Asgjë nuk po shkon mirë te Barça, Suarez “thumbon” Setien: Pyesni trajnerin për rezultatet

Luis Suarez bëri gjithçka që Barcelona të dilte fituese nga sfida me Celta Vidon në kampionat. Mirëpo sulmuesi uruguaian nuk ia doli, pasi vendasit arritën t’i rrëmbenin një pikë të çmuar në fund të takimit.

Pas ndeshjes, ku Suarez shënoi dy gola, ai ia hodhi përgjegjësinë e lënies së pikëve në ndeshjet jashtë Barcelonës trajnerit të tij Quique Setien dhe stafit teknik të Barcelonës.

“Për këtë çështje duhet të pyesni trajnerin me stafin teknik. Ata i analizojnë këto situate. Nuk kemi humbur në të kaluarën pikë në fushat kundërshtare. Ndjesia është negative pas këtij barazimi sepse lamë dy pikë të rëndësishme dhe tani duhet t’i fitojmë të gjitha ndeshjet dhe Reali të gabojë. Është një ndjesi zhgënjyese”, deklaroi Suarez pas ndeshjes.

Reali tani ka mundësinë të shkëputet nga Barcelona nëse fiton ndaj Espanyolit të vendit të fundit.


Shtuar 28.06.2020 08:52