Rinis procesi ndaj Tahirit, Apeli cakton datën e seancës

Apeli i Posaçëm ka caktuar datën e seancës ndaj ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Mësohet se seanca do të mbahet në datën 20 dhjetor, në orën 09:00.

Kujtojmë se, procesi i Tahirit në Apel është rikthyer me vendim të Gjykatë së Lartë.

Njoftimi:

KOMUNIKIM PËR MEDIAN

Komunikohet në mënyrë të përmbledhur se, për çështjen në ngarkim të të pandehurve S.T. dhe J.Ç., e regjistruar pranë Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar më datë 24.11.2021, me nr. 47 regjistri themeltar, është planifikuar seanca gjyqësore në datë 20.12.2021, ora 09:00.
Fillimisht nga shorti ka rezultuar se çështjen do ta kryesonte gjyqtarja Miliana Muça dhe anëtare gjyqtaret Daniela Shirka dhe Ilirjana Olldashi.

Duke qenë se gjyqtarja Miliana Muça paraqiti aktin e heqjes dorë nga çështja, heqje dorë e cila u miratua nga zëvendëskryetari i gjykatës, çështja u rishortua, duke përcaktuar trupin gjykues të përbërë nga kryesuese Daniela Shirka, anëtare Ilirjana Olldashi.

Me vendimin nr. 565, datë 02.12.2021 të Këshillit të Lartë Gjyqësor, në përbërje të trupit gjykues u caktua anëtari tjetër, gjyqtari Engert Pëllumbi.

Gjithashtu, gjyqtarja Ilirjana Olldashi paraqiti aktin e heqjes dorë nga çështja, heqje dorë e cila u miratua nga zëvendëskryetari i gjykatës.
Në këto kushte, anëtari i tretë pritet të delegohet nga Këshilli i Lartë Gjyqësor./albeu.com


Shtuar 10.12.2021 12:21