10 Shkurti
Albeu.com
Nesër është 10 shkurt 2010, tri vite prej kur u mbajt demonstrata paqësore e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Prishtinë, të cilën e përgjaku policia e UNMIK-ut. VETËVENDOSJE!-a e kishte thirrur popullin në këtë demonstratë kundër ...... Planit të Ahtisaarit që po na sillte ndarje, kundër Grupit Negociator që po na e sillte Serbinë brenda, si dhe për të drejtën e popullit të Kosovës që statusin e vendit të vet ta zgjidhte përmes ushtrimit të vetëvendosjes.
Jo vetëm që u bënë të qarta arsyet e demonstratës, por po ashtu u bë e ditur edhe rruga e zhvillimit të saj, siç kemi bërë paraprakisht në çdo demonstratë tjetër.
Të gjithë e prisnin një demonstratë të VETËVENDOSJE!-s si gjithmonë: pa dhunë, pa lëndime, e lëre më vrasje. Por kështu nuk mendonte UNMIK-u dhe politikanët negociatorë, të cilët së bashku e kishin përgatitur planin e ndërhyrjes së dhunshme mbi demonstratën tonë të padhunshme.
Policia e UNMIK-ut qëllimisht kishte bllokuar rrugën tonë të paralajmëruar. Ngjarjet e mëtejme tregojnë që ata kishin dalë për të vrarë.
Udhëheqja e demonstratës i bëri thirrje policisë që ta zhbllokonte rrugën, më mënyrë që masa demonstruese të mund ta vazhdonte marshutën e lirë. Ata nuk dëgjuan.
Bllokimi i hapësirës publike nga ana e policisë, në këtë rast i rrugës, paraqet shkelje të të gjitha konventave të rëndësishme ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, të cilat e garantojnë të drejtën e grumbullimit, demonstratës dhe marshit paqësor.
Demonstruesit e mbrojtën të drejtën e tyre për marshim paqësor. Ata hoqën pengesat dhe arritën t’i kalonin lehtësisht kordonët e policisë. Kordonët u përshkuan për 8 sekonda, ngaqë kishte shumë popull dhe jo aq policë.
Pas 8 sekondash filloi së zbatuari plani i vërtetë për të cilin ata kishin dalë. Formacioni rumun, ukrainas dhe ai polak i policisë së UNMIK-ut, filloi të shtijë me armë zjarri mbi trupat e demonstruesve të paarmatosur.
Masa e demonstruesve filloi të tërhiqej nga kjo dhunë e çmendur. Por meqë kishin dalë për të vrarë, kjo nuk iu mjaftoi policëve të UNMIK-ut. Përkundrazi, ata veç sa i shtuan të shtënat.
Qëllohej me armë zjarri. Me plumba gome e plastike të skaduar afati prej 12 vitesh. Qëllohej prej distancave vdekjeprurëse më afër se 10 metra, me armë përdorimi i të cilave lejohej vetëm nga distanca mbi 50 metra. Qëlloheshin njerëzit drejt në kokë e trup, me armë zjarri përdorimi i të cilave lejohej vetëm me të shtëna rikoshet. Qëllohej edhe me kanistra gazi lotsjellës që qëllimisht shkrepeshin drejt e në trupat e demonstruesve, të shtënat e të cilave lejohen vetëm në ajër. Por këto nuk kishin aspak rëndësi për policët e UNMIK-ut, për sa kohë që ata kishin dalë me një qëllim vetëm: ata kishin dalë për të vrarë.
Në këtë demonstratë ranë dy dëshmorë të popullit për liri e vetëvendosje: Arben Xheladini nga Prishtina e Mon Balaj nga Besiana. Si pasojë e dhunës së shfrenuar policore u plagosën mbi 80 demonstrues, shumë prej tyre me gjymtime të përjetshme: çarje kafkash, copëtim organesh e gjymtyrësh nga breshëria e plumbave, humbje sysh, si dhe humbje zëri nga helmimet kimike.
Jo vetëm që qëlloheshin demonstruesit, por edhe ata që kishin ardhur për të ndihmuar të plagosurit. Tri autoambulancat e Kryqit të Kuq u qëlluan po ashtu. Disa aktivistë të VETËVENDOSJE!-s u arrestuan vetëm pse u afruan për t’i ndihmuar të plagosurit që kishin mbetur të shtrirë rrugës nga plagët e marra si pasojë e kësaj dhune të planifikuar paraprakisht.
Kjo dhunë e tmerrshme e policisë së UNMIK-ut dhunoi të gjitha të gjitha konventat ndërkombëtare të të drejtave njerëzore, e sidomos Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut të miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së. Ndërhyrja e policisë dhunoi të drejtën fundamentale për jetë, atë të shprehjes, të drejtën e manifestimit publik të bindjeve politike, të drejtën e grumbullimit dhe protestës, si dhe të drejtën për të mos iu nënshtruar torturës dhe trajtimit çnjerëzor.
Por nëse policia kishte dalur për të vrarë, dhe nëse ajo kishte zbatuar urdhra, siç u arsyetua pastaj, atëherë shtrohet pyetja legjitime – kush është urdhërdhënësi i kësaj ndërhyrjeje të përgjakshme? Pa dyshim që ata që e dhanë urdhrin ishin udhëheqja e UNMIK-ut, Shefi i Policisë së UNMIK-ut dhe Grupi Negociator. Se kjo ndërhyrje ka ndodhur me miratimin e Qeverisë së atëhershme të Kosovës, tregon edhe deklarata e zëdhënëses së saj, e cila dhunën çnjerëzore të policisë e quajti intervenim të matur, racional dhe të domosdoshëm.
Demonstrata e 3 marsit 2007, me ç’rast policia sërisht na e bllokoi rrugën, por e hapi atë pas ultimatumit tonë, e tregon skenarin e munguar të 10 shkurtit për fajin e policisë, e cila nuk i qe bindur ultimatumit tonë.

