Kërkon të bëjë “ligjin” në Tiranë, pas tentativës për vrasje prangoset Vinzi i Hellbanianz: Promovon dhunë

Ditën e diel, një grup repistash shqiptarë që jetojnë në Londër, i njohur si Hellbanianz, kanë xhiruar një klip në sheshin Nënë Tereza në Tiranë, ku nuk ka munguar xhirimi i gomave.

Ndërsa ditën e djeshme, Ervin Selita, i njohur me emrin e artit si Vinz, është vënë në prangat e policisë pasi akuzohet për tentativë vrasjeje.

Vinz me origjinë nga Burreli ka qenë në një hotel me të dashurën e tij, por nuk janë lejuar që të hyjnë pa mjet identifikimi. Këtu ka nisur edhe një debat, ku Selita ka tentuar të vrasë me armë zjarri një nga pronarët e hotelit.

Lidhur me agresivitetin e grupit “Hellbenianz” mediat britanike kanë paralajmëruar disa herë e ndërsa tashmë duket se grupi ka ardhur edhe në Shqipëri, ku kërkon të bëjë “ligjin”. Mediat britanike e kanë cilësuar grupin si ndër më të rrezikshmit dhe që mbytën Anglinë me kokainë. Në një shkrim për ta theksohej se ata promovojnë luksin në mënyrë që të rekrutojnë shqiptarë për të punuar për ta në Britaninë e Madhe.

Një promovim i tillë u bë vetëm pak ditë më parë me anë të muzikës në disa rrugë të Tiranës.

ABC raportoi se një grup me maska, motoristë e me makina luksoze, bllokuan rrugën e Durrësit.

Bëhej fjalë pikërisht për grupin “Hellbanianz” të cilët publikuan edhe këngën pas filmimeve. Në këtë këngë shihet reperi i arrestuar Vinz teksa promovon jetën e çthurur./albeu.com/


Shtuar 3.02.2022 17:40