Zgjedhjet e 30 qershorit legjitime, Patozi: Fund i pritshëm i një marrëzie politike

Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për të legjitimuar zgjedhjet e 30 qershorit të vitit 2019, ka reaguar Astrit Patozi.

Patozi e ka cilësuar vendimin fund të një marrëzie politike dhe me një kosto shumë të lartë për opozitën dhe veçanërisht PD-në, që pasoi aventurën e rrezikshme të bojkotimit të zgjedhjeve të 30 qershorit.

Reagimi i Patozit:

FUNDI I PRITSHËM I NJË MARRËZIE POLITIKE

Fundi i pritshëm i një marrëzie politike, gjatë kohës kur “Foltorja” dhe vulëmbajtësit e partisë mendonin dhe vepronin njësoj. Një aventurë e rrezikshme, e cila përfundoi me një kosto shumë të lartë për të gjithë opozitën, por veçanërisht për Partinë Demokratike.

Do të habitesha shumë, nëse dikush nga palët ndërluftuese do të shprehte sot pendesë apo reflektim, pas vendimit të së vetmes gjykatë në Shqipëri, e cila, të paktën deri tani, nuk konsiderohet ende si e kapur nga pushteti. E cila, në fakt, nuk ka bërë ndonjë gjë më shumë, se sa ka përkthyer fermanin e ashpër dhe të qartë të Komisionit të Venecias.

Një provë e tërthortë se sot nuk po kacafyten për parime apo për marrje përgjegjësish ndaj dëmeve serioze që i kanë shkaktuar kauzave opozitare, por thjesht dhe vetëm për pronësinë e Partisë Demokratike.

Tani e kanë të mbyllur një herë e përgjithmonë atë shteg. Sepse e kanë të shkruar si në pllakë të varrit, se jo vetëm nuk mund ta përsërisin më atë eksperiment të çmendur, por as nuk mund të guxojnë ta çojnë atë nëpër mend.


Shtuar 4.11.2021 17:09