Drejtësia e papërmbushurM

Krejt kjo dhunë e orkestruar me protagonistë, përgjegjës dhe fajtorë të qartë, përfundoi me një dorëheqje të ministrit të punëve të brendshme dhe një arratisje të shefit policor të UNMIK-ut. Ish ministri konkuroi në zgjedhjet e fundit lokale, kurse kryepolici britanik është arratisur dhe sot e asaj dite nuk dimë gjë për të.
Në anën tjetër, policët vrasës rumunë të UNMIK-ut u kthyen nëpër shtëpitë e tyre. Atje ata u dekoruan për veprimet e tyre çnjerëzore. Vendi i tyre nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.
Vetë UNMIK-u nisi një proces hetimor lidhur me 10 shkurtin, i kryesuar nga Prokurori Special, Robert Dean. Në raportin e vet ai përfundoi se ndërhyrja e policisë ka qenë e paarsyeshme dhe e shmangshme.
Pjesëtarët e UNMIK-ut në Kosovë, ashtu sikurse këta të EULEX-it sot, kanë imunitet nga ndjekja penale.
E vetmja instancë në të cilën sadopak mund të sfidohet UNMIK-u sa i përket shkeljes së të drejtave të njeriut, është Paneli Këshillues i të Drejtave të Njeriut, i cili, megjithatë, siç mund të kuptohet nga vetë emërtimi, nuk është institucion ekzekutiv, por vetëm këshillues.
Familjet Xheladini dhe Balaj, si dhe të plagosurit rëndë, Zenel Zeneli e Mustafë Nerjovaj, e shfrytëzuan të vetmen mundësi që kishin. Ata e paditën UNMIK-un përmes Panelit dhe përfaqësoheshin nga avokati britanik, Paul Troop, dhe ai irlandez, Jude Bunting. Padia u pranua nga Paneli në korrik të vitit 2008. UNMIK-u caktoi dëgjim publik për këtë rast në Panel në tetor të vitit 2008, por dy herë ndërhyri për shtyrjen e seancave. Në mars të vitit 2009 UNMIK-u shpiku arsyet e mungesës së sigurisë për të mos e mbajtur dëgjimin. Kurse EULEX-i u arsyetua se nuk ka përgjegjësi për sigurimin e objekteve të UNMIK-ut.
Pas trysnive të shumta dhe reagimit të shumë organizatave me renome ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut si Amnesty International e Human Rights Watch, UNMIK-u u shtrëngua ta caktonte seancën dëgjimore në mars të vitit 2009. Por UNMIK-u e bëri shkeljen e radhës: ndërhyri politikisht duke e vënë si kusht që seanca të mos ishte publike, por private. Natyrisht dhe me plot të drejtë, familjet, Zeneli e Mustafa e refuzuan këtë kushtëzim të padrejtë. Ata morën pjesë në një seancë ku e mbrojtën të drejtën e tyre për dëgjim publik. UNMIK-u sërish e shtyu dëgjimin për 4 qershor, njëvit prej kur u pranua kërkesa. UNMIK-u nuk hoqi dorë nga kushtëzimi i tij, kurse akuzuesit nuk hoqën dorë nga e drejta e tyre, prandaj seanca nuk u mbajt.
Më 25 shtator, Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në Kosovë, Lamberto Zannier, ua konfirmoi familjeve Xheladini e Balaj se UNMIK-u e pranon fajin. Ai u tha atyre se pranon që të ketë kompensim, nëse nuk ka drejtësi. UNMIK-u paturpësisht provoi ta blente gjakun e lirisë, gjakun e Arbenit dhe Monit. Familjet nuk e pranuan këtë poshtërsi, por u ndjenë të fyen rëndë nga kjo sjellje e ulët e UNMIK-ut.
Në tetor të vitit 2009 PSSP lëshoi Urdhëresën Administrative 2009/1 e cila ia mundëson Panelin braktisjen e rastit, edhe pasi ta ketë pranuar atë. Në këtë mënyrë, UNMIK-u e ka bllokuar procesin për ndjekjen e tij në të vetmin institucion ku kjo gjë ishte e mundur.

