Masakra në Kosovë, çfarë informacione ka aktualisht Policia për krimin në Gllogjan?

Hetimi i tragjedisë se të premtes në Gllogjan të Deçanit po zhvillohet në disa pista. Për sulm terrorist, drejtori i Policisë, Samedin Mehmeti tha dje se nuk kanë asnjë informacion për ta trajtuar me dyshim si opsion. Derisa po zhvillohen hetimet, Qeveria ka ofruar 20 mijë euro për këdo që ofron informacione që çojnë në arrestimin e personit që i doli përpara autobusit me nxënës duke zbrazur pothuajse një karikator plumba drejt tyre. Dy nxënës të shkollës së mesme vdiqën bashkë me shoferin e autobusit, duke mos mundur t’i mbijetojnë plagëve të marra nga arma që dyshohet të ketë qenë AK47. Tre të vrarët u varrosën sot.

Policia e Kosovës deri më tani ka marrë shumë informacione për këtë ngjarje. Ato, kryesisht kanë ardhur nga dëshmitarët e intervistuar dhe nga njerëz që kanë lidhje direkte ose rrethanore me këtë rast, raporton Gazeta Express.

Kryeministri Albin Kurti, pasi mori pjesë në varrimin e dy nxënësve, e vizitoi Stacionin e Policisë në Deçan, duke thënë më pas se informacionet për këtë rast po shtohen.

“Po rritet sasia e informacionit, por ende nuk e kemi zgjidhjen. Kur jemi në prag të 48-orëshit, ende nuk e kemi zgjidhjen. Por nuk po mungon angazhimi, është shtuar numri i zyrtarëve që po merren me hetimin e hulumtimin, në mënyrë që të sillet para drejtësisë vrasësi apo vrasësja. Edhe më tej kemi 2-3 pista. Momentalisht nuk kemi të dyshuarin të pandehurin, porsa të kemi informacione për këtë, sigurisht se do të ju njoftojmë. Po rritet sasia e informacionit që po marrim me hulumtimin e hetimin që po bëhet, edhe nga vendi i ngjarjes, e sidomos nga marrja në pyetje e dëshmitarëve. Por, nuk e kemi emrin ose emrat e përveçëm të vrasësit”, tha Kurti.

Ndërsa drejtori i Policisë, Samedin Mehmeti, tha se kanë marrë informacion nga Stacioni i Autobusëve, por edhe nga njerëz që kanë pasur kontakt me viktimat apo shoferin, si dhe persona të tjerë që mund të kontribuojnë.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha dje se posedojnë informacione të ndryshme të cilat Policia po i trajton nën direktivat e Prokurorisë.

“Unë mund të deklaroj se tashmë kemi informacione të ndryshme të ardhura në rrugë të ndryshme, të cilat Policia e Kosovës, nën direktivat e Prokurorisë është duke i trajtuar një për një. Janë duke u trajtuar disa pista, të cilat të gjitha kapacitetet e Policisë janë duke i eliminuar apo hetuar”, tha Sveçla në një konferencë për media, të mbajtur bashkë me drejtorin e Policisë, Samedin Mehmetin dhe kryetarin e Deçanit, Bashkim Ramosaj.

Për shkak të informacioneve të shumta, drejtori i Policisë, Samedin Mehmeti tha se kanë sjellë njësi shtesë dhe eskertë të ndryshëm për t’i hetuar.

“Më lejoni të ju njoftoj që momentalisht jemi duke u përballur me një numër të konsiderueshëm të informacioneve rreth rastit dhe kemi sjellë njësi shtesë dhe ekspertë të ndryshëm të niveleve të ndryshme operative dhe hetimore që t’i trajtojnë këto informacione”, deklaroi dje kreu i Policisë.

Informacionet e marra, Mehmeti tha se po përpunohen dhe se atyre po u bashkëngjiten provat teknike. Këto informacione, beson ai, do ta zbulojnë edhe motivin e këtij krimi.

“Ne jemi duke i përpunuar informacionet që po i marrim nga dëshmitarët, përkatësisht nga qytetarët, nga njerëz të cilët kanë lidhje rrethanore ose të drejtpërdrejtë me rastin. Të gjitha këtyre janë duke iu bashkëngjitur edhe provat teknike…. Rrethanat, dëshmitë, informacionet që janë duke ardhë kanë me na sjellë në një motiv që mund të ketë qenë”, u shpreh dje drejtori i Policisë.

Gazeta Express ka provuar të flasë me drejtorin e Policisë, Samedin Mehmeti për ta pyetur nëse të gjitha informacionet e marra për kryerësin e krimit kanë rezultuar të padobishme, apo nëse nuk ka pasur fare informacione për të, por ai s’ka qenë i qasshëm.

Për këtë nuk ka dashur të flasë prokurorja e rastit, Sahide Gashi.

Sipas institucioneve të sigurisë, kryerësi dyshohet të ketë qenë i vetëm në vrasjen e trefishtë, por nuk përjashtohet që ai mund të ketë bashkëpunuar me dikë. Rrjedhimisht, për tragjedinë mund të ketë më shumë se një të dyshuar.

Po kështu, edhe Qeveria e Kosovës sot iu referua si “autor”, pra në numrin njejës, personit që dyshohet se e kreu krimin.

“Për identifikimin sa më të shpejtë ​të kryerësit/ësve të këtij akti kriminal, Qeveria, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia kërkojnë ndihmën e qytetarëve dhe kujtdo që mund të ketë informacione të rëndësishme për zbardhjen e rastit. Si Kryeministër, bashkë me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Policinë e Kosovës apelojmë te qytetarët që mund të kenë ndonjë njohuri rreth rastit ta ndihmojnë policinë me informacione për gjetjen e autorit/ve të këtij akti dhe për këtë ofrojmë një shpërblim prej 20.000 euro (njëzet mijë euro), për cilindo qytetar i cili mund të jep informacione të cilat shpiejnë në zbardhjen ose zbulimin e këtij rasti”, thuhet në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit.

ZKM-ja tha se Policia është duke punuar në mbledhjen dhe analizimin e të gjitha fakteve dhe dëshmive relevante për ta zbardhur sa më parë këtë rast dhe për të sjellë para drejtësisë sa më parë që të jetë e mundur kryerësin/it e kësaj vepre kriminale.

Qytetarët të cilët kanë informacione lidhur me këtë rast mund t’i dërgojnë ato në këto numra telefoni dhe e-mail adresën e poshtëshënuar: Tel:-080019999 ose -192, dhe e-mail: [email protected].

Thirrjet në këta numra të telefonit janë pa pagesë për të gjithë qytetarët dhe policia do ta ruajë strikt të drejtën e anonimitetit apo fshehtësisë së identitetit, përveçse nëse personat vetë, pra vullnetarisht, deklarohen ndryshe./GazetaExpress/