Pas Shqipërisë, paratë ruse synojnë sektorë strategjik edhe në Kosovë

Kosova është në një moment kyç tani kur po negocionet me Serbinë, ndërsa influenca ruse duket se nuk po mjaftohet vetëm në aspektin diplomatik por edhe në atë financiar.

Madje, siç mëson Albeu.com dhjetra milion euro të gjeneruara nga bankat ruse duket se janë bërë gati për një investim në sektorin strategjik të telekomunikacionit në Kosovë.

Redaksia e Albeu.com në Kosovë mëson se në fokus është blerja e kompanisë së njohur “IPKO” dhe interes për këtë ka shprehur një konglomerat kompanish me qendër në Bullgari që është përfolur më parë nëmedia për lidhje të dyshimta me bankat ruse si edhe mafian bullgare.

Bëhet fjalë për biznesmenin bullgar Spas Roussev, i cilësuar si një ndër personat më të pasur në Bullgari, i cili pas Shqipërisë synon të shtrijë ndikimin e tij edhe në Kosovë.

Në vitin 2015 ai bleu “Telekom Bulgaria-n”, periudhë në të cilën Organizata për Raportimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionin (kliko per linkun) publikoi lidhjet e tij me financimet nga bankat ruse si edhe disa personazhe të njohur të mafias bullgare.

Kosova duket se është destinacioni tjetër i fondeve të influencuara nga Rusia në trevat shqiptare pas blerjes së një tjetër kompanie të telekomunikacionit në Shqipëri.

Më shumë se një vit më parë, Spas Roussev bleu bashkë me biznesmenin shqiptar Elvin Guri kompaninë “Telekom Albania”. Aktualisht, biznesmeni bullgar ka maxhorancën e aksioneve në kompaninë “Telekom Albania”.

Në atë periudhë, media shqiptare publikoi detaje nëlidhje me transaksioni e dyshimtë për shitjen e kompanisë “Telekom Albania”.

Telekomunikacioni konsiderohet si një sektor strategjik nga shtetet dhe rrjedhimisht qeveritë tregohen të kujdesshme kur lejojne futjen e kompanive të caktuara në këtë treg për shkak të të dhënave shumë sensitive që ato administrojnë si dhe rrezikun e përgjimeve të paautorizuara dhe ilegale të abonentëve të tyre.

Kështu, pasi shtiu në dorë të dhënat e abonentëve të kompanisë së dytë të telefonisë celulare në Shqipëri, paratë ruse synojnë të shtijnë në dorë edhe të dhënat e abonentëve të IPKO-s në Kosovë.

Miliarda nga shqiptarët me përgjysmim taksash

“Telekom Albania” u kthye në qendër të vëmendjes së shqiptarëve në shkurt të vitit të shkuar kur shpërndau rreth 250 milion euro divident mes aksionërëve duke paguar vetëm gjysmën e tatimit mbi fitimin.

Ishin fitime të realizuara nga kompania ndër vite, për të cilat nuk ishte paguar ende tatimi mbi dividentin për shkak se ai nuk ishte shpërndarë.

Por çfarë ndodhi?

Më herët, qeveria shqiptare miratoi disa ndryshime ligjore duke i lejuar kompanive që të paguanin jo 15 për qind tatim mbi dividentin por vetëm 8 për qind për fitimet e realizuara në vitet e mëparshme.

Kështu, nga 37.5 milion euro taksa që duhej të paguante kompania “Telekom Albania” për fitimin ndër vite në Shqipëri, pagoi vetëm 20 milion euro dhe iu falën përmes ndryshimeve ligjore 17.5 milion euro, para që mund të përdoreshin për të shtruar rrugë, rregulluar shkolla, apo qoftë edhe si ndihmë financiare ndaj familjeve në nevojë. /albeu.com/


Shtuar 18.06.2020 11:49