Rasti i Albinit

Në vend që drejtësia të merrej me vrasësit dhe urdhërdhënësit e masakrës së qëllimtë të 10 shkurtit, ajo dha urdhër për arrestimin e udhëheqësit të VETËVENDOSJE!-s, Albin Kurtit, si dhe 14 aktivistëve tjerë. Zyret e VETËVENDOSJE!-s u bastisën dhe u thyen në të gjitha qendrat tona nëpër Kosovë. U vodhën kompjuterë, dokumente e materiale të ndryshme, disa prej të cilave nuk na janë kthyer kurrë.
14 aktivistët e arrestuar u liruan pas një muaji burg, kurse Albin Kurti iu nënshtrua një persekutimi skandaloz përplot shkelje e keqtrajtime. Ai u mbajt për 11 muaj në burg.
Albin Kurtit iu përgatit një proces i montuar gjyqësor me prapavijë të qartë politike. Ai u akuzua nga UNMIK-u për pjesëmarrje në një turmë që ka bërë vepër penale; pjesëmarrje në një grup që ka penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrës së tyre zyrtare; dhe thirrje për rezistencë.
Albini vetëm një herë u mor në pyetje, gjë që tregon se qëllimi i vërtetë i procesit ka qenë mbajtja e tij në burg, jo hetimi. Ai u kategorizua si i burgosur i rrezikshmërisë së lartë (A), gjë e cila kurrë nuk iu shpjegua pse.
Në burg Albini iu nënshtrua maltretimeve e shkeljeve të të drejtave njerëzore të cilat mbrohen me konventa ndërkombëtare. Atij qëllimisht iu servuan produkte të Serbisë, dhe iu mohuan të drejtat e një mjedisi njerëzor në burg, siç janë hapësira, ndriçimi, ajrimi etj. Kurse në gjyq atij iu mohua e drejta e shprehjes si dhe ajo e gjykimit të paanshëm, meqë vetë UNMIK-u ishte palë e dëmtuar si dhe udhëheqës i procesit.
Ky proces i padrejtë gjyqësor i përndjekjes dhe burgosjes së Albin Kurtit nxiti reagimin e organizatave vendase e ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, si dhe popullin dhe shoqërinë civile të Kosovës.
Në anën tjetër, jo vetëm që avokatët mbrojtës të caktuar nga UNMIK-u (me përjashtim të Fazli Balajt, i cili u vetëdiskreditua) nuk pranuan të jenë bashkëpjesëmarrës në këtë proces të ndytë, por edhe Oda e Avokatëve të Kosovës refuzoi bashkëpunimin me UNMIK-un rreth këtij rasti.
Të gjitha këto si dhe komprometimi i këtij procesi deri në shkallë ndërkombëtare, e detyroi UNMIK-un për ta pezulluar atë. Por UNMIK-u kurrë nuk e mbylli rastin.
UNMIK-u nuk e mbylli rastin, ashtu që atë të mund ta hapte kur të donte EULEX-i. EULEX-i e bëri këtë gjë para tri javësh. Ai ka caktuar 9 seanca gjyqësore për Albin Kurtin ndërmjet 15 shkurtit dhe 4 marsit.
EULEX-it nuk i interesojnë strukturat paralele të Serbisë, por Lëvizja VETËVENDOSJE!. Nuk i interesojnë politikanët e korruptuar me të cilët bashkëpunon, por Albin Kurti.
EULEX-i nuk ka hapur proces të ri gjyqësor për Albin Kurtin, as nuk e ka riformuluar procesin ekzistues të UNMIK-ut: EULEX-i e ka rifilluar atë. EULEX-i pra nuk është se po e vazhdon aty ku e ka lënë krimin UNMIK-u, por po e përsërit atë.
Nëpërmjet rifillimit të rastit, EULEX-i po e bën një krim të ri dhe po e amniston një krim të vjetër. Ai po i bën dy krime.
EULEX-i po synon heshtjen e organizimit serioz kundër padrejtësive politike e ekonomike që po i bëhen Kosovës. EULEX-i nuk ka punë me politikanët e dëgjueshëm e të shantazhuar por me Lëvizjen VETËVENDOSJE!, të cilën e shquan atdhedashuria e padiskutueshme, vendosmëria organizative, pavarësia politike, thellësia analitike, kritika parimore dhe alternativa e saj e drejtë.

Manifestimi i 10 Shkurtit

10 Shkurt do të ketë për sa kohë do të ketë histori, liri dhe të drejta njerëzore.

10:00 – 10:30 Homazhe te varri i dëshmorit Mon Balaj në Besianë

12:00 – 12:30 Homazhe te varri i dëshmorit Arben Xheladini në Prishtinë

14:00–14:30 Vendosja e luleve te pllaka përkujtimore në sheshin “Nëna Terezë”

15:00–15:45 Shfaqja e filmit “10 shkurti” në kinemanë ABC

17:00–17:45 Akademi përkujtimore në Sallën e Kuqe në Pallatin e Rinisië

10:00–18:00 Ekspozitë me fotografi në Pallatin e Rinisë
Shtuar më 09/02/2010, ora 21:00
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori