Conte i bindur që Kane do të fillojë me gola

Trajneri i skuadrës së Tottenhamit, Antonio Conte, është i sigurt se sulmuesi Harry Kane është gati t’i japë fund shterpësisë së tij për gola në Premier League. Kane e ka gjetur rrjetën vetëm një herë në 12 ndeshje të ligës gjatë edicionit aktual, ndërsa po përpiqet të rikthehet në formën që e bëri golashënuesin kryesor të ligës angleze edicionin e kaluar.

Kapiteni i Anglisë, i cili ka fituar “Këpucën e Artë” në tri nga gjashtë vjetët e fundit, është dukur një hije këtë sezon. Saktësisht që nga përpjekja e tij e dështuar për të detyruar Tottenhamin që ta lejojë të transferohet te kampioni në fuqi, Manchester City, para fillimit të këtij edicioni. 28-vjeçari ka pranuar se ndihej i lodhur mendërisht dhe fizikisht pas humbjes së Përfaqësueses së Anglisë në finalen e “Euro 2020” nga Italia, në muajin korrik. Ai nuk arriti të shënonte në fitoren 2:0 të Tottenhamit kundër Brentfordit të enjten, duke humbur një mundësi të artë në pjesën e dytë. Por, Conte është i bindur se Kane do të kthehet së shpejti në rrugën e duhur. Madje, trajneri italian ka thënë të premten se ka besim të madh te Kane.

“Jam i sigurt që Harry është i lumtur nëse fitojmë dhe ai nuk shënon, sepse Tottenhami është mendimi i parë për ne dhe Harryn”, tha Conte përpara ndeshjes në shtëpi kundër Norwichit. “Është e rëndësishme të kesh raste për të shënuar dhe ne jemi duke u përmirësuar shumë në këtë aspekt. Jam i sigurt që Harry do të shënojë shumë gola deri në fund të edicionit. Unë jam i sigurt se ai do të vazhdojë me paraqitje të mirë në secilën ndeshje. Jam i kënaqur me mënyrën se si ai po luan. Nuk jam i shqetësuar me mungesën e golave të tij”.

Ndërsa, Kane po lufton për të shënuar gol në Premier League – goli i tij i vetëm u realizua kundër Newcastlet në tetor – ai ka shënuar dhjeta gola për Anglinë këtë vit, duke përfshirë shtatë në ndeshjet e njëpasnjëshme kundër Shqipërisë dhe San Marinos, në kuadër të kualifikimeve për Botërorin “Katari 2022”. Ai gjithashtu ka gjashtë gola për Tottenhamin kundër ekipeve të vogla si NS Mura dhe Pacos de Ferreira në Ligën e Konferencës, por po e kërkon golin në kampionat.

“Shpresoj që shumë shpejt do të zhbllokohem në Premier League, ndonëse më shumë rëndësi kanë për mua fitoret e klubit sesa golat që i shënoi”, tha Kane.

Conte tha se cilësia e lartë e Premier Leagues e bëri shënimin e golave sfidë shumë më të madhe, jo vetëm për Kanen, por për çdo lojtar.

“Mendoj se Premier League është një ligë shumë e vështirë dhe çdo ndeshje që luan nuk është e lehtë”, tha italiani, i cili fitoi ligën me Chelsean në vitin 2017. “Ndonjëherë me përfaqësuese mund të luash kundër përfaqësueseve jo aq të forta dhe të shënosh. Ne te Tottenhami nuk po krijojmë mundësi shënimi vetëm për Kanen, por për të gjithë lojtarët. Kjo, për shkak se Premier League është liga më e fortë në botë dhe nuk është lehtë të shënosh gola”.


Shtuar 3.12.2021 21:59

Tags: ,