit të demokracisë, sundimit të ligjit, mirëqenies sociale, si edhe procesin e mbijetimit dhe profilizimit të partive së bashku me Programet e tyre.
Nga përvojat e vendeve tjera euro lindore mësojmë leksionin se në procesin e transicionit zakonisht qytetarët e një vendi politikisht dhe ekonomikisht akoma konsiderohen si të frustruar dhe të pa profilizuar politikisht edhe me faktin se ata të drejtën e votimit akoma nuk fillojnë ta fuqizojnë me logjiken dhe interesin e ndërvarësisë (ekonomike e sociale, por me atë të natyrës politike që në rastin tonë është projektuar përmes procesit të pavarësisë dhe demokracisë) në mënyrë që të arrijnë të krijojnë klimën e mobilitetit dhe të ruajtjes së homogjenitetit nacional dhe të manipulojnë më lehtë dhe pa ndonjë investim të madh të energjisë politike.
Institucionet publike, sipas të gjithë parametrave do të duhej të ishin ajo adresa apo ai servisi kryesor përmes të cilit do të duhej të identifikoheshin para së gjithash legjitimiteti dhe legaliteti i një sistemi ekonomiko-politik. Kur flasim për kategorinë e legjitimitetit, padyshim që në këtë kontekst element kryesor fuqizues është kultura e ushtrimit të besimit që sipas shumë sociologëve perëndimorë nuk mund të reduktohet vetëm në cilësi psikologjike, por gjithsesi edhe në sosh: politike, morale e para së gjithash ekonomike.
Besimi në institucione demokratike, ku sundon ligji në të vërtetë është edhe një çështje morale e asaj shoqërie, sepse në rastin kur morali i një diskursi politik siç është rasti me demokracinë improvizuese Kosovare anon me vetëdije kah paradigmat anomike, pra kah kontestimi dhe paragjykimi i vetë vetës me sjelljet tashmë të njohura: korruptive (skandalet e ish kryeministrave e ministrave!?), jokompetente (përzgjedhja joadekuate e ministrave në postet përkatëse?!), joprofesionale (qasje totalisht të gabuara ndaj proceseve zhvillimore?!), jokompetente, demokracia e njëmendët nuk ka mundësi të banojë në at vend.

* Fadil Maloku, Sociolog i Globalizimit
Shtuar më 05/05/2007, ora 10:02
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori