Hysaj: Humbja ndaj Anglisë na ka ulur motivimin

Kapiteni i kombëtares sonë shqiptare Elseid Hysaj bashkë me trajnerin Reja ishin në konferencë për shtyp përpara sfidës me Andorrën. Hysaj theksoi se humbja ndaj Anglisë është e vështirë të kapërcehet por do të përpiqen ta harrojnë sa më shpejt.

“Është një humbje e thellë dhe na ka ulur pak motivimin, por këto ditë kemi qëndruar të bashkuar, është një humbje që duhet harruar, kemi dhe një ndeshje tjetër dhe do të kërkojmë maksimumin për t’i mbyllur në mënyrën më të mirë këto eliminatore.
Ishte një humbje vërtetë e rëndë por nuk duhet të harrojmë që luajtëm ndaj Anglisë, një kundërshtari që ka në përbërje lojtarë të kalibrit të lartë botëror, gjithsesi kjo humbje do të na shërbejë si një mësim për t’u ringritur.

Historia na thotë që Andorra është një ekip që bezdis të gjitha skuadrat dhe nuk është e lehtë të përballesh. Por ne gjatë këtyre viteve jemi rritur, jemi përmirësuar, jemi një skuadër më e fortë se më parë. E dimë që Andorra është një ekip i rrezikshëm, por ne do të hymë në fushë për të fituar.

Vendi i 3-të është një pozicion i mirë për ne, e kemi vendosur disi në rrezik por gjithsesi besojmë që do ta mbyllim grupin me 18 pikë. E kemi vlerësuar maksimalisht Andorrën dhe do të kërkojmë 3 pikët në këtë sfidë”, u shpreh Hysaj./h.ll/albeu.com


Shtuar 14.11.2021 16:12