55 %-shi që tha JO
Albeu.com
nga Idaver Sherifi*...nëse nuk analizohet mirë dhe nënvleftësohet kjo pjesë e popullsisë që nuk përdori votën, atëherë në zgjedhjet e ardhshme fituesit e sotëm do të pësojnë fatin e fituesve të zgjedhjeve të 2003-shit. Nuk duhet harruar, jo vetëm vota kundër është votë kundër teje.Jo gjithmonë të dalish nga zgjedhjet si parti më e madhe do të thotë se ke fituar zgjedhjet. Vërtetë mund të kesh marrë 34% të votave por nuk duhet harruar se bëhet fjalë për 34% të 45 % -shit që ka përdorur të drejtën e votës. Dhe në këtë rast shtrohet pyetja: Vallë, kush është fitues, 34 %-shi i 45 %-shit apo 55%-shi tjetër që nuk doli në zgjedhje?

Është një 55 përqindësh që duhet të analizohet mirë. Por kush janë këta 55%? Pse kjo pjesë nuk përdori të drejtën e votës? Vallë, nuk mundi apo nuk donte?

Siç dihet, Kosova është një vend i njohur për shkallën e lartë të emigacionit. Një pjesë e popullsisë edhe pse gjendet në listën e zgjedhësve, fizikisht nuk ishte në Kosovë në ditën e zgjedhjeve. Bëhet fjalë për një përqindje të konsiderueshme por natyrisht as që i afrohet shifrës 55%.

Në anën tjetër ishin sërbët, të cilët me nxitjen ose thënë më mirë me presionin e Beogradit bojkotuan zgjedhjet. Por edhe numri i sërbëve dihet.

Tani, mbetet grupi tjetër, ai i shumicës brenda 55 përqindëshit bojkotues. Është pjesa që dëshiron ti jap një mesazh fituesve të zgjedhjeve. Ndoshta dëshiron ti sprovoj fituesit nëse do të ndjejnë mungesën e votës së tyre apo do të dehen me pushtetin e fituar me ato pak përqindje të marra.

Zgjedhjet u mbajtën për të legjitimuar qeverinë e cila do ta çojë Kosovën drejt pavarësisë së shumëpritur dhe kjo u arrit. Por si? Sigurisht, pa 55%-shin.

Por ajo që mendoj unë është se nëse nuk analizohet mirë dhe nënvleftësohet kjo pjesë e popullsisë që nuk përdori votën, atëherë në zgjedhjet e ardhshme fituesit e sotëm do të pësojnë fatin e fituesve të zgjedhjeve të 2003-shit. Nuk duhet harruar, jo vetëm vota kundër është votë kundër teje.

*Botuar ne Gazeten Start www.gazetastart.com
Shtuar më 21/11/2007, ora 23:34
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori