Koment: Një shembull nga Budapesti
Shkrimi i këtij komenti modest mori spunto nga protesta më e fundit në kryeqytetin e Hungarisë, Budapest, ku mbi 10 mijë qytetarë të këtij vendi mbushën sheshin qëndror për të kundërshtuar vendimin e qeverisë vendase për të tatuar navigimin në internet. Ky lajm edhe më lumturoi, por në të njëjtën kohë më la edhe një shije të hidhur. Më lumturoi për faktin se si një popull me një traditë jo fort të gjatë demoktratike dhe me një të kaluar komuniste si e jona (komunizmi në Shqipëri ka qënë shumë më mizor) ngriheshin për diçka që prek drejtëpërdrejt xhepat e tyre. Më hidhëroi për faktin se diçka e tillë në Shqipëri ose do të merrej kalimthi, ose nuk as do të bëhej asnjë zë.

Me ardhjen e qeverisë së majtë pas zgjedhjeve të 23 Qershorit shqiptarët shpresuan dhe besuan se premtimet që kryeministri Edi Rama kishte bërë gjatë fushatës do të mbaheshin. Kreu socialist premtonte asokohe shëndetësi falas, legalizim falas, jo prishje të ndërtimeve pa leje, ulje të taksave, përmirësim të rendit publik, ulje të çmimit të energjisë dhe mbi të gjitha 300 mijë vende të reja pune.

Deri tani asnjë prej këtyre premtimeve nuk është mbajtur, madje ka ndodhur e kundërta: për shëndetësi falas as që bëhet fjalë, për të legalizuar duhet të paguash, ndërtimet pa leje u prishën (disa edhe padrejtësisht dhe disa të tjera u lanë në këmbë për hatër të "shoqërive), rendi publik vazhdon të jetë problematik, taksat u rritën, ndërsa së fundmi po planifikohet edhe rritja e çmimit të energjisë elektrike. Çfarë do bënin hungarezët? Për të mos pyetur më pas për anglezët, suedezët, francezët etj...

Protestat kundër armëve kimike më bën të shpresoja se më në fund pas disa viteve demokraci shqiptarët mundën ti dilnin për zot vendit dhe familjeve të tyre. Nëse i shkelje të drejtat jetike të tyre ata nuk do të rrinin duarkryq. Por protesta e armëve kimike kaloi dhe mesa duket u harrua. Sot kur vendi vuan një krizë të madhe ekonomike, kur çmimet po shtrenjtohen, kur taksat po rëndojnë dita-ditës xhepat e qytetarëve, kur investimet po bien dhe mbi të gjitha kur po ulet fasha e 300 kilovatëve për energjinë elektrike, askush nuk merr guximin të dalë e të protestojë në rrugët e sheshet e qyteteve të tyre. Jo për të rrëzuar qeverinë aktuale dhe për të sjellë një parti tjetër në pushtet, por për të drejtat e tyre.

Mos e merrni si një koment politik dhe kundër qeverisë aktuale, por si një e vërtetë që nuk fshihet dot dhe një apel qytetar ndaj bashkëkombasve të mi, veçanërisht moshatarëve të mi që nuk e ka provuar shijen e hidhur të diktaturës komuniste, që ti dalin për zot të drejtave të tyre. Kur të gjithë ta ndjejnë në xhepin e tyre gjithçka përmenda më sipër jam i sigurtë se do të reagojnë, por kur laku të vjen në fyt është tepër vonë dhe të gjithë do të kujtojnë shprehjen lapidar "MË THUAJ Ç'QEVERI KE, TË TË THEM Ç'POPULL JE". (Aurel Rakipllari) /albeu.com/
Shtuar më 28/10/2014, ora 17:44

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori